Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??
Nacionali, Pogradeci, Dajti dhe Memaliaj vijnë plot ambicje në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë
Kupa, shansi i madh i inferiorëve
Ekipi i kategorisë së dytë të klubit "Partizani", Nacionali, synon kalimin e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Momentalisht, nën drejtimin e trajerëve Tomorri dhe Shulku, ekipi, që përbëhet kryesisht me lojtarë të rinj të dalë nga Akademia, po stërvitet për të bërë një paraqitje të mirë si në kupë ashtu edhe në kampionatin e kategorisë së dytë. Ndërkohë, drejtuesit e skuadrës shprehen optimistë dhe janë të kënaqur me gjendjen e skuadrës. Sipas tyre, të gjithë lojtarët janë të rinj në moshë, por kushtet ku ata stërviten janë shumë më të mira se rivalet kryesore në Ligën Inferiore. "Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që Nacionali të ecë sa më mirë në aktivitetet e kategorisë së dytë. Momentalisht, synimi ynë është turi i dytë i kupës, ku përballë do të kemi Laçin. Kjo skuadër ka pretendime serioze, por Nacionali do të synojë që të kualifikohet më tej. Jo vetëm kaq, por edhe në kampionatin që do të fillojë në tetor, ekipi ynë synon të zërë vendet më të larta të grupit," - shprehet një ndër drejtuesit e ekipit të Nacionalit, Genci Tomorri. Skuadra e dytë e të kuqve po stërvitet në fushat e kompleksit sportiv "Partizani", ndërkohë që asnjë nga lojtarët nuk e kalon moshën 16-vjeçare.
A. MURAÇI
Pogradeci, trajnerët e rinj me plot ambicie
Mbledhja-maratonë e bordit drejtues nxori dhe stafin e ri që do të drejtojë tashmë ekipin e futbollit të Pogradecit. Ilir Medini dhe Ardian Abazi janë emrat e rinj që morën "çelësat" e futbollit pogradecar. Në mbledhjen e bordit u përcaktuan edhe pagesat për të ardhmen. Pas kësaj, në ekip po kryhet stërvitje intensive, madje që tani te futbollistët vëren dëshirën për lojëra të bukura. Pogradeci ka afruar për të mbrojtur portën portierin maqedonas Dimitrevski. Krahas tyre, janë afruar korçarët Lako dhe Çajku, por po mendohet edhe për ndonjë huazim të ndonjë futbollisti pogradecar në destinacion të afërt në ekipet e prefekturës. Drejtuesit e rinj kanë përcaktuar programin e punës për të ardhmen dhe mendohet edhe për ndonjë përmirësim të mëtejshëm. "Pogradeci do të paraqitet me një pamje ndryshe,- flet për "Sportin shqiptar" drejtori teknik, Aleko Dinaku, i cili sapo ka lënë detyrën e trajnerit.- Do të ballafaqohemi me një futboll ndryshe. Lufta për pikë do të fillojë që në ndeshjen e parë, edhe pse dy takimet e para i kemi jashtë fushës sonë,"- përfundon Dinaku.
Pëllumb Starova
Dajti, me ambicie ndaj Veleçikut
Skuadra e Dajtit, të mërkurën, do të ndeshet në fushën e saj me Veleçikun, ish-rivalen e edicionit të kaluar. Kjo sfidë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë ka ngjallur interes në radhët e tifozërisë vendëse. Genc Xhafa, sekretar i klubit "Dajti", për "Sportin shqipëtar" thotë: "Takimi me Veleçikun parashikohet mjaft interesant, nisur edhe nga fakti se të dy skuadrat kanë qenë rivale në kampionatin e kaluar. Skuadra është e përgatitur për ta përballuar me sukses këtë ndeshje."
Asnjë lajm të ri nuk ka nga skuadra e periferisë të kryeqytetit për afrimin e ndonjë futbollisti të ri. Mësohet se skuadra do ta përballojë aktivitetin e ri me ata futbollistë që luajtën dy takimet e para në turin e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Burrelit.
