Re: Protestat "Nano ik"
Konkluzionet e raportit te EU per Shqiperine.
Qeveria
Konfliktet brenda PS-së, frenuan reformat
Konfliktet brenda partisë në pushtet u përshkallëzuan me afrimin e kongresit kombëtar të PS-së në fund të vitit 2003 dhe, rikthimi te retorika provokuese si nga opozita ashtu edhe nga shumica, ndikuan në një përkeqësim të situatës politike. Si rrjedhojë, qeveria edhe një herë u përqendrua më shumë në çështjet e brendshme, sesa në reformat e rëndësishme të cilat duhen ndërmarrë menjëherë me qëllim që të përmirësohet gjendja social-ekonomike e vendit dhe të bëhen përparime në rrugën drejt BE-së.
Administrata
Korrupsioni pengesë për shërbimin civil
Problemet e kahershme si korrupsioni, ndërhyrja politike, mungesa kronike e burimeve njerëzore të përshtatshme, ndryshimet e shpeshta të njerëzve dhe zbatimi i pamjaftueshëm i kuadrit ligjor që lidhet me administratën publike, vazhdojnë të jenë pengesë për konsolidimin e një shërbimi civil profesional dhe të pavarur. Jo të gjitha objektivat e reformave u arritën gjatë vitit 2003. Ndonëse është shënuar përparim në përdorimin e procedurave profesionale dhe të drejta të përzgjedhjes, emërimet subjektive ngelen mëse të shpeshta.
Pushteti vendor
Qeveria fuqizon enkas krahun e saj, prefektët
Ka pasur një tendencë për të rritur më tepër sesa duhet rolin e prefektëve si krahu i qeverisë në nivel vendor. Funksionet ekskluzive të bashkive dhe komunave janë bërë më të qarta. Një sërë kompetencash janë decentralizuar tashmë. Megjithatë, fusha të rëndësishme si furnizimi me ujë dhe pastrimi, apo arsimi dhe kujdesi social, vazhdojnë të mbeten kryesisht nën kontrollin e autoriteteve qendrore.
Sistemi i drejtësisë
Korrupsioni në të gjithë sistemin gjyqësor
Ndonëse janë bërë disa përmirësime të vogla, sistemi gjyqësor shqiptar mbetet i dobët. Aftësitë profesionale të gjykatësve, prokurorëve, policisë gjyqësore dhe personelit administrativ vazhdojnë të jenë të kufizuara, ndërsa infrastruktura dhe pajisjet të papërshtatshme. Sipas vëzhgimeve të kryera nga Nisma e Evropës Juglindore për Zhvillimin Ligjor (NEJZHL), korrupsioni përfshin të gjithë aktorët e sistemit gjyqësor, gjykatësit, prokurorët, personelin administrativ dhe avokatët.
Shteti ligjor
Korrupsioni po ndikon negativisht
Përparimet në drejtim të respektimit të përgjithshëm të shtetit ligjor janë të pakta. Shteti ligjor vazhdon të jetë i ndikuar negativisht nga dobësitë e sistemit gjyqësor dhe të administratës pulike, si edhe nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Korrupsioni
Asnjë rezultat në luftën kundër korrupsionit
Korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem serioz. Sipas Indeksit të Transparencës Ndërkombëtare të Perceptimit të Korrupsionit, Shqipëria zë vendin e 92 nga 133 vende, me 2,5 pikë nga 10 maksimale (ku vendi me perceptim zero të korrupsionit mban 10 pikë në tabelë). Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit janë të ulëta. Në Shqipëri nuk përbën problem mungesa e strategjive dhe legjislacionit, por mangësitë në vënien në jetë dhe zbatimin e tyre.
Protestat
Policia më e përmbajtur gjatë tubimeve
E drejta për të protestuar përgjithësisht është respektuar dhe normalisht manifestimet e opozitës janë zhvilluar pa incidente të rënda. Megjithatë, duhen bërë përpjekje për të përmirësuar përgatitjen nga ana e policisë për përballimin në mënyrë adekuate të situatave të tensionuara apo të dhunshme që mund të krijohen gjatë manifestimeve.
