rrofsh inis!
RROFSH INIS!
Eedison Ypi
Rrofsh Inis Gjoni, rrofsh! Shtatore mishi je, shtatore meriton, shtatore do të ngremë! Shtatë metra ia ngritëm Lugatit. Prej bronxi! Dhjetë do të ta ngremë ty! Prej floriri!
Ç’patën namuzqarët, që u lemeritën me ty për dy minuta porno-video amatore autentike?! Ç’u shpoi?! Ç’u dogji?! Ç’nuk kuptuan?! Të dinin virgjëreshë?! Kujtuan se i kishe vithet kubike, këmbët paralelopipedike?! Menduan se s’kishe kërthizë?! Imagjinuan se, atje teposhtë ,atje në mes, në vend të një hamburgeri, si e kanë të tëra, ti mund të kishe nja tre a katër hamburgera a nja pes’ a gjasht’ paidhaqera?! Të marrshin të ligat dhe të leshtat! T’i pamë! Të tëra të hatashme i kishe!
Natyralisht, ti as e vret, as e plagos, as e përdhos mendjen fare për këto. E the vetë se çudia më e madhe në botë nuk zgjat më tepër se tre ditë. Prandaj edhe ata, edhe ato që me hiret e tua aq u çuditën sa desh vdiqën, nuk e vrasin fort mendjen. S’kanë nge të merren me dy porno-minutat e tua amatore. Dhe nuk po merren. Nuk po merren ata, por po merrem unë. Mund të thuash me vete ti Inis; “Edhe tani që kanë kaluar tre ditë merret ky me mua...?!” Merrem Inis, merrem. Jo për çudinë e rastit tënd dhe si e kupton ti, por në një kuptim më të gjerë, më të thellë për tjetrën; Për çudinë e çudisë, për atë se si erdhi puna që vendi im është çmendur aq liksht sa kurrgjë nuk të çudit më! E meqenëse jashtë çudisë, për më tepër që edhe ligji i Tre Ditëve nuk më kap, pse gojën mos ta hap?!Në këto kushte po ta them shumë sinqerisht se për rastin tënd çuditem më pak se sa do çuditesha nëse një mëngjes, duke dalë nga shtëpia, dikush të më thosh’: “Jeta pa seks në këtë botë është e pamundur!”
Po pse o Inis, a nuk është një kokrrizë rëre ajo porno-videoja jote amatore përballë një oqeani të shkumëzuar prej gjashtëmbëdhjetë vitesh, ose tetë milionë e treqindmijë minutash pornosh epshesh, dufesh, kurvërish profesionale shtetërore kombëtare?! Porno-politika, porno-administrata, porno-grafologjia, porno-fjalimet, porno-fushatat, porno-premtimet, porno-dallaveret, porno-hajdutllëku, porno-çmimet, porno-letërsia, porno-muzika etj., etj., etj., pak të duken ty moj?! Po të pyes ty, duke të kujtuar milionat e porno-minutave kombëtare, sepse nuk është çudi që edhe ty të të duket se kushedi çoç bëre në ato dy minuta.
Pa na e lidhin këtë mesele edhe me teknologjinë dhe kalamajtë! Demek teknologjia çedukoka kalamajtë e namuzqarëve! Ta marrim shtruar. Kur u eduakuan këta kalamaj, që na i paske çedukuar ti dhe teknologjia me ato dy minutat?! Më ’91-’92 kur adoleshentët e sotëm sapo u ngjizën?! Kur asnjë namuzqar dhe asnjë qyqar s’mori vesh ç’u bë?! Më ’96-ën kur njomcakët dëgjuan mamin dhe babin çoç të çuçurisnin vesh më vesh gjatë disa netëve dhe, a shitën shtëpinë dhe paratë ia dhanë me pahir një më budallai se ata vetë, a shkundën xhepat, mblodhën ku i kishin e ku s’i kishin edhe kacidhet e fundit e ia falën një budallai të dytë kushëri i tretë me atë budallanë e parë?! Më ’97-ën, në kohën e bombave dhe britmave, prej të cilave ende fëmijëve u fishkëllejnë veshët?! Apo gjatë qindra e qindra netëve duke parë mijëra e mijëra spote televizive me cuca cullake, që presin t’u celefonosh?!
