Lajme ekonomike!

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Forward te lutem bej dallimin mes lajmeve mjedisore apo sociale dhe atyre ekonomike, mos i merr te gjitha shabllon nga gazetat.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Sistemi bankar përmirëson kreditë me probleme



Në sistemin bankar, në fund të vitit 2006, u vu re një përmirësim i treguesit "kredi me probleme" i tepricës së kredisë bruto, e cila rezultoi në nivelin 3,1%, kundrejt 3,3%, që ishte në tremujorin e tretë të 2006-ës, vëren Banka e Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, treguesi "kredi me probleme" i tepricës së kredisë neto, që mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, në fund të vitit 2006, u llogarit me përmirësim, duke arritur në 1,4%, nga rreth 1,5%, që rezultoi në fund të tremujorit të tretë të vitit 2006. Në këtë përmirësim treguesish në sektorin e kredive, vëren BSH, ka ndikuar vetë aftësia për përmirësimin e punës në sektorin bankar, për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Fullani: Platformë e re për inflacionin

"Do të licencohen vetëm institucione bankare të shëndosha që garantojnë standarde"


Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë një reformë të thellë në menaxhimin e rrezikut të inflacionit për të ardhmen. Sipas guvernatorit Ardian Fullani, ky është pikësynimi i BSH për të ardhmen, në mënyrë që të garantohet një stabilitet ekonomiko-financiar afatgjatë. "Një sfidë e re për sistemin bankar, prandaj i gjithë sistemi të ndalet seriozisht në këtë problem dhe shumë shpejt, të inkorporojë në strukturat organizative të tij, qendrat e analizës dhe të kërkimit shkencor", tha Fullani gjatë një takimi që zhvilloi dje me bankat e nivelit të dytë, shoqatat e biznesit, Bankën Botërore etj. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të nisë edhe një projekt të ri, i cili synon përballimin e një kërkese të re, që lidhet me zhvillimin ekonomik afatshkurtër dhe afatgjatë në vend. Gjithashtu, ai u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë të tregojnë kujdes ndaj rritjes së fortë të kredive, e shoqëruar kjo edhe me rritje të normës së kredive me probleme. "Zhvillimi i kuadrit rregullator do të ndihmojë në krijimin e një tregu ndërbankar më likuid dhe një administrimi më aktiv të likuiditetit nga ana e bankave të nivelit të dytë", tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, duke kërkuar rritjen e transparencës nga bankat e nivelit të dytë. Nisur nga shtimi i shpejtë i kredive, si pjesë e rritjes së konkurrencës midis vetë bankave të nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë, me synim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar, përmes rritjes së vigjilencës, "do të ngrejë një njësi të specializuar, Departamentin e Stabilitetit Financiar", theksoi guvernatori i BSH-së, Fullani. Nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Fullani, u kërkua që: "Bankat të ngrenë dhe të forcojnë strukturat e tyre të administrimit të rreziqeve, kryesisht në drejtim të rreziqeve të tregut, të rrezikut të kreditit dhe të rrezikut operacional, që nënkupton jo vetëm sigurimin e kapaciteteve njerëzore, por edhe vendosjen në funksionim të sistemeve të nevojshme të teknologjisë së informacionit. Sidomos, rëndësi të veçantë ka monitorimi i vazhdueshëm dhe zhvillimi i kontrolluar i veprimtarisë së kreditimit, si dhe forcimi i sistemeve të brendshme të kontrollit të veprimtarisë dhe të pasqyrimit të saj nga ana e bankave". Në takim, u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e likuiditetit, perceptimi i pritshmërisë së tregut, ligji i ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", stabiliteti financiar dhe konsolidimi i sistemit bankar etj. Sipas guvernatorit, prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit vlerësohet të jetë rritur me 5% në terma realë duke u shoqëruar me stabilitet çmimesh, të shprehur në inflacion mesatar vjetor me 2,4%".

Sipas Fullanit, në mënyrë të veçantë, në vitin 2006, kushtet monetare favorizuan rritjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi, duke reflektuar rritjen e shpejtë të kredisë, si dhe rritjen e mëtejshme të ekonomisë. Gjithashtu, këtë vit, Banka e Shqipërisë do të nisë zbatimin e rregullores së re "mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjella të riblerjes", që do të sjellë zhvillim të shpejtë të tregut të repo-ve midis bankave të nivelit të dytë etj. Fullani është përqendruar edhe te problemet që lidhen me likuiditetin në sistemin bankar. "Dua të theksoj se shmangia e tepricave apo zgjidhja e situatave të mungesës së likuiditetit nuk mjafton, për të arritur synimin e administrimit të likuiditetit nga banka qendrore; administrimi efektiv i likuiditetit duhet të sigurojë që ky të mund të rishpërndahet lehtësisht midis operatorëve të sistemit bankar. Kjo do bëjë të mundur uljen e luhatshmërisë së normave afatshkurtra, si rezultat i përqendrimit të likuiditetit", vërejti guvernatori.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Inaugurohet Dhoma e Tregtisë greko-shqiptare



Përurohet nisja e punës e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë greko-shqiptare. Dhoma greko-shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë është një organizatë jofitimprurëse, e cila u krijua në kuadrin e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Qëllimet e saj janë: përmirësimi i kushteve të veprimtarisë së biznesit dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm midis biznesmenëve grekë dhe shqiptarë; zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike për përfitime reciproke të të dy shteteve dhe më gjerësisht në të gjithë Evropën; promovimin e zhvillimit ekonomik kombëtar edhe në rajonin ballkanik e në përgjithësi.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Nis debati për raportin e ERE



Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit në Kuvendin e Shqipërisë, dëgjoi dje raportin vjetor 2006 të Entit Rregullator të Energjisë, (ERE). Raporti i ERE-s, që u mbajt nga kryetari i saj, Bujar Nepravishta, pasqyroi një analizë të hollësishme rreth situatës elektroenergjetike gjatë vitit 2006, si dhe masat që duhen ndërmarrë për përmirësimin dhe fuqizimin e këtij sistemi gjatë vitit 2007. Deputetët, anëtarë të këtij komisioni, do të vijojnë sot, me diskutimin rreth problemit të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët shqiptarë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Taksa e sheshtë "zhvat" buxhetorët

Qeveria ende nuk e ka gati skemën e kompensimit për punonjësit me të ardhura të ulëta