Liria e mediave
Qeveria ushtron presion mbi mediat
Por, megjithë numrin e madh të gazetave dhe mediave të tjera të shkruara dhe elektronike në Shqipëri, asnjëra prej tyre nuk është krejtësisht e imunizuar nga presioni politik dhe financiar. Rritja e transparencës rreth pronësisë së mediave është jetike. Raportime rreth tentativave të qeverisë për të ndikuar informacionin e dhënë nga mediat kanë vazhduar. Në këtë aspekt, qeveria duhet të heqë dorë nga çdo tentativë përdorimi të presionit ose të ngacmimit të mjeteve të informimit, si edhe duhet të përshtasë tërësisht ligjin mbi shpifjen me standardet evropiane.
Gjendja ekonomike
Reformat dhe energjia, rrezik potencial
Pas rënies së rritjes së Prodhimit Kombëtar Bruto (PKB/GDP) gjatë vitit 2002, gjendja ekonomike në vitin 2003 njohu një rritje të qëndrueshme me rreth 6 %. Megjithatë, një numër elementesh, më konkretisht paqëndrueshmëria politike, furnizimi i pasigurt me energji elektrike dhe reformat strukturore të papërfunduara, mund të pengojnë performancën e tanishme.
Papunësia
Shifrat e qeverisë për papunësinë, të manipuluara
Shifrat e papunësisë duhen marrë gjithsesi me rezervë, duke qenë se një numër i konsiderueshëm i të papunëve nuk regjistrohen në shërbimet e sigurimeve shoqërore dhe aktivizohen në tregun e zi. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), shkalla e papunësisë në vend është më e lartë dhe arriti në 38 % në fund të vitit 2003.
Tregu i brendshëm
Zbatimi i ligjit, pengesë për zhvillimin e tregut
Kufizimet e administratës dhe problemet serioze të korrupsionit vazhdojnë të kenë efekte negative në zbatimin konkret të këtij legjislacioni. Kjo gjë ndikon gjithashtu edhe në marrëdhëniet tregtare. Zbatimi subjektiv apo diskriminues i ligjeve është mesa duket i shpeshtë, për shembull në fushën e tatimit mbi ndërmarrjet. Mungesa e garancive në lidhje me zbatimin e drejtë të procedurave është një çështje që duhet zgjidhur urgjentisht.
Prokurimet publike
Mungon transparenca dhe konkurrenca
Shqipëria duhet realisht të rrisë përpjekjet e saj në këtë fushë. Në veçanti, ajo të vazhdojë të forcojë strukturat që kanë të bëjnë me prokurimet. Duhen ndërmarrë hapa të mëtejshëm për nxitjen e një "kulture të prokurimeve publike" të bazuar në parimet e transparencës dhe konkurrencës së ndershme. Nga ana tjetër, duhen marrë masa për parandalimin e parregullsive dhe përndjekjen e mashtrimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet.
Industria
Sektori më i dobët në Shqipëri
Sektori industrial në Shqipëri vazhdon të jetë i dobët. Kontributi i tij në shtimin e përgjithshëm të PKB-së fjatë 2003 pritet të jetë i përafërt me atë të 2002, domethënë rreth 12 % - 13 %. Përpjekjet për ristrukturimin e industrive ekzistuese kanë qenë të pakta. Për këtë arsye, industria vazhdon të jetë përgjithësisht e vjetëruar, e parikuperueshme dhe e paaftë për të konkurruar me industrinë evropiane.
Pastrimi i parave
Legjislacioni për këtë qëllim nuk zbatohet
Shqipëria ende ka një ekonomi që bazohet te qarkullimi me para në dorë. Gjatë 12 muajve të fundit, janë shënuar disa përmirësime në legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përgjithësisht konsiderohet se ligjet janë tanimë të përshtatshme për këtë qëllim. Megjithatë, legjislacioni nuk zbatohet si duhet dhe miratimi i akteve është i pakët.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit
Edhe pse duhet të jetë prioritet, nuk ka progres
Ndonëse i identifikuar si një nga prioritetet kryesore në raportin e mëparshëm të Stabilizim-Asociimit, progresi real në luftën kundër krimit të organizuar ka qenë i dobët. Lidhur me kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore, në fillim të vitit 2003, u miratua Strategjia Anti-Trafikim, e cila duhet vënë në zbatim si duhet. Operacioni anti-trafik i gushtit 2003 solli arrestimin e një numri të konsiderueshëm kriminelësh të dyshuar, por hetimi dhe gjykimi janë të ngadaltë.