Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Murati: Një barazim do t'i kënaqte të gjithë


Mesfushori i krahut të majtë i kombëtares shqiptare, Edvin Murati, është i bindur se rezultati i ndeshjes së parë me Gjeorgjinë do të ndikojë edhe në të dytën. Murati ka thënë se në takimin e 6 shtatorit, skuadra kuqezi do ta kërkojë me ngulm fitoren. "Ekipi është përgatitur për ta fituar në ndeshjen e parë. Sigurisht, do të jetë e vështirë, pasi Gjeorgjia është një skuadër me shumë pretendime. Për më tepër, ndeshjen e parë, gjeorgjianët e luajnë në fushën e tyre. Them se do të kënaqemi nëse fitojmë, por edhe nëse ndeshja del në barazim, skuadra nuk duhet të dekurajohet, pasi është rezultat i mirë,"- është shprehur Murati. Sipas mesfushorit të kombëtares kuqezi, shanset që ky ekip të arrijë rezultat të mira janë të shumta, pasi skuadra është e konsoliduar dhe futbollistët, të cilët janë grumbulluar në këtë kombëtare, janë profesionistë dhe kur zbresin në fushën e lojës japin maksimumin. Nga ana tjetër, skuadra ka disa dëmtime serioze, siç është rasti i Skelës, një nga futbollistët më të mirë të ekipit. "Nëse futbollistët riaftësojnë dëmtimet e tyre, do të jetë shumë më e lehtë, pasi nuk do të ketë shumë ndryshime në skuadër," - është shprehur Murati. Më pas, mesfushori kuqezi ka folur edhe për formën e tij sportive, e cila aktualisht është shumë e mirë. "Sapo kam kaluar dëmtimin në shpatull, që nuk më lejoi të grumbullohesha për ndeshjen me Maqedoninë. Jam në formën më të mirë sportive dhe shpresoj të kontribuoj për kombëtaren në ndeshjet me Gjeorgjinë,"- ka vijuar më tej Murati. Mesfushori i kombëtares ka vazhduar, duke thënë se i gjithë ekipi është impenjuar maksimalisht për këto dy ndeshje dhe në fushë do të tregojë vlerat e vërteta. "Kur je në stërvitje është pak më ndryshe, por kur je në ndeshje gjërat ndryshojnë. Të gjithë bëjnë të pamundurën për të luajtur sa më mirë dhe, si rrjedhim, edhe për të fituar. Ne do të bëjmë çdo gjë për të arritur rezultatet e dëshiruara, pra fitoren," - është shprehur mesfushori i Iraklisit. Sipas tij, edhe nëse kombëtarja nuk fiton, e rëndësishme është loja që do të zhvillojë ekipi. Edhe sikur të mos marrim rezultat pozitiv, të paktën të luajmë bukur. Kjo për mua është kryesorja, pasi futbolli duhet të zbavitë edhe publikun, i cili dëshiron të shohë një ndeshje të bukur,"- ka thënë Murati. Për sa i përket ndeshjes me Maqedoninë, futbollisti kuqezi nuk ka harruar të kujtojë se në këtë ndeshje kombëtarja ka bërë paraqitjen më të keqe të saj. "Në atë ndeshje u bënë shumë gabime brenda dhe jashtë fushës së lojës. Eshtë e pafalshme. Shpresojmë që me një rezultat pozitiv në Gjeorgji, mund të ndryshojmë imazhin e skuadrës, pasi jemi po ata, që fituam ndaj Rusisë dhe barazuam me Irlandën,"- është shprehur Murati.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Brigeli: Ekipin e shoh në vështirësi