Tatimi mbi të ardhurat personale do të njësohet në nivelin 10 për qind, duke filluar që nga gjashtëmujori i dytë këtij viti. Kjo do të jetë edhe faza e parë e zbatimit të takës së sheshtë në vendin tonë, e cila do të pasohet me unifikimin e tatimit mbi fitimin po në këtë nivel, por duke filluar që nga 1 janari vitit 2008. Këshilltari i Kryeministrit për çështjet fiskale, Petraq Milo, në një prononcim për "Shqip", tha se përshkallëzimi i zbatimit të taksës së sheshtë kushtëzohet nga llogaritja me bazë vjetore e tatimit mbi fitimin, i cili nuk mund të hyjë në fuqi që nga gjashtëmujori i dytë i këtij viti. "Tatimi mbi të ardhurat personale është parashikuar në nivelin 10 për qind në paketën fiskale, e cila do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti", tha Milo. Por megjithëse mbeten vetëm pak më shumë se tre muaj që tatimi mbi të ardhurat personale të unifikohet në nivelin 10 për qind për të gjitha shtresat e buxhetorëve, qeveria për momentin nuk ka një model të saktë të skemës që do të përdoret. Pavarësisht reduktimit të ndjeshëm të nivelit të barrës fiskale që sjell zbatimi i taksës së thjeshtë, ekspertët të ekonomisë vënë në dukje një anë negative të saj. Problemi qëndron tek ajo shtresë e punonjësve, qoftë në sektorin privat apo atë publik, e cila paguhet deri në 40 mijë lekë. Aktualisht, niveli i tatimit mbi të ardhurat për këtë kategori punonjësish është 5 për qind e pagës, por me hyrjen në fuqi të taksës së sheshtë, atëherë niveli i tatimit të tyre do të dyfishohet. "Kjo është një pikë, të cilën qeveria duhet ta mendojë mirë, pasi nga kjo skemë preket masa më e madhe e punonjësve shqiptarë, e cila është njëkohësisht edhe shtresa më delikate e shoqërisë", thotë Selim Belortaja, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Tregtinë me Jashtë, (ACIT). Sipas tij, duhet të gjendet një skemë subvencionimi për të kompensuar impaktin negativ dhe të menjëhershëm, të dyfishimit të tatimit mbi të ardhurat personale, me të cilin do të përballet kjo shtresë. Të gjithë buxhetorët dhe punonjësit e thjeshtë të sistemit privat, të cilët kanë një nivel të ardhurash më të vogël se 40 mijë lekë në muaj me hyrjen në fuqi të kësaj takse do të paguajnë thuajse dyfishin e tatimit mbi të ardhurat që kanë paguar deri më tani, në rast se nuk do të subvencionohen. Ndërkohë, Milo thotë se ekspertët e Ministrisë së Financave janë duke përpunuar për të gjetur një skemë të përshtatshme kompensimi, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. "E rëndësishme është që qeveria parashikon të mos cenojë pagat e buxhetorëve. Ne kemi parashikuar dhe një zë në buxhet për të përballuar efektin social që taksa e sheshtë do të ketë tek individët që përfitojnë të ardhura të ulëta", tha Milo. Që nga momenti i lançimit të kësaj takse nga Kryeministri Berisha, ende nuk ka një vizion të qartë në mënyrën se si do të aplikohet skema e re e tatimit mbi të ardhurat.

Tatimi mbi të ardhurat

Aktualisht, skema e tatimit mbi të ardhurat personale është progresive, që do të thotë se niveli i tatimit rritet me rritjen e të ardhurave personale që përfiton një individ. Skema është e përshkallëzuar dhe për personat që përfitojnë më shumë se 40 mijë lekë në muaj parashikon tatimin e tyre me 5 për qind.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Jep dorëheqjen kreu i ndërtimores



Lë detyrën Elez Ahmetaj, drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore. Ahmetaj dorëzoi dje dorëheqjen, duke e argumentuar atë me ngarkesën e madhe në punë. Në një prononcim për "Shqip", ai shpjegoi se arsyet e largimit kanë karakter tërësisht personal.

Largohem pas një pune të lodhshme prej disa muajsh në krye të policisë ndërtimore, në kërkim të një pozicioni me më pak ngarkesë. Ahmetaj zëvendësoi Ibrahim Morinën, i cili u vu në qendër të akuzave nga Bashkia e Tiranës mbi çështjen e nënkalimit të "Zogut të Zi". I njëjti presion nuk mungoi edhe mbi pasardhësin e Morinës, karriera e të cilit, në krye të ndërtimores rezultoi po aq jetëshkurtër. Sakaq, është përzgjedhur drejtori i ri, i cili është Hekuran Hoxholli. Ky i fundit, me profesion inxhinier, ka ushtruar një detyrë drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujërave.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Westin: Qeveria duhet të respektojë kuadrin fiskal afatmesëm, sipas paktit

Fondi Monetar Ndërkombëtar kundërshton uljen e taksave në mes të vitit financiar: rrezikohet performanca fiskale e vendit


Fondi Monetar Ndërkombëtar sulmon planin e qeverisë për futjen e taksës së sheshtë në sistemin tatimor shqiptar. Në një deklaratë zyrtare që mban firmën e përfaqësueses së përhershme të FMN-së në Shqipëri, Ann-Margaret Westin, paralajmërohet rreziku që i kanoset sistemit fiskal shqiptar nga prezantimi i papritur dhe në një periudhë të papërshtatshme, i këtij ndryshimi në taksa. "Ne do të këshillonim kundër ndryshimit të taksave në mes të vitit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tatim-fitimin që është një taksë vjetore", thekson Westin në deklaratën e saj. Sipas përfaqësueses së Fondit Monetar, qeveria shqiptare ka paraqitur pranë këtij institucioni, ndryshimet e mëtejshme në normat e taksave. Ndonëse FMN është ende duke i vlerësuar këto ndryshime, një "jo" paraprake paralajmëron kundërshtimin final që fondi do t‘i paraqesë qeverisë. "Në një vështrim më të përgjithshëm, ne besojmë akoma se sistemi shqiptar i taksave është në përgjithësi i shëndetshëm dhe se çdo ulje e mëtejshme e taksave duhet të përqendrohet së pari në normat e kontributit të sigurimeve shoqërore. Në një hap të dytë, mund të ndërmerren ulje paralele në normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe në normën e tatim fitimit", thotë njoftimi për shtyp i FMN-së. Në fakt, prezantimi i taksës së sheshtë nga qeveria bën të kundërtën. Rrit detyrimet mbi pagat e ulëta, të cilat dominojnë në Shqipëri dhe ul detyrimet mbi pagat e larta, në nivelin fiks 10%. Westin këmbëngul se qeveria ka plot reforma të tjera të rëndësishme për të ndërmarrë, para se të bëjë një ndërhyrje kaq të fortë në sistemin fiskal. "Ne do të ritheksonim gjithashtu, që ka shumë variabla të tjerë që mbeten mjaft më të rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit sesa norma e tatim-fitimit", vëren ajo. Megjithatë, goditja finale për qeverinë parashikohet të jepet në fillim të muajit maj, kur misioni i FMN-së që do të vizitojë Shqipërinë, do të publikojë përfundimet finale. Nga sa duket, qeveria ka vënë në shënjestër edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pasi Westin thekson se çdo ulje në normën e TVSH-së duhet konsideruar e fundit. "Këto ulje taksash duhet të ndërmerren vetëm në kushtet e përmirësimeve të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave", thuhet në deklaratën e FMN-së.

