Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??
Trajneri i kuqebluve shkarkohet si "Zhugovi", menjëherë pas ndeshjes së kthimit me Dandin
Vllaznia: Ikën Zhega, vjen "Deda"
Skuadra shkodrane është e para që ha "kokën" e një trajneri, ndër simotrat pjesmarrëse të grupit A1. Medin Zhega, ish tekniku i përfaqësueses shqiptare e ka vuajtur në kurriz të tij humbjen në shifra të tilla në Skoci ndaj Dandit. Humbje kjo që ka qenë e treta për të në ndeshjet zyrtare, që nga koha e uljes në këtë stol. Zëvendësi i Zhegës është gjetur shpejt dhe nuk është ndonjë emër i panjohur për futbollin shqiptar. Ai është malazezi 44-vjeçar, Dervish Haxhiosmanoviç, i cili, përveçse e ka drejtuar për një sezon Vllazninë, duke e shpallur edhe kampione të Shqipërisë, ka drejtuar edhe Erzenin e Shijakut. Vendimi për largimin e Zhegës kishte kohë që përflitej në radhët e biznesmenëve-sponsor të kuqebluve. Mirëpo, para nisjes për në Skoci, vetë presidenti Agron Çela, i pyetur për këtë problem, do të thoshte: "Përderisa Zhega ka udhëtuar me skuadrën drejt gadishullit britanik, atëherë ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Vllaznisë." Por, sikurse duket, humbja 4 0 ndaj Dandit ka shërbyer si preteksti më i mirë për ta larguar ish-teknkikun e kombëtares nga drejtimi i mëtejshëm i Vllaznisë. I pyetur dje në lidhje me këtë largim të papritur, Zhega nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment, duke preferuar heshtjen. Ndërkohë dje paradreke, ekipi është grumbulluar në kompleksin sportiv "Zmijani", në prag të ndeshjes së nesërme me Teutën. Po dje paradreke, presidenca kuqeblu, në orën 11.30, ka bërë edhe prezantimin e trajnerit të ri para skuadrës. Në këtë moment ka qenë i pranishëm presidenti Agron Çela, dy zëvendësit e tij, Valter Fushaj dhe Xhevdet Amuli, anëtari i kryesisë Flamur Hoxha dhe sekretari i klubit Agim Medja. Ky i fundit ka shpjeguar para futbollistëve dhe pjestarëve të stafit drejtues të skuadrës arsyet që e shtynë, sipas tij, kryesinë e klubit dhe presidencën kuqeblu të bëjnë ndryshime në stolin e Vllaznisë. Përveç kësaj, Medja i ka uruar suksese malazezit në punën e tij në drejtim të kuqebluve. Pas tij ka folur vetë tekniku i sapoardhur, i cili, që në fjalën e parë të thënë, e ka quajtur veten trajner të vjetër këtu. "Shumica prej jush e dinë fare mirë metodën time të punës, prandaj do t'u kërkoja që në këtë kontakt të parë t'i shtrëngohemi punës. Unë do të kërkoj të ndihmojnë njëri tjetrin, në mënyrë që sa më shpejt të hedhim edhe kandidaturën tonë për titull," ka thënë "Deda". Pas tij ka folur shkurt edhe zëvendëspresidenti Valter Fushaj, i cili ka shtuar: "Besoj se të gjithë e keni të qartë se fjala e trajnerit do të jetë ligj. Për këtë, ju, si futbollistë, duhet të dëgjoni vetëm çfarë thotë ai. Nuk duam të dëgjojmë për replika apo probleme mes jush dhe Haxhiosmanoviçit në stërvitje apo diku tjetër. Çdo problem që do keni, do ta zgjidhni në të vetmin vend, në analizën që do të zhvilloni me trajnerin."
Gjergj KOLA
Presidenti i kuqebluve argumenton motivet e shkarkimit të trajnerit
Çela: Zhegën e shkarkuan rezultatet
Vendimi për ta larguar Medin Zhegën nga drejtimi i Vllaznisë, në pamje të parë ka qenë i papritur për shumëkënd. Mirëpo kuptohet qartë se ai paska qenë i ikur nga kuqeblutë, përderisa, menjëherë pas shkarkimit të tij, ka ardhur menjëherë trajneri i ri.
