Re: Përkthime
Fjala e mbylljes
Do i akuzuari të shtjë diçka?
Po, ju lutem.
Ish çelë rubineti
e unë piva, i shkreti.
Njëqint birra sosa,
më katër u palosa.
Përdhe jam sheshuar.
Gjithçka kam harruar.
Dhjetë orë më janë fshirë.
Dinë të tjerët më mirë,
që mbet çelë rubineti.
Prapë nisa, i shkreti.
Dyqint birra shkuan
dhe sherret vazhduan,
shkatrrimet dhe prishjet,
përfshi dhe mobiljet.
Qëllova me shamatë
sefte burrat, pa gratë...
S'kam gjë për të shtuar.
Vërtet, të nderuar.
Pa le që s'kam prova.
Kushendi si u ndodha.
Dhjetë orë s'i kam.
Di veç çka më thanë,
se rubineti nuk ndalej.
Mos pija - nuk falej.
Kur u mbushën treqint,
që t'më linin fuqitë,
godita si i marrë...
Kështu më ndodh rrallë.
Ankime s'vijnë kurrë.
E mbaj birrën unë!
Kam rekord katërqint,
ndaj askush s'u çudit
që më vonë kam ngarë
me nuhatje të rrallë
makinën për në shtëpi.
Duhej pushim, gjithsesi.
Zotni gjykatës i mirë,
ke një aspirinë?
Po më thahet pështyma,
më dhemb koka, m'u zu fryma...
Falemnderit, zotrote!
E di, tek dosja jote
dëshmitë mungojnë
që më lehtësojnë.
Më tej ç'të kallzoj?
Mos vallë do mjaftoj'
po të them "pesqint birra",
të mos humb, ta marë e mira,
paratë dhe lirinë?
E di se s'është mirë,
por pranoj çka të doni.
Hapni gojën, më thoni!
Bëj be, unë i gjori,
për çdo lloj alkooli,
për ponç e koktej',
veç të dal që këtej
pa më hyrë therrë në këmbë.
Unë gënjeshtër s'kam thënë
nëse ngulmoj kaq shumë
e them: S'isha unë,
por trupi im, thjesht.
Mendja s'di se ku mbet'.
Krejt më humbi, e mira,
kur u bënë tetqint birra.
S'më kujtohen të gjitha,
ndaj kërkoj lehtësira,
mirkuptim e lëshime,
se kam hequr mundime
që mbas gjithë ç'ka ngjarë,
të them: "Po, e qartë!
e pranoj çka është bërë,
ndonse i pranishëm s'kam qënë."
Aktakuzën që ngrini
s'kundërshtoj, por më lini
pakëz kohë më tepër
t'ju sqaroj: Isha dejshëm!
I pirë isha si dru,
dhe më keq - si kërcu!
Ndaj janë fajet e mija
që nëntëqint birra
mbetem borxh - dhe tani,
nëse ju kurrsesi
s'ju preket posti e nderi,
zoti gjygjtar... Ta hajë dreqi!
E pranoj dhe këtë:
Njëmijë ishin! E ç'ë!?
Që të vij tash në mbyllje:
Të nderuar, më duhet
të dal këtej sa më parë,
se kush është ai i marrë
që merret me mua?
Unë jam i mbaruar.
Por as ju s'mbesni prapa,
se për tmerr, shumë e zgjata.
E teprova me llafe.
Tentativë për vrasje
po t'kish qënë - posi!
Ama, për pak gjullurdi
s'ia vlen. Si mendoni?
Ashtu, pra! Dëgjoni:
Ecni tash e të shkojmë
në lokal të shikojmë
mos gjejmë xheç për të ngrënë
e mbas krahve t'i lëmë
të gjith këto kotësi.
Zotni gjykatës, edhe ti
u lodhe ca-nga-ca.
Fol të drejtën! Nuk ka
asnjëfarëlloj kuptimi
ta zgjatim. Ndaj mblidhi
gjithë dosjet. Më pas
shkojmë pimë një... Unë qeras!
Fric Ekenga