Studimi i FMN-së

Sipas një studimi të FMN-së mbi çështjen e taksës së sheshtë, rezulton se disa nga vendet që e kanë futur këtë taksë gjatë 12 viteve të fundit - duke përfshirë disa vende balltike, si dhe Sllovakinë dhe Rumaninë - mund të detyrohen ta braktisin këtë skemë. Sipas autorëve të studimit, "çka mbetet e paqartë, është qëndrueshmëria e taksës së sheshtë. Dizavantazhi kryesor ekonomik i këtyre skemave, është që ato kanë sjellë efekte, shpesh jo të mira mbi ndërmarrjet më të vogla. "Planifikimet e politikave ekonomike, përgjithësisht priren drejt përshtatjes së normave, prej të cilave parashikohet të mbështesin subjektet që përfitojnë në një nivel të mesëm: ekzaktësisht grupi që rrezikon më shumë humbje nga përshtatja e taksave të sheshta", theksojnë autorët.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Kontrabanda sheshit, kapen cigaret e luksit

Në Tiranë sekuestrohen cigare të shtrenjta pa pullë. Doganat: organizim perfekt


Alarmi i importuesve të mëdhenj të cigareve se kontrabanda po “thyen doganat” duket se po vërtetohet gjerësisht. Çdo ditë në redaksi vijnë lajmet për sekuestron e cigareve të hyra kontrabandë dhe fenomeni ka kaluar pikat doganore të Durrësit e Shkodrës për tu zbuluar në Tiranë. Dje forcat e specializuara të Departamentit Operativo-Hetimor (DOH), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë zbuluar në një njësi tregtimi me pakicë në kryeqytet një sasi të konsiderueshme cigaresh kontrabandë. Pas marjes së informacionit forcat e DOH-së të mbështetura edhe nga policia tatimore në kryeqytet kanë ushtruar kontroll në njësinë e tregtimit me pakicë në rrugën “Myslym Shyri” pronë e shtetasit Flamur Yza, ku u gjetën 262 steka cigare kontrabandë pa pullën fiskale dhe 140 steka cigare me pullë, gjithsej 402 steka të cilat u sekuestruan. Cigaret i përkisnin markave “Marlboro”, “Merit”, “Philip Morris” dhe “Murati”. Të tilla aksione janë kryer në kryeqytet dhe në shumë rrethe të tjera të vendit në kuadër të luftës kundër kontrabandës me mallrat e akcizës. Vetëm gjatë ditës së shtunë forcat e DOH-së, sekuestruan në Fushë-Krujë 420 steka cigare të markave të ndryshme me një vlerë prej rreth 6000 dollarë.

Rrjeti i kontrabandës
Sipas zv/drejtorit të përgjithshëm të Doganave dhe Drejtor të Departamentit Operativo-Hetimor Z.Bujar Vukaj “është një aksion i përbashkët i strukturave të ndryshme të luftës kundër kontrabandës, një bashkëpunim i shkëlqyer i strukturave tona të informacionit që mundësuan kapjen e kësaj sasie cigaresh kontrabandë në këtë njësi tregtimi”.
Sasia e cigareve pa pullë fiskale në këtë njësi ishte fare minimale, por në magazinën prapa njësisë së tregtimit dhe në bodrum kishte mbi 200 steka cigaresh pa pullë të cilat janë ende në proces numërimi. Sipas Vukajt, “bëhet fjalë për një perfeksionim të shpërndarjes së cigareve kontrabandë, pa pullë”. Në zbatim të ligjit të akcizës bëhet sekuestrimi i gjithë sasisë së mallrave të akcizës. “Nga operacionet tona të mbështetura edhe nga policia tatimore rezultatet janë të prekshme tashmë. Shpresojmë të sensibilizohen tregtarët për të mos tregtuar mallra të akcizës pa pullë. Ne në vazhdimësi kemi patur aksione të tilla, por kryesore mbetet sensibilizimi tregtarëve për mos tregtimin e këtyre mallrave pa pullë”, përfundon deklarata e Doganave.

E Marte, 27 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

FMN: ulje taksash me kushte

Fondi Monetar Ndërkombëtar kushtëzon me rritjen e të ardhurave politikën e qeverisë


Politika e qeverisë për uljen e taksave as nuk është kundërshtuar e as nuk është mbështetur nga përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në Tiranë, Ann Magret Westin. Me një gjuhë tipike teknike, shefja e FMN-së bën sikur ia ka lënë përsëri qeverisë në dorë vendimmarrjen për uljen e taksave por nga ana tjetër e kushtëzon me rritjen e të ardhurave. Në fakt qëndrimi i Westin ka qenë më oportunist se herët e tjera me ekzekutivin pasi ndryshe nga paraardhësi i saj Jan Peter Olters, Westin nuk ka folur asnjëherë në media mbi gafat fiskale të qeverisë si mosrealizmi i investimeve publike, rritja e presionit mbi inflacionin apo mbi ndërhyrjet e gabuara të Bankës së Shqipërisë me normat e interesit. Madje vetë FMN duket se ka rekomanduar gabimisht bankën qendrore në ndërhyrjet për rritjen e normës bazë të interesit pasi tregu ka reaguar në kah të kundërt me uljen e interesave ndërsa FMN kishte rekomanduar rritjen e interesave.

Taksat, edhe kështu edhe ashtu
Në përgjigjet e shefes së FMN-së në Tiranë, nuk ka një qëndrim të qartë për propozimin e qeverisë për uljen e taksave duke filluar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. “Ne kemi marrë propozime nga qeveria shqiptare për ndryshime të mëtejshme në normat e taksave. Aktualisht, ne jemi duke i vlerësuar këto propozime, të cilat presim që të diskutohen në detaje gjatë vizitës së ardhshme në Tiranë të misionit të rishikimit të programit të FMN-së, të planifikuar për datat 25 Prill–8 Maj. Prandaj në këtë pikë, unë nuk mund të komentoj me më shumë detaje lidhur me propozimet e veçanta”, thotë Westin ndërkohë që disa rreshta më poshtë komenton pikërisht këto propozime. “Në një vështrim më të përgjithshëm, ne besojmë akoma se sistemi shqiptar i taksave është në përgjithësi i shëndetshëm dhe se çdo ulje e mëtejshme e taksave duhet të përqendrohet së pari në normat e kontributit të sigurimeve shoqërore”, pohon Westin. Sipas saj “në një hap të dytë, mund të ndërmerren ulje paralele në normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe në normën e tatim fitimit. Çdo ulje në normën e TVSH-së duhet konsideruar e fundit. Këto ulje taksash duhet të ndërmerren vetëm në kushtet e përmirësimeve të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave”.

Dilema mbi taksën e sheshtë
FMN në Tiranë nuk është shprehur për taksën e sheshtë që ka propozuar qeveria. Ndryshe nga shefat e saj në Washington që e kanë kundërshtuar vendosjen e taksës së sheshtë, Westin ka preferuar të heshtë. “Megjithatë ne jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë në mënyrë konstruktive, me kusht që kuadri fiskal afatmesëm mbi të cilin është rënë dakord të mos dobësohet dhe të bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare. Në këtë kontekst ne do të këshillonim kundër ndryshimit të taksave në mes të vitit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tatim fitimin që është një taksë vjetore. Ne do të ritheksonim gjithashtu që ka shumë variabla të tjerë që mbeten mjaft më të rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit se sa norma e tatim fitimit”, theksohet në deklaratën e lëshuar nga FMN.

