Re: Perse Veriu quhet i persekutuar nga rregjimi i Diktatures Komuniste?
At Zef Pllumi
Me rastin e 60-vjetorit të marrjes së pushtetit nga komunistët, në 1944-ën prej Enver Hoxhës, na shfaqet libri i tij
Deklarata zyrtare publike e z.Shkëlqim Cani, drejtor i Bankës së Shtetit, me dt.6 ose 7 shkurt për mediat, asht e barabartë me deklaratat e Enver Hoxhës për zhvillimin e "luftës së klasave", aq e dashtun prej tij, edhe prej djalit të tij shpirtnor Shkëlqim Canit, sot drejtor i Bankës së Shtetit Shqiptar.
Kjo deklaratë e zotnisë së tij (ose ma mirë shokut Shkëlqim) drejtohet kundra dy klasave shoqnore në Shqipni.
a. klasa e pronarëve shqiptarë
b. klasa e të përndjekurve politikë.
Kjo ishte platforma e Partisë Komuniste të shndërrueme ma vonë, në Partinë e Punës të Shqipnisë.
Sot, në vjetin 2004, mbas një periudhe katerdhjetëvjeçare, të ashtuquejtun pluralizëm politik në Shqipni, nëpërmjet z.drejtor të Bankës së Shtetit, shokut Shkëlqim Cani, kthen përsëri po ajo platforma e Enver Hoxhës: lufta e Klasave. Shoku në fjalë refuzon kategorikisht ligjin mashtrues të parlamentit shqiptar për kthimin e pronave, nëse jo në terren, së paku me pare.
Shoku në fjalë refuzon kategorikisht shpërblimin e të përndjekurve politikë. Çirret me të madhe: ku t'i marrim ne paratë? Shteti shqiptar nuk ka aq para. O shok i mirë, kur shteti komunist shqiptar i shtetëzoi pronat tona, a mendonte sadopak se ato nuk ishin të tijat, por tonat, përse na i mori ne? Sot, i njejti shtet shqiptar, përse nuk na i kthen ne? Jam pater Zef Pllumi. Kam ba njëzet e pesë vjet a ma shumë burg politik. Si unë, qindra mija shqiptarë të pafajshëm. Kemi punue si skllevër, jo ma pak se dymbëdhjetë orë çdo ditë,
në të gjitha kënetat e kanalet e Shqipnisë. Kam punue në të gjitha veprat e mëdha industriale të Shqipnisë, kombinatin e Ballshit, kombinatin e Laçit, fabrikën e çimentos në Elbasan, fabrikat e Rubikut, etj, si këto. Kam punue në të gjitha minierat e kromit e të bakrit, në Spaç, Bulqizë. Po aty gjenden dhe qindra e mijëra varre tona, pa emën, pa shpërblim. Më duhet mue, tetëdhjetëvjeçar, me marrë përsipër mbrojtjen e klasave të deklasueme, mbasi prokurorët që na akuzuen, janë po ato gjyqtarët që na dënuan, po ata hetuesat tanë, që sot janë shndërrue ndër avokatë e mbase, "avokati i popullit" është formal, jam i detyruem të flas. Kam punue në të gjitha qytetet, vepra ndërtimi e banimi. Flas këtu për një pjesë të Tiranës, tue përfshi sanatoriumin me anekset e tij e shumë lagje në Tiranë, në Burrel, Sarandë e Lezhë, etj. Kam punue në digat e lumejve Drin e Gjadër, kam punue në Shkumbin e Vjosë, kam tha kënetat e Karavastasë, të Nartës, të Javovicës e shumë të tjera, përgjatë bregdetit shqiptar e i kam shndërrue në toka pjellore. Për të gjitha këto, kam pasë si pagesë vetëm bukën e thatë të gojës dhe shkopin e policit. Po të pyes, a na ka gja borxh sot ne shteti shqiptar? Bashkë me ne, kanë vuejtë persekutimin e pamëshirshëm, kanë jetue zhveshun e zbathun, të uritun për bukën e gojës, familjet e fëmijët tanë .
Ky persekucion politik, ekonomik, shoqnor e shpirtnor po vazhdon edhe sot, në kohën e pluralizmit politik. Asht e vërtetë që banda e madhe e PPSH-së u shemb dhe u kalb nga majet e në pranjet e saja të kalbzituna, duelën këpurdhat e pluralizmit politik, disa ngjyrë rozë e disa ngjyrë blu, disa të bardha e disa të errëta, disa të zeza e të kuqe. Por të gjitha, nga nji burim i vetëm, rranjët e kalbzituna të PPSH-së.
Shoku Shkëlqim, ti sot, me deklaratën tande kundra dy klasave të vuejtuna shoqnore, pronarët shqiptarë dhe të persekutuemit politikë, e tregove veten ma besnik të ideve të E.Hoxhës, se sa ministri i Financave. Kryeministri dhe Pjetër Arbnori, që të dy këta i kanë marrë shpërblimet e tyne sa ishin në pushtet , kurse ne të tjerëve na kemi shpërblye me një "letër me birë". Shoku Shkëlqim, ti deklaron se shitja e Bankës së Kursimeve asht për me la borxhet e për investime. Kujt i ka borxh ma tepër shteti shqiptar se ne, pronarëve dhe të përndjekurve politikë ? Sh.Shkëlqim, ti kërkon që përballë kërkesës për shpërblimin e këtyre dy klasave, të bëhet një referendum popullor. Po, duhet ba referendumi popullor, por para këtij referendumi, duhet ba një tjetër ma i randësishëm: a duhet të vazhdohet lufta e klasave, e shpallun prej teje në vjetin 2004?
Ti thue se, po t'i paguajë këto borxhe të brendshme, shembet. Nëqoftëse ky asht një regjim komunist, siç deklaron ti, le të shembet, pse vetëm atëhere ka me lindë demokracia e vërtetë në Shqipni, me një shtet ligjor e human .
Pater Zef Pllumi
Shkodër 7.2.2004