Lajme ekonomike!

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Deutche Bank, aksione te hidrocentrali Kalivaçit

Banka e njohur gjermane blen 45% të kompanisë "Becchetti” q ëka marrë koncensionin


Deutche Bank, banka më e madhe në Gjermani dhe ndër më të mëdhatë në Evropë do të vijë në Shqipëri. Kësaj here nuk kemi hapje të një banke të re apo blerje të bankave shqiptare, por një investim të drejtëpërdrejtë. Banka gjermane "Deutsche Bank" do të blejë 45 për qind të aksioneve të kompanisë italiane "Becchetti". "Sot kanë nisur negociatat për këtë proçes, dhe pritet që "Dojçe Bank" të financojë ndërtimin prej disa qindra milionë euro të këtij HEC-i", tha dje për median ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Në këtë mënyrë po afrohen mundësitë për fillimin e ndërtimit të hidrocentralit të ri të Kalivaçit mbi lumin Vjosa. Sipas tij, "Becchetti", kompania që ka marrë me konçension prej 10 vitesh ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit, nuk mundi të siguronte deri më tani financimin për këtë objekt. Ndërkohë, METE do të rishikojë kontratën konçensionare me këtë kompani si dhe me të tjerat, me qëllim, jo vetëm realizimin në kohë të investimeve, por edhe arritjen e plotë të parametrave teknikë, tha Ruli.
Në fakt projekti i Kalivaçit ka 10 vjet që ka nisur dhe faktikisht ka një minimum investimesh të kryera. Në kulmin e krizës energjetike u ndje shumë mungesa e burimeve të reja të energjisë që nga viti 1985 dhe asokohe Ruli e kritikoi ashpër kompaninë italiane që kishte marrë koncesionin për këtë hidrocentral. “Ne po i ndjekim me shqetësim, sepse padyshim koncesioni i Kalivaçit mund të ishte një nga projektet energjetike më të mëdha në Shqipëri dhe është padyshim pika më e mirë e Vjosës për të ngritur një hidrocentral. Ne i kemi kërkuar firmës, që të na rikonfirmojë të gjithë kapacitetet teknike dhe financiare që ajo ka për ta vazhduar këtë koncesion, në rast të kundërt, ne do të detyrohemi të ndërrojmë kontratën”, pati deklaruar ministri i Energjetikës para dy muajsh. Por tashmë duket se Deutsche Bank duket se po e shpëton firmën italiane nga “përzënia” siç ka ndodhur me kompani të tjera që kanë marrë koncesione në Shqipëri e nuk kanë bërë asgjë.

E Shtune, 31 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Banka Botërore, 10 milionë $ për klimën e biznesit

Një kredi tjetër për ujësjellësa, shëndetësi dhe pensione


Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore aprovoi Kredinë për Politikat e Zhvillimit, me vlerë 10 milionë dollarësh amerikanë për Shqipërinë, njoftuan dje burimet zyrtare të zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Kjo kredi është e para në një seri prej tre kredish për Politikat e Zhvillimit (DPO), që kanë për qëllim, mbështetjen e disa prej aspekteve kryesore të Strategjisë Kombëtare të Qeverisë për Zhvillim dhe Integrim. Vetë strategjia synon trajtimin e sfidave të dyfishta të rritjes ekonomike (kryesisht përmes zhvillimit të sektorit privat) dhe përmirësimin e realizimit të shërbimeve publike sociale. Një objektiv i tretë ndërsektorial, i cili do të mbështetet në kuadrin e DPO-së do të jetë edhe përmirësimi i qeverisjes si dhe forcimi i mekanizimave të përgjegjshmërisë. Sipas BB, gjatë viteve 1996-2005, ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri kanë qenë mesatarisht 5.7%, ndërsa varfëria për frymë ra, nga 25% që ishte në vitin 2002, në 19% në vitin 2005. Megjithatë, ruajtja e ritmeve të kësaj rritjeje të shpejtë dhe përmirësimi i rezultateve sociale do të kërkojnë një vijueshmëri të disa reformave thelbësore në disa fusha, thekson BB. Programi i DPO-së përfshin tri komponentë: përmirësimin e klimës së investimeve, me qëllim nxitjen e rritjes së stimuluar nga përfshirja e sektorit privat; përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe efikasitetit të realizimit të shërbimeve publike dhe përmirësimin e financave publike dhe administratës publike, thellimin e reformave në administratën publike dhe decentralizimin e mëtejshëm përmes forcimit të financave lokale. Rezultatet e parashikuara në kuadrin e programit përfshijnë: uljen e kostove të biznesit, rritjen e produktivitetit të shpenzimeve publike dhe investimeve, përmirësimin e manaxhimit të shërbimit civil dhe ecurinë drejt shërbimeve publike të qendrueshme dhe efikase në ujësjellsa, shëndetësi dhe pensione. Periudha e maturimit të kredisë është 20 vjet, me një periudhë të lirë prej 10 vjetësh. Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Totali i fondeve të dhëna nga Banka Botërore për Shqipërinë aktualisht kap shifrën 925 milionë dollarë në kuadrin e 64 projekte.

E Shtune, 31 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Hapat gara për hidrocentralet lokale

Lumë kërkesash dhe ankesash te Ministria e Energjetikës. Oferta e parë merr 10 % bonus

Gert Osmani

Rreth 2 vjet pasi ishte bllokuar procesi i koncesioneve të hidrocentraleve lokale, një lumë kërkesash ka shpërthyer në drejtim të Ministrisë së Energjetikës. Miratimi i ligjit të ri dhe vendimit të qeverisë për koncesionet ka hapur garën për marrjen e lejeve për ngritjen e hidrocentraleve lokale. Në fakt janë investime me leverdi që bëhen mbi lumenj në zona të ndryshme të vendit dhe që kërkojnë investime nga 1-5 milionë euro. Kushtet e lejes janë shumë favorizuese dhe energjia blihet automatikisht nga KESH-i me çmimin mesatar të importit të një viti më parë. Kështu për shembull sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, vitin e kaluar energjia e prodhuar nga HEC-et lokale u ble nga KESH-i me një çmim të fiksuar prej 6.2 lekë për kilovat orë. Këto hidrocentrale kërkojnë investime minimale, një turbinë, vendosjen në një zonë të rëpirtë të lumit dhe trualli ku ndërtohet kushton lirë ose pronarët e tokës bëhen bashkëpronarë. Projektet kanë filluar të hartohen me shpejtësi dhe të depozitohen pranë Ministrisë së Ekonomisë pasi projektet e para përfitojnë dhe një bonos 10 %. Në Shqipëri, sipas ERE-s vetëm 33 % e burimeve hidrike janë shfrytëzuar ndaj dhe ka rezerva të mëdha për ndërtimin e hidrocentraleve të tera lokale. Gjithsesi prodhimi nga këto hidrocentrale është shumë i vogël, rreth 1 për qind të prodhimit total të energjisë, por është një zgjidhje shumë e mirë për zonat ku ka mundësi të ndërtohen pasi iu zgjidh problemin e furnizimit me energji elektrike.
Ruli nxit koncensionet
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, paraqiti dje në një konferencë shtypi për median në Tiranë të gjithë procedurat që parashikon ligji "Për konçensionet", duke u shprehur se "Proçesi i konçensioneve për HEC-et në Shqipëri, tashmë ka nisur". Për 17 HEC-e është hapur gara për marrjen me konçension për ndërtimin e tyre. Me këtë proçes, METE behet autoriteti kontraktues për të gjitha procedurat e tenderit. "Nga data 2 Prill, të gjithë të interesuarit për projektet e identifikuara sipas Vendimit të fundit të Qeverisë, mund të tërheqin dokumentacionin dhe të marrin pjesë në garë", tha Ruli. Sipas tij, në ministri, subjektet private kanë dorëzuar 65 kërkesa për ndërtime me konçension të hidrocentraleve të vegjël lokale. Prej tyre, 10 subjekte janë paraqitur si oferta të pakërkuara. Për ata që kanë bërë ofertën e parë, u jepet 10% Bonus, si stimul dhe mbrojtje e nevojshme për garat konkurruese. Ndërsa për 17 subjekte private aplikues, që kanë dorëzuar dokumentacionin, kanë hyrë në fazën e shqyrtimit të dosjeve dhe të kërkesave të tyre. Gjithashtu në këtë ministri, 65 subjekte të tjera kanë paraqitur shprehjet e tyre të interesit, për të cilat do të ndiqet procedura ligjore. Sipas procedurave ligjore, dhe vendimeve të qeverisë, synohet shfrytëzim maksimal i eficencës së burimeve ujore. Ndaj dhe një grup pune në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore me ekspertët më të mirë të kësaj fushe, do të bëjë oponencën ndaj çdo projekti, por nuk përjashtohen zyra të kualifikuara studimore. Dy janë treguesit kryesorë që do të kenë oponencën e tyre, sikurse janë niveli i efiçencës së shfrytëzimit të burimeve ujore, si dhe niveli teknik për çdo projekt, të cilat, do të studjohen nga komisioni i vlerësimit të projekteve. Ministri i METE-s, Ruli theksoi se rritja e investimeve private në prodhimin e energjisë elektrike, do të shërbejë si një bazë e mirë e plotësimit të infrastrukturës energjetike në tërësi edhe për rritjen e thithjes së investimeve të huaja.