Ekipi kombëtar gjendet në vështirësi dhe këtë e pohon vetë trajneri gjerman i kombëtares, Hans Peter Brigel. Në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në ambientet e hotel "Chateau Linza", trajneri kuqezi ka folur "pa dorashka" mbi shqetësimet dhe problemet e kombëtares një ditë para nisjes për në Gjeorgji. Brigeli, që në fillim, ka treguar se shqetësimet e tij kryesore janë dëmtimet e disa futbollistëve të ekipit kombëtar. Por gjermani nuk ka harruar të flasë edhe për futbollistët, të cilët kanë refuzuar kombëtaren, duke i quajtur ata jopatriotë. Për sa i përket ndeshjes, Brigeli ka thënë se ekipi nuk gëzon atë gjendje si ajo para dy ndeshjeve me Rusinë dhe Irlandën në mars-prill. Trajneri kuqezi është shprehur se këtë herë ekipi nuk do të luajë si në ndeshjen me Maqedoninë, edhe pse Brigeli këtë miqësore e ka quajtur shumë të vlefshme.
Lala, mungesa që do të ndihet
"Ekipi për momentin ka shumë probleme, që lidhen me dëmtimet dhe formën fizike të futbollistëve,- është shprehur Brigeli.- Duke filluar nga Lala, i cili do të mungojë për një kohë të gjatë në ekip. Eshtë një nga futbollistët kryesorë të ekipit dhe do të jetë shumë e vështirë që Altini të zëvendësohet, pasi nuk ka shumë lojtarë të nivelit të tij,"- është shprehur Brigeli. Sipas gjermanit, edhe shumë futbollistë të tjerë, nuk janë në formën më të mirë sportive. "Duke krahasuar gjendjen para ndeshjes me Rusinë, grupi i tanishëm është shumë larg. Madje ka nga ata futbollistë, të cilët nuk kanë ekip fare dhe gjendja nuk është shumë e mirë. Të tjerë nuk luajnë rregullisht dhe kështu nuk mund të presim më tepër nga ta,"- është shprehur Brigeli. Sipas gjermanit, ekipi kombëtar është në vështirësi të madhe, çka është konstatuar gjatë stërvitjeve që janë bërë në stadiumin "Selman Stërmasi", ku të gjithë futbollistët janë vëzhguar nga afër.
Gjermani: Të pakënaqurit, jopatriotë
"Në kombëtaren shqiptare ka lojtarë, të cilët kanë preferuar të mos vijnë më në ekipin kombëtar. Them se këta futbollistë nuk janë patriotë, sepse në të kundërt do të ishin këtu, për të zhvilluar dy ndeshjet me Gjeorgjinë." Ka qenë kjo kundërpërgjigjja e trajnerit të kombëtares shqiptare për të gjithë futbolistët, të cilët kanë deklaruar se nuk do të jenë më në ekipin kombëtar sa të jetë Brigeli në stol. Me këtë kundërpërgjigje, Brigeli duket se do t'u largohet disi polemikave me futbollistët, duke e kaluar çështjen ndërmjet ngjyrave kombëtare.
Të mësojmë nga miqësorja me Maqedoninë
Duket se miqësorja me Maqedoninë i ka shërbyer trajnerit Hans Peter Brigel. "Nëse do të na ndodhte në Gjeorgji ngjarja e Maqedonisë, do të ishte shumë vonë, pasi do të humbisnim shumë pikë të vlefshme. Në Tiranë mendojnë se ajo ndeshje nuk duhej zhvilluar, por unë jam i mendimit se vleu shumë, pasi u pa që ekipi kishte probleme. Gjithsesi, kritikat nga ana jonë pranohen, pasi në atë ndeshje kemi humbur, ndaj është normale që të ketë edhe diskutime," - ka vazhduar më tej gjermani.
Kuqezinjtë, drejt Tbilisit me 18 vetë
"Skuadra përfaqësuese përbëhet nga 18 futbollistë. Nëse ndodh ndonjë dëmtim, për t'i zëvendësuar "të vrarët" ka shumë pak alternativa. Në këto momente, ekipit i mungojnë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, si Lala dhe Skela, që mund të rezultojnë "thembra e Akilit" për ekipin tonë,"- është shprehur trajneri i kombëtares në konferencën për shtyp. Sipas tij, edhe ata futbollistë që ka pasur ndër mend t'i marrë në ekip si zëvendësues të mundëshëm për të dëmtuarit, kanë qenë jo në formë. Kështu që planet e gjermanit kanë dështuar dita-ditës.
Optimistë, edhe pse me mungesa në prag të Gjeorgjisë
Edhe pse trajneri i përfaqësueses shqiptare ka përshkruar një gjendje të keqe të grupit në prag të ndeshjes me Gjeorgjinë, sërish shpreson te ndonjë mrekulli. "Kemi folur të gjithë bashkë dhe u kam kërkuar futbollistëve të luftojnë në fushë dhe jo të sulmojnë kot, pa logjikë. Megjithatë, jemi të gjithë optimistë. Nuk e di ç'rezultat do të marrim në ndeshjen e parë, por, si kushdo, kërkoj të fitojmë. Nga rezultati i ndeshjes në Gjeorgji do të varet dhe ecuria e ekipit në Tiranë,"- e ka përfundur argumentin në fjalë Brigeli.
Brigeli: E ardhmja? Të shohim
Eshtë treguar diplomat kur është pyetyr nëse e ardhmja e tij do të varet nga dështimet, ose sukseset në ndeshjen me Gjeorgjinë. "Eshtë shpejt të flasim për këtë çështje. Rezultatet e ndeshjeve mund të ndikojnë, por edhe mund të mos jenë faktor për zgjedhjen time për të ardhmen," - është shprehur Brigeli.
Olsi AVDIAJ 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Truri i ekipit kuqezi, deri në minutat e fundit, do të jetë në mëdyshje
Skela, dyshimi i madh i kombëtares
"Ervin Skela, ka 50 për qind mundësi të luajë në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë." Ka qenë vetë Brigeli, i cili e ka zbuluar një fakt të tillë në konferencën për shtyp. Sipas gjermanit, futbollisti kuqezi ka një dëmtim rrëzë kofshës së majtë dhe ndien dhimbje të mëdha. Dëmtimi është pësuar në ndeshjen e fundit, që Eintrahti i Frankfurtit ka zhvilluar për Kupën e Gjermanisë me një ekip amator. "Nëse Skela nuk luan, do të jetë shuëm e vështirë, pasi është një nga lojtarët kryesorë, ose më mirë truri i skuadrës. Po bëhen përpjekje maksimale për ta riaftësuar futbollistin kuqezi, por gjithsesi çdo gjë do të lihet deri për momentet e fundit,"- është shprehur Brigeli. Në fakt, ngjitur me sallën ku po zhvillohej konferenca për shtyp ishte sajuar infermieria kuqezi. I shtrirë në krevat dukej Ervin Skela, i cili prej disa orësh i ishte nënshtruar një terapie. Te koka qëndronte fizioterapisti gjerman Hakim Bulinger. Në dhomën e improvizuar si infiermieri qëndronte edhe mjeku i ekipit kombëtar, Lluka Heqimi, dhe masazhatori Kasa. Për sa kohë që gazetarët qëndruan në hotel, Skelën e vizitoi disa herë trajneri Brigel dhe ndihmësi i tij, Aksel Ros. Madje gjermani nuk ka dashur ta shohë organizatorin të trishtuar, duke bërë disa shaka me lojtarin. Futbollisti dukej që nuk ishte në qejf dhe nuk ka dashur të flasë për shtypin. Ndërkohë, interesimi i stafit kuqezi për vlonjatin ka qenë shumë i madh. Mjeku Lluka Heqimi është shprehur se futbollisti ka një problem serioz në rrëzë të kofshës dhe gjasat që organizatori kuqezi të riaftësohet ekzistojnë, edhe pse Skela ka mbërritur në grumbullim së bashku me një raport mjekësor nga mjeku i skuadrës së Eintrahtit të Frankfutit.
Olsi Avdiaj 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Itinerari i kombëtares

Kombëtarja e Shqipërisë është nisur sot në mëngjes në drejtim të Tbilisit, për të zhvilluar ndeshjen e parë me Gjeorgjinë. Ndeshja, që do të zhvillohet në Tbilisi, është e vlefshme për eliminatoret e Euro 2004-s. Kuqezinjtë janë nisur në drejtim të Gjeorgjisë me një "Charter" të posaçëm, të vënë në dispozicion nga FSHF-ja. Nisja e avionit është bërë në orën 7.55 të mëngjesit, ku së bashku me djemtë e Brigelit ka qenë dhe ekipi Shpresa. Udhëtimi do të zgjatë rreth 4 orë, ndërkohë që kombëtarja do të mbërrijë në Tbilisi në orën 12.00 të mesditës. Menjëherë, kuqezinjtë do të akomodohen në hotel "Meriot". Në orën 18.00 (lokale), futbollistët kuqezinjtë do të zhvillojnë stërvitjen e parë në tokën gjeorgjiane. Më pas, të shoqëruar nga policia, futbollistët e kombëtares shqiptare do të kthehen në hotelin ku janë akomoduar. Sipas planit të hartuar nga vetë Brigeli, edhe më datë 5 shtator kombëtarja do të zhvillojë një stërvitje pasdite. Por këtë radhë kuqezinjtë do të njihen me terrenin e stadiumit "Boris Paçaixe", ku më datë 6 shtator, ora 17.00, me orën tonë, do të luhet ndeshja Gjeorgji-Shqipëri. Brigeli ka programuar një ditë pas ndeshjes një tjetër stërvitje në Tbilisi, pak minuta para se skuadra të fluturojë drejt Tiranës, për ndeshjen e dytë me gjeorgjianët.

