Re: Protestat "Nano ik"
Shoqëria civile, pjesë aktive e lëvizjes "Nano, ik!"
Elida REÇI
Drejtore e Institutit për Financat Publike dhe Private
Mendoj se organizatat e shoqërisë civile janë aktore të rëndësishme në ndërtimin e konsensusit të nevojshëm social për reformat ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë. Ato luajnë një rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e një qeverisje efektive, duke rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike, duke luftuar korrupsionin dhe duke siguruar që paratë e buxhetit të drejtohen drejt shtresave në nevojë që fokusohen mbi varfërinë.
Ne kemi përpara sfida të mëdha integruese për arritjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit (MDGs), për strategjinë e zhvillimit kombëtar dhe reduktimin e varfërisë, për integrimin me Bashkimin Europian. Të gjitha këto sfida kërkojnë një pjesëmarrje të gjerë tuajën, në format dhe metodat demokratike që ju mendoni se çojnë në zgjidhje, dhe nëse zgjidhja e tyre bëhet e vështirë nga një qeverisje e keqe, demonstrimi në shesh është po aq demokratik dhe i nevojshëm për të realizuar këto aspirata.
Ne duhet të kemi një zhvillim ekonomik dhe rekomandimet e institucioneve tona të shoqërisë civile për ndryshime në politikat e mbështetjes së ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, në përmirësimin e menaxhimit të parave të buxhetit, në rritjen e transparencës dhe shkallës së pjesëmarrjes, synojnë të ndihmojnë për të siguruar një qeverisje të mirë, për të krijuar një atdhe ku ne të gjithë japim kontributin tonë dhe marrim të mirat publike që na takojnë.
Eshtë detyre e shoqërisë civile që të sigurojë që shërbimet publike shkojnë tek shtresat më të varfëra, që paratë tona shkojnë për të reformuar ekonominë, për të na dhënë më shumë rrugë, më shumë energji, më shumë shkolla dhe spitale, që ne të mos përballemi me korrupsionin dhe trafikimin çdo ditë, që ne të mos jemi të varfëruar deri atje sa çdo rrugë drejt të panjohurës, shpesh edhe vdekjes, të na duket pjesë e zgjidhjes.
Po kur ne shohim se rezultatet janë të ndryshme dhe nëse ne kemi një vend në të cilin nuk krijohen vende pune, në të cilin bizneset e vogla dhe të mesme falimentojnë ose kalojnë në informalitet, paratë tona shkojnë më shumë për shpenzimet e qeveritarëve se sa për ujë, energji, rrugë, shkolla, shërbime sociale, etj. Nëse fëmijët tanë mësojnë me kandila dhe qirinj, sepse qeverisja e cila mbahet me paratë e taksave tuaja vendos dënimin kolektiv dhe kur digat përmbysen nga shirat.
Kur ne fillojmë të ndjejmë se toka jonë nuk na bën të ndjehemi mirë dhe pjesë e zgjidhjes konsiderohet ikja, largohen intelektualët sepse mungojnë hapësirat për të përdorur mediat e tyre, largohen të varfërit për të mbijetuar, qoftë edhe me çmim jetën, trafikohen femrat, qoftë me çmim nderin dhe humbjen e lidhjeve me familjen, tregtohet fëmija që të mund të ushqehet pjesa tjetër e familjes.
Nëse kjo ndodh, sepse një qeverisje nuk është më e mirë dhe ç'është më e rëndësishme nuk kërkon që të jetë më e mirë, kur ajo është totalisht indiferente ndaj nevojave të qytetarëve të saj, pikërisht atëherë mendimi intelektual, rekomandimet e studimeve të institucioneve tona marrin pak kuptim dhe roli ynë si shoqëri civile vjen duke u zbehur, nëse ai nuk i bashkëngjitet formave të tjera demokratike për të përmirësuar ose ndryshuar qeverisjen.
Eshtë pikërisht atëherë kur një qeverisje e keqe sjell pakënaqësi të përgjithshme, kur një qeverisje e keqe na sjell ne të gjithëve në shesh, si në rastin kur ajo iniciohet nga një organizatë e shoqërisë civile siç është "Mjaft" dhe ne ndihemi mirë të nxjerrim dufin e pakënaqësive, duke thirrur "Mjaft!", si kur ajo fillon të organizohet nga Partia Demokratike dhe në mënyrë totalisht paqësore. Kjo protestë, siç është mitingu i sotëm, është pikërisht kur pjesëmarrja me çdo mjet demokratik, protestë e intelektualëve dhe akademikëve dhe institucioneve të tyre të shoqërisë civile, është pjesë e detyrimit që ata i kanë shoqërisë shqiptare, është pjesë e detyrimeve që intelektualët e këtij vendi i kanë qytetarëve që jetojnë në të, qytetarëve shqiptarë që ndjekin nga çdo cep i botës zhvillimet në Shqipëri, i kanë borxh institucioneve ndërkombëtare që kanë mbështetur dhe mbështesin zhvillimin, dhe ruajtjen e demokracisë në Shqipëri ia kënë borxh vetes së tyre dhe brezave që vijnë, ruajtjen e demokracisë së fituar me shumë përpjekje jo më larg se 13 vjet më parë.
Unë mendoj se është pikërisht kjo koha që ne intelektualët, përfaqësues të shoqërisë civile, duhet të bashkohemi dhe të bëhemi pjesë aktive e lëvizjes mbarëqytetare "Nano, ik!", që është dhe lëvizje për një shoqëri shqiptare me qytetarë që demonstrojnë në mënyrë paqësore, me kërkesën e vetme t'i lejojnë të jetojnë dhe ndërtojnë vendin, lumturinë e tyre.
*Fjala në mitingun e Tiranës, 20 Mars 2004