E Shtune, 31 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rikthehen dyqanet e kontrabandës

Qeveria miraton 8 leje për dyqane "Duty Free", FMN dge PD patën kërkuar dikur mbylljen e tyre

Altin Xhikneli



Qeveria rikthen dhe njëherë dyqanet e dyshuara për kontrabandë në pikat doganore, që ndryshe quhen Duty Free Shops. Një vendim i posaçëm i qeverisë, vetëm një javë para inaugurimit të aeroportit të Rinasit, ka rihapur debatet për dyqanet pa taksa. Duket qartë se vendimi i qeverisë për rihapjen e “dyqaneve pa taksa” është i ndikuar nga hapja e tetë dyqaneve Duty Free në terminalin e ri të ndërtuar nga Aeroport Partners. Aq më tepër që në media, një ditë para inaugurimit të terminalit të ri, u bë publike një letër e kompanisë Tirana Aeroport Partners për kryeministrin ku i bënin presion ministrit të Financave për dhënie licence për dyqanet pa taksa. Kështu, në vendimin e qeverisë Nr. 134, më datë 14 mars të këtij viti, janë bërë disa ndryshime në një vendim të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dispozitave zbatuese të kodit doganor”. Ky vendim bën fjalë për dispozitat zbatuese të kodit doganor, dhe në këtë rast ndryshimi thelbësor ka të bëjë me “Duty Free Shops”. Kështu, vendimin e ri të Këshillit të Ministrave, përcakton kriteret e reja që subjekti i cili do të ushtrojnë një aktivitet të tillë. Kështu sipas vendimit të ri, subjekti duhet të ketë përvojë jo më pak se 5 vjet në fushën e operimit të Duty Free apo të veprimtarive të tjera, të ngjashme si dhe të ketë qarkullimin vjetor total për tri vitet e fundit, jo më të vogël se 1 milionë USD.
Licencat e reja
Kështu vendimi i ri i qeverisë përcakton që Ministri i Financave është i ngarkuar që rast pas rasti të emërojë komitetin e shqyrtimit të dokumentacionit për licencat e Duty free, i cili në përputhje me kriteret e përshkruara më sipër, përcakton, në mënyrë të hollësishme dokumentet e plota, teknike dhe financiare, të përzgjedhjes së operatorëve Duty Free. Kështu, sipas këtij vendimi komiteti, brenda shtatë ditëve, shqyrton dokumentacionin dhe i paraqet Ministrit të Financave praktikat e operatorëve, të cilët plotësojnë kriteret. Më pas Ministri i Financave, brenda tri ditëve, miraton lëshimin e licencave për operatorët, që
plotësojnë kriteret. Kjo licencë është e vlefshme për 7 vjet, me të drejtë rinovimi.
FMN: Mbyllni duty free
Megjithëse, këto dyqane doganore patën krijuar një konflikt të madh midis qeverisë Nano dhe FMN-së në vitin 2003, ku kjo e fundit pat shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes me qeverinë. Tashmë, licencat e reja për këto dyqane do të jenë me afate më të mëdha deri në 7 vjet, për ti siguruar qëndrueshmëri këtij biznesi.
Në fillim të vitit 2003, FMN pa këshilluar qeverinë Nano që të mbyllë magazinat doganore si dhe Duty Free Shops, pas ishin bërë vatër e kontrabandës në vend. Por kjo marrëveshje nuk u arrit pasi kur u dërgua ligji në parlament, pati kundërshti sidomos nga opozita e atëhershme, sot në qeveri. Madje ligji u rrëzua dy herë në Parlament. Kështu, Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendosi ta shtyjë diskutimin e çështjeve ekonomike të Shqipërisë i cili ishte parashikuar për në 29 janar 2003. Ndërkohë që shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë në Uashington, Hossein Samiei u shpreh asokohe në Zërin e Amerikës se ky vendim u mor për shkak se një nga kërkesat kryesore të programit nuk është realizuar në kohën e duhur. Sipas tij, kjo shtyrje kishte të bënte me mos miratimin në parlament të ligjit për mbylljen e dyqaneve pa taksë, ose Duty Free Shop, në pikat tokësore të kalimit kufitar. Qeveria Nano duke patur mbi kokë presionin e FMN-së për mbylljen e Duty Free Shops, kishte vendosur ta ndërmerrte këtë veprim. Por ndërkohë që FMN, akuzonte që në këto dyqane lulëzonte kontrabanda dhe evazioni fiskal, opozita doli kundër FMN-së duke u shprehur se këto dyqane janë simbole të ekonomisë së lirë të tregut. Kështu, opozita kishte kërkuar nga qeveria të merrte masa për të frenuar kontrabandën. Por, Partia demokratike vendosi të ndryshojë qëndrim për këtë çështje vetëm pas një takimi të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha me përfaqësuesit e FMN-së dhe më pas deputetët e kësaj partie kanë premtuar se do të votojnë tashmë për mbylljen e tyre. Kreu i FMN-së për Shqipërinë në vitin 2003, pat deklaruar tek Zëri i Amerikës se programi i FMN-së nuk është anuluar, por FMN po pret që Shqipëria të plotësojë kërkesat. Ai i tha Zërit të Amerikës, se nëse parlamenti e miraton ligjin për mbylljen e dyqaneve Duty Free, atëherë Bordi i Guvernatorëve ka shumë mundësi që të mblidhet në gjysmën e dytë të muajit shkurt për të diskutuar mbi programin për Shqipërinë.



Mali i zi mbyll Duty Free Shops nga kontrabanda
Qeveria malazeze ka marrë masa të menjëhershme për të ndaluar kontrabandën e cigareve me Shqipërinë. Në një aksion të gjerë të drejtuar nga vetë ministri i Financave Igor Lukshiq po merren masa të rrepta për kontrabandistët e cigareve në kufi me Shqipërinë. Veprimet e para që janë bërë nga ministria malazeze e financës është heqja e licencës së punës "duty free shop"-eve, në vendkalimin kufitar të Bozhajt, në pronësi të ndërmarrjes "Stigma Impex".


Duty Free Shops i parë
Pas miratimit të Kodit Doganor, në 15 maj 1999, në Aeroportin e Rinasit u hap i pari Duty Free Shop, i cili tregtonte mallra të ndryshme, kryesisht ato të akcizës pa taksa doganore. Tashmë në Terminalin e Ri në Aeroportin e Nënë Tereza, janë ndërtuar tetë Duty Free Shops.

Kuptimi klasik i “dyqaneve pa taksa”

“Duty free shop” sipas Kodit Doganor shqiptar, do të thotë një magazinë doganore të tipit C, të përdorur për magazinimin e furnizimeve për t’iu shitur mallra udhëtarëve që largohen nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.




