Re: Pershkruani Shqiperine me nje fjale!
Do të ketë ndryshime në qeveri - më thotë Ylli, tek dëgjojmë lajmin se kushëriri i Xhuvelit është arrestuar duke djegur pyjet. Është racional Ylli, ja do zanati i juristit, ndryshe nga unë që prirem të përsiatem mbi lajmet që dëgjoj. Edhe mua ma do puna e të shkrojturit këtë gjë. Kështu edhe kësaj radhe e tres mendjen në një tjetër shpjegim.
Më në fund e gjeta - i them - si do t‘u përgjigjem të huajve që pyesin e përpiqen të kuptojnë arsyen e ambientit të pocaqisur dhe të masakruar të Shqipërisë. Do t‘u them vetëm që, në këtë vend është ministër ambienti një njeri që ka për pronë një fabrikë gomash të përdorura dhe për kushëri një që u vë zjarrin pyjeve. Pas kësaj, vetëm një marsian mund të ketë nevojë për shpjegime të mëtejshme. Kështu, them se do ta heq njollën nga vëndi dhe do t‘ua le në kurriz vendësve, që mbajnë të tillë qeveritarë.
KUAJT FISNIKË
Dje, në fushën prapa stadiumit "Qemal Stafa", që zyrtarisht i thonë "Aneksi i Stadiumit", u mbajtën garat e Kupës së Hipizmit. Prej kohe ajo fushë e harruar, e pluhurosur, me rrethimin të shqyer e shqepur përreth dhe me copa të kafshuara nga të katër anët, nuk kish parë të atillë gjallëri, qindra njerëz, rini e fëmijë, gëlonin ngado tek shihnin shfaqjen e kuajve e kalorësive. Në varfërinë e kësaj nisme pioniere, në mesin e kuajve që nuk është se u shkëlqente qimja, mes pajisjeve e pajimeve që dukej të qenë të përdorura e të ripërdorura, mund t‘i vriten sytë kujtdo që nuk i njeh përpjekjet me shpirt e thonj të atyre djemve pasionantë që po përpiqen të ngjallin një sport të vdekur e të harruar, por sidoqoftë do të mjaftonte gëzimi i morisë së fëmijëve që gjithë gaz përpiqnin duart në çdo trok kuajsh, për të falur mungesat. Po tjetër gjë më bëri të ulem e të shkruaj.
Gjithë ata njerëz aty, nuk e dinë se ç‘shërbim të madh po i bëjnë qytetit dhe ne të gjithëve ata kuaj të ngratë. Me gëzimin dhe trokun e tyre, ka gjasë të shpëtojnë nga shkatërrimi përfundimtar atë fushë. Ju nuk e dini se sa plane, duar e hije janë zgjatur në vite dhe ca më shumë tani, për ta zënë atë fushë e ndërtuar pallate në të. Sa më shumë harrohej ajo, sa më shumë rrëgjohej, rrënohej e mbushej me plehra, aq më shumë rriteshin fjalët e "dashamirëve të përparimit" se është gjynah ta lesh ashtu me plehra atë, se më mirë të ndërtohet që të bëhet me drita e vezullim, se kështu e se ashtu. Është një metodë e vjetër kjo, që ka dhënë gjithmonë rezultat në këto vite. Ta lesh të rrënohet e të harrohet gjëja, që pastaj askujt të mos i vinte keq kur shkatërrohej përfundimisht.
Doni shembuj? Po ju jap, jo nga ata që u varrosën e harruan tashmë, por nga ata që janë në prag të këtij varri. Shkolla "Kosova", ndër më të vjetrat shkolla të qytetit, u la të shkatërrohej, pastaj i bllokuan edhe fondet e rindërtimit, pastaj edhe e dogjën dhe sot gati askush nuk kujtohet për të. Tani është i gatshëm hapi tjetër, kur pakkujt apo askujt nuk do t‘i vijë keq kur në vend të rrënojave të nxirosura të saj do të mbijë pallati i radhës. Apo Muzeu Shkencave të Natyrës, ku të gjithë shqiptarët që në vegjëlinë dhe rininë e tyre kanë mbetur të mrekulluar prej asaj çka mban në gji, sot po përjeton fazën finale të kalvarit. E mbyllën, e lanë pa fonde, pastaj kur edhe në këtë rast u gjendën fondet e restaurimit, ato u bllokuan nga duar që e kishin në dorë këtë punë, për ta shkatërruar deri në fund dhe tani ajo godinë dergjet si një dinozaur i plagosur mes ferrave që po e mbulojnë ngado dhe fërkimit të duarve të atyre që mesi presin ditën t‘i vënë përfundimisht kazmën dhe të ndërtojnë mbi varrin e tij. Doni më? Janë pafund shembujt e tillë, jo vetëm anekënd Tiranës, por anekënd Shqipërisë. Dhe në të gjitha rastet, skema është e njëjta, aq sa të bëhet të mendosh se gjëkund në ndonjë qoshe të errësirës ka ndonjë shkollë ku të liqtë mësojnë si e qysh t‘i bëjnë të ligat për t‘i gërryer të përbashkëtën këtij populli.
