Re: Plazh - Topless?
Mendoj se topless apo jo-topless ka të bëjë me një problemet më të vjetra të njerëzimit : problemi i trupit dhe pranimi i tij. Le të rikthehemi tek origjina e njerëzimit, tek Eva dhe Adami ku gjithçka shkonte për mrekulli deri ditën kur të dy ata kryen "mëkatin" e parë të njerëzimit : aktin dashuror. Atë ditë, ato kryen aktin e "turpshëm" nga i cili njerëzimi do të vuante në jetë të jetëve, Zoti duke i dëbuar ato nga kopshti i Eden. Qysh nga ky moment, trupi është parë si diçka e papastër, e për pasojë që duhej të fshihej, fillimisht kuptohet me mjete rrethanore, psh me një gjethe fiku...
Në këtë histori të gjenezës e kanë burimin të gjitha diskutimet e Kishës mbi larjen e mëkateve dhe mbi luftën e vazhdueshme që i duhet bërë tundimit të trupit. Trupi është diçka e padenjë për t'u marrë në konsideratë, tani e tutje është vetëm shpirti ai i cili ka favoret e Zotit. Mirëpo, duke qenë se periudha në të cilën jetojmë është ajo e kërkimit të lumturisë nën të gjitha format dhe ajo e shekullarizimit të përshpejtuar, atëherë trupi po fiton gjithnjë e më tepër pavarësinë e vet në raport me shpirtin. Ai tani ka të drejtat e veta për t'u shfaqur, për të kërkuar kënaqësinë e vet, pa qenë nevoja për të kaluar nëpërmjet kënaqësisë shpirtërore. Trupi fillon të funksionojë si një objekt në shërbim të lumturisë së njeriut, dhe jo më si një barrë apo pengesë për shpirtin për të fluturuar në drejtim të lartësive të pashkelura ndonjëherë e prandaj të virgjëra, dmth të pastra. Çlirimi nga kompleksi i fajit apo i mëkatit fillestar ka sjellur sigurisht heqjen e të gjitha barrierave për ekzibicionin e trupit, dhe kjo është kuptuar mirë nga të gjithë.
Të marrim shembullin e Robinson Crusoe : i vetëm në ishullin e vet, ai do të mundej fare mirë për të mos u quajtur natyralist ngaqë mund të bridhte fare lakuriq në këtë ishull, kjo duke supozuar që Robinson të mos kishte turp nga trupi i vet, dmth që vetja e tij të mos dilte dy metra përpara tij dhe të mos thoshte : "Jo, jo, është turp që të dalësh kështu". Mirëpo, me t'u shfaqur Premti, ai pëson vështrimin e dikujt tjetër, dhe këtu ai hyn në kategorinë e natyralistëve. Vështrimi i tjetrit apo mos-qenia vetëm bën që të vihen në lëvizje të gjitha mekanizmat e hershme të strukura thellë në pavetëdijen e njeriut. Ekzibicioni i trupit në një vend ku është e ditur apo e nënkuptuar që ai nuk është i mirëpritur është diçka që nuk kalon lehtë. Sepse e kemi të lehtë të vringëllijmë të drejtat themelore të çdonjërit për të bërë atë çka duam, por kjo nuk do të thotë që ne kemi nevojë për revolucionarë për të ndryshuar mentalitete. Ato ndryshohen ngadalë dhe pa përplasje, dhe kështu është më mirë. Të shëtisësh lakuriq përmes një turme njerëzish të veshur minimalisht, kjo është të dënohesh për ekzibicionizëm. Kujtoni gjobat e anglezit Mark Roberts i cili nuk lë rast pa demonstruar "krenarinë" e tij nëpër fusha futbolli e tenisi. Të bësh plazh ashtu siç n'a ka falur natyra mund të jetë e mundur vetëm në kuadrin e zgjedhjes së lirë së çdo personi për të mos parë ato çka ai nuk dëshiron. Ka vende të posaçme për këtë, ku secili mund të shkojë duke e ditur qysh më parë përse bëhet fjalë. Pra, ashtu siç ekzistojnë sindikatat e punëtorëve, ashtu ekzistojnë edhe njerëz që kanë shije të njëjta dhe që bëjnë ç'është e mundur për t'i kënaqur këto shije. Të mos harrojmë që në vendet e plazhit topless është e ndaluar që të kesh diçka mbi vete, dhe menjëherë do të bësh që të të tërhiqet vëmendja. Gjithkush mund të zgjedhë vendin apo mënyrën e kalimit të kohës së lirë të vet, dhe kjo nuk ka të bëjë fare me prishjen e shoqërisë. Prishja e shoqërisë do të vinte nga ndalimet, nga kufizimi i lirisë, nga shtypja e minoritetit.
Pak gjë për Z.Antares. Më vjen çudi që megjithëse filogjerman (ndoshta dhe më tepër /pf/images/graemlins/wink.gif ), duke patur deklaruar që gjermanishten do t'a mësonte edhe po të kishte qenë i detyruar, Z.Antares është kundër natyralizmit i cili është kryesisht nordik dhe më veçanërisht gjerman. Kulti i trupit të bukur natyror është mjaft i përhapur tek gjermanët, dhe kjo ka qenë edhe në vitet e nacional-socializmit, madje atëherë në kulmin e vet. Natyralizmi nuk shihej si një defekt i njeriut siç z.Antares e rreshton me disa fenomene të tjera siç homoseksualizmi, etj.
Nejse, ndoshta gabohem por çështja e trupit është një nga çështjet më kryesore të të gjitha religjioneve.