Lajme Mjedisore

A

abriant cxist

Guest
Re: Lajme Mjedisore

Shkak sëmundjesh ndotja e mjedisit nga çlirimi i gazrave të djegies së gomave të përdorura

Furrat e gëlqeres sërish tym toksik

Shkelet urdhri i ministrisë për mbylljen dhe zhvendosjen e tyre jashtë Krujës


Pas "drynit" që Ministria e Mjedisit vendosi në dyert e këtyre aktiviteteve, përmes një urdhri të veçantë të kreut të këtij dikasteri, Lufter Xhuveli, furrat e gëlqeres kanë rindezur motorët duke shkelur paktin për zhvendosjen e tyre në ambiente të parrezikshme për banorët e zonës. Duket se ato kanë përfituar edhe nga situata elektorale dhe angazhimet e të gjithë politikanëve në të. Ministri i Mjedisit, Xhuveli, premtoi se "subjektet që do të përdorin materiale sintetike dhe goma të përdorura makinash në furrat e gëlqeres do të gjobiten dhe më pas do t‘u pezullohet aktiviteti". Por, sipas raporteve të herëpashershme të specialistëve të mjedisit, çlirimi i gazrave nga djegia e gomave të ricikluara dhe lëndëve të tjera plastike në këtë zonë është në nivele disa qindra herë më të larta se sa normat e lejuara.

Madje, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, lidhur me problemin e furrave gëlqerore që përdorin lëndë djegëse që dëmton ambientin, hartoi edhe një masterplan masash.
Në bazë të tij u parashikua zhvendosja e furrave gëlqerore nga qyteti i Krujës, në zona që nuk përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e popullatës, si dhe shtimin e kritereve dhe kushteve që duhet të plotësojnë licencimet e reja në këtë lloj aktiviteti.

Urdhri "për pezullimin e aktivitetit të furrave të gëlqeres që përdorin lëndë djegëse që dëmton mjedisin", u lëshua që më 25 maj të vitit të kaluar, por ai u bë faktik vetëm gjatë muajit shtator për rreth 40 të tilla. Kjo për shkak se djegia e gomave të makinave dhe lëndëve të tjera plastike nga ana e këtyre furrave të gëlqeres ka shkaktuar një ndotje shumë të rëndë të mjedisit në këtë zonë. Gjithashtu, ajo përbën një nga faktorët kryesorë të shtimit të rasteve të sëmundjeve tumorale mes banorëve krutanë. "Këto aktivitete, për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe kritereve bazë për mbrojtjen e mjedisit, si dhe me një mungesë të theksuar të të gjithë parametrave teknikë të punës, kanë sjellë për pasojë një nivel tepër të lartë të ndotjes së mjedisit duke u bërë mjaft shqetësuese", pohojnë specialistët. Përdorimi i gomave të vjetra të makinave dhe lëndëve plastike për djegien e gëlqeres në këto furra u shndërrua në një makth të vërtetë për të gjithë banorët. Kjo për shkak se djegia e tyre çliron gazra toksikë tepër të rrezikshëm për shëndetin. Shfrytëzimi pa kriter i guroreve dhe prerja e pyjeve, sipas specialistëve të mjedisit, ka dëmtuar rëndë ekosistemin e këtyre zonave. Për këtë problem është deklaruar pak kohë më parë edhe Kryeministri Sali Berisha, gjatë një vizite në qytet, ku u shpreh se "guroret që përdorin lëndë toksike për djegie, duhet të largohen përfundimisht nga kjo zonë, pasi ato dëmtojnë rëndë qytetin historik të Krujës dhe shëndetin e banorëve të tij".
 
Top