Neni 2

Në kreun II të titullit III, pas pikës 8 të nenit 248, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“9. Subjekti, që aplikon për licencë për ushtrimin e veprimtarisë duty free, duhet të plotësojë
këto kritere:
a) Të jetë i regjistruar në regjistrin tregtar të Republikës të Shqipërisë dhe të jetë i pajisur
me certifikatën tatimore;
b) Të ketë përvojë jo më pak se 5 vjet në fushën e operimit të duty free apo të veprimtarive
të tjera, të ngjashme;
c) Të ketë qarkullimin vjetor total për tri vitet e fundit, jo më të vogël se 100 000 000
(njëqind milionë) lekë;
ç) Të ketë numër mesatar të punonjësve për tri vitet e fundit, jo më të vogël se 8;
d) Të depozitojë garanci bankare prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh;
dh) Të paguajë një çmim vjetor të pakthyeshëm prej 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë)
lekësh, për metër katror;
e) Të jetë i pajisur me të drejtat ekskluzive tregtare të markave dhe tipeve të produkteve, që
do të tregojë apo me aplikime certifikatash për mallrat elektronike;
ë) Të jetë i pajisur me një sistem menaxhimi elektronik dhe të sigurtë, të mbështetur nga një
softëare, për mbajtjen dhe mirëmbajtjen e inventarit, duke u lidhur drejtpërdrejt me sistemin
ASCUDA, të Doganës. Sistemi elektronik duhet të mbështesë riprogramime dhe “Costumise”, për
të dhëna shtesë, që mund të kërkohen;
f) Të jetë i pajisur me një sistem skanimi të inventarit si në hyrje dhe në dalje, si dhe të
“Bording pass”, të pasagjerëve, që paraqiten si klientë të dyqanit;
g) Të paraqesë pranë Ministrisë së Financave:
i) planin e hollësishëm financiar të biznesit, duke argumentuar qarkullimin vjetor të
parashikuar, numrin e mallrave, që do të tregtohen, mënyrën e tregtimit dhe të manifestimit të
mallit;
ii) planin organizativ të zhvillimit të biznesit, duke dhënë hollësi për ndarjen e punës;
iii) planin e magazinimit të mallit, ku përfshihen:
- dokumenti i stokut;
- autorizimet;
- gjetja e vendndodhjes së mallit;
- personeli i magazinës;
- dokumentet e përdorura për çdo lëvizje malli.
gj) Të paraqesë metodat e përdorura për auditim të brendshëm apo për kontrollin e
veprimtarive, si dhe dokumentimin e këtyre proceseve;
h) Të jetë i pajisur me një sistem ruajtjeje alarmi;
i) Të ketë tregues efiçentë ekonomikë për kthimin e qarkullimit vjetor, vitet e kthimit të
investimit.

E Shtune, 31 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Banka gjermane "Deutche Bank" bleu nga kompania italiane "Beccetti" 45 për qind të aksioneve të këtij hidrocentrali

Gjermanët blejnë hec-in e Kalivaçit

"Beccetti" është tërhequr nga projekti, pasi nuk mund të siguronte financimin e veprës 120 milionë dollarësh


Banka e njohur gjermane "Deutche Bank" ka blerë nga kompania italiane "Becchetti" 45 për qind të aksioneve të hidrocentralit të Kalivaçit. Lajmin e ka bërë publik ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili tha se banka gjermane ka marrë përsipër edhe financimin prej disa qindra milionë euro të këtij hec-i. "Ne sapo kemi nisur negociatat për këtë proces, i cili do të materializohet shumë shpejt," tha Ruli. Shoqëria italiane "Beccetti", që ka me koncension prej 10 vitesh ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, është tërhequr nga projekti, për shkak se nuk ka mundur të sigurojë fondet e nevojshme për financimin e kësaj vepre. Hec-i i Kalivaçit, parashikuar për t‘u ndërtuar mbi shtratin e lumit të Vjosës, mendohet të ketë një kosto prej rreth 120 milionë dollarësh dhe mendohet të prodhojë rreth 400 milionë kilovat/orë, sasi kjo e barabartë me rreth 8 për qind të konsumit të përgjithshëm të vendit. Por Hidrocentrali i Kalivaçit është i një rëndësie të madhe strategjike, për shkak të përfitimeve të mëdha që sjell duke minimizuar ndjeshëm humbjet teknike në rrjetin e transmetimit. Së bashku me hec-in e Bratilës, këto dy projekte kanë rezultuar me përfitueshmërinë më të madhe ekonomike, ndaj gjithë veprave të tjera energjetike të parashikuara për t‘u ndërtuar në vend. Të dy këto hidrocentrale e do të lidhen me sistemin 110kV në nënstacionet e Gramshit dhe Krahësit.

Essegei, Ruli përgënjeshtron vetveten

"Për disa nga kontratat koncesionare për ndërtimin e hec-eve të vegjël, ekzistonin të gjitha kushtet ligjore për prishje të njëanshme të tyre nga ana e shtetit shqiptar. Por, qëllimi ynë nuk ishte prishja e kontratës, por funksionimi sa më i drejtë në përputhje me detyrimet nënkontraktore i këtyre koncesioneve", tha dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke iu referuar rinovimit të kontratës koncesionare me kompaninë italiane Essegei. Realisht, ministri i Ekonomisë ka bërë një kthesë 180 gradë, pasi vetëm pak muaj më parë, teksa i përgjigjej shqetësimit të Avokatit të Popullit, në lidhje me shkeljet e kontratave nga ana e kompanisë koncesionare, qëndrimi i tij ishte krejt i kundërt nga ky aktual. Në përgjigjen zyrtare ndaj rekomandimit të Avokatit të Popullit, ministri Ruli deklaronte se do të kërkonte prishjen e kontratës me Essegei në Këshillin e Ministrave.

Kontrata e re

Rinovimi i kontratës me kompaninë Essegei parashikon në fakt disa ndryshime që shkojnë në favor të shtetit shqiptar dhe interesit të publikut. Sipas ministrit Ruli, me këtë kompani është rënë dakord që disa elementë të kontratës të modifikohen. "Janë disa elementë të kontratës koncesionare që përmirësohen ndjeshëm. Investimi i paraparë në kontratën fillestare ishte vetëm 8,6 milionë dollarë, ndërsa në kontratën e re është 13,3 milionë euro, duke shënuar kështu një rritje prej gati 50 për qind", tha Ruli. Po kështu, sipas tij, janë përmirësuar edhe të gjithë projektet teknike të hidrocentraleve të parashikuar për t‘u ndërtuar nga kjo kompani. Fuqia e instaluar e paraparë ishte në kontratën e nënshkruar nga ish-qeveria Nano me shoqërinë Essegei rezultonte 8500 kilovat orë, ndërsa në kontratën e re kjo shifër bëhet 15250 kilovat orë. "Sigurisht gjithë këto ndryshime reflektohen edhe në prodhim. Në parashikojmë tashmë të marrim një prodhim prej afro 65 milionë kilovat/orë në vit nga hidrocentralet e marra me koncesion, ndërsa në kontratën e parë prodhimi vjetor parashikohet të ishte vetëm 39 milionë kilovat orë.

Shoqëria italiane ka pranuar gjithashtu që të shlyejë edhe të gjitha detyrimet e prapambetura që ka ndaj nënkontraktorëve, të cilët kishin akuzuar në më shumë se një herë këtë shoqëri si të pandershme.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Privatizimi

Bum kërkesash për hec-et me koncesion



Hyrja në fuqi e ligjit të koncesioneve i ka hapur rrugë bizneseve shqiptare të interesuara për të investuar në këtë fushë. Megjithëse u bllokua për disa vite me radhë rifillimi i procesit të koncesioneve në energjetik ka përkuar me një rritje të ndjeshme të interesit nga ana e sipërmarrjeve, të cilat janë ndërgjegjësuar për rentabilitetit e lartë dhe leverdisshmërinë e investimeve në këtë sektor. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, njoftoi se aktualisht në axhendën e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, (METE) janë 17 hidrocentrale të vogla, me fuqi nga 2 deri në 10 mega, të cilat do të jepen me koncesion. Të gjithë të interesuarit për të garuar në tenderët e hapur që do të zhvillohen nga METE mund të tërheqin dokumentacionin përkatës brenda datës 2 të muajit prill. "Deri më tani janë dorëzuar pranë ministrisë rreth 65 kërkesa për ndërtim hidrocentralesh nga subjekte të ndryshme private", tha Ruli.

