Re: Gheg e Tosc
Tropojë, policia zbulon parcelat me hashash
Bashkim SHALA
Tropojë- Kultivuesit e bimëve narkotike në Tropojë kanë zgjedhur fshatrat e thellë për mbjelljen dhe rritjen e kësaj bime. Dje policia vendore e Tropojës ka zbuluar dhe më pas asgjësuar 1120 rrënjë të bimës narkotike kanabis sativa, në fshatin Lug të komunës së Lekbibajve të këtij rrethi. Burime të komisariatit të Policisë së Bajram Currit kanë bërë të ditur se në kuadër të operacioneve për asgjësimin e bimëve narkotike, kryesisht të kanabisit, janë zbuluar në fshatin Lug të Lekbibajve, 1120 rrënjë të kësaj bime në një parcelë. Policia ka asgjësuar bimën narkotike, por nuk ka zbuluar autorët që e kanë mbjellë atë, pasi parcela ku ishte mbjellë kanabisi nuk rezultonte me pronarë. Zbulimi i bimëve narkotike në fshatin Lug ndodh vetëm tre ditë, pasi policia ka zbuluar dhe më pas asgjësuar në fshatin Salcë të komunës Lekbibaj, 4300 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Droga e mbjellë në këtë fshat u zbulua në sajë të vëzhgimit nga ajri me anë të një helikopteri të policisë. Bima narkotike e zbuluar në fshatin Salcë ka qenë e mbjellë në 6 parcela, ku tre prej tyre kanë pronarë. Policia ka shpallur në kërkim tre pronarët e këtyre parcelave si dhe kryeplakun e fshatit Salcë i cili nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, por është larguar me mbërritjen e kësaj të fundit.Tropoja nuk është evidentuar si një pikë e nxehtë e kultivimit të lëndës narkotike, megjithatë në këtë rreth janë shënuar edhe në të shkuarën raste të kultivimit të lëndës narkotike, sidomos në fshatrat e thellë të këtij rrethi, ku terreni malor dhe uji i bollshëm në zonat malore favorizon kultivimin e lëndës cannabis sativa. Policia ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e pushtetit vendor për parandalimin dhe vënien para përgjegjësisë së atyre personave që mbjellin dhe kultivojnë lëndën narkotike cannabis sativa. Ndërkohë që në bazë të një amendamenti të shtuar në Kodin Penal, pushtetarët vendorë do të mbajnë përgjegjësi ligjore në rast se në territorin ku ato qeverisin zbulohen parcela të mbjella me bimë narkotike. Rastet e kultivimit të lëndëve narkotike në qarkun e Kukësit kanë qenë sporadike dhe kanë filluar në vitin 1996, por raste më të shpeshta në Kukës janë shënuar pas vitit 2000, ku janë evidentuar raste të kultivimit të bimëve narkotike si në Pistë, Nimçë, Buzmadhe të rrethit të Kukësit, ndërkohë që në vitin 2005 janë evidentuar nga policia dy raste, njeri në Ujmisht të Kukësit, ndërsa tjetri në Llugaj të Tropojës. Megjithatë Kukësi është një vend transit i trafikimit të kësaj lende në drejtim të Kosovës. Kufiri Shqipëri-Kosovë shtrihet në një terren të thyer e terësisht malor që favorizon trafikun e lëndëve narkotike përmes shtigjeve të pamiratuara të kufirit, ose siç quhet ndryshe përmes kufirit jeshil.