Re: Igli Tare: Linçim politik familjes sime
www.shekulli.com.al
Rasti Tare dhe sjellja ndaj administratës
Mentor Nazarko
Shtypi i djeshëm shqiptar dhe italian- madje të gjitha gazetat kryesore sportive dhe jo të tilla, në vendin fqinj përcillnin dje një reagim të futbollistit të famshëm Igli Tare, në lidhje me shkarkimin nga puna të familjarëve të tij prej administratës demokrate. Reagimi i Iglit vjen pas largimit nga puna të vëllait të fundit të tij që punon në Ministri të Jashtme në zyrën e minoriteteve. Një nga zyrtarët e lartë të administratës socialiste, shef i kësaj zyre, Genti Tare, kishte shkollim të shkëlqyer, duke përfaqësuar një rast vërtet pozitiv të kësaj administrate për nivelin në të cilin e kishte ngritur zyrën ku punonte; për pjesëmarrjen kompetente në debatet rreth çështjes së minoriteteve, një çështje për të cilën do të dëgjojmë të flitet shumë në kuadër të zhvillimeve të pritshme në Kosovë kur vendet fqinje me ne, pothuajse pa përjashtim, do të fillojnë të krijojnë probleme minoritetesh përkatëse. Mu në një kontekst të tillë, zyra mbyllet prej ministrit Mustafaj! Dhe një element tjetër i tipit koincidencë: zyra u mbyll fiks ditën kur u inaugurua shkolla në Himarë. Ndoshta është menduar se problemet e minoriteteve mund t’i mbulonte një zyrë tjetër jashtë ministrie e drejtuar prej një zone të minoritetit grek, por dhe ky nuk është justifikim. Ndërkaq, duke e ditur se skema e riorganizimit po përdoret rëndom në raste të tilla spastrimesh me një gur u vranë dy zogj: po mbetemi papritmas pa një zyrë ekspertize të nivelit të lartë që do të na duhej shumë dhe po largojmë nga puna një ekspert të aftë për shkak të bindjeve politike të vëllait, që mund të jenë dhe të tijat!
Po nuk ishte më pak gabim dhe largimi i Auron Tares nga Butrinti, të cilit ai me një talent të jashtëzakonshëm menaxherial, me një përkushtim gati patriotik e kishte ringritur, duke e bërë si ikonë pozitive të Shqipërisë së re në të gjithë mediet ndërkombëtare. Preteksti i largimit të tij janë abuzimet ekonomike, ndërkohë kur shteti financonte Butrintin me vetëm 13 milionë lekë të vjetra në vit. Sigurisht Auroni nuk qëndronte atje vetëm për pasion, duke neglizhuar projektet e mëdha të komunitetit të donatorëve të huaj të cilat ai vetë i tërhoqi, por Don Kishotë nuk gjenden më asgjëkundi. Gjithsesi, ajo që duhet nënvizuar me siguri është se pas largimit të Auronit, për Butrintin do të flitet më pak në shtypin ndërkombëtar. Vështirë se projektet ndërkombëtare do të jenë njëlloj të suksesshëm sa me të. Nuk di ndërkaq rastin e babait të Tareve, por me siguri largimi nga puna ku ishte prej kohësh, ka të njëjtin sfond politik.
Cili është gabimi i Tareve? Igli, kapiteni i kombëtares së shqiptarëve, lojtari në skuadrën më të rëndësishme ku luan ndonjë shqiptar, emri aktualisht më i famshëm i fisit Tare, mori pjesë në hapjen e kongresit socialist. Ekspozim i tepruar, por pasojat do të duhej t’i paguante vetëm ai në imazhin e tij si lojtar idhull i të gjithëve, të majtë dhe të djathtë.
Prapa largimit të tre zyrtarëve me mbiemër Tare, qëndron një vendim i epërm hakmarrjeje ndaj këtij akti të Iglit. Duket e vështirë të mendosh se njëherësh ministrat e linjës kanë vendosur në mënyrë të pavarur prej njeri tjetrit të largojnë pjesëtarët e familjes Tare nga puna. Pra, vendimi duhet të jetë marrë diku lart apo jashtë tyre, apo me marrëveshjen e tyre siç dhe kanë pëshpëritur ndonjëri prej titullarëve që kanë hedhur firmën. Nëse është kështu, atëherë përmasat e gabimeve zmadhohen dhe më. Së pari, një ndëshkim familjar është shembulli më i mirë për të ilustruar propagandën e opozitës për largimet në administratë të motivuara politikisht. Së dyti, efektet që do të krijohen në planin ndërkombëtar për administratën Berisha prej vetë të interesuarve mund të jenë vërtet të dëmshme për imazhin e saj. Imagjinoni efektet e një konference shtypi të Igli Tares apo intervistave të tijat në shtypin italian; imagjinoni reagimet e lidhjeve ndërkombëtare të Auronit që gjatë qëndrimit në Butrint ka bërë me qindra miq të rëndësishëm politikanë, emra të njohur të artit, të arkeologjisë, etj, që do të reagonin në mbrojtje të tij. Nëse shikon listën e njerëzve të cilëve Auroni u dërgonte njoftime për Butrintin apo që kanë vizituar atë, ka senatorë amerikanë, deputetë britanikë, gazetarë të famshëm të gjithë gazetave apo medieve më të rëndësishme të botës, të cilët hëpërhë ai nuk duket se i ka aktivizuar. Vërtet, shfrimi i mllefit ndaj Tareve dhe kënaqësia që vjen pas këtij shfrimi, qenka më e dobishme politikisht sesa përballimi i reagimeve potenciale të këtyre njerëzve? Këndvështrimi mësipërm është i planit pragmatik, pra me optikën e interesave të kryeministrit aktual. Sepse në një plan tjetër duhet thënë diçka më shumë. Nëse do të ishte fjala thjesht për individë të zakonshëm pa implikime mediatike të mëdha, askush nuk do të merrej me fatin e pjesëtarëve të një familje të lënë pa punë. Por për shkak të mbiemrit, numrit të njerëzve të larguar nga puna prej këtij mbiemri, të gjithë të një familjeje që ndoshta nuk ka pasur nevojë për punën e shtetit për të mbijetuar, por shteti më shumë për ta, qëndrimi i administratës demokrate vërtet bëhet emblematik. Për keq, natyrisht.
19/03/2006
KATEGORIA: Analiza