E Marte, 27 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bankierët kritikojnë qeverinë

Banka qendrore dialogon me bankat. Debate për likuiditetin dhe politikën e qeverisë

Gert Osmani

Kanë shfrytëzuar një takim me bankën qendrore drejtorët e bankave të nivelit të dytë për të shprehur pakënaqësitë për politikën e qeverisë me bonot e thesarit. Teksa të gjitha bankat prisnin të rriteshin normat e interesit të borxhit që i japin qeverisë, kjo e fundit me një lëvizje të zgjuar i ka çuar interesat në kah të kundërt. Qeveria ka ulur kërkesën për para nëpërmjet bonove të thesarit dhe vetëm por vitin 2006 kërkoi 6.5 për qind më pak likuiditet se sa parashikohej. Kjo lëvizje ka zhgënjyer bankat të cilat pas dy vendimeve të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit gjatë vitit 2006 prisnin rritjen e interesave. Por në realitet ka ndodhur e kundërta. Nga rreth 9 % që pritej të shkonte norma e interesit të bonove, në ankandet e fundit ajo ka rënë poshtë 7 për qind. Bankierët nuk e kanë shprehur drejtpërsëdrejti këtë “kritikë” ndaj qeverisë por në mënyrë direkte kur është debatuar për likuiditetin(paranë e lirë) në sistem. Ndryshe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani që ka kërkuar më shumë likuiditet nga bankat, drejtori i njërës prej bankave tregtare u shpreh se bankat nuk po dijnë ku të çojnë likuiditetin.
Kuminikimi me tregun
Kështu e ka quajtur banka qendrore takimin e djeshëm me bankat e nivelit të dytë. Ky takim u organizua në vazhdën e traditës institucionale të Bankës së Shqipërisë të komunikimit me aktorët e tregut dhe me publikun, në përgjithësi. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, të shoqërive të kursim-kreditit, të shoqatave të biznesit, opinionistë, gazetarë si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera financiare të vendit. Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i dialogut institucional të Bankës së Shqipërisë me grupet e interesit, në funksion të rritjes së efikasitetit të vendimeve të politikës monetare dhe forcimit të mëtejshëm të mbikëqyrjes të sistemit bankar. Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht lidhur me administrimin e likuiditetit, pritshmëritë e tregut si dhe stabilitetin financiar dhe konsolidimin e sistemit bankar. Në fjalën e tij Fullani theksoi se: “administrimi i likuiditetit synon kontrollin e normave afatshkurtra të likuiditetit, për t’i mbajtur ato në të njëjtën linjë me vendimet e politikës monetare”. Banka e Shqipërisë po punon për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të parasë, duke synuar në veçanti një treg ndërbankar më likuid dhe më aktiv në administrimin e tepricave të likuiditetit nga ana e bankave të nivelit të dytë.
Rreziku dhe stabiliteti financiar
Eksperienca e vendeve të lindjes me problemet që ka sjellë rritja e shpejtë dhe e pakontrolluar e kreditimit ka trembur dhe Bankën e Shqipërisë dhe FMN. Kjo e fundit disa herë ka kërkuar ndjekjen e praktikave strikte të kontrollit të kredive me probleme deri në ndalimin e reklamës për kreditë. Por bankat as po e përfillin rregulloren e BSH-së dhe të dhënat e fundit të vitit 2006 raportojnë rritje të kredive me probleme ndaj totalit. Madje disa banka kanë filluar të financojnë kredi deri në 100 për qind të shumës duke shkelur rregullat e kolateralit(pengut) që kërkon financimin deri në 70 për qind të shumës. Reklamat agresive për kredi konsumatore kanë tërhequr këto të fundit të marrin shumë kredi pa ditur se në rast të problemeve me të ardhurat rreziqet e sekuestros bëhen shumë të mëdha.
Vendimmarja sipas Blinder
Në fjalën e tij Fullani tha se vendimmarrja politike e Bankës së Shqipërisë është e orientuar nga e ardhmja. Nga ky këndvështrim, do të kërkoja që edhe sistemi bankar të adoptojë të njëjtën filozofi: “Reago sot, për të shmangur ngjarjet e padëshiruara të së ardhmes!” Siç ka thënë Alain Blinder: “Vendimmarrësit shpeshherë, vetëm sa shikojnë jashtë dritares dhe marrin vendimet e rastit, bazuar mbi rrethanat e momentit”. Për këtë arsye, duhet që sistemi bankar të adoptojë të njëjtën fillozofi për të asimiluar dhe faktorizuar vendimet e Bankës së Shqipërisë në strategjinë operacionale afatshkurtër dhe atë afatgjatë.

E Marte, 27 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Gjoba e dytë e konkurrencës, 735 mijë $ për sigurimet

Autoriteti i konkurrencës gjobit me 2 % të xhiros kompanitë e sigurimeve. "Monopolizuan kartonin jeshil"

Altin Xhikneli

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë vendimin për një gjobë prej 735 mijë USD për tetë kompani sigurimesh. Ky vendim për këto kompani u mor dje nga ky autoritet për shkak se këto kompani kanë shkelur ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Sipas njoftimit zyrtar, Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e datës 21 Mars 2007 shqyrtoi çështjet me objekt “kufizim i konkurrencës si rezultat i sjelljes së shoqërive të sigurimit, koordinimit të veprimeve të tyre, të formalizuara në akt marrëveshjen e datës 05.04.2005” dhe “kufizim i konkurrencës, si rezultat i disa barrierave administrative të vendosura nëpërmjet akteve nënligjore në ligjshmërinë e sigurimeve të detyrueshme motorike”. Pas këtij shqyrtimi, ky komision mori dy vendime që synojnë rivendosjen e konkurrencës në tregun e sigurimeve për produktin “Policë Kufitare” dhe i drejtoi disa rekomandime autoriteteve përgjegjëse për ndryshime në aktet normative në fushën e sigurimeve.

Gjoba 2 % e xhiros
Në vendimin e parë Autoriteti ka vendosur një gjobë 2% të vlerës së xhiros neto vjetore të vitit 2005 për 8 kompani të sigurimeve. Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës thuhet se “...pasi dëgjoi në një seancë konsultative Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si dhe administrimit të akteve shkresore, vërejti se Marrëveshja e nënshkruar nga shoqëritë e sigurimit dhe të miratuar me Vendim në Mbledhjen e Përgjithshme të Anëtarëve, është marrëveshje e ndaluar, e cila bie në kundërshtim me nenin 4, pika 1, shkronja a të Ligjit Nr. 9121, datë 28. 07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, mbasi nëpërmjet kësaj marrëveshje shoqëritë fiksojnë çmimin dhe ndajnë tregun”. Sipas raportit, tregtim/shitje të Policës së Sigurimit Kufitar realizohet vetëm nga një agjent ndërsa ndarja e të ardhurave nga shitja e policës së sigurimit kufitar, bëhet me Urdhër të Ministrit të Financave, bazuar në pjesën e tregut për TPL-në, që zë çdo shoqëri në tregun e sigurimit të detyrueshëm. Kështu, autoriteti sqaron se edhe më parë Komisioni i Konkurrencës ishte shprehur me Vendim për ndërprerjen e menjëherëshme të kësaj marrëveshje, si marrëveshje e ndaluar me objekt dhe pasojë kufizimin e konkurrencës. Por ky vendim nuk është zbatuar, shkak i cili e detyroi Komisionin e konkurrencës të marrë vendimin për vendosjen e gjobës.

Prishja e marrëveshjes
Ky vendim hedh poshtë akt marrëveshjen midis këtyre kompanive “Mbi themelimin e Pool-it të Sigurimit Kufitar të Përgjegjësive ndaj palëve të treta të mbajtësit të mjetit motorrik”, e lidhur nga 8 (tetë) shoqëri sigurimi, që ushtrojnë veprimtari në tregun e sigurimeve dhe konkretisht: Sigma Sh.a, Sigal Sh.a, Atlantik Sh.a, Intersig Sh.a, Interalbanian Sh.a, Albsig Sh.a, Eurosig sh.a (ish Dukagjini Sh.a), si dhe Insig Sh.a, si marrëveshje e ndaluar me pasoja kufizuese për konkurrencën, mbasi fikson çmimin dhe ndan tregun. Mbi këtë vendim Autoriteti vendosi masën e gjobës në masën 2% të xhiros të vitit 2005, ndaj shoqërive pjesëmarrëse në këtë marrëveshje.”. këshut, policia tatimore kryen ekzekutimin e gjobës të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi dhe bazuar në nenin 80 të ligjit nr 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.