Dëmtimet në kombëtare anulojnë miqësoren
Dje, pas konferencës për shtyp, është mësuar se trajneri Brigel ka anuluar miqësoren që kuqezinjtë do të zhvillonin me ekipin përfaqësues të 19-vjeçarëve. Shkak për këtë anulim të kësaj ndeshje janë bërë dëmtimet e shumta të futbollistëve kuqezinj. Këtë lajm e ka konfirmuar edhe shefi i sektorit të ekipeve kombëtare, Besnik Çela. Sipas tij, ka qenë vetë trajneri gjerman që ka vendosur të mos e zhvillojë këtë miqësore me skuadrën e Ramadan Shehut, pasi nuk ka pasur shumë futbollistë në dispozicion. Kështu, ekipi kuqezi ka zhvilluar një ndeshje mes vetë futbollistëve kuqezinj në stadiumin "Selman Stërmasi".

Kombëtarja, stërvitje me dyer të mbyllura
Seancën e fundit stërvitore në Tiranë, kombëtarja shqiptare e ka zhvilluar me dyer të mbyllura. Shkak për këtë vendim duket se është bërë vetë trajneri Brigel. Gjermani ka dashur që asnjëri të mos shohë formacionin e parë, që ai do të hedhë në fushën e lojës, kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë, trajneri i kombëtares ka provuar në fushë edhe ata lojtarë, të cilët do të zëvendësojnë Lalën, Beqirin dhe Skelën, nëse ky i fundit nuk rikuperohet për ndeshjen e parë me Gjeorgjinë.
O.A
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Fortuzi: Unë, larg Fortuzit që njihni

Në dy sfidat e para të kampionatit, ndaj Lushnjës dhe Flamurtarit, sulmuesi bardheblu Indrit Fortuzi e ka gjetur tri herë rrugën e rrjetës. Afërsisht një gol e gjysmë për ndeshje, duke treguar se në këtë sezon të ri Tirana do të ketë që në start mbështetjen e një prej goleadorëve më të mirë të historisë së saj. Kampionati i kaluar e pa më shumë jashtë fushe Indritin, si rrjedhojë e një dëmtimi në kofshë. Tanimë që është rikthyer, bardheblutë do ta kenë më të lehtë rrugën drejt trofeve kombëtare. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", "Zogu" deklaron se nuk është në 100 % të formës së tij më të mirë, por beson se shumë shpejt do të rikthehet si dikur, ndoshta edhe me 30 gola për sezon. Kjo me të vetmin qëllim për ta parë Tiranën në elitën e futbollit shqiptar.
- Indrit, pas një sezoni të mbushur me dëmtime, riktheheni si protagonist në kampionat, ku në dy ndeshje keni shënuar tre gola. A mund të themi me plot gojën se jeni rikthyer ai i dikurshi?
- Jo, një gjë të tillë nuk mund ta them, pasi e ndiej vetë që jam larg atij Fortuzi që njihni. Nuk është e lehtë të rikthehesh dhe të luash pas një dëmtimi të gjatë, si ai që vuajta sezonin e kaluar. Megjithatë, nga dita në ditë po shoh një ngritje në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik. Më duhet pak kohë në dispozicion dhe të luaj sa më shumë për të rifituar formën më të mirë.
- Sezonin e ri Tirana e ka nisur me fitimin e Superkupës dhe dy ndeshjeve të para jashtë fushe, ndaj Lushnjës dhe Flamurtarit. Si do ta komentonit këtë sukses?
- Më se të merituar. Këtë vit, ndryshe nga dy të mëparshmit, nisemi nga një "pole position", si kampionë në fuqi, çka është një favor për ne. Deri tani mund të themi se e kemi nisur me këmbën e mbarë edicionin e ri, megjithatë nuk do të thotë se këtu gjithçka ka përfunduar. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne kemi luajtur 2 prej 36 ndeshjeve.
- Cili është mendimi juaj në lidhje me strukturën e re të kampionatit?
- Ideja për të luajtur në katër faza me nga 10 skuadra, në pamje të parë të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një kampionat të fortë. Me sa po shoh në këto dy javë, me bindje mund të them se ky është një ndër kampionatet më të dobëta. Skuadrat kundërshtare nuk po na rivalizojnë dhe na japin mundësi të shënojmë shumë gola. Ndoshta problemet financiare që po has futbolli shqiptar po lënë gjurmët e tyre pas.
- Po Tirana e sivjetme, a mund të quhet më e fortë se e vitit të kaluar?
- Besoj se po. Kjo skuadër e tanishme ka një favor ndryshe nga të tjerat, sepse arriti të ruante grupin e futbollistëve, me të cilët u shpall kampione. Normalisht, ne e njohim mirë lojën e njëri-tjetrit dhe kuptohemi mirë në fushë. Kjo është meritë në radhë të parë e presidentit dhe më pas e stafit drejtues, të cilët vit për vit kërkojnë të bëjnë më të mirën për klubin "Tirana".
- Cilët mendoni se do të jenë skuadrat që do t'jua ndalin vrullin drejt trofeve kombëtare?
- Do të jetë e vështirë që ndonjë ekip të na e bëjë një gjë të tillë, megjithatë besoj se Partizani dhe Dinamo do të përpiqen të na pengojnë. Sfidat direkte me ta do ta përcaktojnë më mirë se kush e meriton ta fitojë kampionatin dhe kupën.
- A do të kërkoni këtë kampionat që të shpalleni golashënuesi më i mirë, pas një viti mungesë?
- Parësore për mua është që të shënoj sa më shumë gola për Tiranën, pasi ky është roli im. Më pas, nëse do të më jepet mundësia, do të kërkoja që ta fitoja. Dua që çdo trofe që ekziston në Shqipëri të bëhet pjesë e klubit tim.
- Ekziston rivalitet ndërmjet jush dhe Halili për t'u shpallur "Këpuca e artë" e sezonit?
- Jo, nuk ka përse. Edhe po nuk e fitova unë dhe e fiton Halili, e rëndësishme është që trofeu i "Këpucës së artë" t'i përkasë një lojtari bardheblu. Mos harroni se në sulmin e Tiranës është edhe Fjodor Xhafa, i cili i ka mundësitë për ta bërë të tijin këtë trofe. Unë me Halilin do ta ndihmojmë që ta provojë ta fitojë, pasi e meriton.
Aurel CELIBASHI 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TIRANA.
Tirana fiton 1-0 ndaj Shpresës
Bardheblutë fitojnë minimalisht 1-0 ndaj ekipit Shpresa, në një ndeshje miqësore. Golin e vetëm për kampionët e ka shënuar i përhershmi Mahir Halili. Edhe pse e ka nisur takimin nga stoli, dibrani e ka gjetur rrugën e rrjetës, duke konfirmuar më së miri formën e shkëlqyer që po kalon. Ndeshja është luajtur në kompleksin sportiv "Dinamo" dhe jo në stadiumin "Selman Stërmasi", në orën 16:00. Tirana vinte në këtë miqësore me mungesa të shumta, pasi 5 lojtarë të saj janë të grumbulluar me kombëtaren. Megjithatë, tekniku Mema e kërkoi këtë ndeshje për të mbajtur në tonus futbollistët e tij, pas ndërprerjes njëjavore që i është bërë kampionatit. 11-shi i parë që zbriti në fushë ishte: Hidi, Hajdari, Pinari, Muça, Tafaj, Patushi, Prenga, Sina, S.Bulku, Merkoçi dhe Fortuzi. Më pas, në pjesën e dytë, u aktivizuan Halili, Xhafa, Egbo dhe disa prej lojtarëve të ardhur nga ekipet zinxhirë të Tiranës. Ndërkohë, për Shpresën, e drejtuar nga trajneri Hasan Lika, luajtën këta futbollistë: Dine, Ndreka, Sheta, Xhafa, Tetova, Agolli, Allmuça, Xhihani, Muzaka, Rizvanolli, Deliallisi. Loja ka qenë e ashpër nga të dyja palët dhe me disa raste për shënim, por në formë ishin edhe portierët respektivë. Për Shpresën kuqezi, ky qe testi i fundit në pragpërballjen me gjeorgjianët. Ndërsa Tirana do të ketë një takim tjetër miqësor me ballshiotët e Bylisit, ditën e shtunë, në përgatitjet e fundit për javën e tretë të kampionatit.
A.CELIBASHI 'S.P'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

