Re: Përkthime
Mbreti i Pyllit
Natës me erë, kush rend nxituar?
Janë at e bir, ecin kaluar.
Burri në gjoks djalin mban fort,
Mos ta rrahë era, të rrijë ngroht'.
"Bir, pse e rrudh ashtu fytyrën?"
"At, nuk e sheh Mbretin e Pyllit?
S'ia sheh kurorën, shpatën e mprehur?"
"Bir, para nesh është veç pak mjegull."
"O djalë i mbarë, eja me mua!
Kam lodra shumë, të dy të luajm',
Të shohësh bregut, çfarë lule paska!
T'qep nëna ime tesha të arta."
"O at, o at, ti s'e dëgjon,
Mbretin e Pyllit ç'po më premton?"
"Qetsohu bir, ësht' era, e marra,
Që tund ndër degë gjethet e thara."
"Ti djal' i mirë, a s'vjen të shkojmë?
Vajzat e mija presin, ka kohë.
Zënë dorpërdore, vallen po hedhin,
Për ty këndojnë, të përshëndesin."
"At, ati im, ti nuk i sheh,
Bijat e Mbretit tek rrinë atje?"
"Po, biri im, i shoh vërtet:
Përpara nesh janë shelgjet pleq."
"Ç'je sa i bukur, të dua shumë!
S'vjen me të mirë, ta kthej me dhunë!"
"O at, më vrau! Nuk e sheh, vallë!?
Mbreti i Pyllit don të më marë!"
Trembet dhe burri, me ngut grah kalin,
Në gji më thellë e pushton djalin.
Mbrin në oborr me mund, i mekur;
Ndër duar djali i kishte vdekur.
Johan Volfgang Gëte
Tema e kësaj balade e ka origjinën nga danishtja. Titulli origjinal është "Ellerkonge", që në shqip do të thotë "Mbreti i Elfëve". Për herë të parë u përkthye në gjermanisht nga Johann Gottfried Herder. Këtu ndodhi dhe gabimi fillestar: "Eller" u përkthye "Erle" (në shqip është vidhi ose vërriu, një lloj peme), që ai e kombinoi me fjalën "König" (shqip: mbret). Gëte ia bashkangjiti këtë baladë lojës muzikore "Peshkataret". Aktorja e këndon atë ndërsa është duke punuar.
Edhe mua m'u duk jo fort e përshtatshme ta titulloja "Mbreti i Vidhëve" (tingëllon si vidh-vjedh ose si vidhë-vidë), prandaj e lashë "Mbreti i Pyllit". Ju lutem të mos më gjykoni keq, për më tepër që besoj se ky do të jetë dhe përkthimi im i fundit në vargje.