Rekomandime për ministrin e Financave
Komisoni i Konkurrencës ka vendosur ti japë disa rekomandime ministrit të financave për rregullimin e tregut i cili është jo plotësisht i liberalizuar(i hapur për konkurrencë). Ministri i Financave ka shfuqizuar pjesërisht udhëzimin “Mbi shitjen dhe Administrimin e Policave të Sigurimit Kufitar”. Aktet nënligjore, të dala nga Ministri i Financave përcaktojnë kufirin minimal dhe maksimal të primit të pastër të sigurimit të detyrueshëm dhe elementë të tjerë lidhur me shitjen dhe administrimin e policave të sigurimit.

Sugjerimet për mbikëqyrjen
Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit Mbikqyrjes Financiare për rritjen e mbikëqyrjes në tregun e sigurimeve për të siguruar funksionimin e shëndoshë dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të këtij segmenti të rëndësishëm të sektorit financiar drejt hapjes për konkurrencë të lirë dhe efektive. Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare duhet të krijojë një paketë të plotë rregulloresh që lidhen me mbikqyrjen financiare dhe të bëjë rregullimin e tregtimit të policave të sigurimit të detyrueshëm, nëpërmjet vendosjes së kontrollit dhe standarteve, si dhe zbatimi i sanksioneve në rastet e shkeljeve të vërejtura.

E Marte, 27 Mars 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rinovimi në teknologji dhe borxhet e trashëguara "mbysin" bilancin e shoqërisë shtetërore të naftës

Albpetrol, 3,8 milionë dollarë të ardhura

Vetëm për likuidimin e punonjësve u morën 1 milion dollarë kredi nga bankat


Albpetrol sh.a., shoqëria shtetërore e shpimit dhe nxjerrjes së naftës, realizoi një fitim bruto prej 3,8 milionë dollarësh, gjatë vitit 2006. Ky fitim minimal vjen si pasojë e detyrimeve të trashëguara të shoqërisë. Stafi drejtues, që mori në dorë frerët e shoqërisë në vitin 2005, e gjeti veten përballë një aftësie paguese shumë të ulët ndaj likuidimit të punonjësve, shtetit dhe nënkontraktorëve. Vetëm detyrimet e trashëguara për nënkontraktorë të tretë kapnin shifrën e 2,3 milionë dollarëve, duke u likujduar gradualisht përgjatë 2006-ës. Ndërkohë, vetëm likujdimi i punonjësve kërkoi marrjen e një kredie bankare prej rreth 1 milion dollarësh. Gjithashtu, sipas një dokumenti zyrtar të shoqërisë, Albpetrol ka shoqëruar edhe detyrime shumë të mëdha nga shoqëria shtetërore e përpunimit të naftës ARMO sh.a. Për këtë vit, shoqëria ka prodhuar 316 mijë tonë naftë. Vasillaq Ngresi, drejtor teknik i Albpetrol sh.a. tregon për "Shqip" se për të ruajtur kuotat e prodhimit, shoqëria është e detyruar të bëjë rreth 10 milionë dollarë investime në vit, duke qenë se teknologjia shumë e vjetruar kineze paraqet probleme, çka ul ndjeshëm fitimin e shoqërisë. Ngresi shpjegon se prioritet i momentit është dhënia me koncension e fushave të reja për prodhim gazi e nafte në Kuçovë, Ballsh e Delvinë. Në vitin 2001, Albpetrol prodhonte dicka mbi 300 mijë tonë grexho në vit, në 2002-in sasia shkoi në 350 mijë, në ‘03, arriti në 400 mijë tonë, bashkë me kanadezët e Saxon. Në vitin 2005, prodhimi i përbashkët arriti në gati 450 mijë tonë. Shoqëria shtetërore e shpimit dhe nxjerrjes së naftës, përgjatë viteve të tranzicionit është përballur me luhatje të shumta dhe të forta të prodhimit të grexhos. Deri më 2007-ën, Albpetrol ka marrë përsipër të bëjë edhe investime për mjedisin, por duke marrë parasysh rrethanat financiare dhe nivelin gjysmëshekullor të ndotjes, nuk dihet sa të efektshme mund të jenë ato. Teknologjia e amortizuar e shoqërisë mbetet problemi kryesor i financave dhe kuotave të prodhuara nga shoqëria.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Punimet për Bushatin brenda vitit

Bojaxhi: Ka filluar sakaq studimi mjedisor, që i paraprin punimeve


Ndërtimi i hidrocentralit të Bushatit mbi lumin Drin, duhet të nisë brenda këtij viti. Këtë e konfirmoi dje, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergji Bojaxhi. Sipas Bojaxhi, për këtë hidrocentral ka nisur studimi mjedisor, që pritet t‘i hapë rrugën ndërtimit të tij. Sipas analizës së kryer me nxitjen e vetë kreut të KESH, vendi duhet të përqendrohet te ndërtimi i Bushatit dhe te një TEC i ri në Porto Romano. Këto dy objekte, njëri hidro dhe tjetri termo, janë njëherësh më të mëdhatë, por që mund të ndërtohen në kohën më të shpejtë të mundshme. Në fakt një ndër projektet më të përfolura, është koncesioni kinez i hidrocentralit të Bushatit, vepër që nuk u ndërtua kurrë për shkak të frenimit që iu bë projektit nga Banka Botërore. Ndonëse justifikimet e publikuara në atë kohë ishin të larmishme, përfshi këtu edhe shpëtimin e disa rosave e pilivesave të rralla që rrezikonin zhdukjen, motivet e vërteta lidheshin me frikën e ekspansionit kinez në rajon. Vetë lobingu kundër projektit, i cili u udhëhoq nga ndërkombëtarët, ndonëse preku edhe argumente ekonomike, përgjithësisht, u kufizua në një parullë që urdhëronte ndërprerje. Lidhur me këtë çështje, Bojaxhi ka pohuar edhe më parë se Hidrocentrali i Bushatit është bllokuar më parë për arsye financiare dhe politike, por jo për arsye të tjera. Sipas kreut të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, për të dalë nga kriza, duhet më parë që kapacitetet të përqendrohen fillimisht te Bushati dhe TEC-i i ri, duke parë mundësinë që të zhvillohen edhe objekte të tjera. Hidrocentrali i Bushatit është menduar të zhvillohet në formë koncesionare. Varianti i mëparshëm parashikonte që shteti të ishte njëherësh, pronari dhe ndërtuesi. Tani po kërkohet që nëpërmjet një koncesioni, ndërtimi të realizohet nga sektori privat. Hidrocentrali i Bushatit parashikohet të kushtojë rreth 100 milionë euro. Por, një kosto e saktë, varet edhe nga varianti pëfundimtar që do të vendoset, çka kushtëzohet edhe nga studimi i ambientit.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Miliarderët e Libanit kërkojnë Albtelekomin, sabotojnë Calikun turk