Në këtë shkollë të së keqes nuk ishte shënuar vetëm një gjë, troku i këtyre kuajve fisnikë që, me hingëllimat e tyre, zgjuan dhe mblodhën gjithë ata njerëz, duke nxjerrë nga harresa edhe fushën. Vazhdoni o kuaj fisnikë, se dashtë Perëndia, mund të shpëtoni për fëmijët tanë atë që të gjithë ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë për ta.
LËMSHI i KONTRADIKTAVE
Shenjat vazhdojnë të mos duken hiç të mira. Pardje, Presidenti i Republikës dekoroi të vrarin e protestës së 14 shtatorit 1998. Është e sikletshme të debatosh për një çështje ku ka edhe një të vdekur në mes, e ca më keq, kur ky i vrarë ishte një djalë i ri, e si të mos mjaftojë kjo, edhe në prag të martesës. Është e vështirë, po duhet bërë. Kontradiktë e sikletshme kjo.
Po për çfarë arsyeje e dekoroi kreu i shtetit? E dekoroi sepse u vra duke sulmuar shtetin e vet!!! Ç‘është ky absurd që s‘i themi dot as kontradiktë, aq pa anë e pa fund është? Endé shteti shqiptar duhet të kujtohet për ata pak ushtarakë që në ‘97-ën dhe ‘98-ën kryen detyrën e tyre duke mbrojtur objektet që ju ishin besuar, t‘u bëjë një shenjë mirënjohjeje, a t‘u japë edhe atyre një medalje. Mirëpo le që nuk merremi me këta, por kalojmë në ekstremin e kundërt, dekorojmë ata që sulmuan shtetin. Megjithatë, përtej vështrimit të parë, Berisha që dekoron nga një anë gardistët e vrarë në Cërrik dhe nga ana tjetër, dy ditë më parë, dekoron ata që i vunë zjarrin Kryeministrisë, duket sikur është irracional (të parët ishin shërbëtorë të shtetit, të dytët shkatërrues të tij). Nuk është aspak kështu, ai në të dyja rastet thjesht shpërblen besnikë të vetët, shteti nuk i duhet, as që i bie në mënt për të. Them Berisha, se me ç‘duken bathët, Topin s‘e pyet njeri në këtë mes.
E bukur kjo punë, Topi dekoron një djalë që u vra duke sulmuar Kryeministrinë (e sulmonte nga përpara, se nga mbrapa ia mbathte Kryeministri), i cili para dy muajsh me votat e veta bëri të mundur zgjedhjen si President të Topit. Tjetër kontradiktë kjo, që nuk di nga ta zë. Ndoshta këtu po nxitohem të shprehem para kohe, se bën vaki që sot, ditë e hënë, të ngrihet në seancë deputeti Nano dhe, ose të protestojë për këtë dekorim, ose duhet të kërkojë ndjesë për ç‘ka bërë në ‘98-ën. Po nuk e bëri këtë, këtij vargu kontradiktash do t‘i shtohet edhe një tjetër.
Natyrisht që nuk mungonte në ceremoni edhe Leka Zogu, që tani është bërë si "fanti spathi". E lëvdoi të ndjerin dhe tha se duke sulmuar Kryeministrinë ai paskësh bërë një vepër demokratike. Mirëpo a mund të më shpjegojë mua dhe shumë të tjerëve, se pse më ‘24-ën, kur u sulmua qeveria e gjyshit të tij Zog, ajo na qenkësh vepër kriminale (aq sa kthimi i tij nga Jugosllavia u quajt "kthim i Legalitetit"), ndërsa i njëjti veprim, sulm kundër qeverisë, i bërë më ‘98-ën, qenka vepër demokratike? Apo e drejta e ka shtëpinë gjithmonë andej nga zënë vend (mender jush) të ndenjurat mbretërore? Kontradiktë kjo, që zgjidhet vetëm me këtë amendamentin e të ndenjurave.
E njëjta gazetë e së shtunës, ku lexova lajmin e dekorimit, kishte dy krye-tituj në faqe të parë: "TOPI, DEKORATE TE VRARIT NE REVOLTEN E 14 SHATORIT" dhe nën të: "ZHVISHET ORINDA, S‘I DASHUROJ MESHKUJT QE S‘ME KENAQIN NE SHTRAT". Shenjat s‘më duken hiç të mira, po këtë të fundit s‘po e radhis për kontradiktë, por për të uruar që mos qoftë e thënë që shqiptarët të mbeten të ngërthyer në marrëzitë e shekullit që lamë pas. Le t‘i hapen shekullit të ri, modern e plot dritë, qoftë edhe me lajme si ai lajmi i dytë i gazetës.