Prej këtyre, 10 subjekte janë paraqitur si oferta të pakërkuara, ku personat e interesuar kanë dorëzuar së bashku me ofertën edhe projektin paraprak të ndërtimit të hidrocentralit. Për këto subjekte parashikohet 10% e pikëve të tenderit si bonus. Ndërsa për 17 subjekte private aplikues, që kanë dorëzuar dokumentacionin, kanë hyrë në fazën e shqyrtimit të dosjeve dhe të kërkesave të tyre. Gjithashtu, në këtë ministri, 65 subjekte të tjera kanë paraqitur shprehjet e tyre të interesit, për të cilat do të ndiqet procedura ligjore. Procedurat ligjore, sanksionojnë shfrytëzimin maksimal të eficencës së burimeve ujore. Ndaj dhe një grup pune në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore me ekspertë të njohur të fushës, do të bëjë oponencën ndaj çdo projekti të paraqitur. Dy janë treguesit kryesorë që do të merren më shumë parasysh. Niveli i efiçencës së shfrytëzimit të burimeve ujore, si dhe niveli teknik për çdo projekt, të cilat, do të studiohen nga komisioni i vlerësimit të projekteve. Ruli theksoi se rritja e investimeve private në prodhimin e energjisë elektrike, do të shërbejë si një bazë e mirë e plotësimit të infrastrukturës energjetike në tërësi edhe për rritjen e thithjes së investimeve të huaja.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Grant 4,5 mln USD për fermerët

Çdo fermer mund të përfitojë deri në 500 mijë lekë të reja nga programi i Ministrisë së Bujqësisë


Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, u ka kërkuar fermerëve shqiptarë të rrisin sipërfaqet e mbjella me vreshta, ullishte dhe pemë, duke respektuar standardet e kërkuara, pasi do të kenë mbështetje jo vetëm teknike, por edhe financiare nga kjo ministri. Për herë të parë qeveria shqiptare ka akorduar rreth 4,5 milion dollarë subvencione direkt për fermerët në të gjithë vendin. Me mbështetjen e këtij projekti, janë mbjellë sivjet në qarkun e Korçës, Tiranës e Durrësit rreth 500 hektarë vreshta, pemëtore e ullinj. Secili fermer që aplikon sipas një plani biznesi për rritjen e prodhimit në këta sektorë, përfiton deri 500 mijë lekë.

Gjatë një takimi me 100 fermerë të zonës së Durrësit dhe Tiranës, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, tha se janë rreth 4,5 milionë dollarë të buxhetit të shtetit që janë akorduar për shtimin e sipërfaqeve me vreshta, pemëtore e ullinj, si projekt i parë i mbështetjes me fonde falas për fermerët shqiptarë. "Ky është projekti i parë për këto tre kultura me këtë fond, por ne kemi gati edhe 10 projekte, të cilat me shtimin e fondeve për bujqësinë do t‘i implementojmë së shpejti në shtimin e prodhimit të qumështit, përpunimin e tij, përpunimin e ullirit, rritjen e krerëve në blegtori etj.", tha Gjana. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 700 milionë dollarë në vit për të importuar produkte bujqësore nga jashtë, në një kohë që ekspertët thonë se vendi ynë i ka të gjitha mundësitë klimaterike për t‘i eksportuar këto produkte. "Ne do të përkrahim e do të mbështesim specializimin e fermave bujqësore, sepse kështu mendojmë e besojmë se 600-700 milionë dollarë produkte bujqësore që importojmë nuk do t‘i importojmë më", deklaroi ministri. Së shpejti tha Gjana do të nisin projekte pilot në Divjakë, Krutje dhe Hajmel për ngritjen e shoqatave në nivelin e kooperativave. Nga ana tjetër, ai shtoi se do të zgjidhet dhe problemi i tokës me qira, e cila këtej e tutje do të jepet me kontrata jo më pak se 15-vjeçare. Fermerët, të cilët e kanë mbështetur këtë iniciativë kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të ndikojë në uljen e tarifave doganore për mjetet bujqësore. Sipas tyre, pesticidet duhet të administrohen nga kjo ministri dhe jo nga privatët.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Sipas raportit vjetor të ACIT, biznesi vendas rrezikohet nga mangësia e rregullimeve dhe infrastrukturës së tregut

Shqipëria, e paaftë të konkurrojë

Sipërmarrësit vendas nuk arrijnë të garojnë as me bizneset e vendeve fqinje


Biznesi shqiptar shfaq aftësi shumë të dobëta konkurruese, krahasuar me ato vende, me të cilat kemi marrëdhënie tregtare. Kjo mangësi paraqet rrezik për ekonominë e vendit dhe prodhuesit vendas, veçanërisht në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, çka i vendos sipërmarrësit shqiptarë përballë konkurrentëve të huaj, pa asnjë mbrojtje tarifore nga shteti. Deficiti tregtar i Shqipërisë në 2006-ën, prej 2,2 miliardë dollarësh, pasqyron më së miri problemet e prodhimit dhe aftësive konkurruese të vendit, përballë partnerëve tregtarë. Sipas raportit vjetor të Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), të prezantuar dje, sipërmarrësit vendas nuk arrijnë të konkurrojnë as me vendet e tjera të rajonit. Drejtori Ekzekutiv i ACIT-it, Selim Belortaja, vëren se faji duhet kërkuar te reformat e munguara, apo shumë të ngadalta, të cilat kanë të bëjnë kryesisht, me rregullimet e mekanizmave dhe infrastrukturës së tregut. Belortaja citoi edhe një vlerësim të Bankës Botërore, mbi lehtësinë për të bërë biznes në 175 vende të botës, sipas të cilit, Shqipëria renditet e 120-ta. Por, paraqitet shumë dobët në aftësinë e mbrojtjes së investitorëve, çka e fundos Shqipërinë në numrin 162, vetëm 13 vende nga performanca më e keqe e mundshme. Në përgjithësi, listimi i vitit 2006 paraqitet më problematik se ai i vitit 2005, çka do të thotë se vendi ka bërë hapa prapa, gjatë ciklit të një viti. Sipas vlerësimeve të institucioneve të tjera, të cituara nga ACIT, problemet kryesore të Shqipërisë mbeten pronat dhe strukturat e tregut.

Ruli: Bizneset keqmenaxhohen

Në konferencë merrte pjesë dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, përfaqësuesi i USAID, David Tompson etj. Ruli theksoi nevojën e rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare, pasi me këtë tregues, pasqyrohet dhe rritja ekonomike e vendit, që përballet tashmë në një rajon në rritje ekonomike. Sipas ministrit, në vitin 2006, deficiti tregtar arriti në 2 miliardë e 259 milionë USD, ç‘ka përbën një barrë të rëndë për bilancin pagues. Ai vërejti se eksporti i mallrave me një vlerë absolute prej 791 milionë dollarësh, përbën një vlerë shumë të ulët, krahasuar me reminitancat që në vitin 2006, llogariten në 1,2 miliardë dollarë. Ruli vërejti se këta tregues, ku ende reminitancat vazhdojnë të sjellin më shumë vlera monetare sesa shkëmbimet tregtare në vendin tonë, tregojnë se një nga faktorët e nivelit të ulët të konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare, lidhet edhe me vetë bizneset shqiptare, të cilat ende nuk po rrisin menaxhimin që të sjellë ndikimin në rritjen e konkurrueshmërisë. "Nëse nuk do të përmirësojmë ndjeshëm treguesit e deficitit tregtar, do të jetë efekt shqetësues në krye të 4-5 viteve", tha Ruli. Në këtë drejtim, ai theksoi nevojën e politikave që ka ndërmarrë qeveria, për të rritur akoma më shumë liberalizimin e ndikuesve ndaj biznesit, krijimin e lehtësirave fiskale, administrative etj.

