Re: Fatos Nano ky udheheqes kombetar
<ul style="list-style-type: disc">[*]Nano: une i kam mesuar politikes shqiptare se çeshte doreheqja. por sot nuk jap doreheqje per shkak te pergjegjesise qeverisese dhe stabilitetit te vendit
Nga Fatos Nano, Kryeminister[/list]
Ne duhet të jemi shumë komunikues me njeri tjetrin, për të
qartësuar të ardhmen e përbashkët. Nuk është problemi kush bërtet më shumë në emër të kujt. Kjo është një çështje vendimmarrje politike për të përfaqësuar mazhorancën e zgjedhësve, që na ka besuar të qeverisim vendin në nivel qendror dhe mazhorancën që u konfirmua në zgjedhjet vendore të fundit. Pra gjërat duhen qartësuar siç e bëri Limozi dhe Iliri, sepse Limozi e tërhoqi kërkesën për dorëheqjen time në kryesi dhe u bashkua me njoftimin për shtyp që shprehu konsensusin e kryesisë me të cilin erdha këtu sot. Normalisht po mësohemi të shohim inkonsekuencat e njëri-tjetrit. Inkonsekuencat e anëtarëve të kryesisë janë shumë më të rënda se sa të ish-anëtarëve të kryesisë apo të ndonjë deputeti më vete. Sidoqoftë të gjithëve na vlerëson korumi që na ka zgjedhur për të përfaqësuar dhe ky proces po vijon. Nuk besoj se nuk e keni kuptuar përse unë po vazhdoj detyrën për të cilën më keni mandatuar dhe nuk po përzihem as dukshëm as pa dukshëm në procesin e konferencave dhe përgatitjet e kongresit. Po bëj vetëm detyrën, edhe politike, që më keni caktuar edhe në krye të grupit të punës për raportin e kongresit. As më pak dhe as më shumë. Këtu janë të gjithë anëtarët e grupeve institucionale të punës, që kanë dalë nga KPD gjithashtu. Më duhet të shtoj disa argumenta kundrejt kërkesës që lexoi anëtari i Kryesisë Dizdari dhe që vetëm dy tre veta u identifikuan që e mbështesin. Së pari, dua të sqaroj se dorëheqja nuk është dhe nuk mund të jetë një akt i imi personal. Është përgjegjësi politike e Kryetarit të PSSH-së, i cili po mbyll mandatin politik, do të verifikohet në Kongres dhe do të vazhdojë të interpretojë, e kam theksuar qartë se do ta respektoj verdiktin e Kongresit, vullnetin e anëtarësisë në forumin më të lartë përfaqësues. Pra unë po vazhdoj të bëj detyrën e Kryeministrit për të cilën më keni mandatuar, në dallim nga Iliri apo ndonjë tjetër, që ose ka ikur, ose kërkon dorëheqjen time dhe e theksoj se nuk është një qëndrim as personal, as për interesat e mia familjare, është për të mirën tonë të përbashkët. Pra unë nuk e jap dorëheqjen, sepse vlerësoj mbarëvajtjen e qeverisë sonë, të maxhorancës sonë, të votuesve të saj, dhe interesat e zhvillimit të progresit, edhe të munguar të vendit, për të cilat jemi mandatuar të drejtojmë. Unë nuk e jap dorëheqjen, për shkak se i vlerësoj me shumë përgjegjësi raportet tona elektorale me opozitën, e cila nuk është rritur pavarësisht se maxhoranca është fragmentuar. Unë nuk e jap dorëheqjen për shkak të balancave të politikës ndërkombëtare, ku Shqipëria po integrohet, të cilat nuk nxisin dhe nuk dëshirojnë destabilizim të qeverisë në Shqipëri, si një element i stabilitetit rajonal gjithashtu. Së dyti, këtë gjë po e thotë një njeri që në përvojën politike 13-vjeçare në vëmendjen e të gjithëve në PS dhe të Shqipërisë, u ka mësuar të gjithë të tjerëve institucionin e dorëheqjes, por jo të gjithë ia dinë vlerën dorëheqjes. Prandaj qëndrimi që po shpall në mënyrë të përsëritur sot, do të thotë t'i dish vlerat dorëheqjes. Duke vlerësuar këto parametra, nuk ka asnjë arsye politike serioze që të çojë Kryetarin e Partisë, Kryeministër, në dorëheqje. E dëgjova me shumë