kush e perhapi???
Videoja e Inisit s’doli nga hetuesit
Aparati celular s’është hapur pas sekuestrimit
--------------------------------------------------------------------------------
Gazmend Janku
g.janku@gazetashqiptare.com
TIRANE
Prokurorët kanë zbehur dyshimet që imazhet filmike të artistes së njohur të skenës shqiptare Inis Gjoni, të jenë shpërndarë nga hetuesit apo gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Ekspertët që kanë marrë përsipër ekspertimin teknik të celularit ku ishin regjistruar imazhet erotike, kanë dhënë konkluzionet paraprake sipas të cilave, aparati në fjalë nuk rezulton të jetë hapur që nga momenti i sekuestrimit të tij si provë materiale. Në këtë mënyrë duket se janë hedhur poshtë pretendimet se pamjet filmike ishin shpërndarë nëpërmjet celularit të sekuestruar nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët e sekuestruan këtë aparat pas arrestimit të Armando Andonit (Arjan Selimi) për llogari të dosjes së trafikut të narkotikëve “Kompas”. Burime pranë organit të akuzës janë shprehur për Gazetën, se hetuesit e çështjes janë në pritje të konkluzioneve përfundimtare të ekspertëve. Sipas tyre, në bazë të të dhënave paraprake të ekspertimit, pamjet filmike mund të jenë shpërndarë përpara se celulari të sekuestrohej në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjithsesi, vendimi i grupit të hetimit pritet të merret pasi të kenë administruar në dosjen penale konkluzionet përfundimtare të ekspertëve.
Verifikimi
Ekspertimi teknik i aparatit celular me të cilin ishin filmuar imazhet e artistes Inis Gjoni, është kryer në bashkëpunim edhe me dy kompanitë e telefonisë celulare në vend. Burime të gazetës janë shprehur se përveç këqyrjes së bërë nga ekspertët e fushës, është kërkuar edhe një konfirmim nga kompanitë celulare, nëse aparati në fjalë është përdorur pas datës së sekuestrimit të tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kështu pas verifikimit të kryer, të dyja kompanitë, AMC dhe Vodafone kanë konfirmuar se aparati celular nuk ishte hapur me asnjë nga dy kartat që ofrojnë aktualisht shërbimin e telefonisë celulare në vend. Në këto kushte përjashtohet mundësia që imazhet filmike të jenë shpërndarë gjatë periudhës që celulari i Armando Andonit është mbajtur si provë materiale nga Prokuroria dhe më pas, edhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, burime pranë organit të akuzës janë shprehur se ende nuk janë të bindur nëse ekspertët mund të përcaktojnë, nëse imazhet filmike të artistes mund të jenë shpërndarë me “blue tooth” nga ky aparat celular dhe kohën kur mund të ketë ndodhur transferimi i fundit me këtë opsion.
Hetimi
Procedimi penal për të zbardhur autorësinë e shpërndarjes së imazheve filmike të artistes, nisi me iniciativën e vet organit të akuzës, pasi imazhet në fjalë po qarkullonin dendur sa nga një celular te tjetri. Nisja me urgjencë e këtij hetimi erdhi nga fakti se celulari që mbante pamjet filmime, prej kohësh ishte sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në cilësinë e provës materiale. Hetimit të nisur iu bashkëngjit edhe një kallëzim i bërë nga qelia e paraburgimit të Armando Andonit, (Arjan Selimi), i cili akuzoi prokurorët dhe gjykatësit e Krimeve të Rënda si autorët e shpërndarjes së imazheve filmime, me qëllim denigrimin e figurës së tij dhe partneres që shfaqej në atë filmim.