Mungesa e strategjive

Nga ana tjetër, vetë qeveria ka marrë shumë pak masa mbështetëse në forcimin e eksporteve shqiptare. Përveç mungesës së strategjive të qarta dhe me afate përkatëse, qeveria ka dështuar të zbatojë edhe ato mbështetje të një natyre sipërfaqësore, siç është rimbursimi i TVSH-së, për shembull. Ndonëse në fillimet e qeverisjes së koalicionit të djathtë, këto fatura filluan të rimbursohen rregullisht, kohët e fundit, bizneset eksportuese kanë muaj që nuk i marrin mbrapsht paratë. Strategjitë në vetvete janë thjesht një vrimë në politikëbërjen e qeverisë, veçanërisht në sektorin bujqësor. Aktualisht, Shqipëria importon produkte bujqësore, por nuk arrin të importojë të tilla. Për pasojë, ekonomia përballet me një bilanc thellësisht negativ. Një handikap që bllokon eksportet shqiptare lidhet me arritjen e standardeve dhe të strukturave që i garantojnë ato. Nga ana tjetër, bujqësisë shqiptare, deri më sot, i ka munguar një orientim gjithëpërfshirës. Në këtë drejtim, shtetit shqiptar nuk i duhet të shpikë gjë, i mjafton të kopjojë, ato struktura që sakaq janë të provuara nga Bashkimi Evropian, të cilat sanksionohen edhe si të detyrueshme në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Duke u vendosur standardet, hapen mundësitë për eksport dhe nga ana tjetër, krijimi i strukturave të kontrollit, garanton këto standarde, duke krijuar mirëbesim te partnerët. Platforma nuk mund të konsiderohet e plotë, pa u mbështetur prodhimi në mënyrë të orientuar, në mënyrë që t‘i ofrohet fermerit çfarë të prodhojë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

BB, 10 milionë USD për politikat e zhvillimit

Bordi i drejtorëve ka miratuar fazën e parë të huasë për mbështetjen e reformave


Banka Botërore akordoi dje një hua prej 10 milionë dollarësh për të mbështetur politikat e zhvillimit në Shqipëri, nëpërmjet programit DPO. Kjo strategji synon trajtimin e sfidave të rritjes ekonomike, kryesisht përmes zhvillimit të sektorit privat dhe përmirësimin e realizimit të shërbimeve publike. Një objektiv i tretë i rëndësishëm është përmirësimi i qeverisjes dhe forcimi i mekanizmave të shtetit. Gjatë viteve 1996-2005, ritmet e rritjes në Shqipëri kanë qenë mesatarisht 5,7 për qind, ndërsa varfëria për frymë ra nga 25 për qind që ishte në vitin 2002, në 19 për qind në vitin 2005. Megjithatë, ruajtja e ritmeve të kësaj rritjeje të shpejtë dhe përmirësimi i rezultateve sociale do të kërkojnë një vijueshmëri dhe forcim të reformave thelbësore. Një nga pikat kryesore të programit të Bankës Botërore është përmirësimin e klimës së investimeve, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike të stimuluar nga sektori privat. Gjithashtu, synohet përmirësimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe efikasiteti i realizimit të shërbimeve publike. Në këtë pikë, programi përqendrohet në sektorin e shëndetësisë, sigurimeve shoqërore dhe ujësjellësit. Huaja e Bankës Botërore synon të mbështesë edhe përmirësimin e menaxhimit të financave dhe administratës publike, si dhe thellimin e reformave në këtë drejtim. Rezultatet e parashikuara në kuadrin e programit përfshijnë uljen e kostove të biznesit, rritjen e produktivitetit të shpenzimeve publike dhe investimeve, përmirësimin e menaxhimit të shërbimit civil dhe ecurinë drejt shërbimeve publike të qëndrueshme dhe efikase në ujësjellës, shëndetësi dhe pensione. Në periudhën afatgjatë, programi duhet gjithashtu të hedhë disa nga themelet kryesore dhe të kontribuojë në rritjen e eksporteve dhe investimet e sektorit privat, në një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe në uljen e korrupsionit. "DPO-ja mbështet një program solid reformash të qeverisë shqiptare. Aprovimi i DPO-së do të jetë shumë sinjifikativ dhe do t‘i japë kredibilitet qeverisë për sa i takon programit të politikave të veta strukturore", tha Sanjay Kathuria, krye-ekonomist dhe drejtues i programit DPO. Ndërsa Nadir Mohammed, përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, me këtë rast, u shpreh: "Jemi shumë të kënaqur dhe i përcjellim urimet tona qeverisë shqiptare për miratimin e DPO-së, që është programi pararojë i Bankës Botërore në katër vjet në kuadrin e Asistencës së Bankës Botërore për Shqipërinë". Periudha e maturimit të kredisë është 20 vjet, me një periudhë të lirë prej 10 vjetësh.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Berisha për pronat

"Objektet publike t‘i kthehen agjencisë së pronave"



Në mbledhjen jashtë radhe të qeverisë, Kryeministri Berisha ka kërkuar që të përshpejtohen ritmet e punës për kthimin e pronave pronarëve të vërtetë. Prej vitesh, në vendin tonë, procesi i pronave ndodhet në një ngërç të madh, i cili ende nuk ka marrë një zgjidhje të drejtpërdrejtë nga ekzekutivi. Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i reformës së kthimit dhe të kompensimit të pronave përbën një nga detyrimet më madhore të qeverisë.

Duke kërkuar prej ministrit dhe stafeve përkatëse, angazhimin maksimal në kompletimin e procesit, Berisha vuri në dukje se tashmë është plotësuar në tërësi, kuadri ligjor i funksionimit të institucioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave. "Kjo mbledhje qeverie ka për kryefjalë problemin e kthimit të pronave të disponuara nga institucionet publike, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një pjesë e të cilave duhet të kalojë nëpërmjet agjencisë së privatizimit dhe të drejtës së parablerjeve që kanë pronarët.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Albtelekom, Ruli shpejton afatet e vendimit

Burime nga METE thanë për "Shqip" se ka shumë gjasa që qeveria të lançojë një tender të ri


Dilema për privatizimin e Albtelekom do të zgjidhet brenda muajit prill. Lajmi konfirmohet për gazetën "Shqip" nga burime brenda Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri Genc Ruli u ka deklaruar në mënyrë konfidenciale bashkëpunëtorëve të tij se nuk do të presë afatin zyrtar, për vendimin përfundimtar të shitjes së Albtelekom. Kështu, kontrata e tejzgjatur pritet të ketë një zgjidhje përfundimtare shumë më shpejt nga fundi i muajit maj, i cili ishte parashikuar si afati limit për arritjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë turke "Calik". Burimet e mësipërme thonë se kontrata mund të zyrtarizohet brenda dyjavëshit të parë të prillit. Sipas tyre, kompania turke "Calık Enerji Telekomünikasyon", po humbet çdo ditë e më shumë mundësitë për të qenë pronarja e ardhshme e kompanisë së vetme të telefonisë fikse në vendin tonë. Kjo për shkak të qëndrimeve të ndryshme që kanë dy palët në lidhje me çështjen e roamingut të brendshëm dhe mosarritjes nga ana e kompanisë turke të gjetjes së një bashkëpunëtori me përvojë në fushën e telekomunikacioneve. Të dyja këto kushte janë cilësuar nga qeveria jonë si të panegociueshme. Turk Telekom, por edhe kompani të tjera të njohura në këtë fushë, e kanë refuzuar bashkëpunimin, çka do të thotë se kontrata aktuale edhe mund të prishet. Gjigandi turk i telefonisë mobile ndryshoi kursin menjëherë pas shitjes së tij në vitin 2005, teksa u tërhoq nga konsorciumi që kishte me kompaninë "Calik" për blerjen e Albtelekomit. Në fakt, kjo tërheqje e Turk Telekom nga konsorciumi ka qenë e detyruar për shkak të shitjes së këtij të fundit tek Oger Telekom, e cila në një farë mënyre sabotoi turqit e "Calik" për shkak se ia kishte vënë vetë syrin Albtelekomit. Gjithsesi, drejtues të Ministrisë së Ekonomisë shprehen të vendosur për të vepruar shumë shpejt dhe nuk përjashtojnë mundësinë e një tenderi të ri për Albtelekom. Madje, në pritje të këtij vendimi qëndron pikërisht edhe Oger Telekom, kompania në pronësi të familjes së ish-kryeministrit libanez të vrarë, Refik Hariri.