vëmendje edhe analizën kritike, por brenda familjes të ish-profesorit tim Zydi Pepa. Pajtohem me të pjesërisht, pajtohem me të plotësisht, duke sjellë në vëmendje që nuk është hera e parë që analizojmë qeverinë dhe qeverisjen. Madje është hera e parë në 12 muajt e fundit që Qeveria vet ka bërë analizën e saj, detyrim ligjor dhe institucional, nuk ka ndodhur më parë dhe, kjo nuk është sjellë në referencën tonë si tregues avantazhesh të një qeverie ndaj tjetrës dhe, qeverisja jonë është tashmë 7 vjeçare dhe përbëhet nga tre qeveri. Por do të pajtohesha plotësisht me profesorin tim Zydi duke shtruar pyetjen: ka qarkulluar dhe qarkulluar shumë informacion qeverisës nga qeveria për në grup dhe anasjelltas. Nuk besoj se takohemi vetëm në mbledhjen e grupit, ku gjithashtu ka patur materiale zyrtare raportuese ashtu si në Kryesinë e PS apo në KPD për këtë çështje. Problemi që duhet të zgjidhim seriozisht dhe në respekt të forcës sonë politike, jo të individëve të veçantë, është përse në debatet tona ky informacion nuk vlerësohet, përse dominon ende subjektivizmi, fobia, miqësia e grupit në raport me informacionin e ecurisë së vendit, problemet e vendit, rezultatet e qeverisjes, dështimet e qeverisjes, ritmet e larta apo të munguara, vlerësimet e partnerëve, diferencat sektoriale, dhe për pasojë objektivitetin që në një kohë të caktuar si kjo, po flas për stinën jo për ditët me vakanca, e sajuar artificialisht me mbylljen e një cikli objektiv të vlerësimit të kontratave të funksionimit të ministrave si anëtarë të kabinetit dhe si drejtues të sektorëve sipas prioriteteve dhe matricës së programit me 550 objektiva i dashur Zydi. Pra z.Muçi është dakort me ç'ka bërë kryetari dy muaj më parë, kurse unë jam dakort me ç'po thotë Zydiu dy muaj më pas, duke ju kërkuar juve të kuptoni çfarë po thoni sot. Sepse Iliri që sapo foli, para dy muajsh kërkonte rikompozim të qeverisë. Sot që po flasim objektivisht për rifreskim të qeverisë nuk e pranon rikompozimin, kërkon dorëheqjen e Kryeministrit. Iliri nuk është shumë inkoherent sepse e ka kërkuar edhe më parë këtë gjë, në të gjithë platformën e tij kundër, që nuk pajtohet me disiplinën, të cilën e quan autoritarizëm dhe me kërkesën e llogarisë të Kryeminstrit në qeverinë, ku edhe ai bënte pjesë deri në korrik, përkundrejt detyrës ligjore dhe performancës, njëlloj si gjithë të tjerët, madje me përgjegjësi më të madhe për shkak të pozicionit të tij si ish-Zëvendës/Kryeministër. Atëherë i dashur Zydi në substancë debati që nuk po mbyllet nga disa që sillen çuditërisht si ish-shokët tanë është fiktiv në substancë. Nuk kanë ndonjë bazë konkrete përveçse duket se është bërë i lexueshëm edhe në sytë e forumeve verifikuese të partisë. Nuk besoj se po shkelim ndonjë procedurë statutore që po verifikohen mandatet. Nuk besoj se ashtu si Edi Rama apo Rexhep Meidani, që vijnë papritmas njëri për herë të parë tjeri pas kaq kohe dhe ju thonë s'dini të vlerësoni, s'keni informacion, jeni pa shkollë, anëtarëve të partisë. Me këta anëtarë partie u futëm në internacionale. Përveçse interesit personal të disa prej nesh për karierë dhe, mirë kemi ndërtuar një përvojë për karierë dhe mbi këtë bazë thashë edhe CV kompetitive I dashur Zydi, edhe CV komtetitive do të thotë nga CV me tre rreshta në CV me tre faqe, nga CV me një diplomë në CV me shtatë diploma, nga CV me tre mandate të votuara në CV me një mandat të dhuruar, etj., këto janë CV-të kompetitive dhe këto janë standartet, që nuk besoj se ju