Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??
BESA :
Trajneri kryeqytetas i verdhezinjve pranon faktin se nuk ua ka gjetur ende vendin lojtarëve
Sejdini: Ndaj Flamurtarit, vetëm fitore
Nëse dikush nxitoi ta quante humbjen e Besës ndaj Tiranës disfatë të Sejdinit, krejt ndryshe mendon "Xhaxhi". Është vetë trajneri Sejdini ai që gjykon se te Besa nuk është ndier ende dora e tij. "Është e vërtetë, - thotë Sejdini, - që më duhet të njoh aftësitë e secilit futbollist në fillim e më pas të vendos për formacionin që do të hedh në fushë sipas logjikës sime. Edhe pse ekipi nuk është në gjendje optimale, ndaj Flamurtarit do të bëjmë çmos që të fitojmë." Më poshtë, Sejdini shpalos edhe disa nga problemet që ka evidentuar deri tani në ekip:
- Profesor, sa ju ndihmoi ndeshja me Tiranën për të evidentuar dobësitë e ekipit?
- Takimi ndaj Tiranës paraqiti një Besë me dy tablo të lojës së saj. Nëse në pjesën e parë ekipi tregoi se ka mundësi për të arritur rezultate pozitive, falë lojtarëve cilësorë që ka, në të dytën ra viktimë e presionit psikologjik të kundërshtarit. Mbetja me 10 lojtarë në pjesën më të madhe të kësaj ndeshjeje, rënia psikologjike, e gërshetuar me mangësitë fizike të shfaqura, qenë të mjaftueshme për t'ia lehtësuar punën kundërshtarit. Tirana, natyrisht, diti t'i shfrytëzojë mirë dobësitë tona. Faktor tjetër që ndikoi në humbjen e thellë me kampionët në fuqi qe fakti se jo të gjithë lojtarët luajtën aty ku mund të jepnin më shumë. Në këtë pikë duhet të punoj më shumë në seancat stërvitore, sepse akoma nuk i njoh veçoritë e secilit futbollist që stërvis.
- Përmendët mangësi të tilla në skuadër si përgatitje fizike e cunguar, lojtarët jo në rolin e tyre, lojë jo e harmonizuar, etj. A keni besim se do t'ia dilni mbanë me këtë përbërje të Besës?
- Po të mos kisha besim, nuk do të pranoja të vija e të drejtoja Besën. Që ekipi ka shumë probleme, këtë s'mund ta mohoj, por që në ekip ka brumë, edhe kjo është po kaq e vërtetë. Për ta përmirësuar lojën e Besës nuk do të punoj i vetëm në drejtim të saj. Kam kërkuar që drejtori teknik, Bajram Hushi, të jetë në terren, përkrah meje dhe Arkaxhiut. Vetëm kështu mund të punojmë maksimalisht djemtë, që ata të përfitojnë në mënyrë të gërshetuar jo vetëm ngarkesat fizike, por edhe elementët taktikë. Në këto 10 ditë stërvitje shoh një angazhim dhe dëshirë te të gjithë futbollistët, për të zbatuar me fanatizëm çdo detyrë në seancat stërvitore. Këtu buron dhe besimi im. Vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin do t'ia dalim mbanë.
- Këtë të shtunë, përballë do të keni Flamurtarin. A beson trajneri Sejdini në marrjen e fitores së parë në krye të Besës?
- Nuk është Sejdini që beson, por janë lojtarët ata që premtojnë suksesin. E them këtë sepse ekipi tashmë ka më shumë besim te vetja. Ditë për ditë kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë për të korrigjuar defektet e ndryshme të lojës sonë. E vlerësoj egon dhe stilin e veçantë të lojës së Flamurtarit, por njëkohësisht besoj shumë te djemtë e mi, se do të arrijnë fitoren e parë në këtë kampionat. Një fitore e mundshme ndaj Flamurtarit, për mua, përveç vlerës së tri pikëve, do të kishte edhe vlera stimuluese, psikologjike, pasi do ta bindte grupin e lojtarëve për forcën që kanë realisht.
- Kur mund të quhet kjo Besë skuadra e Faruk Sejdinit?
- Realisht, Besa duhet quajtur skuadra ime që kur kam ardhur në krye të saj. Pra, Besa e Sejdinit ishte edhe ajo që humbi thellësisht me Tiranën. Gjithsesi, që të jemi të saktë, vetëm pas 3 apo 4 javësh mund të shihni një Besë ndryshe. Në këtë rast nuk po flas për vete, por, siç e theksova më lart, duhet pak kohë për të bërë "meremetimet" e duhura. Ekipi i ka elementët e duhur cilësorë për të ecur përpara, por ata duhet të disiplinohen taktikisht.
- Sipas jush, kur duhet t'u gëzohen tifozët kavajas rezultateve pozitive të skuadrës së tyre të zemrës?
- Unë kam besim të plotë se, duke filluar nga ndeshja e kësaj jave, ndaj Flamurtarit, do të shihni shenjat e para të rritjes së ekipit. Nëse do fati të kthehemi shpejt në stadiumin "Besa", jua them me bindje se edhe Tirana, Dinamo apo Partizani, e kushdo ekip tjetër, do të dalin kokulur nga ky stadium, ashtu si vite më parë. Besa është si ajo makina që ka pjesë të reja, por që secila duhet të jetë në vendin e saj.
Feriz Ferizaj 'SPORTI SHQIPTAR'