Lajme ekonomike!

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Fier, firmat prodhuese i shmangen rentës minerare

Vetëm katër aktivitete që shfrytëzojnë pasuritë e mbi dhe nëntokës kanë shlyer detyrimin


Pjesa më e madhe e aktiviteteve prodhuese në rrethin e Fierit, prej shumë vitesh i shmangen taksës së quajtur renta minerare. Lajmi është konfirmuar nga specialisti i taksave në degën tatimore të Fierit, Esat Faria, i cili tha: "Aktivitetet e paligjshme i largohen taksës së renta minerares. Janë ato firma që shfrytëzojnë tonën në mënyrë të paligjshme që i shpëtojnë kësaj takse". Taksa e quajtur renta minerare nuk njihet prej degës tatimore Fier. Vetëm një prej specialistëve të këtij institucioni mundi të interpretojë atë pas 20 ditësh kërkese të vazhdueshme nga ana e gazetës. Inspektori i taksave, Esat Faria, ka thënë se "vetëm katër subjekte juridike, operuese në Fier, paguajnë detyrimin tatimor të kësaj takse". Ai nuk ngurron të thotë se është një numër shumë i vogël biznesesh që paguajnë këtë detyrim tatimor specifik, që nga emërtimi është konsideruar i çuditshëm prej administratës tatimore të Fierit. "Në bazë të dokumentacionit që kam në dispozicion, deklaroj se vetëm katër firma prodhuese paguajnë taksën e rentës minerare në organin tatimor të Fierit, kurse firmat e tjera i shpëtojnë këtij lloj detyrimi duke përdorur forma të tjera. Nuk jam në gjendje të them se a e paguajnë direkt pranë ministrisë ku dhe nxjerrin licencën e aktivitetit të tyre, por sqaroj se një mundësi tjetër e shlyerjes së kësaj takse është futja e saj në TVSH", ka shpjeguar për "Shqip", inspektori i taksave, Esat Faria. Sipas tij, fakt shqetësues është edhe operimi i subjekteve të tilla që duhet të paguajnë këtë detyrim në mënyrë pirate pa u regjistruar fare në degën e tatim taksave. Faria rendit një numër të madh subjektesh që duhet të paguajnë taksën e rentës minerares, por sqaron se ata asnjëherë në këto vite nuk kanë kryer pagesën e saj. "Në Fier ka fabrika tullash, impiante argjili, shfrytëzuese të zhavorreve në lum e tokë, por asnjë prej tyre nuk e paguan këtu te ne këtë taksë", thotë inspektori.

Taksa e rentës minerare është një taksë vjetore, e cila kap shifrën e 2% të prodhimit të subjektit që kategorizohet ta paguajë. Aplikohet kryesisht te firmat, të cilat kanë si prodhim të tyre shfrytëzimin e mbitokës dhe nëntokës. Me anën e ligjit nr. 8977 "Për sistemin e taksave" të vitit 2002, kjo taksë vilet nga organet tatimore vendore që janë degët tatimore. Sipas një prej specialisteve të sektorit të verifikimit mësohet se deri në vitin 1997 renta minerare vilej masivisht në Fier, kurse pas këtij viti pothuajse u zhduk. Esat Faria thotë se në këtë rreth "ka 3 fabrika tullash, 4 firma që merren me zhavorrin, kompani shtetërore të naftës si "Albpetrol", "Rëra bituminoize" etj., si dhe lavatriçe të shumta që nuk e paguajnë këtë taksë pranë organit tonë tatimor".
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bojaxhi: Plani për KESH



Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi shpjegoi para deputetëve strategjitë që do të ndjekë KESH, për të rritur parametrat financiarë si dhe sigurinë në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët. Ai u shpreh i vendosur për të mos lejuar vjedhjen e energjisë elektrike, lidhjet dyfishe, apo abuzimet me energjinë elektrike në çdo lloj niveli. Bojaxhi duke u ndalur në mundësinë e garancisë për furnizim të plotë me energji elektrike, tha se "ndërtimi i TEC-it të ri në Vlorë, linja 400 kV e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, e HEC-eve të vegjël, do të jenë garancia e plotë e një furnzimi pa ndërprerje të energjisë elektrike". Drejtori i KESH i është rikthyer edhe një herë projektit të hidrocentralit të Bushatit duke theksuar se do të fillojë brenda këtij viti.


E Merkure, 28 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Kush është Oger Telekom



Në vitin 2005, Oger, me bazë në Dubai, bleu për 6.5 miliardë dollarë 55% të aksioneve të Turk Telekom. Ndërkohë që tani përflitet që kjo kompani të blejë dhe 10-15% të aksioneve të tjera të Turk Telekom. Oger është një kompani, e cila ka lidhje me grupin e bizneseve të ish-kryeministrit dhe miliarderit libanez Rafik Hariri. Hariri, është vrarë në një atentat më 14 shkurt 2005 me 1 mijë kg TNT në Bejrut. Ish Kryeministri Fatos Nano, njohur për raportet e ngrohta me grupin Calik, ka patur miqësi edhe me z. Hariri. Ata janë takuar disa herë duke diskutuar për probleme të marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Liban. Ndërkohë që Oger Telekom, pritet që në fillim të vitit 2008 të futet në bursën e Dubait dhe Londrës për të shitur aksione me ofertë publike. Përpara se të bëhet ky veprim, Oger Telekom, sipas drejtorit të tij ekzekutiv Paul Doany, do të bëjë dy blerje. Objektivi i parë është operatori i rrjetit fiks në Kazakistan, (me vlerë miliarda dollarë) dhe i dyti Albtelekomi shqiptar, (me vlerë sipas kontratës ekzistuese, 120 milionë euro). Oger, operon në telefoninë fikse në Turqi nëpërmjet Turk Telekom, si dhe ka një licencë celulare në Afrikën e Jugut. Ndërkohë që ka disa aktivitete që lidhen me shërbimet e internetit në Arabinë Saudite, Jordani dhe Liban.

E Merkure, 28 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Kompania e Haririt e interesuar për Albtelekom

Gjigandi arab Oger i premton aksionerëve të vet blerjen e kompanisë shqiptare. Kthehen miqtë e Nanos