bezdis të them, përdor gjithë bota politike e Internacionales, apo bota e popullorëve në Europë e më gjerë dhe që përfundimisht meqë po iu afrohemi standarteve të BE-së nuk na lejohet të shpikim dhe do të përdorim instrumentat bazë që përdorin të gjithë, natyrisht jo si mosvotimi i qeverisë nga maxhoranca e vet, që nuk ekziston gjëkundi si standart. Megjithatë I kemi lejuar derimë sot vetes skarcitete. Bëmë një mbledhje KPD-je ku bëmë amnisti për skarcitete dhe dua sinqerisht të shpreh gjithë mirëkuptimin Fatmirit apo Flamurit që e kanë lexuar me dinjitet dramën, që edhe për mua është e dhimbshme, e kanë lexuar me dinjitet verifikimin i cili nuk ka mbaruar, është në proçes, të sjelljes politike në periudhat që të gjithë japim llogari. Po është e vërtetë, kam incuar unë para dy vjetësh dhe, referencat duhet t'i keni të qarta, një debat politik dhe publik të partisë dhe në PS për krizën e përfaqësimit dhe, natyrisht nuk e bëra për vete, por për të gjithë ne. Anëtarësia jonë e vlerësoi dhe mbështeti përmirësimin e qeverisjes, i cili është i lexueshëm, i matshëm dhe përgjithësisht i vlerësuar përveçse me kontestime brenda nesh. Natyrisht nuk presim të na vlerësojë Berisha. Besoj se e dini që edhe në atë kohë mund të kishim përfunduar në zgjedhje të parakohshme. Te gjithe kemi nga një kredo, edhe personale në PS, dikush më shunmë, dikush më pak, për shkak të një historie më shumë se një dekadë me të, për të dhe prej saj. Dhe unë kam një kredo të tillë të cilën e kam përdorur me të gjitha forcat e mia edhe në fushatën e fundit që partia të jetë e votuar, në pushtet, anëtare e Internacionales dhe kompetitive në spektrin politik vendas dhe në vlerësimet për qeverisjen nga fqinjët dhe aleatët nga ana jonë dhe më gjerë. Unë nuk e kam bërë këtë gjë në kurriz të askujt. Dramat e zëvendësimit të qeverive dhe të ministrave nuk mund të jenë specifike për Ilirin apo për Pandin, sepse në to kemi kaluar të gjithë. Shumica kanë hyrë dhe kanë dalë në qeveri. Një pakicë dhe ky është fakt i vlerësuar qetësisht nga shumica jonë kanë kaluar në përfaqësi politike, nuk kanë hyrë dot në qeveri dhe detyra e përfaqësimit nuk është thjesht dhe vetëm ekzekutive dhe, për fat të mirë përvoja ekzekutive dominon shumicën dhe, këto nuk mund të jenë drama personash, aq më pak drama personash që kthehen në tragjedi për partinë dhe maxhorancën. Pas atij debati ashtu si mundëm dhe ditëm ta bëjmë, por që më në fund arritëm të qetësohemi dhe të nënshkruajmë sëbashku, të krijojmë një konsensus së bashku në Kryesi, KPD dhe Grup parlamentar, të quajtur Pakt Stabiliteti, ndryshuam përbërjen e qeverisë dhe vazhduam të qeverisim, ndërtuam këtë qeveri që është sot, e cila objektivisht dhe në një arësyetim politik jo të Fatos Nanos, por kolegjial, ishte e kushtëzuar me zgjidhjen e krizës potenciale të zgjedhjes së Presidentit konsensual apo jo. Pra kjo qeveri të cilën shoku Ilir e la në mes të rrugës, për arësye, të cilat i ka bërë vetë të njohura, qeveri ku ti ke qenë zëvendësryeminstër, madje akoma s'i ka kërkuar ndjesë anëtarësisë, forumeve, por ka kohë ta bëjë, për shkeljen e këtij pakti politik. Mesa duket kjo metamorfozë nga pakt në shkelje pakti, hyrje në qeveri dalje nga qeveria, rikompozim dorëheqje e kryeministrit, etj., kanë në bazë një sindromë të njohur politike që quhet fobi, e radhës kësaj here, duket e parikuperueshme, aq sa gradualisht mund të na çonte edhe në zgjedhje të parakohshme siç arësyetuam në mbledhjen e Kryesisë. Për këto arsye më lejoni