FLAMURTARI :
Detyrimi financiar i klubit vlonjat të futbollit kundrejt FSHF-së mbulohet nga pushteti vendor
Bashkia paguan detyrimet e Selamit
Siç dihet nga mbarë opinioni sportdashës, Flamurtari rrezikohej seriozisht për të mos marrë pjesë në Grupin A1, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare ndaj FSHF-së. Ky detyrim, sipas komitetit ekzekutiv të FSHF-së, duhej të paguhej nga presidenti Selami. Mirëpo kjo shumë prej 1.8 milionë lekësh nuk është shlyer nga ai. Në vorbullën e shqetësimit për masat që do të merrte FSHF-ja për skuadrën është ingranuar edhe financierja e Flamurtarit, Lola Muço, e cila është interesuar te disa biznesmenë të qytetit për të marrë një borxh të tillë, me të drejtë kthimi. Biznesmenët, të cilët e njihnin mirë këtë shqetësim, nuk janë treguar dashamirës. Të detyruar, administratorët e bashkisë kanë manovruar dy ditë përpara se skuadra të udhëtonte drejt Elbasanit dhe kanë shlyer përmes urdhër-xhirimit të bankës amerikane borxhet ndaj FSHF-së. Sekretari i klubit të futbollit vlonjat, Hajri Hasanaj, në lidhje me këtë problem, është shprehur: "Me fondet që na dha bashkia kemi shlyer detyrimin financiar ndaj FSHF-së." Nga ana e saj, financierja Muço sqaron më konkretisht: "Kemi hequr mënjanë nga fondi i trajtimit ushqimor të futbollistëve shumën e kërkuar nga FSHF-ja. Në kohën kur ky institucion do të lëvrojë për ne fondin prej 1 milion lekësh të reja, ne do ta kompensojmë shumën e tërhequr nga arka e futbollit." Siç dihet, fondi prej 1 milion lekësh, që do të xhirojë FSHF-ja në numrin e llogarisë së administratës së Flamurtarit, është llogaritur për pagat e futbollistëve. Në fakt, ky problem është paksa i koklavitur, jo vetëm për ndërhyrjet spektakolare në "zërat" financiarë, por edhe për zvarritjet e vonesat që krijohen nga lëvizjet e xhirimeve financiare ndërmjet institucioneve.
Drejtuesit e bashkisë në këtë drejtim bëjnë rolin e të paditurit. Vetë drejtori i financës së bashkisë, Taulla Zanaj, tek i cili u paraqitëm me rekomandimin e kryetarit Veizaj, është shprehur: "Unë nuk di asgjë për këtë veprim që ka bërë Hasanaj e Muço. Gjithsesi, nëse do t'i zëvendësojnë lekët e trajtimit ushqimor të lojtarëve, kjo nuk krijon ndonjë shqetësim."
Kastriot Brahimi 'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

FLAMURTARI :
Veizaj: Të ardhurat e biletave i takojnë bashkisë
Nëpërmjet informacioneve të besueshme nga stafi drejtues i Flamurtarit, mësohet se kryetari i Bashkisë së Vlorës, Niko Veizaj, ka urdhëruar që të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjeve të kampionatit të kalojnë në numrin e llogarisë së pushtetit lokal. I kujtuar si "kofini pas të vjelave", Veizaj ka anuluar një urdhër verbal të dhënë prej tij para 1 viti, sipas të cilit të ardhurat nga shitja e biletave duhej t'i përfitonte presidenti Selami. Pas ndeshjes së javës së dytë të kampionatit të ri kombëtar, sekretari Hasanaj ia ka komunikuar këtë urdhër presidentit Selami. Mirëpo ky i fundit i ka futur lekët në kasafortë dhe e ka kundërshtuar urdhrin e kryebashkiakut. Në lidhje me këtë kontradiktë, flet financieri i bashkisë, Taulla Zanaj: "Në arkën e Bashkisë së Vlorës nuk është futur asnjë qindarkë nga të ardhurat e shitjes së biletave të ndeshjeve të Flamurtarit. Madje, për çdo sezon, nga financat e bashkisë kanë dalë afro 10 milionë lekë (të reja) për skuadrën e futbollit." Nga ana e tij, sekretari Hasanaj, duke folur për rastin konkret, shprehet: "Ia kam komunikuar urdhrin e eprorëve bashkiakë presidentit, por Selami më ka thënë se nuk e ka marrë një urdhër të tillë."
Kësisoj, ky problem ka mbetur pezull, pasi, sipas drejtorit të financës, Zanaj, kryetari Veizaj ka caktuar nënkryetarin Hekurani që të bisedojë me Selamin, jo vetëm për çështjen e biletave, por edhe për probleme të tjera.
Kastriot Brahimi 'S.SH'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

