Re: Kush e lufton korrupsionin?
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka gjobitur 70 zyrtarë për mosdeklarim në kohë
Fshehën pasurinë, gjoba 2 zv/ministrave
Zv/ministri i Bujqësisë, Ndue Preka, dhe ai i Transporteve, Stavri Ristani, gjobiten me 30 mijë lekë
Ened Janina
TIRANË- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive gjobit dy zv/ ministra dhe disa zyrtarë të tjerë shtetërorë, për mosdeklarimin në kohë të pasurive të tyre. Ndue Preka, zv/ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si dhe Stavri Ristani, zv/ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit janë gjobitur dje nga Inspektorati me nga 30 mijë lekë të reja. Ndërkohë, gjoba janë vendosur edhe për tre drejtorë drejtorish; një zëdhënës; një prefekt dhe një ambasador. Lajmi është pohuar dje, nga burimet zyrtare të Inspektoratit. Sipas tyre, në total janë gjobitur 70 zyrtarë të ndryshëm shtetërorë, ku pjesa më e madhe e tyre janë kryetarë komunash. Në listën në fjalë ndodhen edhe emrat disa punonjësve të Tatim- Taksave dhe doganave shqiptare.
***
Më datë 31 mars është mbyllur edhe procesi i deklarimit periodik të pasurive të zyrtarëve shtetërorë, por një pjesë e tyre nuk kanë bërë deklarimet e pasurisë në kohë. Pas verifikimit të informacionit të marrë Inspektorati ka bërë gati edhe masat administrative në drejtim të tyre. Burimet zyrtare të ILDKP-së shpjeguan dje se masat i kanë marrë në bazë të ligjit nr. 9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. “Më saktësisht, neni ku jemi bazuar në vënien e gjobave është neni 44, pika c. Në këtë nen thuhet: për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë”,- thanë dje burimet zyrtare të Inspektoriatit. Në listën prej 70 zyrtarësh shtetërorë që janë gjobitur nga ana e ILDKP-së spikasin e emrat e zv/ ministrave të Bujqësisë, Ndue Preka dhe atij të Punëve Publike, Stavri Ristani. Të dy këta zyrtarë nuk kanë bërë në kohë deklarimin e pasurisë së tyre.
***
Ndërkohë, edhe tre drejtorë drejtorie në Ministrinë e Punëve Publike nuk kanë deklaruar në kohë pasuritë e tyre. Këta janë Gazment Dibra; Ilia Qerfozi dhe Marin Biçoku. Të pestë këta zyrtarë janë gjobitur me 30 mijë lekë të reja, ndërsa zëdhënësi i kësaj ministrie, Gerti Bogdani, nuk ka bërë në kohë deklarimin e pasurisë së tij dhe u gjobit me 25 mijë lekë. Gjoba 25 mijë lekëshe kanë marrë edhe katër punonjës të tatimeve në rrethet Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Lezhë. Gjithashtu janë gjobitur një doganier dhe një specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave si dhe një doganier në Vlorë. Përsa i takon zyrtarëve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë, Inspektorati ka gjobitur vetëm ambasadorin tonë në Maqedoni. Vladimir Prela është gjobitur me 25 mijë lekë të reja, për mosdeklarim në kohë të pasurisë së tij. Gjobë pak më të ulët, 20 mijë lekë, ka marrë edhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera. Gjithashtu, gjobë 20 mijë lekëshe ka marrë edhe Kryetarja e Komisionit Shqiptar të Birësimeve, Teuta Gjokrrushi. Burimet zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pohuan dje se gjoba 20 mijë lekëshe kanë marrë edhe tre punonjës të Hipotekës në qytetet Delvinë, Durrës dhe Pogradec. Ndërkohë, pjesa tjetër e të gjobiturve janë kryetarë të komunave të ndryshme si dhe kryetarët e bashkive Librazhd, Shaqir Kuka e kryetari i bashkisë Rubik, Mark Ruçi.
ZYRTARËT E GJOBITUR
Ndue Preka Zv / Ministër, Ministria e Bujqësisë 30000
Stavri Ristani Zv / Ministër, Ministria e Transporteve 30000
Gazment Dibra Drejtor Ministria e Transporteve 30000
Ilia Qerfozi Drejtor Ministria e Transporteve 30000
Marin Biçoku Drejtor Ministria e Transporteve 30000
Gerti Bogdani Zëdhenës Ministria e Transporteve 25000
Artur Braho P/Policise Tatimore Dega e Tatimeve Gjirokastër 25000
Tefik Alolli P/Policise Tatimore Dega e Tatimeve Korçë 25000
Shkelqim Rama P/Policise Tatimore Dega e Tatimeve Vlore 25000
Gjergj Pergjoka P/Policise Tatimore Dega e Tatimeve Lezhë 25000
Genc Goga Doganier D.P.Doganave 25000
Adrian Godo Doganier Dega e Doganës Vlorë 25000
Vojo Dervishi Specialist D.P.Doganave 25000
Vladimir Prela Ambasador në Shkup M.P.Jashtme 25000
Spiro Ksera Prefekt P.Qarkut Gjirokastër 20000
Teuta Gjokrrushi, Kryetare Kom.Shqiptar i Birësimeve 20000
Saimir Dervishi, Regjistrues ZRRPP Delvinë 20000
Edmond Hoxha Regjistrues ZRRPP Durrës 20000
Sokol Mihali, Regjistrues ZRRPP Pogradec 20000
11/05/2006
KATEGORIA: Kronike nga Tirana
www.shekulli.com.al
-----------------------------------------------