Re: Përkthime
Hijet
Takova një profet,
Që kalonte zhurmat dhe gjërat e botës,
Fushat e artit dhe mësimit, kënaqsisë, ndijimit,
Për të mbledhur hijet.
Fut në psallmet e tua më tha ai,
Jo më orën e mëdyshtë as ditën, as pjesë, copë, fut,
Fut para gjithçkaje si dritë për të gjitha dhe këngëprijëse për to,
Atë të hijeve.
Sa terri ngrihet,
Në rritjen, rrotullimin e rrethit,
Në pjekjen dhe shkrirjen në fund, (që sigurish nis sërish,)
Hije! Hije!
Sa ndryshuesi,
Në materiale, ndryshime, shkërmoqje, rilidhje,
Dhe atelierët, punishtet hyjnore,
Përdorin hije.
Dëgjo, unë ose ti,
Një grua, burrë, a shtet, i njohur a i panjohur,
E kujtojmë me pasuri të qëndrueshme, fuqi, që bukuri ndërton,
Në të vërtetë ndërton hije.
Monedha e zhdukur,
Krijesë e trillit të një aritisti a studimeve të gjata të dijetarit,
Është grackë luftëtari, martiri, apo heroi,
Të stisë hijen e tij.
Nga çdo jetë njerëzore,
(Grimcat grumbullohen, ngjiten, asnjë mendim, ndjenjë, bëmë, s’lihet jashtë,)
E gjitha e madhe a e vogël mblidhet, shtohet,
Në hijen e saj.
E vjetra, e vjetra nxitje,
Bazohet në kulmet e lashta, dëgjo, kulmet e reja më të larta,
Nga shkenca dhe modernja ende shtyhen
Nga të vjetrat e të vjetrat nxitje, hijet.
E tashmja tani dhe këtu,
E Amerikës së zënë, gëluese, rrote të ndërlikuar,
Bashkimi dhe veçimi po aty buron,
Hijet e të sotmes.
Ata me të shkuar,
Tokash të firuara, prej çdo sundimi mbretërish matanë detit,
Pushtonjësis të vjetër, fushatash të vjetra, vozitje detarësh të vjetër,
Hijeve ju bashkohen.
Bollëku, begatia, fasadat,
Shtresat e maleve, baltrat, shkëmbinjtë, pemët gjigande,
Kudolindur, kudodergjur, gjatë rrojnë, të shkojnë,
Hijet përjetrrojnë.
Të lartmet, mahnitset, dalldisëset,
Të dukshme përveç mitrës së tyre,
Prirjet rruzulluese të derdhin e derdhin e derdhin,
Të fuqishmen hije-tokë.
Gjithë hapësira, gjithë koha,
(Yjet, turbullimet e tmerrshme të diejve,
shfryjnë, plandosen, mbarojnë, shërbejnë më gjatë a më shkurtër,)
mbyshur vetëm me hije.
Miriadat e pandjeshme,
Oqeanet e pafund ku lumenjtë zbrazen,
Identitetet e lira të pafundta veçuar, si vështrimi,
E vërteta e realiteteve, hije.
As kjo botë,
As këto gjithësi, ato gjithësi,
Thonë dhe mbaron, gjithë përjetësia e jetës së jetës,
Hije, hije.
Përtej leksioneve të tua profesor i dijshëm,
Përtej kqyrjes së mprehtë të teleskopit a spektroskopit tënd, përtej gjithë
Matematikave,
Përtej gjithë kirurgjisë të mjekëve, anatomisë, përtej kimistit me
Kiminë e tij,
Qënësitë e qënësive, hijet.
Të pafiksuarat ende fiksuar,
Gjithmonë do jenë, kanë qënë dhe janë,
Duke fshirë të tashmen në të ardhmen pafund,
Hije, hije, hije.
Profeti dhe bardi,
Do të mbajnë vetvetet, në pikat më të larta,
Do të ndërmjetësojnë në Modernen, Demokraci, shpjegojnë ende atyre
Zotin dhe hijet.
Dhe ti shpirti im,
Gëzueshëm, papushim ushtron, dinjitar,
Dëshira jote bollshëm u ushqye më në fund, përgatitur të takojë,
Shoqt e tu, hijet.
Trupi yt i përhershëm,
Trupin përgjon atje brenda trupit tënd,
Domethënja e vetme e formës së artit tënd, unë reali vetë,
Një imazh, një hije.
Këngët e tua të vërteta s’janë në këngët e tua,
Pa sforcime të veçanta për t’u kënduar, asnjë për të,
Por nga gjithë ç’rezulton, ngrihet prej fundit dhe gëlon,
Një rreth plotrruzullor hije.
Për të këndoj
Për të këndoj,
E ngre të tashmen mbi të shkuarën,
(Si ndonjë pemë shekullore prej rrënjëve të saj, e tashmja mbi të shkuarën,)
Me kohë dhe hapësirë ja zgjeroj dhe shkrij ligjet e pavdekshme,
Ta bëj atë prej tyre dhe ligj në vetvete.
Fillimi i studimeve të mia
Hapi i parë kur filloj studimet më kënaq aq shumë,
Faktet e vogla të gjegjshme, këto forma, fuqia e lëvizjes,
Insekti a kafsha më e fundit, ndijimet, vështrimi, dashuria,
Hapi i parë e them më trondit dhe kënaq aq shumë,
Kam shkuar vrullshëm dhe vrullshëm dëshiroj të shkoj më tej,
Por ndal dhe sorollatem gjithë kohën të këndoj për të në këngë dalldisëse.
Filluesit
Si janë pjellë ata mbi botë, (shfaqur
kohë mbas kohe,)
Sa të dashur dhe tmerrues janë ata për botën,
Sa i përshtaten vetes aq shumë sa askujt – çfarë
paradoksi shfaq mosha e tyre,
Si ja u kthejnë njerëzit, ende pa i njohur,
Si ka në të diçka të pamëshirshme me fatin e tyre kohërave,
Si gjithë kohërat keqzgjedhin sendet për miklimin dhe
shpërblimin e tyre,
Dhe si i njëjti çmim i pandryshueshëm duhet ende të paguhet
për të njëjtën blerje të madhe.