SHPRESA E SHQIPERISE :
Trajneri i Shpresës kërkon nga skuadra rezultat pozitiv
Lika: Në Gjeorgji për pikë
Trajneri i përfaqësueses Shpresa, Hasan Lika, është optimist para nisjes për në Gjeorgji. Edhe pse në skuadra në trasfertën gjeorgjiane nuk do të ketë disa futbollistë të formacionit të parë, sërish qëllimi është i qartë: të marrë pikë. "Dihet që ne luftojmë të mbajmë vendin e tretë në renditjen e grupit tonë. Ekipi kundërshtar është shumë i fortë, por edhe skuadra jonë është përgatitur seriozisht për këtë ndeshje dhe ne kemi synim të marrim sa më shumë pikë,"- është shprehur Lika. Trajneri i Shpresës ka vazhduar më tej, duke thënë se dëmtimet e disa futbollistëve janë njëra anë e medaljes. "Kemi shumë lojtarë të dëmtuar, si Bulku, Alikaj, e ndonjë tjetër, që nuk është paraqitur në grumbullim. I zëvendësuam me lojtarë të tjerë dhe them se çdo gjë është në rregull,"- ka vazhduar më tej Lika. Sipas tij, ndeshja e kampionatit i ka prishur shumë plane gjatë këtyre ditëve të stërvitjes. Për sa i përket ndeshjes me Gjeorgjinë, trajneri Lika, veç rezultatit, nuk harron të kujtojë edhe lojën e bukur që duhet të zhvillojë ekipi i drejtuar nga ai. "Të luajmë mirë dhe me personalitet, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, kur kemi fituar, është një tjetër qëllim yni. Kemi një grup të mirë futbollistësh, të cilët kanë treguar se janë në lartësinë e duhur. Janë futbollistë që mund të jenë shumë mirë edhe pranë kombëtares së Brigelit,"- ka vijuar më tej ai. Gjithsesi, sipas tij, futbollistët që janë kandidatë për kombëtaren, nuk duhet të kënaqen me kaq, pasi për të qenë titullar në ekipin e parë duhet shumë punë. Shpresa ka zhvilluar po dje një miqësore me kampionen e Shqipërisë, Tiranën, ku është mundur me rezultatin e ngushtë 1-0. Lika ka hedhur në fushën e lojës këta futbollistë: Dine, Ndreka, Sheta, Xhafa, Tetova, Allmuça, Muzaka, Deliallisi, Xhihani, Rizvanolli dhe Agolli. Madje, kjo 11-she mendohet se do të jetë dhe skuadra që do të përballet me Gjeorgjinë më 6 shtator.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Presidenti i Federatës Gjeorgjiane të Futbollit drejton edhe ekipin kombëtar
Gjeorgjia, me probleme ndaj Shqipërisë

Nga Driton Latifi
Kundërshtari i Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2004-n, Gjeorgjia, po përballet me probleme të ndryshme. Kombëtarja gjeorgjiane, në ndeshjet me shqiptarët do të drejtohet nga kryetari i federatës së tyre, Merab Zhordania, gjë që ka shkaktuar reagim të madh te tifozët e kësaj kombëtareje.
Madje, nëpërmjet një faqeje interneti, shoqata e tifozëve të kombëtares së Gjeorgjisë ka ftuar përkrahësit e saj që në ndeshjen me Shqipërinë të shpalosin në stadiumin e Tbilisit pankarta kundër presidentit-trajner.
Zhordania, 42-vjeçar, do të zëvendësojë trajnerin kroat Ivo Shushak, i cili dha dorëheqjen, për t'u koncentruar në punën e tij te Dinamo e Tbilisit, skuadër që në turin e parë paraeliminator të Ligës së Kampionëve u eliminua nga Tirana.
"Në këtë situatë të krijuar, federata dhe unë personalisht marrim mbi vete të gjithë përgjegjësinë për rezultatet e kombëtares deri në fund të fazës kualifikuese,"- ka deklaruar Zhordania. Gjeorgjianët, edhe pse janë të fundit në grupin e 10-të kualifikues, mendojnë se shpresat e tyre për kualifikim nuk janë shuar. "Ekziston ende rasti për t'u kualifikuar për në Euro 2004, prandaj do të luftojmë deri në fund. Nuk e mohoj faktin se fati i vendit të dytë do të vendoset mes nesh dhe Rusisë në ndeshjen e tetorit, në Moskë," - ka shtuar presidenti trajner. Kombëtarja gjeorgjiane është e renditur më lart se ajo shqiptare në renditjen mujore të FIFA-s dhe UEFA-s, duke gëzuar një bilanc më pozitiv nga takimet e mëparshme. Në radhët e gjeorgjianëve, disa futbollistë luajnë me ekipe të njohura evropiane, si Kalaxe te Milani, Shota Arvelaxe te Rejnxhërsi i Skocisë, si dhe disa lojtarë të tjerë në kampionatin gjerman, ku duhet dalluar Fraiburgu, si "koloni" e tyre.

'Sporti Shqiptar'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Lorik Cana synon të jetë titullar në Kombëtare

Futbollisti kosovar, Lorik Cana, lojtari i fundit i ftuar në Kombëtaren Shqiptare, pret dy takimet e fundit për të arritur përfundimisht ëndrrën e tij për të qenë titullar në Kombëtaren Shqiptare. 20-vjeçari i Paris Sen Zhermenit, mund të luajë një rol të rëndësishëm në dy takimet e radhës, për arsye të mungesës së Altin Lalës. Megjithatë ai preferon të flasë në përgjithësi për këtë përfaqësuese. Lojtari më i ri i Kombëtares Shqiptare, do të mbetet sërish tek Paris Sen Zhermeni, ndonëse klubi e kishte nxjerrë në listën e transferimeve. Ai luajti në takimin e fundit të klubit parizien në kampionatin francez ndaj Monpelliesë. Cana, nga ana tjetër, i është rikthyer rolit të tij si mesfushor qendre, pasi trajneri i Paris Sen Zhermenit, Halilhodzhiq e kishte provuar si qendërmbrojtës

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Franca pranë portugalisë. Italia, Gjermania, Anglia e Spanja në vendet e dyta. Rreziku më i vogël për këto skuadra është “play-off”-i.


Gjigantët në ethet e Euro-2004.

