Re: Lajme ekonomike!
Berisha: Ndërtuesit mashtrojnë me çmimet
"Ka ndërtues që e blejnë tokën me 1 milion USD dhe mbushin dokumente me 40 mijë USD"
Sektori i ndërtimit paraqitet informal në një pjesë të tij, pasi ndërtues të ndryshëm deklarojnë vlera të rreme të blerjes së trojeve dhe shitjes së apartamenteve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se informaliteti dhe evazioni fiskal në këtë sektor paraqet rrezik për të ardhmen. "Ka informalitet në sektorë kryesor të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve", deklaroi Berisha. Megjithëse kreu i qeverisë iu referua vetëm disa ndërtuesve, duke ruajtur anonimatin e shkelësve, ai dha shifra konkrete të abuzimeve të pretenduara. "Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milion dollarë sipërfaqen dhe mbushin dokumente false sikur e kanë blerë me 40 mijë dollarë dhe këtë e bëjnë për t‘u shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumente sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror", deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, ky fenomen nuk është shumë i përhapur, por mund të ndodhë që të zhvillohet më tej në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm. Berisha deklaroi se "qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar, për ta bërë çdo ditë dhe më miqësore, klimën ndaj biznesit, por asgjë nuk vret më shumë biznesin e ndershëm, sesa ai i pandershmi". "Mund t‘i ulim taksat, por ai që nuk paguan taksa e dëmton në mënyrë thelbësore, atë që paguan dhe ai që falsifikon bilancet, godet në mënyrë thelbësore atë që nuk bën falsifikime. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit", theksoi kreu i qeverisë.
Ndërsa, Behar Male, sipërmarrës së në këtë sektor, thotë se deklarata e Kryeministrit duhet marrë në një kontekst më të gjerë, pasi fenomeni në fjalë, paraqitet shumë i kufizuar te ndërtuesit, ndërsa evazionin e vërtetë e kryejnë personat që i kanë blerë vite më parë apartamentet apo dyqanet nga firmat e ndërtimit, për t‘i rishitur ato. "Pra, nëse e kanë blerë një apartament përreth 400 dollarë për metër katror, disa vjet më parë, tani e shesin me 2000 dollarë për metër, duke deklaruar se në fakt e kanë shitur me çmimin fillestar, apo edhe më pak", thotë Male për "Shqip". "Por te vetë ndërtuesit, ky fenomen është shumë i kufizuar. Jemi vetë ne që kemi kërkuar dhe kemi nxitur të merren masa për formalizimin e sektorit dhe shtimin e kontrolleve. Duhet të kemi parasysh se janë përcaktuar edhe çmime sipas zonave ku ndërtohet, ndaj mundësitë për evazion janë minimale", vijon ai. Ndërtuesi thekson se deklarimet e rreme në blerjen e truallit, janë të papërfillshme, pasi pothuaj asnjë pronar nuk e shet tokën, por kërkon një farë përqindjeje në objektin e ndërtuar, ndaj edhe mundësitë për abuzim nga ndërtuesit në këtë drejtim, paraqiten shumë të kufizuara. "Ne ndërtuesit jemi të parët që kemi interes për sa më pak evazion dhe për një treg të rregullt, në mënyrë që të kemi më pak rreziqe në biznes, përballë mundësisë së një konkurrence të pandershme", përfundon Male. Por, kjo nuk është hera e parë që ndërtimi vihet në shënjestër të deklaratave të zyrtarëve të lartë, mbi informalitet apo përdorimin e parave të dyshimta në këtë sektor. Duke thënë se rritja e çmimeve të apartamenteve jashtë normave të përcaktuara, është një rrezik për ekonominë në vend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, paralajmëroi mbi rrezikun e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit. Fullani paralajmëroi se rritja e shpejtë e çmimeve të shitjes së apartamenteve do të vërë në vështirësi sistemin bankar. "Kërkesa për blerjen e apartamenteve nuk i ka burimet në të ardhurat e qëndrueshme, por nga emigracioni apo aktivitete të paligjshme, të cilat janë të përkohshme", tha ai. Sipas Fullanit, këto zhvillime duhen ndjekur me kujdes për të vlerësuar drejt rreziqet që çojnë në rritjen e pasurive të patundshme. "Në raportin e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2005, theksohet se ka mospërputhje të rritjes së lartë të çmimeve të shitjes së apartamenteve dhe kostos së ndërtimit, e cila vitin e kaluar është rritur fare pak", vërejti ai. Sipas Fullanit, kjo rritje do të konsumojë paratë e qytetarëve duke paralajmëruar një rënie të ndërtimit vitet e ardhshme.