Nderim GOCI
Memaliaj mendon për perspektivën
Ekipi i Memaliajt ndodhet në kulmin e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Ndonëse me përbërje të re, synimet e tij janë modeste, sepse, siç thuhet, duhet përgatitur një grup lojtarësh, që, për një të ardhme të afërt, të pretendojnë për t'u ngjitur në grupin e ekipeve më të mira. Lidhur me përgatitjet që po bën ekipi, sekretari i klubit, Selami Kocali, do të shprehej se jemi të kënaqur nga grupi i futbollistëve që kemi në dispozicion, por me afrimin e 2-3 lojtaëve të vjetër, qëndrimin në kategori nuk e diskutojmë. "Në fushën tonë do të jemi shumë të fortë. Ekipi po përgatitet dhe për sfidën e së mërkurës me ekipin e Lushnjës për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë,"- thekson Kocali. Sipas tij, këto dy takime do t'i shërbejnë ekipit për të stabilizuar formacionet si dhe për të përfituar nga ekipi lushnjar, i cili me meritë ndodhet në A1. "Ambiciet tona janë modeste,- shprehet Kocali,- megjithëse do të mundohemi të paraqesim vlerat më të mira të futbollit memaliot si dhe mikpritjen tonë tradicionale. Nga takime të tilla, ekipet kanë se çfarë të përfitojnë nga njëri-tjetri. Ne po përgatitemi që këtë takim ta kthejmë në festë të bukur sportive për të gjithë sportdashësit memaliotë."
Roland Suli
Korçarët ndërrojnë stërvitjen e Maqedonisë, duke preferuar 15 ditë në qytetin e tyre
Skënderbeu, grumbullimi në Korçë
Ka vazhduar me intensitet stërvitja në qytetin e Korçës për ekipin e futbollit Skënderbeu, ku të gjithë futbollistët tashmë i janë nënshtruar përgatitjes. Trajnerët Dion Kushe dhe Robert Cingo janë duke përgatitur një fazë përgatitore, që zgjat deri në ditët e para të tetorit, kur fillon dhe kampionati i kategorisë së dytë. Është shuar përfundimisht shpresa e Skënderbeut për një stërvitje të mundshmë prej 15 ditësh në shtetin fqinj, Maqedoni. Vetë trajnerët e Skënderbeut i kanë parë nga afër të gjitha kushtet në shtetin maqedonas dhe kanë vendosur që ekipi i tyre të grumbullohet në qytetin e Korçës. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së parë të kupës (turi i dytë), korçarët do të grumbullohen rreth 15 ditë në hotel "Kristal", ku kushtet janë shumë të mira. Në këtë vend u grumbulluar për disa javë me radhë edhe Teuta e Durrësit, e cila zhvilloi fazën përgatitore në qytetin juglindor. Për të gjitha këto, trajneri i Skënderbeut, Dion Kushe, për "Sportin shqiptar" do të pohonte: "I pashë nga afër kushtet e Maqedonisë dhe në këtë moment më duken më të përshtatshme kushtet në qytetin tonë. Në këtë mënyrë, ne vendosëm që lojtarët të qëndrojnë të grumbulluar në Korçë dhe stërvitjet do të bëhen në ambientet e klubit. Këtë vendim e kam marrë duke biseduar edhe me lojtarët, të cilët kanë qenë në një mendje. Shpresoj që grumbullimi të fillojë menjëherë pas ndeshjes së parë të kupës."
Korçarët nuk do të udhëtojnë drejt Strugës, për të zhvilluar fazën përgatitore të deklaruar prej javësh. Ndërkohë, pas ndeshjes miqësore me Pogradecin, Skënderbeu kishte vendosur që një ndeshje e tillë të luhej edhe në qytetin juglindor, por kjo nuk është arritur pas reshjeve të shumta të shiut, që kanë rënë ditët e fundit. Për sa u përket futbollistëve, asnjë tjetër, përveç rikthimit të Ngjelës, nuk ka mbërritur ditët e fundit, paçka se kërkesat për t'u bashkuar me Skënderbeun janë shtruar nga shumë lojtarë. Ndeshja e kupës me Shkumbinin, të mërkurën e ardhshme, do të jetë tepër e fortë për korçarët, të cilët do të kërkojnë të japin më të mirën në fushën e lojës, përballë një ekipi të kategorisë së parë.