Eliminatoret hyjnë në fazën përcaktuese: 40 ndeshje për të shtunën e të mërkurën

Kampionia në fuqi e kontinentit, Franca, do të bëhet skuadra e parë që kualifikohet për në finalet e "Euro 2004", në qoftë se të shtunën mund në Paris Qipron dhe rezultatet e tjera ecin në rrugën që dëshiron skuadra e trajnerit Zhak Santini. Pas një fushate tramautike në finalet e Botërorit-2002, kur "blutë" dorëzuan trofenë e kampionit të botës, duke u eliminuar qysh në turnin e parë, Franca pati një rrugë impresive në eliminatore: pesë ndeshje, pesë fitore.
“Skenari”
Por kampionia e Evropës, praktikisht është midis 16 skuadrave finaliste në "Euro 2004", duke ardhur menjëherë pas Portugalisë, që si vend organizator është kualifikuar automatikisht. Franca mund ta konfirmojë "de fakto" veten si finaliste, në qoftë se mund Qipron në “Stade de France”, gjë që pritet dhe Sllovania e vendit të dytë nuk arrin të fitojë në fushën e saj me Izraelin. Turneu kualifikues për finalet e "Euro 2004", hynë në javën përcaktuese, ku për përreth kontinentit do të luhen në hapësirën e katër ditëve, nga e shtuna në të mërkurën, 40 ndeshje. Ndërsa asnjë skuadër nuk mendohet që të shtunën në mbrëmje të mbyllë llogaritë e kualifikimit, e mërkura e ardhshme mund ta ketë këtë mundësi.
Rreziku i gjigantëve
Italia, nënkampion e Evropës, një edicion më parë është një nga skuadrat potenciale të kontinentit. Por ndeshjen e të shtunës e fillon në vendin e dytë dhe duhet të fitojë dy ndeshjet për të marrë kryesimin e grupit. Gjermania, Anglia dhe Spanja, të gjitha në vendet e dyta, kanë nevojë vetëm për alternativën fitore, që katër ditët për dy ndeshje, që të mendojnë për progresin e tyre. E keqja më e vogël për këto skuadra është që të shtyhen drejt asaj që bëhet shumë rrezikuese: ndeshjeve të “play-off”-it. Italia
Italia me një shtysë morale pas fitores 1:0 në ndeshjen e fundit miqësore me Gjermaninë në Shtutgard takohet me liderin e grupit 9, Uellsin në Milano, duke kërkuar njëkohësisht dhe revanshin për humbjen e pësuar në Kardif, në ndeshjen e parë, 1:2. Uellsi e startoi këtë fushatë me katër suksese radhazi, por ndërlikoi situatën me humbjen 0;1 me Serbi & Mal i Zi, në Beograd më 20 gusht. Megjithatë mbetet në pozicion të fortë. Italia vlerësohet si favorite në këtë ndeshje, por trajneri i Uellsit, Mark Hjuxh dhe futbollistët e tij nuk do e dorëzojnë lehtë lojën. Italia do ta ketë të vështirë që të marrë fitoren dhe tre pikët. Dhe
Gjermania
Gjermania është në një pozicion jo familjarizues, duke qenë në vendin e dytë, në një grup (5) me vende futbolli të dorës së dytë. Por është Islanda që ka marrë kryesimin në grup, pasi mundi muajin e kaluar Ishujt Faroe, një pikë më shumë se Gjermania. Por Gjermania mund të kthehet në kryesimin nëse në vizitën që i bën Islandës në Rejkjavik do të jetë e suksesshme për skuadrën e Fëlerit. Dhe fitorja katër ditë më pas suksesi i dytë me Skocinë e trajnerit gjerman, Berti Vogst i siguron kualifikimin Gjermanisë.
Anglia
Anglia, gjithashtu është në vendin e dytë, në grupin 7, dy pikë më poshtë se Turqia, megjithëse skuadra e trajnerit suedez Erikson ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Anglia ka një ndeshje të vështirë në Shkup me Maqedoninë, me të cilën e ka barazuar ndeshjen e parë, 2:2. Megjithatë mendimi është se Anglia mund ta kalojë me sukses ndeshjen. Spanja është në një pozicion të pazakontë, pasi problemi i kualifikimit ka qenë zgjidhur me lehtësi. Por tani gjithçka në kualifikimin e drejtpërdrejtë është në duart e Greqisë. Skuadra që drejtohet nga gjermani Rehagel kalon në finale, nëse fiton të dyja ndeshjet: me Armeninë në Erevan të shtunën dje katër ditë më pas me Irlandën e Veriut.
Grup tërhehës
Një skenar tërheqës krijohet në grupin 3, ku skuadra çeke dhe ajo holandeze me 13 pikë, por që ndahen midis tyre për shkak të golaverazhit, do të takohen të Mërkurën e ardhme në Pragë. Të dyja skuadrat mendohet që të fitojnë ndeshjet e Shtunës, Holanda me Austrinë dhe Çekia me Bjellarusinë. Për të disktuar pastaj midis tyre, të mërkurën e ardhshme, ndeshjen që do të përcaktojë vendin e parë në grup. Trajneri i Holandës, Dik Advokat nuk ka përfshirë në skuadër dy veteranët, mesfushorët Ronald de Boer dhe Klarens Sedorf.

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Edhe rri edhe s'rri

TIRANE- Trajneri i kombëtares sonë Hans Peter Briegel ka lënë gjithçka të hapur lidhur me vazhdimin e kontratës së tij me ekipiun tonë pas dy ndeshjeve me ekipin e Gjeorgjisë. I pyetur nëse këto dy ndeshje do të vendosnin fatin e tij në krye të stolit kuqezi ai është shprehur se mundet po, mundet jo. Në këtë mënyrë gjermani duket se është në të njëjtën linjë me presidentin e Federatës, Armando Duka, i cili ka thënë se vetëm pas këty dy ndeshje do të vendoset nëse Brigel do të qëndroj edhe për eleminatoret e kupës së botës ose jo.