Sigurisht disa engjëj na mbetën pa u djallosur. Jo të gjithë prindërit i kemi trushkulur. Megjithatë, alarmizmi i namuzqarëve nuk justifikohet dot. Përfytyro një djalë apo një vajzë në fillim të moshës së rrezikut, aty tek 12 - 13 vjeç. Eshtë krejt e pamundur që diku në lagje të mos ketë një “Internet-Kafe”. Eshtë krejt e pamundur gjithashtu që djali apo vajza t’i qëndrojnë tundimit për të mos e frekuentuar. Një nga tundimet e para më të forta është padyshim motori i kërkimit, i përbindshmi “Google”. Një nga kërkimet e para në “Google” është e pamundur të mos jetë “Sex”. Ky kërkim për një fraksion të sekondës të jep sot, ububububububu, jo më pak se dy milionë e treqind mijë foto! Me inisa, me pubisa, me penisa. Si t’i duash. Si t’i kesh qejf. Aq sa as jeta e kalamanit me gjithë jetët e prindërve nuk mjafton as t’u hedhësh një sy.
Boll me internetin dhe kalamajtë. Kemi aq tepër porno-vende dhe porno-vepra për t’i porno-çedukuar kalamajtë, sa s’di nga ta nisësh zësh. Ti Inis, atë; “Syn e bukur që t’u vrenjt” e ke shtënë ndonjëherë mbi porno-grafinë më të pështirë shqiptareske, Muzeun Kombëtar?! Je Artiste. E pamundur të mos e kesh vënë re se pafuqia dhe paturpësia, dhuna dhe përulja, padituria dhe padrejtësia, frikacakllëku dhe burracakllëku njerëzor, janë të gjitha atje. Sipas porno-autorëve me porno-nam, deri aty nga mesi i shekullit të kaluar shqiptarët nuk kanë pasur fare femra. As nëna, as motra, as bija, as kushërira, as të dashura. Dhe natyrisht, as seksin nuk e kanë ditur çfarë është. Erdh’ u a mësoi ai proletari në mes të mozaikut me xhaketën supit. U mësoi seksin, si bëhen kalamajtë etj. Nga mesi i shekullit të kaluar e tëhu, po. Prej atëherë kemi femra. Kemi tre femra. Të vetmet ndër gjithsej trembëdhjetë porno-personazhet-simbole të historisë. Ndër këta trembëdhjetë, shtatë kanë bërë historinë e Shqipërisë të nja dyzetë viteve dhe gjashtë atë të dy a tre mijë viteve, nga Pellazgët tek proletarët. Porno-vuajtje-rrëqethje antiestetike e gjallë m’u në ballë; Çpërpjestimi i kohës ngërç ainshtainian. Tre femra, dhjetë meshkuj - ndërlikim darvinian. Burra me mustaqe, gra me pushkë - problem frojdian. Proletar vetëm një, kazmë e lopatë asnjë - hall marksist. I therur asnjë - pisk stalinist. Sa kohë ka që rri varur atje ajo porno-grafikë? Aty tek pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë minuta!
E di si është puna o Inis?! A do ta dish të vërtetën, tamam të vërtetën, të vërtetën cullak si ti n’at’ videon?! Po! Mësoje atëherë. Mësoje që ta dish mirë e t’i heqësh të gjitha dyshimet e streset e të flesh rehat.