Presidenti Agron Çela, pas lëvizjeve në stafin teknik të skuadrës kuqeblu, ka shpjeguar arsyet e largimit të Zhegës. "Vendosëm ta largonim Zhegën jo se kishim ndonjë gjë personale me të, por sepse qenë rezultatet që e shkarkuan atë. Në tri ndeshje që ai ka drejtuar Vllazninë, kemi pësuar tri humbje, kemi pësuar 12 gola dhe kemi shënuar vetëm një. Vetë këto shifra tregojnë se diçka duhej bërë, prandaj vendosëm t'i hapnim rrugë dikujt tjetër," ka thënë ai. Nga ana tjetër, si arsye e largimit të ish trajnerit të përfaqësueses shqiptare nga stoli kuqeblu, ka shërbyer edhe mospërputhja e kërkesës së Zhegës me atë që i kanë afruar drejtuesit e klubit. Pra, bëhet fjalë për kushtet financiare të kontratës që duhej të firmoste trajneri i shkarkuar tashmë. Vetë Zhega, prej kohësh kishte theksuar se donte të mbetej në fuqi kontrata sipas marrëveshjes me ish presidentin Myftar Çela. Bëhej fjalë për 30 mijë euro "kesh" në dorë dhe për një rrogë mujore prej 150 mijë lekësh të reja. Këto kërkesa, natyrisht, janë dukur absurde për drejtuesit kuqeblu, aq më tepër që tregu i futbollit shqiptar tashmë ka rënë ndjeshëm. Presidenti aktual Agron Çela, në deklarimin e tij, thotë diçka edhe për këtë pikë të mosmarrëveshjeve me Zhegën: "Përveç rezultateve negative që arriti, Zhega nuk na dha mundësi që të merreshim vesh për kontratën. Kushtet financiare të tija ishin krejt të kundërta me ato që ne ishim gati t'i afronim." Po ashtu, presidenti Çela ka shpjeguar edhe shkaqet që e detyruan të zgjedhë malazezin Haxhiosmanoviç për të drejtuar Vllazninë. "Vendosëm të caktojmë këtë trajner, sepse ai është trajneri i duhur për këtë skuadër. Haxhiosmanoviçi, edhe më parë e ka drejtuar me meritë Vllazninë, prandaj menduam ta rikthejmë në drejtimin e skuadrës sonë, me qëllimin e mirë që të na shpallë sërish kampionë," ka thënë në fund numri 1 i klubit kuqeblu.
Gj.KOLA
Drejtuesit kuqeblu, "të etur" në merkato. Vjen malazezi i parë
Mbërrin Perishiç, në pritje Klodian Duro
Merkatoja e kuqebluve duket se tashmë ka nisur. Ndryshimet e fundit që kanë ndodhur tek Vllaznia, përveç trajnerit, po shoqërohen edhe me lëvizje të fuqishme në tregun e lojtarëve. Kështu, i pari që ka mbërritur është malazezi Goran Perishiç. Ky i fundit ka ardhur dje në Shkodër, së bashku me trajnerin Haxhiosmanoviç. Siç bëhet e ditur nga vetë lojtari i sapoardhur, mosha e tij është 26 vjeç, ndërkohë që karrierën futbollistike e ka zhvilluar në vendin e tij të lindjes dhe në Greqi. Në sezonet 1994-1999, ai ka luajtur me Buduçnost, më pas ka kaluar në Greqi te Larisa, ku ka luajtur për një vit e gjysmë. Pastaj rikthehet sërish te Buduçnost. Kampionatin e kaluar ka luajtur në Athinë, me Ethnikos Astrea. Pozicioni i tij i preferuar është ai i mbrojtësit të lirë, por luan mirë edhe si stoper apo mesfushor. Nga drejtuesit e klubit thuhet se Perishiç do të jetë në provë për disa ditë, por fakti që vetë Haxhiosmanoviçi e ka marrë me vete, do të thotë se qëndrimi i tij në Shkodër është i sigurtë. Gjithashtu, një tjetër emër i lakuar dje te Vllaznia ka qenë elbasanasi i njohur Klodian Duro. Fakti që ai ende nuk ka firmosur për asnjë ekip tjetër, ka futur në valle për ta "pronësuar" atë edhe shkodranët. Me këtë ekip, lojtari i përfaqësueses sonë ka luajtur edhe më parë, derisa u largua për në Turqi. Shanset që Duro të vishet kuqeblu janë të mëdha edhe për faktin se ai mbetet i adhuruari i tifozerisë shkodrane. Një tjetër futbollist që pritet të mbërrijë te Vllaznia është Asim Gjokoviç. Ai ka luajtur deri në fund të sezonit të kaluar me këtë ekip dhe u largua pas vdekjes së presidentit Myftar Çela. Tani, që trajner ka ardhur bashkatdhetari i tij, Haxhiosmanoviç, që ia njeh mirë vlerat, një gjë e tillë duket mëse e realizueshme.
Gjergj Kola 'Sporti Shqiptar'