Pritja e Oger

Kjo kompani pak ditë më parë bëri publik interesin e saj për të blerë kompaninë më të madhe të telefonisë fikse në vendin tonë, në rast se qeveria shqiptare do të lançonte një tender të ri ndërkombëtar. "Ne do të presim dhe në rast se Albtelekom do të hidhet sërish në treg, atëherë ne do të kemi gati ofertën tonë", deklaroi drejtori ekzekutiv i Oger Telekom, Pol Doan. "Calik" nuk ka mundur të plotësojë një nga kushtet e panegociueshme të qeverisë shqiptare, sipas të cilave, shoqëria e Ahmet Calik, duhej të lidhte "aleancë" me një shoqëri telekomunikacioni të njohur në treg. Në këtë mënyrë, Oger, e cila zotëron paketën mazhoritare të aksioneve të Telekomit turk, saboton shanset e "Calik" për blerjen e Telekomit shqiptar, duke i krijuar vetes mundësi të reja. Shoqëria me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, por me pronësi libaneze është gati të garojë fortë për të blerë Albtelekomin. Aq më tepër kur drejtuesit e saj kanë llogaritur 4 deri në 5 miliardë dollarë shpenzime vetëm për zgjerimin e kompanisë dhe blerjen e kompanive të reja gjatë vitit 2007. Bllokimi i privatizimit të Albtelekom po futet së shpejti në vitin e tretë. Së bashku me të në situatë pezull kanë mbetur edhe zhvillimet në tregun e telekomunikacioneve në vend. Aq më tepër që zvarritja e procesit të privatizimit po vonon edhe futjen në treg të operatorit të tretë celular, Eagle Mobile. Madje, pak kohë më parë, ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, deklaroi se vlera reale e Albtelekom ka rënë me rreth 15 për qind për shkak të vonesës dyvjeçare.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Fier

KESH fajëson bizneset e mëdha: Kanë vite pa paguar

Shumë familjarë kanë lidhur linjat e tyre në rrjetin e kompanisë Albpetrol


Policia elektrike e Filialit të KESH-it, Fier ka identifikuar një numër të madh subjektesh të biznesit të madh, të cilët nuk kanë deklaruar shkëputjen e kontratës së furnizimit me energji, por që në të vërtetë prej vitesh ata marrin energji dhe nuk e paguajnë atë. Edhe pse prej kreut të kësaj policie Bardhyl Nebatit nuk jepet numri i bizneseve që po përfitojnë energji duke e vjedhur atë, shifrat që dalin në mënyrë operative nga kjo polici tregojnë se afro 230 biznese të mëdha në të gjithë zonën elektrike të Fierit nuk e paguajnë energjinë që konsumojnë, duke shpëtuar vetëm nëpërmjet deklarimit të shkëputjes së kontratës. Po këto burime nga brenda policisë elektrike konfirmojnë për gazetën "Shqip" se mes subjekteve të biznesit të madh ka dhe linja të rëndësishme prodhimi, të cilat njihen për aktivitetin e tyre të fuqishëm në vend.

Përballë këtij fakti, kreu i Filialit të KESH Fier, Arqile Kume, ka hedhur edhe një pistë tjetër për përfitimin e energjisë në mënyrë joligjore prej bizneseve, duke thënë se "në zonën energjetike të Fierit ka akoma shumë subjekte, të cilat operojnë me linja të dyfishta. Ky është objekti i policisë elektrike në këto javët e fundit. Nuk hedh poshtë mundësinë edhe të ndojnë biznesi, i cili mund të ketë shkëputur kontratën me filialin tonë, dhe nga ana tjetër merr energji nga ne".

Burimet e sigurta nga brenda filialit të KESH Fier tregojnë se mes bizneseve pirate të energjisë elektrike një numër i madh i tyre ka që nga viti 2002 pa paguar energjinë e konsumuar vetëm me faktin se kanë shkëputur kontratën me filialin e KESH.

Nga ana tjetër, policia elektrike ka nisur një aksion për ndërprerjen e energjisë elektrike tek abonentët e subjekteve të biznesit të madh, si dhe të konsumatorëve familjar, të cilët rezultojnë debitorë në faturat e konsumit. Prerjet dhe identifikimi i piratëve, janë shtrirë në të gjithë qarkun e Fierit dhe kanë si qëllim eliminimin e humbjeve në rrjetin furnizues dhe pastrimin e tij nga vjedhësit.

"Ne kemi nisur kontrollin e abonentëve familjarë dhe bizneseve që kanë marrë më parë furnizimin e energjisë elektrike nga Ndërmarrja e Elektrikut të kompanisë "Albpetrol". Kemi zbuluar abuzime si dhe shpërdorime të tilla nga shumë subjekte. Objekt i punës tonë ka qenë edhe prerja e energjisë për disa debitorë, ndërsa po këmbëngulim me forcë që të mund të kontrollojmë totalisht të gjithë sasinë e saktë të energjisë që konsumohet nga biznesi i madh dhe i vogël, gjithashtu edhe lidhja të bëhet sa më e rregullt nga ana e KESH, ka thënë kreu i policisë elektrike.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2007 janë arkëtuar afro 900000 lekë nga gjobat dhe 850000 lekë nga prapambetjet e papaguara nga debitorë familjarë. Por, problematike për Filialin e KESh Fier mbetet vjelja e faturave të energjisë nga institucionet shtetërore, kryesisht ujësjellësit e komunave, të cilët prej vitesh nuk kanë derdhur lekët për energjinë e konsumuar.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bursa

Monedha e gjelbër, tatëpjeta nuk ndalet



Valutat kryesore ndërkombëtare, dollari amerikan (USD) dhe monedha e përbashkët evropiane (euro), gjatë kësaj jave që po mbyllet, kanë pasur pozita të kundërta në kursin e këmbimit me lekun. Sipas të dhënave të bankave të nivelit të dytë dhe të agjencive të këmbimit valutor në Tiranë, 1 USD u këmbye mesatarisht të hënën me 95,1 lekë dhe dje, me 94,6 lekë. Ndërsa, monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht të hënën me 125,2 lekë dhe dje me 126,7 lekë. Burime të agjencive valutore, bëjnë të ditur se këto ndryshime janë ndikuar kryesisht nga bursat ndërkombëtare, ku euro ka fituar terren në kursin e këmbimit me dollarin. Në këto bursa, ditën e hënë, 1 euro u këmbye me 1,3333 USD, ndërsa të premten në mbrëmje, me 1,3349 USD. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, edhe publikimi i të dhënave jo pozitive mbi disa tregues të ekonomisë amerikane dha ndikim negativ në kursin ndërkombëtar për valutën amerikane. Ndërkohë, në bursën e Nju Jorkut, një fuçi nafte ditën e premte arriti çmimin prej 67 USD, ndërsa ari u kuotua me 633 dollarë për once.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Vendimi

Qeveria, vendos monopol për lojërat e fatit



Qeveria miratoi Projektligjin, "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8701, për lojërat e fatit dhe kazinotë dhe hipodromet", i cili synon përmirësimin në tërësi të ushtrimit të veprimtarisë në këto fusha. Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Majlinda Bregu, eksperiencat e vendeve të BE, por dhe modeli të cilin ka përdorur Ministria e Ekonomisë, që ka propozuar këtë projektligj, ka përcjellë domosdoshmërinë e vendosjes së normave dhe direktivave specifike në të ardhmen mbi aktivitetin e lojërave të fatit. "Do të ketë vetëm një operator kombëtar të licencuar në lotarinë kombëtare. Ky licencimi do të bëhet me konkurrim dhe me një afat për një periudhë 10-vjeçare", tha Bregu. Sipas saj, për këtë qëllim do të ngrihet Njësia e Mbikëqyrjes së lojërave të fatit, për të rregulluar mbarëvajtjen në këtë sektor sensitiv, mbarëvajtja e të cilit lidhet ngushtë me rregullin publik.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Gati naftësjellësi Konstancë-Trieste

Kostoja e projektit arrin në 3 miliardë dollarë dhe kapaciteti 50 milionë tonë në vit


Komisioneri evropian për energjetikën, Andris Piebalgs, konfirmoi se më 3 prill, së bashku me ministrat e energjetikës së Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë e Rumanisë, do të nënshkruajnë në Zagreb, deklaratën për ndërtimin e naftësjellësit panevropian, Konstanca - Pançevo - Trieste. Nënshkrimi do të bëhet në kuadër të forumit "Evropa Juglindore- urë energjetike mes Federatës Ruse, Mesdheut, Detit Kaspik, Lindjes së Mesme dhe BE-së".