Altin Xhikneli

Kompania arabe, e cila ka blerë shumicën e aksioneve të Turk Telekom, ka futur në skenarin e saj edhe blerjen e Albtelekom. Përpara se kompania të futet në bursë, për të listuar aksionet e saj me ofertë publike fillestare, (IPO), ka ndërmend të bëjë dhe dy blerje të reja. Sipas agjencisë Reuters, kompania “Oger Telekom”, do të shohë mundësinë që të bëjë dhe dy blerje te tjera brenda këtij viti, ku njëra nga to mund të jetë Albtelekom. Sipas kësaj agjencie, Oger Telekom do të shohë mundësinë që nëse qeveria shqiptare do të bëjë një tender tjetër gjatë këtij viti për shitjen e aksioneve të kompanisë shqiptare. Në këtë rast, Oger do të futet në tender për ta blerë atë, nëpërmjet Turk Telekom. Kjo deklaratë e drejtuesve të Oger Telekom, komplikon dhe më shumë marrëdhënien me blerësit aktualë, të cilët janë në proces negociatash me qeverinë. Ndërsa palët negociuese të qeverisë shqiptare dhe kompanisë turke Calik nuk po bien dakord, tashmë futet në lojë një tjetër kompani, e cila ka dhe shumicën e aksioneve të Turk Telekom. Kështu, duket se thembra e Akilit në negociatat me Calik është se këta të fundit nuk kanë arritur të plotësojnë një nga kushtet e kontratës për privatizimin e Albtelekom, ku blerësi duhet të ketë “eksperiencë në fushën e telekomunikacioneve”. Këtë eksperiencë, Calik Enerji duhet ta siguronte nga një marrëveshje me Turk Telekom.
Konkurrenca
Por, kompania e cila tashmë ka hedhur idenë për blerjen e Albtelekom, ka qenë konkurrentja e Calik Enerji në vitin 2005 për privatizimin e Turk Telekom. Në vitin 2005, kur po përgatitej privatizimi i Albtelekom, Calik Enerji ishte prezantuar si konsorcium me Turk Telekom. Por ndërkohë që vetë Turk Telekom ishte në proces privatizimi. Ajo që vlen të theksohet është se në procesin e privatizimit të 55% aksioneve të Turk Telekom merrnin pjesë dy konsorciume të mëdha, Oger Telekom dhe Etilsat. Oger Telekom, ishte në partneritet me Telekom Italia, dhe BT Group. Kurse konkurrenti tjetër për blerjen e Turk Telekom ishte Etisalat i cili ishte në partneritet me Cetel Calik Enerji dhe Dubai Islamic Bank. Kështu, Calik Enerji praktikisht ishte konkurrenti i Oger Telekom. Kjo duket se është pengesa kryesore që Calik Enerji të sigurojë lejen për të përdorur emrin e Turk Telekom në blerjen e Albtelekom. Kështu, ky ngërç mund të zgjidhet nëse “konkurrentët” dikur të Turk Telekom, të bëjnë një marrëveshje biznesi, për Albtelekomin shqiptar.

Pengesa
Në fillim kur u bënë prezente ofertat për privatizimin e Albtelekom, kompania Turke Calik Enerji, kishte deklaruar se është në konsorcium me Turk Telekom. Kjo i krijonte mundësinë kësaj kompanie që të plotësonte kushtin për të garuar në tenderin ndërkombëtar. Por pasi kjo kompani u shpall fituese, në dokumentet e saj nuk rezultoi më konsorciumi me Turk Telekom. Në fakt, Turk Telekom gjatë asokohe ishte për vete në proces privatizimi dhe më pas u mor vesh që shumicën e aksioneve e bleu kompania Oger Telekom. Kështu, duket se Calik Enerji nuk ka gjetur një gjuhë të përbashkët me blerësit e rinj të Turk Telekom, të cilët janë Oger Telekom. Tashmë mbetet që Calik Enerji ose të bie dakord me blerësit e Turk Telekom (Oger Telekom) ose të bëjë presion për të marrë Albtelekomin pa marrëveshje me Turk Telekom. Kjo e dyta në fakt duket disi e pamundur pasi është në kundërshtim të plotë me ligjin për privatizimin e sektorëve strategjikë dhe është cituar si një nga mangësitë kryesore të raportit për “Hetimin e procesit të privatizimit të Albtelekom” të bërë nga kompania audituese Deloitte & Touch.

E Merkure, 28 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Gropa e KESH, 225 milionë dollarë

Viti i zi i menaxhimit politik: Taksapaguesit do të mbulojnë dyfishimin e vjedhjeve të shkaktuara nga furnizimi me energji i zonave që nuk paguajnë. Paratë do të hiqen nga investimet publike.

Gerti Osmani

Një raport vjetor i Entit Rregullator të Energjisë zbulon gropën financiare të KESH-it për vitin 2006 që kap shifrat e 225 milionë dollarë humbje. Shifrat zyrtare tregojnë se KESH ka humbur 165 milionë dollarë nga vjedhjet dhe humbjet teknike, rreth 25 milionë dollarë nga mungesa e energjisë në treg dhe mbi 40 milionë dollarë mungojnë në llogaritë e KESH nga mosarkëtimi i energjisë së faturuar. Humbjet financiare të korporatës erdhën si pasojë e një menaxhimi politik duke furnizuar me energji pa ndërprerje për rreth 10 muaj zona të tëra që nuk paguanin as 4 për qind të energjisë së faturuar si Shkodra, Tropoja, zonat informale rreth Tiranës e Durrësit etj. Llogjikisht, ata që se paguajnë fare energjinë nuk kanë as sensin e kursimit, madje edhe kur çmimi në mesin e viti të kaluar u rrit nga 4.5 në 7 lekë për kilovaorë. E si pasojë humbjet teknike, vjedhjet dhe mosarkëtimet e energjisë i shkaktuan KESH-it gropën më të madhe financiare të 16 viteve tranzicion. Llogarive të KESH u mungojnë 225 milionë dollarë ose më shumë se 1/3 e të gjithë investimeve publike.

Vjedhjet e energjisë
Korporata “lëngon” financiarisht për shkak të vjedhjeve të larta të energjisë elektrike, humbjeve në rrjetin dhe në sistemin e transmetimit. Të dhënat zyrtare thonë se gjatë vitit 2006 furnizimi me energji elektrike kapi shifrën e 6.12 miliardë kwh nga të cilat 2.36 miliardë kilovaorë vidhen ose humbasin në rrjet. E shumëzuar kjo shifër me çmimin mesatar të energjisë elektrike për vitin e kaluar 7.2 lekë për kilovaorë rezulton se KESH ka humbur plot 16.5 miliardë lekë ose rreth 165 milionë dollarë nga arkat e tij. Po të shohësh paraqitjen grafike të vjedhjeve të energjisë, të ashtuquajturat humbje jo-teknike rezulton se ka një rritje nga viti në vit dhe sipas raportit të ERE KESH ka dështuar për uljen e këtyre humbjeve. ERE thotë se “është alarmant fakti që ndonëse vjedhjet e energjisë elektrike prej vitesh janë në përmasa dramatike, nuk ka asnjë të ndëshkuar penalisht nga organet e drejtësisë për këtë krim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndonëse ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh nga ana e Policisë Elektrike”.

Nuk mblidhet as energjia e faturuar
Përveç vjedhjeve të energjisë, mungesës së matësave(më 1 janar 2007 rreth 63 mijë abonentë janë pa matësa), KESH nuk mbledh dot as lekët që faturon. Treguesi i arkëtimeve tregon një tjetër humbje nga mosarkëtimi i rreth 4 miliardë lekë ose rreth 40 milionë dollarë krahasuar me planin. Raporti i ERE thotë se KESH ka faturuar 6 % më pak energji si rezultat i reduktimit të energjisë disponibël në shpërndarje dhe rritjes së humbjeve në rrjetin e shpërndarjes. E shprehur në shifra kjo do të thotë se 2.5 miliardë lekë ose mbi 25 milionë dollarë mungojnë në financat e KESH-it për shkak të mosrealizimit të shitjeve si pasojë e mungesës së energjisë.