"Ne besojmë se qeveria shqiptare mund të njoftojë një tender të ri ndërkombëtar"


Shfaqet një pretendent i ri për blerjen e Albtelekomin. Kompania shumëkombëshe "Oger Telekom", me qendër në Dubai, deklaroi se ka gati një ofertë për blerjen e kompanisë shqiptare të telefonisë fikse, në rast se qeveria jonë do të lançojë një tender të ri ndërkombëtar. Në një intervistë për "Turkish Daily News", drejtori ekzekutiv i "Oger Telekom", Pol Doan, ka thënë se kompania e drejtuar prej tij synon të marrë paketën mazhoritare të aksioneve të Albtelekom, nëse ky i fundit do të hidhet sërish në treg. "Ne besojmë se qeveria shqiptare mund të njoftojë një tender të ri ndërkombëtar për shitjen e më shumë se 60 për qind të aksioneve të Albtelekom dhe, kur kjo të ndodh, ne do të kemi gati ofertën tonë", ka thënë Doan. Për ironi të fatit, shoqëria me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe do të përfshijë edhe Turk Telekom në blerjen e kompanisë publike të telefonisë fikse në Shqipëri. Pikërisht dy vjet më parë, Turk Telekom ishte përdorur nga "Calik Enerji" në tenderin për shitjen e Albtelekomit si maskim për të mbuluar eksperiencën e saj të munguar në fushën e telekomunikacioneve. "Oger Telekom" së bashku me Telecom Italia janë dy kompanitë që zotërojnë pjesën më të madhe të aksioneve të Turk Telekom. Në vitin 2005, këto dy kompani blenë 55 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore turke për një vlerë prej 6,6 miliardë dollarësh. Kjo kompani zotërohet nga familjarët e ish- kryeministrit libanez të vrarë, Refik Hariri. Kompania ka deklaruar se do të shpenzojë rreth 4-5 miliardë dollarë për blerje gjatë vitit 2007. "Oger Telekom" do të hedhë për herë të parë në treg aksionet e saj për publikun në muajt e parë të vitit 2008. "Ne mendojmë që të bëjmë dy blerje të mëdha përpara se të hedhim aksionet tona në treg", tha drejtori ekzekutiv, Doan. Sipas tij, në shënjestër të kompanisë janë Albtelekom dhe Kazakhtelecom. Vetëm pak kohë më parë kompania saudite ofroi 4,1 miliardë dollarë në tenderin për licencën e operatorit të tretë në Arabinë Saudite. Gjithnjë e më shumë, Oger po fokusohet në blerjet e shoqërive të Telekomit, jashtë Lindjes së Mesme, pasi ofertat e tij në Tunizi dhe Arabinë Saudite rezultuan më të ulëta se ato të operatorëve konkurrentë arabë. Sipas Doanit, ka pasur një rritje artificiale të pagesave të licencave në rajonin e Lindjes së Mesme, çka nuk shkon për shtat me logjikën e biznesit. Oger ofron shërbime të telefonisë fikse dhe mobile në Turqi, një biznes celular në Afrikën e Jugut, si dhe shërbime interneti në Arabinë Saudite, Jordani dhe Liban, dhe tani kërkon të blejë aksione në firmat e telekomit dhe të teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore. "Jemi përqendruar në katër blerje të mundshme... Për momentin, po garojmë për njërën prej tyre", tha Doani, pa pranuar të japë detaje.


Prapaskenat

"Oger sabotoi Calikun"


"Oger Telecom" ka ndër mend të blejë shumicën e aksioneve të operatorit fiks dhe mobil shqiptar (plus Eagle Mobile), Albtelekom, përmes Turk Telekom, nëse qeveria shqiptare cakton një tender të ri këtë vit", deklaroi drejtori ekzekutiv i "Oger Telekom", Pol Doan. Turk Telekom, në fakt, ka refuzuar të futet në një konsorcium me bashkatdhetarët e "Calik Enerji", blerësi i mundshëm i Albtelekomit. Kështu, Calik nuk ka mundur të plotësojë një nga kushtet e panegociueshme të qeverisë shqiptare, sipas të cilave, shoqëria e "Ahmet Calik", duhej të lidhte "aleancë" me një shoqëri telekomunikacioni të njohur në treg. Në këtë mënyrë, Oger, e cila zotëron paketën mazhoritare të aksioneve të Telekomit turk, saboton shanset e Calik për blerjen e Telekomit shqiptar, duke i krijuar vetes mundësi të reja. "Qeveria shqiptare mund të rihapë tenderin për shitjen e mbi 60 për qind të aksioneve të Albtelekomit, pasi në tenderin e parë shfaqi interes vetëm një firmë turke", tha Doani.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Berisha: Ndërtuesit mashtrojnë me çmimet

"Ka ndërtues që e blejnë tokën me 1 milion USD dhe mbushin dokumente me 40 mijë USD"


Sektori i ndërtimit paraqitet informal në një pjesë të tij, pasi ndërtues të ndryshëm deklarojnë vlera të rreme të blerjes së trojeve dhe shitjes së apartamenteve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se informaliteti dhe evazioni fiskal në këtë sektor paraqet rrezik për të ardhmen. "Ka informalitet në sektorë kryesor të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve", deklaroi Berisha. Megjithëse kreu i qeverisë iu referua vetëm disa ndërtuesve, duke ruajtur anonimatin e shkelësve, ai dha shifra konkrete të abuzimeve të pretenduara. "Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milion dollarë sipërfaqen dhe mbushin dokumente false sikur e kanë blerë me 40 mijë dollarë dhe këtë e bëjnë për t‘u shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumente sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror", deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, ky fenomen nuk është shumë i përhapur, por mund të ndodhë që të zhvillohet më tej në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm. Berisha deklaroi se "qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar, për ta bërë çdo ditë dhe më miqësore, klimën ndaj biznesit, por asgjë nuk vret më shumë biznesin e ndershëm, sesa ai i pandershmi". "Mund t‘i ulim taksat, por ai që nuk paguan taksa e dëmton në mënyrë thelbësore, atë që paguan dhe ai që falsifikon bilancet, godet në mënyrë thelbësore atë që nuk bën falsifikime. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit", theksoi kreu i qeverisë.