Naftësjellësi Panevropian duhet të sigurojë naftë për tregun evropian nga rajoni i Kaspikut. Traseja është e gjatë 1,319 kilometra. Ai nis në portin rumun të Konstancës në Detin e Zi dhe kalon nëpër Rumani, Serbi, Kroaci e Slloveni deri te naftësjellësi transalpin në Trieste. Më pas bashkohet me rafineritë italiane, austriake, gjermane e të tjera në BE.

Sipas idesë fillestare, naftësjellësi panevropian, duhet të shërbejë vetëm për transportin e naftës së Kaspikut nga Azerbajxhani, Turkmenistani e Kazakistani. Rusia ishte e pakënaqur, se Kroacia kishte pranuar që nafta ruse të mos ketë të njëjtin trajtim në projektin "Druzhba Adrija" - (një transport i kombinuar i naftës ruse dhe i naftës tjetër nga Kaspiku, nëpër naftësjellësin ish-jugosllav, i cili prej disa kohësh quhet naftësjellësi i Adriatikut). Ndërkohë, duket se është arritur kompromisi. Në Zagreb, besohet se do të shmangen edhe dilemat rreth hyrjes ose jo të Sllovenisë në ndërtimin e naftësjellësit panevropian. Burime të informuara, thonë se të martën, qeveria e Sllovenisë do të jetë nën presionin e fortë të komisionerit evropian, Piebalgs, dhe të qeverisë italiane, që të pranojë kalimin në një gjatësi prej 29 km, të naftësjellësit panevropian, nëpër territorin e saj. Zhelko Tomshiç, zëvendësministri kroat i Ekonomisë, tha se në rast se Sllovenia e refuzon këtë kërkesë, naftësjellësi do ta anashkalojë këtë shtet dhe do të shtrihet në pjesën veriore të Triestes, nga ku më pas me rrugë nëndetare, do të lidhet me naftësjellësin transalpin në Trieste. Kapaciteti i këtij naftësjellësi do të jetë 50 milionë tonë në vit dhe ndërtimi i tij do të kushtojë 3 miliardë dollarë. Projekti Konstancë - Pançevo - Trieste, është njëri ndër tre naftësjellësit ballkanikë. Para dy javësh, Rusia, Bullgaria e Greqia nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis, ndërsa për naftësjellësin e tretë, Burgas - Vlorë (Shqipëri) akoma bisedohet.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Gërmimet

Turqia kërkon naftë në Egje dhe Mesdhe



Turqia filloi me hulumtimet në fundin e deteve të Egjeut dhe Mesdheut, duke kërkuar burime të mundshme të naftës. Këtë lajmëruan mediat greke, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për tri anije shkencore-hulumtuese, që lundrojnë në llogari të kompanisë turke të naftës TPAO. Hulumtimet në Egje do të përqendrohen ndërmjet ishujve Saros dhe Imvros, ndërsa sipas mediumeve greke, ato ndiqen në mënyrë të zgjuar nga armata greke. Sipas të dhënave zyrtare turke, ky vend gjatë 15 viteve të ardhshme duhet të shpenzojë 460 miliardë dollarë për import të emergjencave, për shkak të cilës arsye kërkohen burime alternative në vetë Turqinë dhe në detin Mesdhe. Në këtë moment, hulumtime të tilla zbatohen edhe në tokë, në Thraki pranë kufirit me Greqinë dhe në terrene në afërsi të kufirit me Sirinë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Patos-Marinza, minierë dollarësh

Fusha naftëmbajtëse e lokalizuar në rrethin e Fierit mendohet të jetë më e madhja në Evropën Kontinentale


Fusha naftëmbajtëse e Patos Marinzës është vendburimi i naftës më i madh në Evropën Kontinentale. Kompania kanadeze që ka me koncesion shfrytëzimin e kësaj fushe, "Bankers Petroleum" bëri të ditur se në Patos Marinzë rezervat e naftës llogaritet të jenë në rreth 2 miliardë fuçi. Ekspertët thonë se me teknologjinë aktuale, nga kjo sasi nafte mund të nxirret rreth 15 për qind e saj që e shprehur në shifra do të thotë afro 300 milionë fuçi. Aktualisht, "Bankers Petroleum", prodhon në vendburimin e Patos Marinzës 4 400 fuçi naftë në ditë. "Ne tashmë kemi hyrë në një fazë të re të implementimit të strategjisë sonë në Shqipëri. Kjo fazë ka të bëjë me identifikimin e metodave bashkëkohore për të bërë të mundur nxjerrjen e sasive sa më të mëdha të rezervave nga fusha e Marinzës, dhe njëkohësisht duke rritur sasinë e naftës së prodhuar", tha presidenti i grupit kanadez, Richard Wadsworth, në fjalën e tij përpara bordit të drejtorëve. Sipas tij, synimi i "Bankers" është që brenda vitit 2010 të arrijë të prodhojë rreth 10 deri në 15 mijë fuçi në ditë nga fusha e Patos Marinzës. Aktualisht, një barelë naftë e prodhuar në këtë vendburim tregtohet nga "Bankers" me rreth 24 dollarë, që do të thotë se Patos Marinza llogaritet të prodhojë për kompaninë kanadeze afro 105 mijë dollarë në ditë. Shpenzimet operative në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare nga kompania, aktualisht kanë zbritur me 20 për qind duke arritur në 10,08 dollarë nga 12,56 që ishin në vitin 2005. "Bankers" përpunon aktualisht 211 puse nga 67 që kishte në zotërim një vit më parë. Në bazë të planit të zhvillimit, "Bankers" merr mesatarisht rreth 80-120 puse në vit nga "Albpetrol" dhe ekspertët thonë se këta janë puset më të mira.

ARMO

Pak kohë më parë, "Bankers" njoftoi se ishte e interesuar për të privatizuar kompaninë publike të rafinimit të naftës, ARMO. Ky interes është konfirmuar tashmë edhe nga vetë drejtori i përgjithshëm Wadsworth. Blerja e ARMO-s do të ishte një investim strategjik për kanadezët, për shkak se do t‘u lejonte atyre të përpunonin vetë naftën e prodhuar dhe ta shisnin atë me çmime më të larta. Gjatë vitit të kaluar, "Bankers" eksportoi në Itali rreth 35 për qind të prodhimit të saj me një çmim mesatar prej 26 dollarë për fuçi, ndërkohë që çmimi i naftës së shitur tek ARMO është rreth 15 dollarë për fuçi më i ulët. Aq më tepër që "Bankers" ka parashikuar të rrisë ndjeshëm prodhimin e saj gjatë viteve në vazhdim. Drejtuesit e kompanisë kanadeze e kanë parë më të arsyeshme të investojnë 100 milionë dollarë në blerjen e ARMO-s, gjë që do i mundësonte asaj një integrim vertikal të aktivitetit. Kjo, nga ana e saj, do të sillte rritjen e cilësisë së naftës dhe rrjedhimisht do të lironte kompaninë kanadeze nga barra e marrëveshjes koncesionare, që e detyron atë të shesë një sasi të konsiderueshme të naftës tek ARMO me një çmim të caktuar që më parë. Bankers ka parashikuar që të investojë gjatë 25 viteve të koncesionit të saj rreth 210 milionë dollarë në vendburimin e Patos Marinzës, prej të cilave 37 milionë dollarë u investuan gjatë vitit të kaluar. Vetëm riaktivizimi i 111 puseve të reja i kushtoi kompanisë 25 milionë dollarë.