E Merkure, 28 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Kontrabanda, tani kontrolle dhe në shtëpi

Doganat dhe tatimet kujtohen të zbatojnë ligjin për evazionin fiskal dhe kontrabandën


Policia tatimore dhe ajo e shtetit do të fillojnë kontrollet në banesa për të gjetur mallrat kontrabandë. Rastet e shtuara të mallrave të forta si cigaret, karburantet dhe kafeja që nuk paguajnë doganën kanë alarmuar tre policitë. Tashmë kontrollet do të shtrihen deri në shtëpitë e personave të dyshuara dhe kjo është hera e parë që tatimet e njoftojnë një ndërhyrje të tillë pavarësisht se siç e pohojnë vetë në deklaratën zyrtare këtë kompetencë ia njihte ligji por nuk e kishin zbatuar.
Në kuadër të marrëveshjes që është vendosur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit janë angazhuar të gjitha strukturat e forcës dhe të inteligjencës, për të bërë të mundur minimizimin dhe eleminimin e shtrirjes në tregjet e vendit të mallrave të akcizes që nuk paguajnë doganë. Të tre drejtuesit e institucioneve të sipërpërmendura, Alfred Prifti, Përparim Devishi dhe Bajram Ibraj kane vendosur rritjen e efikasitetit të grupeve të përbashkëta të task-forcës të cilat kanë dokumentacionin përkatës për të ndërhyrë dhe për të ushtruar kontroll edhe nëpër shtëpitë dhe ambientet familjare, nëse ka informacion fshehje të mallrave të akcizës.
Ky nuk është një aksion i programuar afatshkurtër, por është përmirësim i punës në terren dhe një shkëmbim i përhershëm informacioni dhe atributesh, në mënyrë që fenomene si kontrabanda apo prodhuesit vendas te cilët nuk figurojnë të regjistruar pranë organeve tatimore të marrin goditjen që parashikon legjislacioni fiskal ne varësi të veprimtarisë së tyre ekonomike dhe evazionit që kryejnë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Alfred Prifti i ka kërkuar punonjësve të strukturës së forcës, siç është Policia Tatimore, të zbatojnë saktësisht ligjin për mallrat e akcizës i cili nuk është respektuar më parë.

Konfiskimi
Neni 49 i ligjit pika 1 :çdo mall akcizë për të cilin kërkohët pajisja me pulla akcize sipas dispozitave të Nenit 25 të këtij ligji kur ofrohet për shitje apo tregtohet në çfarëdo mënyrë tjetër pa qenë i pajisur me pullë(apo dokumentacion) konfiskohet dhe personi që zotëron mallrat e akcizës dënohet në përputhje me dispozitat e Nenit 44 të këtij ligji. Neni 44 përcakton: Në çdo rast kur në bazë të dispozitave të këtij ligji vërtetohet se veprimtaria e një personi përbën fshehje të akcizës:
a)ai është i detyruar ta paguajë akcizën e fshehur
b)atij i sekuestrohen lëndët e para, mallrat e akcizës.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Berisha, bonos për hidrocentralet lokale

Qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin me pikë për disa kompani


Kompanitë ndërtuese të hidrocentraleve lokale kanë marrë një bonos shpërblim nga qeveria. Dje në mbledhjen e rradhës së Këshillit të Ministrave është vendosur për miratimin e bonusit prej 10 për qind të pikëve për rezultatin teknik dhe/ose financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që u jepet shoqërive, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentraleve të kërkuara. Sipas vendimit ka përfituar shoqëria “BUSA”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentraleve “Strelca 1”, “Strelca 2”, “Strelca 3”, Shoqërisë “BE-ALBA-KONSTRUKSION”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentralit “Vlushë”; Shoqërisë “HASI ENERGI”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentraleve “Lengarica 1” dhe “Lengarica 2”; Shoqërisë “BLE-KLO-AR & SKRAQI”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentralit “Tervol”; Shoqërisë “MUSO”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentralit “Qytezë”; Shoqërisë “REMI”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentralit “Egnatia”; Shoqërisë “LENIA”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentraleve “Verbe”, “Mesmal” dhe “Velçan”. Shoqërisë “KORSEL”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentralit “Çarshovë”, Shoqërisë “ERDAT”, shpk, për ndërtimin, me koncesion, të hidrocentraleve “Lura 1”, “Lura 2” dhe “Lura 3”.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bankat mashtrojnë me overdraftin

Klientët po ankohen për interesa të larta kur tërheq para mbi pagën


Në mjaft vende të botës bankat janë vënën nën akuzë për abuzim me interesat e larta kur mer “overdraft” ose thënë ndryshe një farë kredie nga llogaria rrjedhëse kur nuk ke para të disponueshme. Në një sondazh të bërë pranë bankave më të mëdha rezulton se ato fshehin shumë ankesa të klientëve të cilët reklamojnë interesa të larta që u duhet të paguajnë kur marrin para nëpërmjet “overdraftit”. Analistët në bankën Credit Suisse kohët e fundit kanë llogaritur se bankat kryesore në Mbretërinë e Bashkuar kanë fituar rreth 1.2 mld paund në vit midis tyre duke zbatuar gjoba për klientët që kanë tërhequr ‘overdraft’ pa pasur më parë një miratim. Edhe në Shqipëri po ndodhin “grabitje” të ngjashme por mungesa e shoqatave të forta të mbrojtjes së konsumatorit dhe një mbikëqyrje bankare e zbehtë e lë problemin pezull. Bankat nuk japin informacione për rastet e ankesave të klientëve pavarësisht se duhet të bëjnë transparente aktivitetin e tyre. Në shumicën e bankave në Shqipëri nëse hap një llogari “overdraft” banka të aplikon interesa të larta kur përdor shuma që kalojnë kursimet në llogari. Madje disa klientë ankohen se edhe kur kanë kërkuar ta heqin shërbimin e “overdaftit”, pra të mos marrin para kur nuk kanë në llogari, bankat bëjnë sikur harrojnë për një gjë të tillë. Interesat e “ovedraftit” janë më të lartat në treg dhe në Shqipëri fillojnë nga 22 për qind. Zyra për tregti të ndershme në Britaninë e Madhe që mbron konkurrencën dhe konsumatorët ka filluar një hetim për interesat e larta që aplikojnë bankat për “ovedraftin”. Edhe në Bashkimin Evropian po hetohen interesat e larta që paguajnë klientët kur tërheqin para në llogarinë e tyre nëpërmjet një banke tjetër dhe jo atje ku kanë hapur llogaritë.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