'Tema'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Çipi pranë rekuperimit. Më pak entuziaste gjendja e Skelës, i cili ka dhënë shenja përmirësimi, por që akoma nuk mund të flitet me siguri për aktivizim të tij të shtunën

Shqipëria nis aventurën gjeorgjiane

Kombëtarja dhe Shpresa kanë udhëtuar dje me “Charter” drejt Republikës së ish-BS-së

Nga Altin Manallari

“Count Doun” fillon të bjerë. Gjeorgji-Shqipëri duket akoma më afër, ndërkohë që të dy kombëtaret vazhdojnë të jenë në “bokse”, duke pritur me ankth zbritjen në fushë. Pikërisht rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm, Kombëtarja dhe Shpresa të shoqëruar dhe nga disa prej zyrtarëve më të lartë të FSHF-së kanë dhënë dritën jeshile për aventurën gjeorgjiane të kuqezinjve. Një avion “Charter” ka mbajtur në bord shqiptarët, të cilët brenda tre orëve udhëtimi kanë mbërritur në kryeqytetin e Republikës së ish-Bashkimit Sovjetik, Tbilis. Pas zbritjes në aeroportin gjeorgjian delegacioni shqiptar është akomoduar në hotelin luksoz “Merliot”, sikurse ka bërë të ditur vetë shefi i sektorit të garave Besnik Çela. Sipas një plani paraprak në FSHF para nisjes, në orët e pasdites së djeshme, kuqezinjtë kanë zbitur në fushën gjeorgjiane për të zhvilluar një seancë stërvitore. Këtu, Kombëtares do t’i bashkohen edhe Tare dhe Shkëmbi. Ndërkohë që edhe sot trajneri Brigel ka programuar një tjetër stërvitje, e cila do të jetë dhe e fundit para ndeshjes së të shtunës që do të luhet pasdite rreth orës 17:00. Takimi i të shtunës do të jetë një sfidë tepër e rëndësishme si për gjeorgjianët ashtu edhe për ne. Përveç luftës sportive që do të përballë në fushë dy kombëtare të të njëjtit nivel, të dy palët pothuajse pa pretendime përsa i përket kualifikimit për në finalet e kampionatit europian që do të zhvillohet në vitin 2004 në Portugali, pretendojnë të grumbullojnë pikë të rëndësishme për renditjen e FIFA-s. Një rreze shprese për shqiptarët drejt Portugalisë ekziston, por që ajo të realizohet, do të duhej dora e një mrekullie. Megjithatë kuqezinjtë duhet t’ia bëjnë “hyzmetin”. Për Brigelin këto dy ndeshje janë tepër të rëndësishme, pasi sikurse ka lënë të kuptohet kohët e fundit, praj tyre do të varet dhe ae ardhmja e tij në stolin kuqezi. Megjithse me shumë lojtarë të dëmtuar në dispozicion trajneri gjerman, ka premtuar se do të zbresë në fushë një 11-she e cila do të japë maksimumin e saj. Lajme të mira për kanë mbërritur në mengjesin e djeshëm: Dy futbollistët shqiptarë të Eintrachtit të Frankfurtit Skela dhe Çipi janë në prag të rekuperimit. Përsa i përket mbrojtësit gjigant të kombëtares kuqezi, forma e tij është shumë pranë asaj optimale dhe me dy stërvitjet që do të zhvillohen në Gjeorgji para ndeshjes, ai mendohet të jetë 100 për qind. Më pak entuziaste duket gjendja e Skelës, për të cilin janë parë shenja të një përmirësimi, por që akoma nuk mund të thuhet me siguri për një aktivizim të tij të mundshëm në ndeshjen e të shtunës.

'Shekulli'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

Nga i dërguari ynë në Tbilisi, Bashkim Tufa

Dy përfaqësueset tona në futboll, që prej mesditës së djeshme, janë vendosur në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi
Kombëtarja, gati Çipi dhe Skela


Mesditën e ditës së djeshme, dy përfaqësueset shqiptare në futboll, kombëtarja dhe ekipi Shpresa, të shoqëruara edhe nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, shto këtu disa gazetarë të mediave të ndryshme të vendit tonë, kanë shkelur në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi. Fatmirësisht, ai i ditës së djeshme ka qenë një udhëtim pa probleme. I tërë kampi kuqezi është nisur me çarterin e posaçëm nga aeroporti i Rinasit në orën 9.00 të mëngjesit, për të mbërritur në destinacion, në Tbilisi, pas 3 orësh udhëtim, pra në orën 12.00. Interesant ka qenë fakti që trajneri gjerman i kombëtares sonë ka këmbëngulur me forcë që me futbollistët të mos qëndrojnë njerëz të tjerë. Gjermani ka toleruar vetëm në një pikë, teksa ka pranuar që ata pak gazetarë që kanë fluturuar drejt Tbilisit, të qëndrojnë në bordin e avionit të kombëtares. Gjithashtu, pala vendëse, ajo gjeorgjiane, i kishte marrë të gjitha masat për ta pritur që në aeroport delegacionin shqiptar dhe kombëtaren tonë. Në dispozicion të delegacionit shqiptar, për të udhëtuar nga aeroporti i Tbilisit drejt hotelit "Meriot", ishte vënë autobusi i Federatës Gjeorgjiane të Futbollit dhe një furgon shtesë. Procedurat e zakonshme të pikës doganore në aeroportin e Tbilisit nuk kanë zgjatur shumë dhe gjithçka ka shkuar si jo më mirë. Stafi kuqezi i kombëtares është sistemuar menjëherë në hotelin "Meriot", me 5 yje, ndërsa ekipi Shpresa është vendosur në një hotel tjetër të Tbilisit. Sapo janë sistemuar nëpër dhoma, trajneri Brigel u ka kërkuar futbollistëve që të hanë pak ushqim të lehtë. Më pas, pa kaluar shumë kohë, u ka prirë kuqezinjve në fushën e stërvitjes. Ndonëse me një ngarkesë më të vogël fizike, për shkak se futbollistët ndiheshin paksa të lodhur nga udhëtimi me avion, gjermani Brigel ka vijuar zbatimin e programit stërvitor të nisur në Tiranë.

'SPORTI SHQIPTAR'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA.

Rikthehen kuqezinjtë e dëmtuar
Lajmi më i rëndësishëm që vjen nga ekipi kombëtar ka të bëjë me riaftësimin e shpejtë të dy të dëmtuarve, Geri Çipi dhe Ervin Skela. Nuk ka zgjatur shumë ankthi i trajnerit Brigel, sepse kokëdhembjet për të dëmtuarit ia ka hequr fizioterapisti gjerman, Hakim Bulinger. Ky i fundit, pasi u ka qëndruar te koka Skelës dhe Çipit, që nga momenti i mbërritjes në kampin kuqezi, u ka hapur atyre dritën jeshile të aktivizimit që në ndeshjen e parë. Kësisoj, atmosfera në kampin kuqezi është gjallëruar së tepërmi, ndërkohë që janë shtuar shpresat për një rezultat pozitiv. Në fakt, riaftësim të kënaqshëm ka pasur mesfushori fantazist kuqezi, Skela, i cili e ka hedhur thuajse plotësisht dëmtimin prapa krahëve. Ndërkohë, Çipi ka ende shqetësime, por jo deri në atë shkallë sa të vënë në dyshim aktivizimin e tij në ndeshjen e Tbilisit. Stafi mjekësor i ekipit kombëtar ka vendour që Çipi, para ndeshjes, të bëjë një injeksion, për të qenë "i imunizuar" përkohësisht nga dhimbjet.