Viti në vazhdim

Për vitin 2007, kanadezët kanë parashikuar të investojnë në Patos Marinzë edhe 35 milionë dollarë të tjera, ndërkohë që prodhimi pritet të arrijë në mbi 6 mijë fuçi në ditë. Të ardhurat e kompanisë pritet të rriten sërish për shkak të rinegocimit të çmimit me ARMO-n. Në janar të këtij viti, të dy kompanitë ranë dakord që çmimi i tregtimit të naftës mes tyre të jetë 26 dollarë për barelë nga 23 që ishte gjatë vitit të kaluar. Por edhe nafta e eksportit pritet të kushtojë më shumë. Sipas kontratave të lidhura nga kompania në Itali, rezulton se çmimi mesatar i naftës së eksportuar do të jetë 30 dollarë për fuçi. Kjo rritje e çmimit do të shoqërohet edhe nga një rritje natyrale e sasisë së naftës që shkon për eksport.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Takimi

Marrëveshje tregtare Shqipëri-Lituani



Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Gjokë Uldedaj, nënshkroi këto ditë në Lituani me drejtorin e Përgjithshëm të Shoqatës të Dhomave të Tregtisë, Industrisë dhe Artizanatit të Lituanisë, Vitas Maciulis, marrëveshjen e bashkëpunimit dypalësh në fushën e shkëmbimit të informacionit dhe rritjes së misioneve të biznesit në aktivitete të ndërsjella. Burime nga DHTI, në Tiranë, bënë të ditur se, marrëveshja e bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë së Lituanisë do të shërbejë për të ngritur në një shkallë më të lartë marrëdhëniet institucionale, për të mbështetur iniciativa të përbashkëta dhe bashkëpunim në fusha me interes reciprok. Kryetari Uldedaj, në fjalën e tij, theksoi prioritetet e qeverisë shqiptare dhe mundësitë e investimeve të huaja dhe direkte në Shqipëri në sektorët potencialë të turizmit dhe infrastrukturës, në shërbimet financiare për mbështetjen e biznesit në sektorin e agro-industrisë etj. Ai tha se qeveria shqiptare ka shpallur ndryshimet në paketën fiskale, veçanërisht në futjen e taksës së sheshtë prej 10%, gjë që e bën Shqipërinë vendin me ngarkesë më të ulët fiskale, ka marrë reforma të rëndësishme për të lehtësuar klimën e biznesit, duke reduktuar barrierat administrative, si dhe duke shkurtuar kohën për hapjen e një biznesi në një sportel të vetëm. Delegacioni shqiptar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, gjatë vizitës zyrtare në Lituani, mori pjesë dhe në forumin ekonomik Shqipëri-Lituani, ku ishin të pranishëm biznesmenë lituanë në fushën bankare, siguracioneve, të ndërtimit, të tregtimit të mallrave industriale, të cilët shprehën dëshirën për bashkëpunime reciproke me biznesin shqiptar.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Ruli "ringjall" TEC-in e Fierit

Sipas Ministrisë së Energjetikës, energjia që prodhon TEC-i është dy herë më e madhe se çmimi i importit


Brenda pak javësh do të nisë gara e hapur për tenderin prej nga do të përzgjidhet kompania që do të ndërtojë TEC-in e Fierit. Kjo është deklarata e radhës e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, mbi të ardhmen e termocentralit krejtësisht të amortizuar. Ky objekt, praktikisht pa asnjë vlerë reale ekonomike, po përdoret së fundmi nga qeveria si një nga pak shembuj të shëndetshëm të së ashtuquajturës "Paketa - Shqipëria 1 euro". Çmimi 1 euro, ndryshe asgjë, është ekuivalent i vlerës reale të këtij objekti. Sipas ministrit të Energjetikës, fuqia e instaluar në këtë TEC, do të jetë 180 mega. "Kjo do të rrisë jo vetëm prodhimin e energjisë elektrike në vend, por do të rrisë dhe sigurinë në furnizimin me energji për konsumatorët", deklaroi Ruli. "Synimi ynë strategjik është t‘i përgjigjemi sa më shpejt emergjencës së balancimit të prodhimit dhe furnizimit nëpërmjet ndërtimit të burimeve alternative, pra të TEC-ve në një kohë sa më të shkurtër", tha ai.

Koncesioni i skrapit

Sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, TEC-i i Fierit është një nga ato objekte ekzistuese, të cilat do të hidhen në tender (çmimi fillon nga 1 euro) për t‘u dhënë me koncesion dhe shumë shpejt. Tenderi parashikohet të zgjidhë nëse do të mundësohet një funksionalitet rentabël i këtij objekti, ose do të merret parasysh nxjerrja e tij përfundimisht nga funksioni. Megjithatë, nga ç‘thonë ekspertët, ajo çka mbetet nga TEC-i, mund të hyjë në punë vetëm për skrap. Sakaq, njerëz pranë institucioneve që merren me energjinë kanë aktivizuar kapacitetet e tyre financiare dhe njerëzore për t‘u përfshirë në biznesin e skrapit me këtë termocentral. Ky TEC ka shërbyer edhe gjatë kohës së krizës, duke prodhuar deri në 37 megavat kapacitet, por kur energjia prodhohet me një kosto shumë të lartë dhe duke qenë se kërkesa e pikut nuk është më aq e lartë, është reduktuar përsëri në një nivel minimal prodhimi. Aktualisht, TEC-i në fjalë, po luan rolin e një energjie reaktive (ul humbjet e energjisë gjatë rrugës), pa luajtur rol në prodhimin në tërësi. Kostoja e prodhimit të energjisë nga blloku kinez i këtij TEC-i është gati sa dyfishi i kostos së energjisë së blerë nga importi, në gjendjen në të cilën ndodhet sot. TEC-i i Fierit vihet në punë për kapacitete të mëdha vetëm në raste krizash serioze, pasi rezulton shumë jo eficent për t‘u përdorur për arsye të tjera. "Sigurisht që mund të vijë një privat dhe ta rehabilitojë, por çështja është nëse mund ta bëjë aq të mirë sa të dalë me një kosto të pranueshme që të mos jetë mbi koston e importit", thoshte Gjergji Bojaxhi, atëherë zv.ministër i Energjetikës, në një prononcim për mediat. Nga ana tjetër, mungesa e ujit për ftohje është një nga elementët më seriozë, që duhen parë me kujdes për zhvillimin e këtij TEC-i. Aktualisht, ka ujë të mjaftueshëm për kapacitetin ekzistues, por nëse do të vihen më shumë kapacitete në punë, atëherë vlerësohet se mund të krijohen vështirësi. Por, duke qenë se kjo vepër jepet me 1 euro, ndërsa aktualisht prodhon me humbje dhe ndotje shumë të lartë, duke pasur parasysh këtu edhe vendin e papërshtatshëm për këtë objekt, do të thotë që gjasat janë që qeveria të shesë me 1 euro, hekurishte që mund të vlejnë mijëra dollarë, thjesht dhe vetëm për vlerën e tyre si skrap.

Strategjia për TEC-in

Strategjia Kombëtare e Energjisë i kushton pak radhë edhe çështjes së termocentralit ekzistues në Fier, duke cekur me fjalor të kursyer edhe gjendjen e mjerueshme të tij. "Si rezultat i kësaj gjendjeje u realizua studimi i leverdishmërisë ekonomike të rehabilitimit të TEC-it të Fierit nëpërmjet financimit të siguruar nga US TDA (Agjencitë e Zhvillimit Tregtar)", thuhet në strategji. Në konkluzionet e dala nga studimi i realizuar nga kompania "Harza" dhe Agjencia Kombëtare e Energjisë, theksohet se "është shumë urgjent rehabilitimi i TEC-it të Fierit, jo vetëm për arsye teknike, dhe sigurie, por gjithashtu, edhe për reduktimin e kostos për njësi të gjenerimit të energjisë elektrike, e cila aktualisht është shumë e lartë. Rehabilitimi do të sjellë një gatishmëri më të madhe teknike, siguri më të lartë dhe padyshim kosto për njësi të gjenerimit të energjisë elektrike më të vogël. Ajo çka mbetur nga termocentrali i Fierit janë disa njësi pjesërisht funksionale. Ajo që mbahet ende në këmbë përkufizohet si "blloku çek". Vetëm investimi fillestar për rehabilitimin e bllokut çek (60 megavat) llogaritet 23 milionë dollarë (15% e vlerës totale) me kosto marxhinale afatgjatë e gjenerimit të energjisë elektrike 4.8 cent/kVh.
 
Top