GTZ trajnon biznesmenët për cilësinë



Biznesmenët nga veriu i vendit, në kuadër të një projekti të GTZ-së, janë përfshirë në një trajnim dy javor për menaxhimin e cilësisë, ku në përfundim të tij ata do të pajisen me certifikatën ndërkombëtare 'ISO'. Trajnimi po zhvillohet në mjediset e Grand Hotel Europa në qytetin e Shkodrës dhe në të marrin pjesë kryesisht biznesmenë që ushtrojnë aktivitetin në eksport, por edhe në import. Drejtuesi i këtij trajnimi, Luan Dervishi, tha se "projekti synon trajnimin e këtyre personave që punojnë në kompanitë shqiptare në pozicionet që kanë lidhje me cilësitë, apo në ato të niveleve të larta të menaxhimit, për të kuptuar funksionimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë, kërkesat e standardeve 'ISO' dhe aplikimin e këtyre standardeve në kompanitë e tyre". Duke folur për menaxhimin e cilësisë, Dervishi tha se "ai është mjaft i dobishëm dhe i domosdoshëm, si një stad më i avancuar i menaxhimit në kompani, sidomos për ato kompani që duhet të eksportojnë dhe që synojnë që produktet dhe shërbimet e tyre, apo edhe kapaciteti i kompanisë, të njihet dhe vlerësohet nga klientët potencialë evropianë". Dervishi i cilësoi si mjaft të rëndësishme certifikatat 'ISO'. Ai shpjegoi se "me certifikata 'ISO' duhet të kuptojmë se një kompani ka të ndërtuar një sistem menaxhimi të cilësisë dhe ky sistem është i pajisur me standarde ndërkombëtare të menaxhimit të saj". Duke vijuar ai nënvizoi se "ne këtë mënyrë cilësia në kompani nuk i lihet spontanitetit, por është e organizuar dhe e kontrolluar, pra është një sistem që kujdeset për plotësimin e kërkesave të konsumatorit. Nësë një biznes arrin të prodhojë fillimisht një asortiment, ai kurrsesi nuk mund të vazhdojë të prodhojë një gjë të tillë në qoftë se ai nuk eshte bërë pjesë e menaxhimit të cilësisë, e njohur përmes certifikatës 'ISO', e liçensuar nga organizmat përkatëse ndërkombëtare". Drejtuesi i trajnimit Luan Dervishi, beri te ditur se të gjithë pjesëmarrësit në këtë trajnim do të kalojnë në procesin e provimit, përpara stafit përkatës ndërkombëtar, per te fituar certifikatën profesionale "ISO", e cila është ndërkombëtarisht e njohur në fushën e menaxhimit të cilësisë, dhe për shumë marrëdhënie të tregtisë ndërkombëtare.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rehablitohen hidrocentralet mbi Drin

Me një financim prej 30 milionë euro rigjenerohen burimet e energjisë

Gert Osmani

Më në fund një lajm i mirë nga KESH-i. Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se inagurohet sot në Fierzë përfundimi i projektit për rehabilitimin e Hec-eve të Kaskadës së Drinit (DRCRP). Me një vlerë prej 30.4 milion euro, ky projekt i bashkëfinancuar nga donatorë të huaj dhe KESH përfshiu rehabilitimin e katër njësive gjeneruese me fuqi të instaluar prej 500 MË, që do të sigurojnë një rritje të eficencës së prodhimit, sigurisë dhe kushteve të punës për Hec-et e kaskadës, të cilat edhe mbajnë peshën kryesore në gjenerimin e energjisë elektrike në vend. Ky projekt, që përbën investimin më të madh në impiantet gjeneruese hidroelektrike ekzistuese në kaskadën e lumit Drin dhe Mat u realizua si rezultat i një bashkëfinancimi të Qeverisë Zviceriane në formë granti, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Japoneze dhe Cooperacionit Italian në formë kredie si dhe burimeve financiare të KESH-it. Ndërkohë që, kosto nga donatorët kap vlerën 21.7 milionë euro, kostoja lokale arrin në 8.7 milionë euro.
Projekti
Në përputhje me burimet e financimit dhe karakterin e punimeve rehabilituese implementimi i projektit u realizua nga kompanitë Vatech, Hydro-Zvicër, Alstom Hydro Zvicër dhe Alstom Hydro France. Ndërkohë që me menaxhimin e këtij projekti u angazhua njësia e Drejtimit të Projektit në Divizionin e Prodhimit të KESH dhe asistenca e kompanisë konsulente Colenco. Ndërhyrja rehabilituese konsistoi në reahbilitimin dhe zëvendësimin e pajisjeve ekzistuese hidromekanike të pajisjeve elektrike, instalimin e një sistemi të ri të kontrollit dhe monitorimit si dhe në kryerjen e punimeve civile. Përdorimi i teknologjive të avancuara dhe bashkëkohore për realizimin e projektit bëjnë të mundur rritjen e ndjeshme të sigurisë në punë të pajisjeve si dhe rritjen e rendimentit në masën 5% në dy turbina të këtij hidrocentrali.

Efektet
Realizimi i këtij projekti ka siguruar rritjen e prodhimit të energjisë elektrike si rezultat i rritjes së disponibilitetit të njësive gjeneruese, shkrutimin e ndjeshëm të ndalimit të prodhimit për shkak të difekteve, uljen e kohës së riparimit, rritjen e jetëgjatësisë së pritshme të pajisjeve mekanike dhe elektrike si edhe rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet instalimit të sistemeve moderne të kontrollit dhe automatikës, në përputhje me standartet e UCTE. Nga ana tjetër me përfundimin e reahbilitimit është siguruar përmirësimi i kushteve të punës së personelit me centralet dhe në centrale si dhe plotësimi i të gjitha kushteve për njohjen kualifikimin dhe pajisjen e impiantit të Hec-eve Fierzë me certifikatën e gjelbër.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

