Re: INTER-land
Përfundon ndeshja e vajtjes së turit të tretë paraeliminator të Champions League: Basel - INTER 1-1. Zikaltrit zhvillojnë një lojë të bukur në përgjithësi. Në 20 minutat e fundit skuadra "vuajti" disi përballë kundërshtarëve më të përgatitur nga ana fizike, kështu që lojtarët u tërhoqën disi në mbrojtje. Gjithsesi e rëndësishme është se gjatë gjithë 90 minutave ekipi e kërkoi fitoren dhe po të kishte pak më shumë fat edhe mund t'ia arrinte. Një rezultat i mirë në kuadër të ndeshjes së kthimit, duke qënë se goli në fushë kundërshtare ka vlerë të dyfishtë, megjithëse kërkohej fitorja.
Ndeshja filloi ashtu siç ishte parashikuar, me zvicerianët që kërkonin të befasonin djemtë e Mancini-t. Por ekuilibrin "e thyen" Adriano në minutën e 19-të: Aksion personal i shkëlqyer, shmang dy mbrojtësa duke u rezistuar atyre me fizikun e tij të fortë, më pas kalon edhe portierin, e me portë thuajse të boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë: 0-1! Gol mjaft i rëndësishëm siç u theksua edhe më lartë, i cili bën të heshtë të gjithë stadiumin "St. Jacob Park", të mbushur plot e përplotë si rrallë herë.
Deklarata e "bomber-it" në fund të ndeshjes: "Ia dedikoj golin babait tim, i cili nuk jeton më. Ndihem i lodhur dhe ende nuk jam në 100 % të formës sime, do të mundohemi së bashku me shokët që të jemi të gatshëm për sfidën e kthimit në Milano, ku duhet të japim maksimumin e të kualifikohemi për më tej".
Vetëm 6 minuta më vonë barazon gjithçka Huggel. Pikërisht në minutën e 25-të, pas një "lëmshi" në zonë, zviceriani i gjendur i vetëm në zonën interiste, dërgon topin në rrjetë falë një goditjeje me kokë: 1-1.
Për t'u theksuar 2 shtyllat e INTER-it në pjesën e parë: E para pas një goditjeje të fortë të të përsosurit Stankovic, kurse e dyta erdhi pas një aksioni të gjatë, kur braziliani Zè Maria u gjend i vetëm përpara portës thuajse të boshatisur, duke u nxituar disi e duke goditur traversën. Pjesa e parë përfundoi në barazim, me raste të pastra nga të dyja ekipet dhe me zikaltrit disi më të rrezikshëm.
Me fillimin e pjesës së dytë fillon të ndihet diferenca në planin fizik, me zvicerianët të cilët kanë filluar kampionatin e tyre prej një muaji dhe me zikaltrit me shumë mungesa (më e fundit ajo e Davids, i cili u tërhoq në minutat e fundit dhe qendroi në tribunë) e prej pak kohësh përgatitjeje për sezonin e ri.
Autori i golit për zvicerianët, Huggel goditi edhe shtyllen, një "fotokopje" kjo e goditjes së serbit Stankovic në pjesën e parë.
Megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar, zikaltrit luajtën me karakter përballë Basel-it të mbështetur nga publiku vendas, deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit britanik Graham Poll, i cili pas 4 minutave shtesë i dha fund kësaj ndeshjeje.
Edhe një herë tjetër, rezulton thelbësor për ekipin e Mancini-t, L'Imperatore Adriano, megjithë gjendjen jo të mirë shpirtërore e pas udhëtimeve shumë të shpeshta e të gjata në kohët e fundit.
Për të përgatitur sa më mirë sfidën deçizive të kthimit pas 12 ditësh në "Giuseppe Meazza" të Milano-s, ekipi do të rifillojë stërvitjen qysh nesër pasdite, sapo të jetë rikthyer nga Zvicra e të ketë pushuar. Natyrisht shpresohet që të rikuperohen të demtuarit që munguan në këtë përballje, e të jenë të gatshëm për ndeshjen e të martës së 24 gushtit.
Ndërkohë u bë e ditur së spanjolli Francisco Javier Farinos kaloi nga INTER-i për te ekipi i vendit të tij, Mallorca, me formulën e huazimit për një sezon futbollistik.
Filloi turneu futbollistik i Lojërave Olimpike të Athinës: Argjentina e interistëve Nicolas Andrès Burdisso (i cili nuk u aktivizua) dhe Kily Gonzalez (77 minuta lojë) fitoi 6-0 përballë Serbisë & Malit të Zi. Pikërisht mesfushori i krahut të majtë ishte autori i golit të dytë të kësaj fitoreje të thellë. Ndeshja e tyre e ardhshme do të jetë pas 3 ditësh, më datë 14, përballë Tunizisë.
Momenti kur Adriano shmang mbrojtësit e Basel dhe është gati për të shënuar golin e avantazhit provizor:
Menjëherë pas shënimit të golit braziliani rrethohet nga shokët të cilët e përgëzojnë: L'Imperatore Adriano ia dedikon golin babait të tij që nuk jeton më: