Re: Së paku 3000 viktima të tërmetit në Azinë Juglindore
Një ndryshim në Gjeografi- ishulli Sumatra zhvendoset 30 metra
Eva Kushova
Tërmeti prej 9.2 ballësh që goditi Indonezinë ditën e dielë ka shkaktuar një nga fenomenet e rralla në Oqeanin Indian në më shumë se një shekull, duke krijuar madje edhe ndryshime gjeografike. Si pasojë e valës së fuqishme të krijuar në oqean është zhvendosur ishulli i Sumatrës në një distancë prej 30 metrash në veriperëndim. Kjo sipas specialistëve konsiderohet zhvendosja më e madhe e tokës nga një masë gjigante uji. Ngritja e ujit në lartësi aq të madhe, duke shkaktuar të quajturin në gjuhën shkencore, tsunami, goditi gjithë brigjet e Oqeanit Indian dhe të detit jugor të Kinës. Vetë tërmeti që epiqendrën e kishte në fund të detit, konsiderohet nga më të mëdhenjtë që nga viti 1964, kur një i përmasave të tilla gjigante u regjistrua në Alaska. Tsunami i mëparshëm i ndjerë në Oqeanin Indian i përket vitit 1883, por jo i kësaj madhësie. Tërmeti i së dielës ka gërryer një gjatësi prej 600 miljes (960 km) në nëntokën e Oqeanit Indian. Valët masive të tsunamit, të cilat nuk shkaktuan tronditje të tokës por vetëm dallgë të fuqishme që përmbytën gjithë rajonin përreth, tashmë kanë marrë jetën e më shumë se 23 000 vetëve. Tsunamet- të quajtura shpesh në mënyrë të pasaktë valë të baticës (valë jonormale) – janë nga fenomenet më të rralla në oqean. Ato shkaktohen shpesh nga tërmetet, por mund të shkaktohen edhe nga rrëshqitja e dheut nën ujë apo nga ndikimi i ndonjë meteori. Në rastin e së dielës, lëvizja e papritur në ishullin Sumatra ka shkaktuar një përmbytje në tokë gati në thellësinë e detit. Por ndërsa uji u kthye sërish në det, u krijua një çrregullim duke u përhapur disa qindra mijëra milje larg. Një valë normale, e krijuar nga erërat arrin zakonisht një thellësi prej 9 metrash dhe lëviz shumë ngadalë, ndërsa një tsunami prek gjithë thellësinë e ujit nga sipërfaqja deri në fundin e detit dhe vrapon me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Lëvizja e valës kryhet lart e poshtë. Por meqë oqeani është shumë i thellë, lëvizjet e para të këtij fenomeni janë shumë të lehta në sipërfaqe, aq sa edhe dikush që është në varkë sipër nuk mund ta ndiejë. Vala e ujit fiton shpejtësi dhe përfshin gjithë brigjet derisa një lartësi më e madhe se vala në tokë ta ndalë. Prej andej uji rikthehet duke shkatërruar ç’të mundet. Tsunami i së dielës nisi të godiste brigjet rreth dy orë pas tërmetit. Ndoshta koha ishte e mjaftueshme për të lajmëruar banorët që të zhvendoseshin nga brigjet e Oqeanit Indian, nëse edhe në Oqeanin Indian do të kishte një sistem paralajmërues si në Oqeanin Paqësor. Kjo sepse shkencëtarët e kishin nënvlerësuar rrezikun e një tsunami në këtë zonë. Në Paqësor është shkaktuar një tsunami i tillë në vitin 1960 i shkaktuar nga një tërmet prej 9.6 ballësh që goditi bregdetin kilian dhe mbërriti deri në Japoni.
Shifra
Gjithsej 23 200 të vdekur (pritet të arrijë në 25 000)
Në ishullin Sumatra 10 000
Në Sri Lanka 12,000 të vdekur
Në Indi 6600 të vdekur
Në Indonezi 5000 viktima (mendohet të rritet në 10 000)
Në Tajlandë 839 të vdekur
Në Somali 14 të vdekur
28/12/2004
KATEGORIA: Bota