“Titan” gjobë nga BE, vjen në Shqipëri

Gjigandi grek ka aplikuar për ndërtimin e një fabrike deri në vitin 2008

Gert Osmani

Shoqëria greke e prodhimit të çimentos Titan ka njoftuar në faqen zyrtare të internetit se është në pritje të licensës për të filluar një investim të fuqishëm në Shqipëri. Ndonëse kanë patur probleme me licensën minerare në SHBA dhe kanë marrë një gjoë nga Komisoni Evropian për taksa të papaguara, grekët mendojnë se duhet të shtrijnë aktivitetin e tyre në Evropën Juglindore ku kërkesa për çimento ëhstë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Drejtuesit e gjigantit grek me një xhiro vjetore 1.56 miliardë euro thonë se i gjithë projekti është gati. “Projekti në këto momente është i ndërmarrë tërësish nga shoqëria e çimentos Titan. Ne kemi bashkëpunuar me firma vendase që na kanë dhënë një ndihmë të madhe”, thonë burimet nga kjo kompani. Sipas tyre ky projekt ka tërhequr interesin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat do të marrin pjesë në të si partnere. Lidhur me kohën e fillimit të projektit, një nga drejtuesit e shoqërisë thotë se “kjo do të varet së tepërmi nga qeveria. Vendimet tona janë marrë. Ne jemi në procesin e verifikimit të sasisë së rezervave. Presim vendimet e fundit të qeverisë. Por, projekti tashmë ka filluar. Paratë po shpenzohen dhe njerëzit kanë filluar të punojnë. Synohet që projekti të përfundojë deri nga fundi i vitit 2008”. Rreth 200 milionë euro pritet të jetë investimi i grekëve në këtë impiant që pritet të rrisë fort konkurrencën në tregun shqiptar.
Profili i Titan
Grupi Titan ka publikuar së fundmi të dhënat e vitit 2006 ku rezulton një xhiro vjetore prej 1 miliardë e 568 milionë euro ose 17 % më e lartë se një vit më parë. Të ardhurat para taksave dhe amortizimit u rritën me 24 % ndërsa fitimi neto pas taksave arriti 259 milionë euro ose 23 % më i lartë. Fitimet u realizuan në vendet e rajonit ku operon kompania ku është regjistruar një vëllim i madh shitjesh. Por grekët e Titan duket se kanë patur probleme me Komisonin Evropian gjatë vitit të kaluar. Fitimi neto pas taksave ra me 15 për qind si rezultat i rritjes së detyrimeve fiskale me 16.3 milionë euro pasi Komisoni Evropian nuk ka pranuar mostaksimin e një rezerve të vendosur nga kompania në Greqi gjatë viteve 2003-2004. Por viti që kaloi ka qenë plot surpriza negative për Titan edhe në tregun e shtëpive në SHBA dhe për arsye se aktiviteti minerar në disa zona atje mbetet ende pezull për shkak të problemeve të rikonfirmimit të licensës në zonën e Floridas.
Tregu çimentos
Sektori i ndërtimit mban një peshë të rëndësishme në ekonominë kombëtare shqiptare ndaj dhe kërkesa për importe dhe prodhim vendas të çimentos është rritur ndjeshëm. Që nga viti 1995, për më shumë se 6 vite prodhimi i çimentos në Shqipëri thuajse u ndërpre plotësisht duke e lënë tregun në duar të importuesve. Vetëm në vitin 2001 rifilloi në fabrikën e Fushës-Krujës e cila ka një prodhimi maksimal 400 mijë ton në vit. Nevojat e ekonomisë vendase për çimento vijnë vazhdimisht në rritje. Llogaritet që nevojat vjetore të vendit për çimento të jenë rreth 1.5 milion ton, ndërsa për 2-3 vitet që vijnë pritet që ato të rriten deri në 2 milion ton.

E Enjte, 29 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Nga Itali në Sarandë: Turistë me hidroplan



Në muajin maj do të nisë transporti turistik me hidroplan në linjat Itali-Sarandë dhe kthim. Lajmi bëhet i ditur për ABC nga Agim Mato nënkryetar i Dhomës së tregtisë dhe industrisë në Sarandë, njëherësh ndër protagonistët e sipërmarrjes së fluturimeve të mësipërme dhe bashkëpunëtor i shoqërisë italiane “Aqua Airlines”. Ditët e fundit u organizua në qytetin Galiopoli në zonë e Pulias në Itali kongresi i kompanive të transportit me hidroplane. Në këtë kongres ka marrë pjesë si i ftuar edhe një përfaqësi nga bashkia dhe dhoma e tregtisë e Sarandës, si qyteti i interesuar dhe i përfshirë në projektin e rrjetit të integruar tëtransportit me hidroplan” Sipas zëdhënësit të bashkisë Kastriot Qelepiri në ditën e çeljes së sezonit turistik në javën e parët majit në Sarandë, do të promovohet edhe linja turistike e transportit me hidroplan nga Pulia e Italisë në Sarandë dhe kthim”. Agim Mato duke iu referuar edhe demonstrimit të fluturimeve me hidroplane në verën e vitit të kaluar në Sarandë, tha për ABC se linja Pulia-Sarandë me hidroplane zgjat vetëm 30-40 minuta ndërkohë që parashikohet që ndryshe nga çmimi i biletës së avionit Shqipëri-Itali prej 200 euro, udhëtimi turistik më hidroplan të ketë një çmim vetëm 90 euro. Burime të shoqërive italiane të udhëtimeve me hidroplanë bënë të ditur se në projektin e udhëtimeve Pulia Sarandë do të përfshihen edhe dy qytete të tjera të bregdetit shqiptar, përkatësisht Vlora dhe Durrësi. Mësohet se 2007-ta do të jetë viti I zbatimit eksperimental; të linjave të udhëtimit me hidroplan mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo prakikë do të pasoje plotësimin e kuadrit ligjor dhe impenjimin e të dy ministrive respektive të transporteve në Itali dhe Shqipëri për modalitetet e kuadrit ligjor për periudhën në vazhdim. Udhëtimet me hidroplanë në Itali nisën të përdoren për herë të parë në vitin 1926 kryesisht në Brindizi. Në vitin 1932 nisi të funksionojë linja e parë e udhëtimt me hidroplan Brindizi-Athinë(Greqi) në një vit më vonë krahas linjave ndërkombëtare me hidroplan që lidhnin Brindizin(Itali) me Stambollin, Athinën dhe Rodosin, funksionuan edhe linjat me Shqipërinë. Brindizi-Vlorë, ishte linja e parë me hidroplan nga Italia dhe në vitin 1933 fluturimet me hidroplan u përhapën edhe në linjat e brendshme në Shqipëri si :Tiranë-Korçë,Tiranë-Vlorë dhe Tiranë-Gjirokastër. Sh. Hajno

E Premte, 30 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

“Sollaku, fajtor dhe për vjedhjet e energjisë”

KESH i përgjigjet akuzave të ERE-s:Kemi denoncuar por s’vepron Prokuroria

Gert Osmani

Vjedhjet e energjisë janë në përmasa dramatike por KESH ia ka kaluar fajin Prokurorisë. Pak ditë pas publikimit të raportit të Entit Rregullator të Energjisë, ku shkruhej se nuk ka asnjë të dënuiar për abuzimet me energjinë elektrike, ka reaguar KESH-i. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it Gjergj Bojaxhi tha për mediat, se duhet të forcohet bashkëpunimi institucional me organet e prokurorive në rrethe, për të ndjekur proçedurat që lidhen me denoncimet e bëra nga degët e KESH-it, për çdo kundravajtje ligjore në shpërdorimin e energjisë elektrike. Forcimin e këtij bashkëpunimi, Bojaxhi e vlerëson mjaft të rëndë sishëm, pasi nga praktikat janë vënë re se edhe pse janë dorëzuar dosjet me denoncime për shpërdorimin e energjisë pranë prokurorive në rrethe, masat e mara ndaj abuzuesve kanë qënë të pakta. "Energjia duhet të vlerësohet si prioritet edhe në punën e organeve të prokurorisë", tha Bojaxhi.

Akuzat
Rreth 100 milionë dollarë vlerësohen vjedhjet e energjisë elektrike për vitin 2006 ndërsa në total KESH ka patur një “gropë financiare” prej më shumë se 225 milionë dolarësh. Raporti vjetor i ERE-s thotë se që nga viti 1995 e deri më sot përpjekjet për të zovëgulaur vjedhjet e energjisë elektrike kanë qenë të pasuksesshme. Në fakt një pjesë e gabimeve në menaxhimin e situatës me abonentët që nuk paguajnë vjen për shkak të orientimit politk për të furnizuar me energji në kompensim të votave sesa llogaritjeve ekonomike. KESH ka rritur humbjet gjatë vitit 2006 nga 32.5 % të planifikuara në 38.73 % për shkak të furnizimit pa ndërprerje në zona ku energjia nuk paguhet as në 4 % të konsumit të saj. ERE thotë se përpjekjet e KESH për të imponuar zbatimin e ligjit nuk kanë qenë të efektshme dhe kompania vuan gjendjen e krijuar. ERE sugjeron se përpjekjet për zvogëlimin e humbjeve të energjisë nuk duhet të jenë të kufizuara vetëm në strukturat e KESH-it por duhet të jenë të bashkërenduara edhe me strukturat e tjera të shtetit që kërkojnë zbatimin e ligjit. ERE e quan “alarmant faktin që vjedhjet e energjisë elektrike janë në përmasa alarmante ndërkohë që nuk ka asnjë të ndëshkuar penalisht nga organet e drejtësisë për këtë krim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndonëse ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh nga ana e policisë elektrike.

