Re: Kosova me tjeter flamur????
Letër e hapur drejtuar presidentit Rugova lidhur me idenë për ndryshimin e simboleve kombëtare!
Dje lexova në faqen informative të internetit "Lajme.Net" (21 dhjetor) se Rugova për herë të dytë është shprehur se "Ne nuk mund të përdorim simbolet e Shtetit të Shqipërisë".
Me thënë të drejtën kur e lexova propozimin e tij për herë të parë si pjestare e kombit shqiptar u revoltova jashtë mase, por më pas duke pasur parasysh moshën e presidentit të nderuar dhe duke menduar se përpara se të shprehej kështu presidenti mund të kishte qenë pjesmarrës në ndonjë festë e ndoshta e kishte tepruar pak me të pirë nuk reagova. Thënia për herë të dytë vërtetoi se presidenti i Kosovës e kishte seriozisht propozimin, një propozim që me të vërtetë mund të quhet tepër absurd, aq më tepër që del nga goja e një presidenti, i cili ka bërë betimin përpara bashkëkombasve të tij se do të mbrojë interesat kombëtare.
Nuk e di nëse Rugovës pas këtij propozimi do ti shkonte ndoshta më shumë për shtati mbiemri "Rugovic", por di faktin se flamuri është simboli i shenjtë i shqipëtarëve dhe se atë nuk guxon ta prekë ose ta marrë nëpërkëmbë as Rugova e askush tjetër. Ndoshta Rugova ka harruar se shqiptarët si në Kosovë, si në Shqipëri, si në Maqedoni, si në Mal të Zi, si në Camëri, në Medvegj, Bujanovc, Preshevë, etj. janë një komb i vetëm nën një gjuhë, nën një flamur dhe kanë vetëm një zemër liridashëse që u rreh. Ndoshta do të ishte e tepërt t´i kujtoja Rogovës se në kohën e Ilirëve fiset ilire (parashqiptare) shtriheshin deri në Danub e më gjerë dhe vendi i tyre kishte një emër të vetëm: "Iliri", se në kohën e Skënderbeut e në c´do situatë të vështirë që kanë kaluar shqipëtarët, përfshirë dhe luftën e fundit në Kosovë (ndërkohë që Rugova për hirë të interesave presonale pranonte cdo propozim në Beograd, ndonëse është detyrë absolute primare e cdo presidenti që për mbrojtjen e interesave të kombit që përfaqëson të japë dhe jetën) ishte flamuri ai që mblodhi të gjithë shqipëtarët në luftën për liri. I frymëzuar nga ai flamur u vra simboli i qëndresës kombëtare Adem Jashari me shokë. Me atë flamur u mbështoll kufoma e tij dhe e mijra shqipëtarëve të tjerë që u vranë për lirinë e Kosovës. Nuk ka shqipëtar që nuk ka në familje relike me simbolin e flamurit, dhe kjo jo për të zbukuruar ambientin, por për tu frymëzuar, për tu krenuar me kombin tonë. Të mohosh simbolin e kombit do të thotë të mohosh identitetin. Kur Rugova shprehet se: "Kosova duhet të ketë simbolet e veta që të jetë anëtare e OKB-së, pra identitetin e saj" unë nuk arrij të kuptoj dot se c´farë nënkupton për Rugovën fjala "identitet" në këtë rast dhe se cili mund të jetë identiteti i kombit shqiptar për Rugovën, po aq sa dhe nuk kuptoj dot se përse Rugova bën diferencime të tilla mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dua t´ju kujtoj zoti Rugova se Flamuri nuk është simbol i shtetit shqipëtar ashtu sic pretendoni ju, por është simbol i të gjithë shqipëtarëve, jo vetëm i atyre që jetojnë në Shqipëri, por kudo ku ata ndodhen, deri në kontinentet më të largëta, e deshët apo nuk deshët ju edhe i Kosovës e i të gjithë shqipëtarëve të Kosovës.
Ky propozim është po aq absurd dhe qesharak sa cdo të ishte (po të imagjinonim) ndonjë propozim nga shqipëtarët që jetojnë në Shqipërinë jugore, veriore, lindore e perëndimore që cdo krahinë e Shqipërisë të kishte flamurin dhe hymnin e vet. A mund të jetë llogjike dhe a mund të imagjinoni që shqiptarët në Maqedoni, Preshev, Bijanovc, Medvegje, etj. të kërkojnë simbole të reja kombëtare me justifikimin për tu njohur si shtet?.