Ja e vërteta! Me pornon tënde kalamajtë as janë edukuar, as janë çedukuar. Thjesht e kanë parë. Një numër i vogël burrash-kalamaj namuzqarë hileqarë, tek e kanë parë videon, kanë urryer paksa partnerin tënd, Taras Lala. E urryen Tarasin kur panë se nuk e kishte si të tyrin, pra as të hollë të përdredhur e të qurrtë si të qenit, as të lëshuar e të ngordhur si i të vdekmit, por të drejtë e të fortë si i të gjallit. Ndërkohë, të gjithë meshkujt, edhe pse ndonjëri nuk e thotë, kanë admiruar hiret e tua. Femrat?! Ah ato, ato të gjitha pa asnjë përjashtim, kanë bërë sikur janë ndjerë liksht prej hireve të tua, ndërkohë që janë zilepsur, ndonjëra ndoshta dhe vilanepsur, me gjigandin Tarasin. Jo Taras Bulbën kozakun jo! Taras Lalën, shqiptarin, ndoshta myzeqarin.
Cilat janë më të bukura se ti Inis?! Ato “Kurvat e Kombinatit” si quheshin atëherë, ato të pavdekësuarat mbi atë mozaikun?! Ajo rrospia në mes të mozaikut mbuluar demek me kostum kombëtar, me në dorë pushkën?! Bujkesha plot djersë me vështrim nga pas, pushkën me të dy duart shtrënguar?! Apo ajo n’qosh’, ajo piridhiçka zboristja, që mezi priste zborin nëpër transhera të zbërthehej?! Asnjëra!
Nëse s’është kështu, atëherë, pse sa vjen pranvera zbërthehen të gjitha, zhvishen të gjitha, sa edhe lëkurën janë gati ta grisin, me të breçka të qepin?! Pse plot prindër i veshin gocat e vogla si gra dhe i dërgojnë të këndojnë këngë dashurie gjith’ epsh në gjuhë të huaja?! Kush i blen dhe pse i blen vibratorët e gomës?! Pse kemi gjithë ato katundarka të reja, të cilat, me të zbritur në qytet, krejt njëlloj si ti, madje më mjeshtërisht se ti, zhysin hundët mes pluhurash të bardha mbi pjata të rrafshëta?! Vërtet hashishi ynë është më i mirë se i Pakistanit?! Vërtet shumë e shumë adoleshente katundarka i lënë virgjëritë t’u shkojnë në det, mbi përrenj e lumenj, duke u shkëlyer e çjerrë mbi telat e pasarelave të vjetra të ndryshkura për të vajtur në shkollë, sepse tjetër rrugë s’ka?! Po Imenet e varura si flamurë që i tund era mbi gardhe hekurash shtëpiash të reja, i ke parë ndonjëherë?! Vërtet nëpër katunde na kanë mbetur fare pak djem, sepse kanë ikur në kurbet?! Vërtet jo rrallë vajzat shqiptare ikin në Itali a gjetkë me ndërgjegje të plotë?!
Nis e vër në skenë një porno-dramë Inis! E mira do ishte ta shkruash vetë. Lëndë ke plot. Shko merre lëndën e parë diku pranë ndonjë moteli. Shko shihi namuzlinjtë, kryetarët, moralistët, ata që video-pornot e para animalistike i kanë bërë në natyrë në shpat të malit të katundit. Shko shihi sesi hyjnë e dalin pa pushim me studentesha dhe sekretaresha mbi fuoristrada.
Mund të shkosh edhe diku tjetër për t’u frymëzuar. Tek live-porno-politika! Tek “Zogu i Zi”! Shko shiko si e kanë zhveshur dhe e kanë lënë plasur me shalë shkëlyer. Shkruaje dhe vëre në skenë dramën. Shoqëroje me gjëmime vagneriane! Bëje “Zogun e Zi” si zogun tënd. Jo prej betoni e hekurash! Prej mishi e leshi! Jo të zi! Të kuq! Jo të ftohtë! Të nxehtë, të zjarrtë! Pastaj t’shohim ç’do ndodhi n’atë Kryq e n’atë Krisht! Do shtohet a do pakësohet trafiku?! Do ketë a s’do ketë ndotje ambienti?! Do ngrihet a s’do ngrihet pluhur?! Do ndodhin vdekje, ngjallje, apo ringjallje?!
Rrofsh Inis! E bëre si burrat!