HEC lokale, vetëm 1 % e prodhimit
Në sektorin privat ku kanë aktivitet 45 HEC-e të vogla lokale, gjatë vitit 2006, u prodhua në total, 5 milionë e 806 mijë kilovat-orë energji elektrike, bënë të ditur burime të KESH-it. Kjo sasi energjie, është e barabartë me 1% të totalit të energjisë së prodhuar nga të gjitha HEC-et në vend. Sipas raportit vjetor për vitin 2006 të Entit Rregullatorë të Energjisë, (ERE), rezulton se rritja e prodhimti të energjisë, krahasuar me vitin 2004, ishte 48.8% më e lartë.

E Premte, 30 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Si fitojnë bankat me bonot e individëve

Si humbasin individët 2 për qind të interesit për bonot e thesarit


Bonot e thesarit janë një investim i sigurtë dhe shumë tërheqës për shumë individë. Por që prej një viti Banka e Shqipërisë e ka postuar shitjen e bonove për qytetarët nga sportelet e saj te ajo e bankave të nivelit të dytë. Me këtë lëvizje të gjithë ata që blejnë bono, i “falin” bankave rreth 2 për qind të interesit dhe komisione që variojnë nga 1000 në 3 mijë lekë për çdo transaksion. Kjo lëvizje e Bankës së Shqipërisë duket se është nxitur nga bankat e nivelit të dytë të cilat shohin fitime edhe te bonot e thesarit që blejnë vetë individët në sportelet e tyre. Duhet thënë se fitimi kryesor, i sigurtë dhe i marrë në avancë nga bankat me bonot e thesarit ka të bëjë me diferencat që ekzistojnë mes normave të interesit për depozitat(rreth 5.5 %) me interesat për bonot e thesarit(rreth 8.4 %).

Në sportelet e bankës
Nëse kërkon të investosh në blerjen e bonove të thesarit duhet të shkosh në sportelet e bankave tregtare. Për çdo transaksion do të paguash 1000 deri në 3000 lekë sipas bankave. Edhe kur ta mbyllësh llogarinë do të duhet të paguash një komision shtesë. Por humbjet më të mëdha në interesat e bonove që blejnë individët vijnë nga diferencat që aplikon banka kur të blen me interesat kur të shet një bono thesari. Sipas të dhënave të sitit zyrtar të një banke të njohur për investime të konsiderueshme në bono thesari, rezulton se për bono me afat 12 mujor banka ti blen me 6.14 % dhe ti shet 8.14 për qind. Ndërrkohë që nëse këto bono i blen direkt te Banka e Shqipërisë(siç ishte më parë) interesi është 7.05 për qind. Sigurisht që bankat kanë në themel të veprimtarisë fitimin, por në shumë raste ato nuk tregohen transparent me klientin. Kështu në një nga bankat në Tiranë sportelitja mundohet të të mbushë mendjen me të gjitha metodat që mos të blesh bono thesari por të marrësh depozita. Interesi i bankës është që të mbledhë depozita nga individët dhe të blejë bono thesari dhe fitimi “pa mund” është plot 3 për qind e shumës. Për më tepër interesat për bonot e thesarit merren në avancë, një javë pas përfundimit të ankandit ndërsa banka i shpërndan interesat për depozitat në fund të periudhës.

E Premte, 30 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Shqipëria në vendet e fundit për teknologjinë

OECD publikon indeksin që na rendit në vendin e 107. Para nesh Uganda dhe Burgina Faso


Qeverisja elektronike, e premtuar disa herë nga kryeministri Berisha, duket një ëndërr e largët për shqiptarët. Një raport i publikuar dje nga OECD tregon se përsa i përket teknologjisë së informacionit Shqipëria renditet në vendet afër fundit. Informacioni dhe teknologjia janë kthyer tashmë në insyrumentat kryesorë që përdorin kompanitë dhe ekonomitë e vendeve të ndryshme në konkurrencën e hapur globale. Por Shqipëria duket se mbetet ende shumë prapa në këtë drejtim jo vetëm për shkak të një zhvillimi të prapambetur ekonomik por edhe për arsye të një infrastrukture të varfër të telekomunikacionit dhe shërbimeve të internetit. Pentrimi i telefonisë fikse dhe internetit në Shqipëri është ndër nivelet më të ulta në Evropë dhe kjo e ka renditur vendin tonë pas vendeve të botës së tretë si Kamboxhia, Mali, Burgina-Faso, Ugandës, Hondurasit etj. Edhe në krahasim me vendet e rajonit, raporti i OECD-së e paraqet Shqipërinë të fundit pasi shumë shkallë më parë renditen Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Bosnje-Hercegovina.
Shqipëria ka marrë 2.87 pikë në renditjen e Indeksit të Teknologjisë së Informacionit duke u renditur në vendin e 107 nga 122 vende gjithsej. Vlen për tu përmendur se pas vendit tonë gjen vetëm menjëherë Nepalin, Burundin, Lesoton apo Zimbabvet. Për statistikë për herë të parë indeksin e teknologjisë e kryeson Danimarka duke lënë më pas Suedinë, Singaporin, Zvicrën, Hollandën, SHBA-në etj.
Që kur u lançua për herë të parë në vitin 2001, Raporti i Teknologjisë së Informacionit në nivel botëror u bë baza e krahasimit për pikat e forta dhe të dobëta të ekonomive kombëtare të vendeve të ndryshme. Ky indeks, që publikohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim(OECD) paraqet gjithashtu dhe rëndësinë e aplikimit për rritjen ekonomike. Raporti i OECD përdor edhe Indeksin e Gatishmërisë(NRI) së një vendi për të ndërmarrë masat e duhura për të përfituar nga zhvillimet e teknologjisë së informacionit. Ky indeks përbëhet nga tre komponentë kryesorë si ambienti për zhvillimet teknologjike që ofron një vend ose një komunitet, gatishmëria e aktorëve kryesorë të komunitetit(individëve, biznesit dhe qeverisë) për zhvillimin teknologjik dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit.