Gjithashtu më cudit shumë fakti se Rugova gjatë gjithë kohës përdor termin "simbole shtetërore" dhe jo "simbole kombëtare". Do të isha shumë kurioze të dija se c´farë nënkupton presidenti me "simbol shtetëror" dhe cfarë me "simbol kombëtar" (ndërkohë që dihet nga të gjithë se flamujt dhe hymnet janë simbole kombëtare). Kudo, në cdo vend të botës përdoren termat "Flamur Kombëtar" dhe "Hymn Kombëtar", por mesaduket sipas llogjikës Rugoviane ka ardhur koha që ato të zëvendësohen me termat "Hymn Shtetëror" dhe "Flamur Shtetëror". Si ju duket?. Ndoshta ndonjë ditë Rugova mund të krijojë dhe simbole institucionale, administrative, ministrore, e budallallëqe të tjera si këto.
Ndër të tjera sipas faqes informative të QIK, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës Rugova është shprehur: "Unë e them në kuptimin amerikan ato janë edhe simbole kombëtare, sepse amerikanët fjalën kombëtare, e përdorin pra nacionale dhe në kuptim shtetëror dhe këto nuk i dëmtojnë simbolet tradicionale, pra që ekzistojnë sot dhe që i përdorin të gjithë shqiptarët". Unë si shqiptare dhe që gjuhën shqipe e di shumë mirë se e kam gjihë të nënës nuk mund ta kuptoj se c´farë ka dashur të thotë Rugova me këtë fjali, por i lutem zotit që këtë mesazh ta kuptojnë amerikanët, e ndoshta dikush prej tyre mund të na e shpjegojë.
Edhe dicka tjetër zoti Rugova në lidhje me hymnin Kombëtar Shqipëtarë të cilin gjithashtu dëshëroni ta ndryshoni!
Ju si president shqipëtar dhe si njeri me kulturë që jeni duhet ta dini se melodia e Hymnit Kombëtar Shqiptar është kompozuar në vitin 1880 nga kompozitori dhe kapelmaestri rumun Ciprian Porumbescu (1853-83), i cili është njëkohësisht dhe autor i Hymnit Kombëtar Rumun (1977), kurse teksti i përket poetit shqiptar Aleksandër Stavre Drenova "Asdreni". U pranua si Hymni Shqiptar në vitin 1912, kur vendi shpalli pavarësinë nga Turqia. Kur u kompozua, melodia e Hymnit fillimisht shoqërohej nga një tekst i vjetër rumun. Pavarësisht se Hymni është krijuar nga një kompozitor rumun, ai ka marrë një formë të plotë nacionale shqiptare dhe është hymn i të gjithë shqipëtarëve pavarësisht ku ata jetojnë. Sipas llogjikës tuaj ne, shqipëtarëve të Shqipërisë nuk duhet të na pranonin në kombet e bashkuara meqenëse autori i hymnit nuk është shqipëtar, por rumun, pra që i përket një shteti tjetër.
Nëse nuk pranon flamurin kombëtar shqipëtar si simbol të kombit, nëse nuk pranon hymnin shqipëtar si hymn i të gjithë shqipëtarëve, atherë rrjedhimisht me dashje ose pa dashje nuk mund të pranoni dhe faktin se shqipëtarët janë pjesë e një kombi, një trungu, një trupi të vetëm, por që armiqtë ndër shekuj i kanë ndarë. Nëse ju zoti Rugova nuk e pranoni një fakt të tillë athere c´mund të prisni nga Kombet e Bashkuara?.
Ndoshta është e tepërt të vazhdoj megjithatë shpresoj në vendimet e popullit të Kosovës dhe jo të një individi.
Për Kosovën nuk ka më kthim mbrapa.
Të jeni i sigurtë zoti Rugova se Kosova do të njihet si shtet duan apo nuk duan Kombet e Bashkuara dhe kjo për të vetmin fakt sepse: ALTERNATIV TJETËR NUK KA.
A.B.S.