Re: Së paku 3000 viktima të tërmetit në Azinë Juglindore
Skuadra Shqiperia-Tsunami Assistance/Team Albania-Tsunami
Assistance
www.mjaft.org
teamalbania@mjaft.org
+355 4 223 661 / +355 68 27 10 000
Shpallja e "Skuadrës SHQIPTARE"
Pas fatkeqësisë natyrore që përfshiu zona të tëra bregdetare
të Azisë Jugore të dielën e kaluar, nevoja për ndihmë konkrete
e të menjëhershme është e domosdoshme. Numri i të vdekurve
vazhdon të rritet dhe mendohet se do të kapë shifrën rreth
150,000 viktima.
Kofi Annan tha se "kjo është një katastrofë globale pa
precedentë dhe kërkon një përgjigje globale po pa precedentë".
Shkatërrimi në masë dhe numri i madh viktimave nga tërmetit
cunami është vetëm fillimi i katastrofës që do të vijojë nëse
nuk jepet ndihmë e menjehërshme mjekësore në zonat e
shkatërruara.
Rreziku i kolerës, tifos si dhe epidemive të tjera është i
pranishëm. Qindra mijëra nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie
kanë nevojë edhe për ndihmën më elementare: mjekim për plagët,
ujë të pastër për të shuar etjen dhe veshje të thata. Duke u
munduar të kurojnë pasojat e këtij shkatërrimi, më shumë se
30 vende të botës dhe miliona njerëz janë solidarizuar nën
flamurin e humanizmit ndërkombëtar në një fushatë globale,
kësaj radhe jo për luftë, por për të ndihmuar vendet e
martirizuara nga një fatkeqësi që mund t'i ndodhte secilit.
"SKUADRA SHQIPERIA":
Ne, shqiptarët, një nga kombet që më shumë se kushdo tjetër
ka përfituar nga asistenca dhe solidariteti i vullnetarëve
ndërkombëtarë në raste fatkeqësish dhe luftërash, shprehim
dëshirën tonë për t'u bërë pjesë e ndihmës globale.
Një Fondacion që lëvizja MJAFT ka ngritur së fundi për
qëllime bamirësie, në bashkëpunim me pushtetin lokal,
shoqërinë civile si dhe komunitetin e biznesit vendas,
po përgatit një përgjigje të menjëhershme e cila përfshin
dërgimin e një njësie të quajtur "Skuadra Shqipëria", e
cila do të përfshijë një grup mjekësh të specializuar
epidemiologë, higjienistë etj, te pajisur me ndihmat e
nevojshme mjekësore për të marrë simbolikisht nën administrim
njërën nga zonat e goditura nga fatkeqësia në Indonezinë e
largët.
Organizatorët po kujdesen që "Skuadra Shqipëria" të përfshijë
mjekë dhe specialistë vullnetarë jo vetëm nga Shqiperia por
edhe nga Kosova në shenjë uniteti dhe mirënjohjeje për atë
që komuniteti ndërkombëtar ka bërë për kombin shqiptar në
ditët tona të vështira si komb. Ne kemi komunikuar me
autoritetet e qeverisë indoneziane dhe me autoritetet
koordinuese lokale per lehtesimin e fatkeqesise.
Skuadra jonë vullnetare mjekësore, e pajisur me mjete të
mjaftueshme, do të bashkëpunojë ngushtë me Komitetin
Indonezian për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore te drejtuar
nga dr. Jose Rizal në qendrën e krizës në Banda Aceh,
Sumatra - Indonezi. "Skuadra Shqipëria" do të ofrojë
asistencë mjekësore si dhe ujë të pastër, ushqim dhe
ilace (përfshirë këtu edhe antibiotikë, farmaceutikë,
vaksina, etj.) për viktimat e tsunamit në atë zonë që do
të lihet nën administrimin e vullnetarëve nga Shqipëria.
Ndryshe nga imazhi mbizotërues që kronika kriminale i ka
faturuar Shqipërisë si një eksportuese e krimit të organizuar,
ne kërkojmë të shfaqim kësaj radhe shpirtin human të një
Shqipërie e cila mund të eksportojë ndihmë të organizuar,
përkrahje dhe mirëkuptim për ata që vuajnë!
Ne kërkojmë që të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare të japin
kontributin e tyre në këtë çështje dobia e së cilës është jo
vetëm për viktimat e tragjedisë së madhe ndërkombëtare të
tërmetit, por edhe një shërbim i vlefshëm për kombin tonë,
nxitjen e respektit, autoritetit dhe vlerësimit ndaj tij në
periudhën e ardhshme e cila do të jetë shumë vendimtare për
të ardhmen dhe aspiratat tona. Ne kemi nevojë për mbështetjen
tuaj për të bërë të mundur që "Skuadra Shqipëria" të realizojë
misionin dhe të japë ndihmën e saj në zonat më të shkatërruara
të Azisë Jugore.
Fondi i mbledhur do të na lejojë të gjithëve të japim mbështetje
të menjëhershme për viktimat e rajonit që do të administrojë
skuadra jonë, të blejmë medikamentet e nevojshme, të ofrojmë
asistencën për të plagosurit, të humburit, jetimët, dhe
shtëpitë e shkatërruara dhe ta rreshtojmë kështu Shqipërinë
në listën e vendeve të botës që i dhanë një dorë atyre kombeve
në fatkeqësi.
Faleminderit për ndihmën tuaj. Ajo do të shpëtojë jetë.
Per me shume informacion:
http://www.mjaft.org/shq/news/tsunami.htm