E Premte, 30 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bankat i ndryshojnë kursin qeverisë

Reagim në bllok që sjell rritjen e interesave të bonove të thesarit

Gert Osmani

Një reagim në bllok i bankave të nivelit të dytë i ka përmbysur normat e interesit të bonove të thesarit. Në kundërvënie ndaj rritjes së interesave bazë nga banka qendrore qeveria kishte ulur me 6.5 % kërkesën për borxh nga bankat gjatë vitit 2006. Kjo solli një rënie të interesave në ankandet e bonove të thesarit ndërkohë që pritshmëritë e bankave ishin për të fituar interesa më të larta nga dhënia e parave borxh për qeverinë. “Hakmarrja” e bankave nuk ka vonuar dhe në ankandin e fundit ata nuk kanë ofruar më shumë se gjysmën e parave që kërkonte borxh qeveria duke sjellë dhe rritjen e interesave. Për të plotësuar nevojat për para për të mbuluar shpenzimet qeveria kërkoi në ankandin e fundit 6.2 miliardë lekë bono ose rreth 63 milionë dollarë por bankat, shoqëritë e sigurimit dhe individët opruan vetëm 3.7 miliardë lekë. Norma e interesit për shkak të kësaj situate pësoi rritje të lehtë duke arritur 7.04 për qind nga 7.00 qind që ishte më parë.
Gara për interesat
Burimet në Bankën e Shqipërisë thanë për mediat se qeveria ka të ngjarë të shtojë kërkesën për para për shkak të rritjes së fluksit të shpenzimeve dhe mosmbulimit me të ardhurat. Kjo kërkesë për para pritet të rritet në gjysmën e dytë të vitit kur pritet të ulen taksat. Ndaj dhe bankat janë në pritje të rritjes së kërkesës së qeverisë për para për të fituar interesa më të larta në gjysmën e dytë të vitit. Disa nga bankierët kryesorë në vend javën e kaluar kritikuan qeverinë për kursin që ndoqi duke ulur menjëherë kërkesën për para ndërkohë që sinjalet e bankës qendrore ishte krejt në kah të kundërt duke çorientuar politkën monetare dhe sjelljen e bankave me interesat. Por një ndryshim në interesat e bonove të thesarit ndikon në ndryshimin e të gjitha normave të interesave të kredive dhe depozitave në lekë. Në rastin konkret nëse tendencat e rritjes të interesit të bonove do të vazhdojnë pritet të ketë një shtrenjtim të mëtejshëm të kredisë dhe depozitave. Por duke i’u referuar traditës historike, bankat reagojnë në kohë duke rritur vetëm normën e interesit për kreditë dhe jo për depozitat. Nga ana tjetër rritja e interasve të bonove të thesarit ndikon negativisht në borxhin qeveritar, pasi transmeton rritje së kostos në këtë shërbim. Qeveria pritet të paguajë këtë vit më shumë interesa për shlyerjen e borxhit të brëndshëm për shkak Banka e Shqipërisë e ka rritur “çmimin” e parasë me 0.5 % gjatë vitit që shkoi.

E Premte, 30 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bojaxhi i bën thirrje prokurorive që të forcojnë bashkëpunimin me KESH, me qëllim që të ndëshkohen individët që abuzojnë

Ndjekje penale për hajdutët e energjisë

Korporata arrin të arkëtojë vetëm 45% të energjisë elektrike që hedh në rrjet


Vjedhësit e energjisë elektrike nuk duhet të shqetësohen më vetëm për shkëputjen e rrymës, por edhe për rrezikun e ndjekjes penale. Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi, deklaroi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit me organet e prokurorive në rrethe, për të ndjekur dhe ndëshkuar abuzimet. Prokuroritë do të ndjekin procedurat që lidhen me denoncimet e bëra nga degët e KESH-it, për çdo kundërvajtje ligjore në shpërdorimin e energjisë elektrike. Kreu i KESH e cilësoi shumë të rëndësishëm forcimin e këtij bashkëpunimi, pasi nga praktikat janë vënë re se, edhe pse janë dorëzuar dosjet me denoncime për shpërdorimin e energjisë pranë prokurorive në rrethe, masat e mara ndaj abuzuesve kanë qenë të pakta. Sipas vlerësimeve të Entit Rregullator të Energjisë, humbjet gjatë vitit 2006, kapin një vlerë prej 100 milionë dollarësh, aq sa do të mjaftonte për ndërtimin e një TEC-i të ri. Në fund të vitit 2006, niveli i humbjeve të energjisë ishte 41,8%. Sipas platformës së re drejtuese të Bojaxhi, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të kalojë një reformë të thellë njerëzore dhe në funksionimin e strukturave, në mënyrë që të zgjidhen problemet e menaxhimit dhe humbjeve. Gjergji Bojaxhi ka prezantuar sakaq linjat e përgjithshme të strategjisë për nxjerrjen e KESH-it nga ngërçi dhe eliminimin e krizave energjetike në vend. Megjithatë, Bojaxhi nuk është shfaqur ende si shpëtimtar i situatës dhe ka deklaruar se suksesi i KESH varet edhe nga reshjet, që, sipas tij, aktualisht janë tepër të pakta. Niveli i rezervave hidrike, në fakt, nuk përbën një ogur të mirë, përderisa dimri dhe pranvera kanë sjellë deri më tani, nivele të papërfillshme prurjesh. Drejtori i ri i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ka deklaruar se do të merren masa ndaj vjedhjes kolektive të energjisë. Ai e konsideroi të papranueshëm faktin që vetëm një pjesë e energjisë së shpërndarë, paguhet nga qytetarët, duke deklaruar se arkëtohet vetëm 45% e energjisë që KESH shpërndan. Në mënyrë që të mundësohet zbatimi i ligjit, duke iu vënë fre vjedhjeve të energjisë, Bojaxhi deklaroi se do të rritet bashkëpunimi me prokuroritë në rrethe dhe me komisariatet e policisë. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi, sektori energjetik ka nevojë për investime shumë të mëdha në rrjetin e shpërndarjes, në atë të transmetimit, ashtu dhe në prodhim. Specialistët thonë se duke marrë parasysh mangësitë që ka sistemi ynë në këtë moment për sa i përket prodhimit, shteti shqiptar duhet të përqendrohet në 2-3 projekte kryesore, të cilat mund të realizohen në kohën më të shpejtë të mundshme. Qeveria ka planifikuar të ndërtojë një tjetër TEC pas atij të Vlorës, këtë radhë në Porto Romano. TEC-i i ri mund të ketë një kapacitet deri në 130 Megavat dhe parashikohet të kushtojë rreth 130 milionë euro. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, qeveria po mundohet që të financojë ndërtimin e këtij TEC-i më fonde të brendshme, në mënyrë që ai të jetë pronë e shtetit shqiptar. Por vendi ynë ka avantazhin e zotërimit të një kapaciteti të madh burimesh hidrike. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Shqipëri shfrytëzohen rreth 30 për qind e burimeve hidrike. Një numër i madh investitorësh të huaj kanë shfaqur interes për të financuar ndërtimin e hidrocentraleve më të mëdha në vendin tonë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Qeveria, anulon ankandin e shitjes së stoqeve të kromit, pas kërkesës së Këshillit të ri Bashkiak

