Perkujtohet Tish Daija permes muzikes
Perkujtohet Tish Daija permes muzikes
Është përkujtuar përmes muzikës dhe kompozimeve të tij. Dhe kjo do të ishte edhe mënyra e vetme për të kujtuar një nga emrat më të njohur të artit dhe muzikës shqiptare. Tish Daija, u përkujtua dje në një takim të veçantë mes miq, familjarëve dhe nxënësve të tij. Takimi i zhvilluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë do të sillte edhe
Akademiku, Tish Daija, kompozitor i shquar shqiptar, u nda nga jeta 2 vite më parë, në moshën 78 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Tish Daija është një nga themeluesit e Konservatorit të Tiranës dhe gjithashtu profesor i Kompozicionit në këtë institucion të lartë të arsimit muzikor shqiptar. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 1999, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej viti 2000, si dhe mban titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Tish Daija është laureat i shumë çmimeve të republikës. Për një kohë të gjatë ai ka qenë anëtar i forumeve drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria artistike e këtij artisti të madh përfshin të gjitha gjinitë dhe zhanret muzikore, nga kënga deri të veprat e mëdha vokale, nga tablotë muzikore e deri të veprat skenike, vepra të muzikës së dhomës edhe ato simfonike.
Daija lindi në Shkodër në 30 janar 1926 dhe që në moshën 6-vjeçare u aktivizua në korin Françeskan, që drejtohej nga At Martin Gjoka, ku edhe filloi të studiojë solfezhin dhe violinën. Dy vjet më vonë ai mori pjesë në bandën muzikore të qytetit, drejtuar nga Preng Jakova. Në këtë moshë ai filloi të kompozojë këngë, që kanë mbetur në repertorin e artë të këngës shqiptare, si “Kënga e krushqve”, “Çikë o mori çikë”, “Me lule të bukura”, etj. Në vitin 1946 pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkodër, u emërua mësues muzike në Vlorë dhe në vitin 1950 filloi studimet e larta, për kompozicion në Konservatorin “P.I.Çajkovski” në Moskë. Më pas fillon menjëherë punën, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në Tiranë.
Për afro 20 vjet, nga viti 1963 deri më 1980 Tish Daija ishte udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nën drejtimin e tij, kjo trupë fiton “Gjerdanin e Artë”. Tish Daija është një nga themeluesit e Konservatorit të Tiranës dhe gjithashtu, profesor i Kompozicionit në këtë institucion të lartë të arsimit muzikor shqiptar.
Tish Daija është krijuesi i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”, që u shfaq për herë të parë në vitin 1963. Ai ka shkruar ndër të tjera operetën “Lejlaja”, operën “Pranvera”, baletin “Bijtë e Peshkatarit”, operën “Vjosa”, etj. Nga veprat simfonike mund të përmenden suita “Një ditë paniku”, rapsodia për flaut dhe orkestër “Bjeshkëve të larta”, Koncerti për piano dhe orkestër, Koncerti për violinë, Divertisment për harqe, tri Valle Simfonike, etj. Veprat e tij artistike kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, gjatë turneve në vende të ndryshme të botës.
Tish Daija ka lënë të botuar një libër tepër interesant, “Në skenat e tre kontinenteve”. Me këtë libër nëpër kontinente, nëpër kryeqytete të ndryshme që nga Parisi e deri në Pekin, bota duartroket artin shqiptar, mes çmimeve të shumta një vend të rëndësishëm është edhe “Gjerdani i artë”, trofe e festivalit të madh ndërkombëtar në Dizhon të Francës, në vitin 1970.
e. kaçi