Leonard TREBICKA
Matjanët, porta mbetet bosh
Portieri i ekipit të Burrelit, Kastriot Rama, ditët e fundit është larguar për në qytetin fqinj të Krujës. Këtë e ka bërë të ditur vetë Rama, që ka pasur një karrierë të gjatë në ruajtje të portës së Burrelit. Për "Sportin shqiptar", ai ka theksuar se largimi i tij është diktuar thjesht nga pagesa e mirë që i ka afruar ekipi krutan. Madje, sipas tij, trajneri R. Ndreu dhe presidenti Vogli e kanë bërë të mundur këtë marrëveshje. "Pritja që më bënë në Krujë ka qenë shumë e mirë. Drejtuesit e Kastriotit më kanë kërkuar edhe herë të tjera, por tani u bë i mundur bashkëpunimi,"- thekson Rama. Futbollisti matjan shprehet me keqardhje që po e lë ekipin e vet, por shkak, sipas tij, u bë ana financiare. Burreli vazhdon të jetë pa sponsor, gjë që mund të ndikojë edhe në largimin e futbollistëve të tjerë.
Avni Kërtuka
Tepelena në mëshirë të fatit
Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fillimi i kampionatit kombëtar të kategorisë së dytë, gjendja në kampin e ekipit të Tepelenës sa vjen e keqësohet. Në stërvitje, në stadiumin "Sabadin Shehu", nuk gjen më shumë se 10-11 futbollistë, që të gjithë të rinj, nxënës shkolle. Ata stërviten vetë, sepse, që pas dorëheqjes së trajnerit Qiqi, ekipi është pa trajner. Për situatën e krijuar kërkuam edhe prononcimin e drejtuesve të pushtetit vendor, të cilët nuk mundëm t'i gjenim, pasi që të gjithë janë të mbërthyer nga ethet e zgjedhjeve të pushtetit lokal. Ndonëse ka disa ditë që shefi i klubit, Aleks Ymeri, është vënë në kërkim të një trajneri, përsëri deri tani asnjë specialist nuk ka pranuar ta marrë në drejtim ekipin. Mësohet se ana financiare dhe interesimi i bashkisë është në kuotat zero. Në këto kushte, edhe lojtarët e rinj që stërviten vetë janë të demoralizuar, pasi mungon dhe baza materiale për stërvitje. Në këto kushte, ekipi Tepelenas rrezikon të mos paraqitet denjësisht, ashtu si në disa sezone të shkuara.
Roland Suli
Iliria në kërkim të lojtarëve
Humbjet e pësuara jo vetëm në takimet për kupën, por edhe në disa miqësore, i kanë detyruar drejtuesit e skuadrës së Ilirisë ta hedhin vështrimin për të afruar disa futbollistë cilësorë. Një fakt të tillë e pohon për "Sportin shqiptar" trajneri, njëkohësisht dhe sekretari i klubit, Fatmir Sala. Skuadra e Fushë Krujës u eliminua nga turi i parë i kupës nga skuadra debutuese Nacional dhe tani po stërvit futbollistë të rinj. Duke qenë se kampionati i kategorisë së dytë parashikohet të zhvillohet i fortë, drejtuesit e skuadrës e shohin të arsyeshme që vetëm përforcimi me futbollistë nga kryeqyteti do ta mbajë këtë skuadër në pozitat e pretendentes. "Të tri repartet në skuadër e kanë të nevojshëm përforcimin me futbollistë cilësorë. Mendoj se një gjë e tillë do të zyrtarizohet në ditët e javës së ardhshme,"- thotë Sala.