Ndërsa, Behar Male, sipërmarrës së në këtë sektor, thotë se deklarata e Kryeministrit duhet marrë në një kontekst më të gjerë, pasi fenomeni në fjalë, paraqitet shumë i kufizuar te ndërtuesit, ndërsa evazionin e vërtetë e kryejnë personat që i kanë blerë vite më parë apartamentet apo dyqanet nga firmat e ndërtimit, për t‘i rishitur ato. "Pra, nëse e kanë blerë një apartament përreth 400 dollarë për metër katror, disa vjet më parë, tani e shesin me 2000 dollarë për metër, duke deklaruar se në fakt e kanë shitur me çmimin fillestar, apo edhe më pak", thotë Male për "Shqip". "Por te vetë ndërtuesit, ky fenomen është shumë i kufizuar. Jemi vetë ne që kemi kërkuar dhe kemi nxitur të merren masa për formalizimin e sektorit dhe shtimin e kontrolleve. Duhet të kemi parasysh se janë përcaktuar edhe çmime sipas zonave ku ndërtohet, ndaj mundësitë për evazion janë minimale", vijon ai. Ndërtuesi thekson se deklarimet e rreme në blerjen e truallit, janë të papërfillshme, pasi pothuaj asnjë pronar nuk e shet tokën, por kërkon një farë përqindjeje në objektin e ndërtuar, ndaj edhe mundësitë për abuzim nga ndërtuesit në këtë drejtim, paraqiten shumë të kufizuara. "Ne ndërtuesit jemi të parët që kemi interes për sa më pak evazion dhe për një treg të rregullt, në mënyrë që të kemi më pak rreziqe në biznes, përballë mundësisë së një konkurrence të pandershme", përfundon Male. Por, kjo nuk është hera e parë që ndërtimi vihet në shënjestër të deklaratave të zyrtarëve të lartë, mbi informalitet apo përdorimin e parave të dyshimta në këtë sektor. Duke thënë se rritja e çmimeve të apartamenteve jashtë normave të përcaktuara, është një rrezik për ekonominë në vend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, paralajmëroi mbi rrezikun e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit. Fullani paralajmëroi se rritja e shpejtë e çmimeve të shitjes së apartamenteve do të vërë në vështirësi sistemin bankar. "Kërkesa për blerjen e apartamenteve nuk i ka burimet në të ardhurat e qëndrueshme, por nga emigracioni apo aktivitete të paligjshme, të cilat janë të përkohshme", tha ai. Sipas Fullanit, këto zhvillime duhen ndjekur me kujdes për të vlerësuar drejt rreziqet që çojnë në rritjen e pasurive të patundshme. "Në raportin e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2005, theksohet se ka mospërputhje të rritjes së lartë të çmimeve të shitjes së apartamenteve dhe kostos së ndërtimit, e cila vitin e kaluar është rritur fare pak", vërejti ai. Sipas Fullanit, kjo rritje do të konsumojë paratë e qytetarëve duke paralajmëruar një rënie të ndërtimit vitet e ardhshme.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Qeveria, bonus për koncesionet e 19 HEC-eve

Shfrytëzimi "me karar" i burimeve ujore do të favorizojë garuesit për ndërtimin e hidrocentraleve të reja


Këshilli i Ministrave ka "dekoruar" me një bonus prej 10 pikësh, ato firma që kanë dorëzuar projekte për marrjen e hidrocentraleve me koncesion, duke paraqitur plane të përshtatshme për mos-shpërdorimin e ujit. Kjo do të thotë se këto firma përfitojnë 10 pikë më shumë se konkurrentet e tyre, në garën për ndërtimin e veprave hidrike me qëllim prodhimin e energjisë. Ky vendim është paralel me atë të hapjes së tenderit për ndërtimin e hidrocentraleve të reja nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas kryeministrit Berisha, ky vendim merret pasi janë paraqitur projekte konkrete në Ministrinë e Ekonomisë dhe mbi këtë bazë investitorë të tjerë kanë të drejtën të konkurrojnë në projektin e tyre, në afatin kohor të parashikuar nga ligji. "Ndonëse po shkon drejt 50-ës, numri i hidrocentraleve të miratuara në këtë hark kohor të shkurtër, pak javor, ne po miratojmë edhe bonusin, që do të thotë se i pari që paraqet projektin e përshtatshëm, i cili ka si kusht shfrytëzimin optimal të burimit ujor, ai fiton 10% apo 10 pikë më shumë sesa të tjerë, që do të paraqesin projektet e tyre, pasi ky burim ujor të kalojë në tender për projektuesit e tjerë", shpjegoi kreu i qeverisë. Bonusi 10% është një bonus që parashikohet në ligjin e partneritetit publik, privat, miratuar nga parlamenti. Sipas Berishës, kjo përbën një stimul në vetvete për të projektuar hidrocentrale, të cilat janë një potencial madhor. "Gjatë kësaj periudhe kemi operuar me hidrocentrale të miratuara me një kapacitet nën 10 megavat, të cilat mund të kapin shifrën 300 apo 400 që mund të ndërtohen, por janë rreth 45 të tjera që kanë një kapacitet nga 20 deri në 200 apo 300 megavat, apo 170 deri në 200 megavat", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, interes po tregohet në këtë rast për hidrocentralet e mëdha dhe për këtë qeveria po inkurajon interesimin e kompanive vendase dhe të huaja. "Nuk ka biznes më të leverdishëm sesa ndërtimi i hidrocentraleve në Shqipëri, për vetë kushtet natyrore të shkëlqyera që ofron vendi ynë. Bankat, gjithashtu kanë një predispozitë të madhe për t‘i kredituar, kompanitë që duan të angazhohen në ndërtim, sikundër qeveria garanton blerjen me çmim të tregut, siç është shprehur edhe më parë, të energjisë së prodhuar", deklaroi Berisha. Por, nga ana tjetër, hidrocentralet kanë një kthim të ngadaltë të vlerës së investuar dhe mund të punojnë me kapacitet që varet nga reshjet apo luhatjet atmosferike. Ndaj, i ashtuquajturi "burim i sigurt", mund të mos jetë edhe aq tërheqës për t‘u kredituar nga bankat.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Anti-kontrabanda mësyn banesat

Tatimet kanë filluar kontrollet e shtëpive dhe apartamenteve, në kërkim të mallrave të pazhdoganuara


Kontrollet për mallra të futura kontrabandë apo që nuk janë regjistruar pranë institucioneve financiare, nuk kufizohen më veç në dyqane e magazina, por edhe në shtëpitë e tregtarëve. Tatimet kanë filluar një fushatë kontrollesh në shtëpitë dhe apartamentet, ku dyshohet se mbahen të fshehura mallra të akcizës, pa pullë fiskale të Ministrisë së Financave. Këtë informacion e bëri të ditur dje, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sipas së cilës aksioni vjen në kuadër të marrëveshjes që është vendosur ndërmjet tre institucioneve: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë angazhuar të gjitha strukturat e përbashkëta, për të bërë të mundur minimizimin dhe eliminimin e shtrirjes në tregjet e vendit të mallrave të akcizës, të paregjistruara pranë organeve financiare. Të tre titullarët e këtyre institucioneve, Alfred Prifti, Përparim Dervishi dhe Bajram Ibraj, kanë vendosur rritjen e efikasitetit të grupeve të përbashkëta të task-forcës, të cilat kanë dokumentacionin dhe kompetencat përkatëse për të ndërhyrë dhe për të ushtruar kontroll edhe nëpër shtëpitë dhe ambientet familjare, nëse ka informacion për fshehje të mallrave të akcizës. Sipas tatimeve, "ky nuk është një aksion i programuar afatshkurtër, por është përmirësim i punës në terren dhe një shkëmbim i përhershëm informacioni dhe atributesh, në mënyrë që fenomene si kontrabandistët apo prodhuesit vendas, të cilët nuk figurojnë të regjistruar pranë organeve tatimore, të marrin goditjen që parashikon legjislacioni fiskal në varësi të veprimtarisë së tyre ekonomike dhe evazionit që kryejnë. Grupet e task-forcës të krijuara nga të tre institucionet do të jenë çdo ditë në terren për të bërë të mundur zvogëlimin e evazionit fiskal për këtë grup mallrash. Të gjitha mallrat e gjetura do të sekuestrohen, ndërsa poseduesi do të jetë i detyruara të paguajë detyrimet përkatëse financiare për to.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Që nga 6-mujori i dytë, bizneset pritet të paguajnë më shumë sigurime për punonjësit e tyre