'SPORTI SHQIPTAR'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA.

Formacioni mbetet ende enigmë
Mungesat e shumta të titullarëve për shkak dëmtimesh, kartonësh apo edhe "refuzimesh" të disa futbollistëve, e kanë vënë në dilemë të madhe trajnerin Brigel, për sa i takon përcaktimit të formacionit anti-Gjeorgji. Edhe pas seancës së djeshme stërvitore, zhvilluar në Tbilisi, gjermani kuqezi nuk ka konkluduar ende përfundimisht për 11-shen bazë, që do të hedhë në fushën e lojës ndaj vendësve gjeorgjianë. Gjithsesi, burime të afërta me të kanë pohuar se ndryshime priten edhe në repartin e sulmit. Ideja e Brigelit është që të luajë me një manovër sulmuese të shpejtë. Vendin e titullarëve në këtë repart, gjermani thuhet se do t'ua besojë futbollistëve shtatshkurtër e të shpejtë, çka do të thotë se "gjiganti" Tare do ta nisë ndeshjen nga stoli. Në fakt, ky i fundit nuk ka marrë pjesë në seancën e djeshme stërvitore, pasi në kohën kur është zhvilluar ajo nuk kishte mbërritur ende nga Italia.

'SPORTI SHQIPTAR'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

KOMBETARJA.

Brigeli thërret Rrakllin "nën armë"
Autori i 10 golave me fanellën kuqezi, Altin Rraklli, do t'u shtohet radhëve të kuqezinjve për ndeshjen e dytë me gjeorgjianët. Një vendim të tillë, për ta thirrur kavajasin që ka nënshkruar së fundi për skuadrën gjermane të Bundesligës së dytë, Regensburg, në kombëtare, e ka marrë vetë trajneri Brigel. Ky i fundit, duke parë "gropat" e mëdha të kombëtares për këto dy ndeshje, ka qenë i detyruara ta thërrasë Rrakllin si një përforcim i duhur për sulmin. Në fakt, ndihmesa e kavajasit kuqezi do të jetë e vlefshme vetëm për ndeshjen e 10 shtatorit në "Qemal Stafa", pasi nuk do të marrë pjesë në ndeshjen e Tbilisit. Rraklli, të dielën, do t'i bashkohet ekipit kombëtar në Tiranë, për t'u përfshirë në seancat stërvitore të Brigelit.
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

TEUTA.

Sulmuesi i shquar i durrsakëve vlerëson ecurinë e skuadrës së tij në këtë fillimkampionati
Mancaku: Po tregojmë se jemi pretendentë
Sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, e ka vlerësuar fitoren e fundit me Vllazninë tepër të rëndësishme. Madje, suksesi ndaj kuqebluve, brenda në fushën e tyre, vërteton faktin që Teuta është pretendente serioze për titull. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", sulmuesi i Teutës ka komentuar gjithçka të Teutës në këto dy javë kampionat:
- Fituat bindshëm edhe në Shkodër, ndaj një rivaleje si Vllaznia. Ç'do të thotë kjo për autorin e njërit gol, Mancakun?
- Është me të vërtetë një fitore e rëndësishme, e cila vërteton faktin se jemi pretendentë seriozë për titull në këtë kampionat. Kemi fituar ndaj një ekipi me tradita në futbollin shqiptar dhe që ka futbollistë cilësorë në gjirin e saj. Për më tepër, kemi fituar në një fushë ku pak ekipe mund të fitojnë.
- Gjithsesi, duket se ia keni marrë dorën Vllaznisë këto vitet e fundit...
- Është e vërtetë që vitet e fundit kemi arritur rezultate pozitive në "Loro Boriçi". Madje, sezonin e kaluar e eliminuam Vllazninë nga Kupa e Shqipërisë brenda në fushën e saj. Kjo shpjegohet me faktin se Vllaznia është një ekip që të lë të luash futboll dhe bën lojë të hapur.
- Në këtë ndeshje realizuat një gol. A mendoni se e keni kaluar problemin e finalizimit të aksioneve?
- E kam thënë edhe më parë se në ndeshjen me Shkumbinin, mosshënimi i golit në disa raste të pastra ishte thjesht problem psikologjik. Në ndeshjen me Vllazninë ditëm t'i shfrytëzojmë rastet që na u krijuan dhe të fitojmë një sfidë të vështirë. Kjo do të thotë që jemi përmirësuar edhe në këtë drejtim.
- Me ç'sy i shikoni rivalet për titull, si Tirana, Partizani, apo edhe Dinamo?
- I shikoj si konkurrentë të një gare të gjatë dhe të vështirë, ku duhet luftuar në çdo ndeshje dhe nuk duhet falur pikë.
- A mendoni se do të jenë përcaktuese ndeshjet direkte mes këtyre rivalëve, për të përcaktuar skuadrën kampione?
- Do të ndikojnë patjetër, por kryesore do të jetë vlerësimi maksimal i çdo ndeshjeje, si brenda, ashtu edhe jashtë.
- Si e parashikoni sfidën e radhës me Partizanin?
- Parashikoj një ndeshje rivalësh, ku na kërkohet patjetër fitorja. Uroj që në këtë ndeshje të ketë sa më shumë sportdashës. Me Partizanin jemi ndeshur edhe në takime miqësore dhe kemi fituar. Gjithsesi, një ndeshje kampionati është diçka krejt tjetër.
Llambi Kallço 'SPORTI SHQIPTAR'
 

Alesio

Primus registratum
Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??

PARTIZANI

Behari: Partizani në pritje të rivalëve

Ardi Behari, një ndër mbrojtësit kryesorë të të kuqve, shprehet pas ndeshjes së fundit ndaj Lushnjës se Partizani mbetet favorit kryesor për të fituar titullin, pavarësisht nga loja dhe rezultatet e Tiranës, apo të ndonjë ekipi tjetër. "Sezonin e kaluar kemi zhvilluar ndeshje të shkëlqyera me rivalet për titull, sidomos në fazën e parë të kampionatit. Jo vetëm me lojë, por edhe me rezultate të mira, i kemi mposhtur skuadrat më të forta të kampionatit, si Tiranën, Vllazninë, apo edhe Teutën. Vjet, ekipi ynë, për probleme të ndryshme, vërtet nuk e fitoi titullin, por dha lojën më të mirë dhe më spektakolare të sezonit. Presim pikërisht duelet e forta me këto ekipe për të treguar veten tonë," - shprehet për "Sportin shqiptar" mbrojtësi vlonjat i kryeqytetasve të kuq.
 
Top