Nderim GOCI
Ndreu: Kastrioti po forcohet
Skuadra e Kastriotit ndodhet në kulmin e përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri. Gjendja e saj duket mjaft e mirë, në sajë të stërvitjes intensive që po bën. Lajmi më pozitiv që vjen nga Kruja është ai i përfshirjes në skuadër të portierit matjan Kastriot Rama. Në këtë mënyrë, Kastrioti e ka forcuar dukshëm formacionin. Rama ka zëvendësuar patriotin e tij, Beqiri, i cili u largua për t'u aktivizuar me skuadrën e Laçit.
Sipas bisedës me trajnerin e Kastriotit, R. Ndreu, me ekipin krutan ka të ngjarë të afrohen edhe 2-3 futbollistë të tjerë cilësorë, emrat të cilët për momentin nuk mund të bëhen të ditur. Skuadra e Kastriotit ka programur të zhvillojë edhe një takim miqësor të mërkurën, kundër Albpetrolit të Patosit, skuadër kjo që do të konkurrojë në Grupin B2 në kategorinë e dytë.
Nderim GOCI
Beratasit, pas fitores 3-1 ndaj Veleçikut në javën e parë, duan një tjetër sukses në A2
Tomori, tani vështrimin nga Laçi
Tomori e ka nisur bukur kampionatin kombëtar në Grupin A2. Në ndeshjen e parë, në stadiumin "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës, djemtë beratas, të drejtuar nga Theodhori Arbri, kanë koleksionuar 3-pikëshin e parë, duke shënuar plot 3 herë në portën e skuadrës debutuese të Veleçikut. Kjo fitore është konsideruar nga drejtuesit e skuadrës me vlera të dyfishta, pasi ishte takimi i parë dhe ndeshja zhvillohej jashtë fushe, përballë një skuadre të panjohur për beratasit. Tashmë që jehona e fitores është shuar, pasi skuadra sot do të ndeshet në Fier me Çlirimin, për Kupën e Shqipërisë, vëmendja e teknikëve dhe e futbollistëve është përqendruar në takimin e së shtunës, me ekipin e Laçit. Kësisoj, Tomori kërkon vetëm fitore me laçianët, të cilët konsiderohen "kockë e fortë" në Grupin A2. Artur Karaja, sekretar i klubit sportiv "Tomori", shprehet se në ndeshjen e së shtunës skuadra ka rastin të tregojë vlerat përpara tifozerisë së zjarrtë beratase. Duhet të pushojë euforia e fitores me Veleçikun dhe të impenjohemi për t'i marrë 3 pikë Laçit,"- thotë Karaja.
"Kampionati i Grupit A2 në pamje duket i lehtë, por realisht është një maratonë e vështirë, sepse në gjirin e skuadrave luajnë lojtarë cilësorë, të ardhur nga Grupi A1, - thotë për "Sportin shqiptar" gazetari i vjetër sportiv Vlashi Pambuku. - Lojtarë të këtij klasi ka edhe Tomori, si Gjata, Arbri dhe talenti Mile..." Ndërsa e shtuna afrohet, trajneri Theodhori Arbri nuk ka kohë të "shijojë" fitoren. "Kemi bërë një hap, kemi marrë 3 pikë. Me Laçin ka vetëm një rrugë: fitorja." Ndihmëstrajneri dhe portieri i skuadrës, Madrid Muzhai, deklaron: "Ajo që pritej ndodhi. Tomori e nisi startin e fitoreve në Shkodër. Takimi me Laçin do të jetë i vështirë. Edhe ata, ashtu si ne, në javën e parë fituan jashtë fushës së tyre me Besëlidhjen. Eshtë një takim që do ta vlerësojmë seriozisht. Duam vetëm fitore. Edhe barazimi për ne është humbje." Deri të shtunën, Tomori ka kohë të rikuperojë ato dobësi që u vunë re në takimin e parë. Me Laçin pritet jo vetëm spektakël, por edhe fitore.