Rritet paga minimale, shtohen tarifa e sigurimeve

Niveli i kësaj page mendohet të jetë 20 mijë lekë, nga 14 mijë që është aktualisht


Shumë shpejt bizneseve shqiptare do t‘u duhet të paguajnë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore në arkën e shtetit për punonjësit e tyre. Qeveria shqiptare po përgatit një projektligj, i cili synon rritjen e pagës minimale si në sektorin publik dhe atë privat. Burime konfidenciale brenda Kryeministrisë thanë për gazetën "Shqip", se aktualisht, është duke u ndërmarrë një studim për të përcaktuar se cili do të jetë niveli i kësaj page në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Sipas këtyre burimeve, niveli më i mundshëm i kësaj page pritet të jetë ai i 20 mijë lekëve, çka do të thotë se në dokumentet zyrtare për efekte të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore nuk do të njihet më asnjë pagë nën këtë nivel. Kjo masë është një lajm i mirë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, të cilët aktualisht, e kanë pagën më të ulët se 20 mijë lekë. Por një vendim i këtij lloji mund të mos pritet mirë në radhët e sipërmarrësve, të cilët kanë të punësuar në bizneset e tyre një numër të madh punonjësish. Kjo për shkak të rritjes së kontributeve të sigurimeve që duhet të paguajnë punëdhënësit shqiptarë. Aktualisht, paga minimale në vend për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore është 14 mijë lekë dhe me hyrjen në fuqi së shpejti të vendimit të ri pritet që ky nivel të rritet me rreth 43 për qind. Më 1 korrik të vitit të kaluar, qeveria uli kontributin e sigurimeve shoqërore për bizneset nga 29 në 20 për qind, me qëllim për të lehtësuar barrën fiskale për sipërmarrësit dhe për të ulur informalitetin e lartë që karakterizonte taksat e punës. Ndërsa kontributi për sigurimet shëndetësore për biznesin mbeti në nivelin e 1,7 për qind të pagës së deklaruar të punëmarrësit. Në total, aktualisht, një biznes paguan për një të punësuar rreth 21,7 për qind të pagës së këtij të fundit si kontribute për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Kjo do të thotë se për një punonjës të deklaruar me një nivel page prej 14 mijë lekësh pranë Drejtorisë së Tatimeve, një sipërmarrje paguan rreth 3 mijë lekë në muaj. Por me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për këtë punonjës të deklaruar me pagë minimale, ky biznes duhet të paguajë tashmë 4 mijë e 300 lekë në muaj vetëm për kontribut të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Realisht, rritja e pagës minimale në kufirin e 20 mijë lekëve asgjëson impaktin e uljes së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe atyre shëndetësore, sipas vendimit të qeverisë së korrikut të vitit të kaluar, për punonjësit e deklaruar pranë tatimeve me pagë minimale. Ndërmarrjet e mëdha që operojnë në industrinë e fasonit, të cilat punësojnë përgjithësisht një numër të madh punonjësish të pakualifikuar, pritet të jenë më të prekurat nga kjo masë.

Rritja, në 6-mujorin e dytë

Niveli i pagës minimale pritet të ndryshojë që në 6-mujorin e dytë të këtij viti, kohë në të cilën parashikohet të hyjë në fuqi edhe paketa e re fiskale. Kjo paketë parashikon implementimin e fazës së parë të taksës së sheshtë, e cila ka të bëjë me unifikimin e tatimit mbi të ardhurat personale në nivelin e 10 përqindëshit. Dhe kjo, sipas ekspertëve të Kryeministrisë, kërkon disa rregullime të tjera në taksat e punës.

Qeveria: Po mbrojmë të "varfrit"

Burime nga Kryeministria thanë se kjo masë do të merret në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë për të mbrojtur punonjësit me të ardhura të ulëta nga rritja e tatimit mbi të ardhurat personale. Që nga gjashtëmujori i dytë i këtij viti, tatimi mbi të ardhurat për të gjitha kategoritë e punonjësve, përveç asaj shtrese, të ardhurat mujore të së cilës janë të barabarta me pagën minimale, pritet të shkojë në 10 për qind.



Vendimi rrit të ardhurat e ISSH dhe ISKSH

Rreth një muaj e gjysmë më parë, qeveria shqiptare ndryshoi skemën e deklarimit të pagës minimale për punonjësit e punësuar në sektorin privat. Sipas vendimit të datës 3 shkurt 2007, pagat minimale në sektorin privat u kategorizuan në bazë të profesionit të punonjësit dhe nivelit të kualifikimit të tij. Për kategorinë e punëtorëve të kualifikuar, rritja e pagës minimale për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore ishte rreth 150 më e lartë. Ndërsa akoma më e madhe rezultoi rritja e pagës minimale për stafet drejtuese të ndërmarrjeve të ndryshme, që shkoi afro 300 për qind më e lartë nga ajo që deklarohej para muajit shkurt. Të gjitha këto masa u morën nga qeveria me qëllimin për të ulur evazionin në taksat e punës, por edhe për të rritur të ardhurat në buxhet. Të njëjtin impakt pritet të ketë edhe vendimi i ri për sa i përket nivelit të të ardhurave tatimore nga kjo kategori.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

"NBG Bank" e sjell kredinë personale më afër për të gjithë



"NBG Bank" prezantoi ofertën më të re për kredinë personale. Për këtë kredi, "NBG Bank" aplikon normë interesi të pandryshueshme për vitin e parë. Interesat e pandryshueshme eliminojnë riskun e kostove të paparashikuara, të cilat mund të vijnë si pasojë e luhatjeve të interesave në tregjet e parasë. Për më tepër, norma e interesit gjatë vitit të parë është shumë e ulët, nga 11,5% për kreditë personale në lekë, 8,5% për kreditë në euro dhe 10% për kreditë në dollarë. Kredia personale shkon deri në 5000000 lekë dhe me periudhë ripagimi 7-vjeçare, por mund të shlyhet edhe para periudhës së rënë dakord. Një nga kushtet më të rëndësishme të kësaj oferte është mundësia e kreditimit pa garanci hipotekore për kreditë deri në 750000 lekë. Tani, me këto kushte, kreditë personale janë më të arritshme për cilindo që ka nevojë për këtë produkt. Kjo ofertë do të jetë e vlefshme për një periudhë të kufizuar. Këtë vit, dega në Shqipëri e "NBG Bank" do të vazhdojë të rritet intensivisht në treg dhe në vijim do të hapë edhe 12 njësi të reja në qytete të ndryshme të vendit. Deri tani, "NBG Bank" ka tetë njësi në Tiranë, si edhe në Durrës, Korçë, Vlorë, Lezhë dhe Elbasan. Deri në fund të vitit, shërbimet e "NBG Bank" do të jenë lehtësisht të arritshme edhe në Shkodër, Fushë-Krujë, Berat, Lushnjë, Fier, Sarandë, si edhe në disa njësi të reja në Tiranë.

"NBG Bank" - Dega Tiranë është pjesë e grupit financiar më të fuqishëm në Evropën Juglindore, e pranishme në të gjitha vendet e Ballkanit Juglindor dhe më gjerë, duke përfaqësuar një nga emrat më historikë në tregun bankar - NBG Grup.
 
Top