Bashki-"Albkrom", përplasje për stoqet e mineralit

Kryebashkiaku: Nuk janë objekt i kontratës konçensionare, të lidhur me Darfon


Qeveria ka anuluar datën e zhvillimit të ankandit për shitjen e stoqeve të mineralit të kromit, në minierën e Bulqizës. Ankandi ishte caktuar për t‘u zhvilluar nga ana e kompanisë së "Albkromit", më 28 mars 2007. Pikërisht në këtë ditë, 6 firmat që do të konkurronin në këtë ankand, njoftohen zyrtarisht nga kompania e "Albkromit", se tenderi është anuluar dhe se ai do të zhvillohet në një datë tjetër, që do të bëhet e ditur në ditët e ardhshme. Stoqet e kromit janë masive me hedhurina ndër vite, nga puna në minierën e kromit, të mineralit të varfër. Por, sipas specialistëve inxhinierë të kësaj miniere, këto stoqe, përmbajnë nga 8 deri në 16 për qind krom. Duke marrë parasysh se në to gjenden miliona tonelata krom, pavarësisht cilësisë së ulët të tij, vlera e këtyre stoqeve bëhet tejet e konsiderueshme. Kështu, ishte parashikuar që ankandi të niste me vlerë fillestare rreth 250 milionë lekë të vjetër, por me anulimin e tij ka dalë në sipërfaqe një tjetër problem: kush do ta ketë ekskluzivitetin e nxjerrjes në ankand të këtyre stoqeve dhe për pasojë do të përcaktojë edhe vlerën fillestare të tij.

Sipas një vendimi të këshillit të ri bashkiak të Bulqizës, i mbledhur pak ditë më parë, stoqet e kromit konsideroheshin pasuri e komunitetit dhe si të tilla duheshin të administroheshin prej kësaj bashkie dhe jo nga "Albkromi", që kishte organizuar ankandin për shitjen e tyre. Kryetari i bashkisë Bulqizë, Roland Keta, tha për "Shqip", se stoqet e kromit nuk janë objekt i kontratës konçensionare, të lidhur midis firmës italiane "Darfo-Albania", e cila ka marrë në administrim minierën e kromit me konçension për 30 vjet dhe shtetit shqiptar, përfaqësuar nga "Albkromi", në periudhën kur është bërë privatizimi i minierës. Ndaj, "Albkromi" nuk ka të drejtë të nxjerrë në shitje këto stoqe, pasi kjo është pasuri e komunitetit të Bulqizës, ku dhe ndodhet kjo minierë. Burime nga bashkia saktësojnë se ka qenë vendimi i këshillit bashkiak, i cili i është bërë prezent Kryeministrit Berisha, që ka çuar në anulimin e këtij ankandi, që, sipas datës së shpallur, duhej të zhvillohej më 28 mars 2007.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rindërtohet hidrocentrali i Fierzës

Projekti kushtoi 30 milionë euro dhe u financua nga institucionet ndërkombëtare


Përfundon rehabilitimi i 4 turbinave të hidrocentralit të Fierzës. Një investim prej rreth 30 milionë eurosh ka bërë të mundur rehabilitimin e plotë të 4 turbinave të këtij hidrocentrali, më i madhi në kaskadën e Drinit. Në ceremoninë e inaugurimit kanë qenë të pranishëm zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli si dhe drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi. "Është një kënaqësi e veçantë për mua, që në detyrën time të re të pres shiritin e parë të inaugurimit të një vepre të tillë siç është hidrocentrali i Fierzës", deklaroi zv/kryeministri Oketa. Procesi për rehabilitimin e katër turbinave të HEC-it të Fierzës ka nisur që në vitin 2003. Specialistët thonë se investimet rrisin sigurinë e turbinave dhe kanë një impakt të ndjeshëm në rritjen e prodhimit të energjisë. Pjesa dërrmuese e fondeve për rehabilitimin e Fierzës, rreth 27 milionë euro, u financuan nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria zvicerane, ajo japoneze dhe "Cooperazione Italiana". Ndërsa pjesa tjetër e shumës u financua nga vetë fondet e KESH-it. Ky është rehabilitimi i parë që i bëhet Fierzës që nga koha e ndërtimit të saj. "Ky investim ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për Fierzën, por edhe për faktin se i hap rrugë fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve të tjera si ai i Bushatit dhe Skavicës", tha Oketa. Drejtuesit e Fierzës bënë të ditur se teknologjia e përdorur për agregatet e këtij HEC-i është e fjalës së fundit dhe garanton një siguri më të madhe për funksionimin normal të tij. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, tha se brenda këtij viti do të përfundojë edhe rehabilitimi i nënstacionit të ri elektrik në Fierzë. "Gjithashtu brenda 2007-ës do të bëhet i mundur edhe rehabilitimi i turbinës së fundit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ç‘ka do të rrisë në maksimum sigurinë e të gjithë kaskadës së HEC-eve mbi lumin Drin", tha Bojaxhi. Fuqia e instaluar dhe e gjenerimit në 4 turbinat e Fierzës është 500 megavat. Mbarëvajtja e këtij hidrocentrali është e një rëndësie të veçantë, pasi Fierza ka pozitën e rregullatorit në gjithë kaskadën e Drinit. Kur ky hidrocentral ka probleme, atëherë i gjithë sistemi elektroenergjetik shqiptar ndodhet në vështirësi serioze. Në fakt, prej vitesh, Fierza ka pasur probleme, të cilat janë të lidhura ngushtë me amortizimin e madh që kanë pësuar agregatet e saj gjatë 30 viteve ekzistence të këtij HEC-i. Që nga viti 1978, kur është vënë në punë turbina e parë e Fierzës dhe deri më sot, në hidrocentralin më të madh në vend nuk është bërë asnjë remont i këtyre përmasave. Drini i Bardhë nga Kosova dhe ai i Zi nga Maqedonia, si dhe përrenjtë që ata përmbledhin gjatë rrugës, janë furnizuesit kryesorë. Prurjet më të mëdha në Fierzë arrijnë deri në 5 mijë metra kub ujë në sekondë. Diga e Fierzës është rreth 140 metra e gjatë dhe është diga e tretë më e lartë në Evropë.

Niveli maksimal i hidrocentralit është rreth 296 metra mbi nivelin e detit, ndërsa pika e vdekjes, aty ku turbinat e Fierzës dalin jashtë funksionit, është afro 245 metra mbi nivelin e detit.

Prej pak vitesh Fierza ka qenë nën një remont kapital me fonde të BB-së, ndërkohë që shpeshherë agregatet e saj kanë pas dalë jashtë përdorimit, si rezultat i defekteve që kanë qenë të mbartura.
 

MLK

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

"Përfundon rehabilitimi i 4 turbinave të hidrocentralit të Fierzës. Një investim prej rreth 30 milionë eurosh ka bërë të mundur rehabilitimin e plotë të 4 turbinave të këtij hidrocentrali, më i madhi në kaskadën e Drinit. "

Po tre hidrocentrale te medhenj ka Shqiperia, akoma si mesuan kush eshte me i madhi /pf/images/graemlins/laugh.gif Komani ka kapacitet te instaluar prej 600MW, Fierza 500MW, apo mos eshte rritur keto kohet e fundit Fierza e ja ka kaluar Komani-t /pf/images/graemlins/laugh.gif
Hajde gazetare qe kemi hajde, u dhin profesorat tu mor pare e tu dhon diplloma ne Shqiperi /pf/images/graemlins/smash.gif
 
Top