Rushan Dosti
Pas humbjes në fushën e tyre ndaj Laçit 2-1, në javën e parë të grupit A2
Besëlidhja zhgënjen lezhjanët
Sportdashësit lezhjanë dolën të zhgënjyer nga stadiumi, kur ekipi i zemrës humbi në shtëpinë e vet në ndeshjen e parë të kampionatit. E kishin pritur me shumë interes këtë ndeshje, pasi kishin ndjekur dita-ditës stërvitjen e ekipit. Madje, ishim tepër të kënaqur nga puna e trajnerit Lorenci. Vlerësimi i stafit teknik dhe i futbollistëve për ekipin e Laçit ka qenë maksimal. Madje një ditë para ndeshjes, ekipi është grumbulluar në Shëngjin. Por i gjithë ky vlerësim e përgatitje u shumëzua me zero në ditën e ndeshjes. Besëlidhja u paraqit larg mundësive të veta reale. Një ekip tepër konfuz, me një mbrojtje të pakujdesshme, aq sa ekipi laçian ka rrezikuar tri herë dhe ka shënuar dy gola. Mesfusha vendëse u shfaq e mpirë, e çorientuar, e pasaktë, pa mendim dhe gaboi shumë, si në veprimet sulmuese ashtu edhe në ato mbrojtëse. Kurse sulmi lezhjan thuajse nuk ka funksionuar fare. Perloshi, në mbështetje të dy sulmuesve, u përpoq mjaft. Meritë e tij ishte dhe goli i vetëm i lezhjanëve. Por në raste të veçanta e teproi me veprime individuale, sa që u konsumua shpejt, duke kërkuar edhe zëvendësim në fund të ndeshjes. Efektivieti i veprimeve sulmuese ishte thuajse zero. Besëlidhja kreu volum loje, iu afrua portës mike disa herë, por pa rrezik. Sulmuesit rrezikuan 7-8 herë, por shënuan vetëm një gol. Përgjithësisht, ekipi pati freski fizike dhe e përballoi ndeshjen, duke krijuar epërsi, por, siç theksoi dhe ndihmëstrajneri Hoxha pas ndeshjes, mbrojtja gaboi dhe kundërshtari i ndëshkoi, ndërsa sulmuesit i shpërdoruan në mënyrë flagrante rastet për shënim. Cilësia e lojtarëve që përbëjnë aktualisht Besëlidhjen është varfëruar së tepërmi. Merkatoja nuk është bërë fare, përkundrazi, janë larguar 5-6 futbollistë cilësorë. Ekipit i mungon organizimi dhe pjekuria. Vetëm Perloshi është pak për ta udhëhequr skuadrën drejt suksesit.
Lekë Miraj
Rrogozhinasit analizojnë barazimin "zhgënjyes" ndaj Luftëtarit
Egnatia, "dush" autokritiksh
Rreth 1 orë e gjysmë ka vazhduar "gjyqi" ndaj të gjithëve në analizën që Egnatia zhvilloi pas disfatës me Luftëtarin, kur mori vetëm një pikë. Në shënjestrën e kritikave të trajnerit Branica nuk u përjashtua asnjeri, duke filluar nga portieri Bilica për të përfunduar te veterani Jakupi. Ndërsa tonet e Branicës herë ngriheshin dhe herë uleshin, të gjithë lojtarët nuk kishin as kurajon ta shihnin në sy. Ishin veteranët Jakupi, Bilali e Bano që jo vetëm i aprovuan kritikat e Branicës, por shkuan më tej, duke deklaruar se u takon të parëve të justifikojmë në fund të fundit paratë e marra. E gjithë kjo analizë kaloi sikur Egnatia të kishte humbur me diferencë të thellë. Ky konkluzion del lehtë po t'u referohesh toneve të ngritura të trajnerëve Branica dhe Aliu si dhe heshtjes prej "varri" që mbizotëronte te lojtarët. Në fund të saj u kërkua nga trajnerët që kthesa të ishte e shpejtë, e prekshme dhe mbi të gjitha t'u kthehet qetësia tifozerisë vendëse. Artan Bano, njëri nga "fajtorët", e sheh kështu autokritikën e ekipit. "Sot do të kemi mundësi që ndaj Teutës të shfaqim realisht vlerat tona. Nëse arrijmë të dalim në lojën tonë, besoj se, nisur edhe nga vlerat e kundërshtarit, do të ishte sinjali më i mirë i kthesës."