të theksoj qetësisht se kërkesa për dorëheqje është e pamotivuar politikisht. Më tej do t'ju ftoja të mos harrojmë se ende jam Kryetar i partisë sonë, jap llogari në Kongres, do të rikandidoj dhe pretendoj të jem i tillë edhe pas kongresit. Do të konkuroj me rregullat që kemi vendosur bashkarisht. Nëse disa prej jush do të mendojnë se Kryetari i Partisë duhet të ikë, atëherë minimalisht duhet të testojë veten në zgjedhjet përfaqësuese brenda partisë por edhe partinë në elektorat. Në çdo rast unë kam dhe do të vazhdojë të ushtroj përgjegjësinë kryesore politike që më keni dhënë për të mos lejuar rrëshqitjen e vendit dhe të mazhorancës në zgjedhje të parakohshme kaotike, forcat e mëdha të të cilave i njohim mirë. Në deklaratën që lexoi shoku Limoz, ka edhe një argument që e quan qeverinë antikushtetuese dhe pozicionin e Kryeministrit si dhe të PS-së në të, si në shkelje të Kushtetutës, për shkak jo vetëm të vakancës. Qeveria nuk është anti kushtetuese. Ka vetëm një moment anti kushtetues dhe kjo është zallamahia që solli braktisja e detyrës nga Ilir Meta, duke shkelur nenin 106 të Kushtetutës dhe duke ikur pa qëndruar deri sa të vijë pasardhësi. Kjo krijoi një precedent të rëndë në shpërfillje të hapur të Kushtetutës. Prandaj Zëvendës ministrat e kryejnë detyrën në kushtet e mungesës së ministrave, jo në bazë të Kushtetutës por në bazë të ligjit për Këshillin e Ministrave dhe jo për shkak të vullnetit tim, por për shkak të vullnetit të Qeverisë si institucion kolegjial. Ka edhe një moment tjetër i cili meriton të qartësohet. Kryeministri po përdorka qeverinë për të manipuluar proçesin kongresual. Nuk besoj se çështja është kaq banale sa ndokush ka merakun e karburantit të makinës së Kryeministrit, kur del ndonjëherë për të inaguruar ndonjë objekt të rëndësishëm e me atë rast të takojë edhe partinë e tij. Unë po e vlerësoj qetësisht procesin kongresual si një mekanizëm të domosdoshëm institucional për të përmirësuar sjelljet e përfaqësuesve. Ky proces po tregon vlerat e gjithësecilit që diku i konfirmohen, diku kërkohet të konfirmohen. Besoj kjo është shumë e rëndësishme edhe për stabilitetin dhe vazhdimësinë e qeverisjes së maxhorancës sonë. Pra mua më duhet të vlerësoj se largimi I Kryetarit të Partisë nga detyra e Kryeministrit deri në kongres, është një amatorizëm politik, është tallje e hapur me përgjegjësitë qeverisëse të Partisë, sepse ne nuk mund të vemë qeverisjen e vendit nën kërcënimin e të ashtuquajturës barazi për kandidim konkurentësh. Në asnjë vend të botës nuk bëhen eksperimente të tilla amatoreske, sepse kjo kërkesë e shndërron partinë në një parti shtet në thelb. Në fund të fundit Kongresi kërkon barazi shansesh dhe jo barazi e vlerave të personave. Në kongres kështu shkohet: dikush si Ministër, dikush si deputet, dikush si prefekt e kështu me radhë. Ajo që na bashkon dhe na vë në provë është rregulli i konkurimit dhe fshehtësia e votës së vlefshme të antarësisë. Gjithashtu, po ritheksoj për të gjithë ata që kërkojnë ritheksimin e përsëritur të toneve të mia autokritikë. Të gjithë bëjnë gabime. Gabimi është njerëzor. Por një gjë duhet ta keni të qartë dhe të jeni të sigurtë se Kryeministri juaj dhe Kryetari I partisë suaj nuk ka bërë flirte politike me kundërshtarët e betuar të partisë e qeverisë suaj. Përkundrazi, unë kam mbyllur dhe po vazhdoj të mbyll ligjërisht shtigje për korrupsion politik apo abuzimin me mandatin e përfaqësimit, duke rivendosur autoritetin e insitucioneve dhe rregullin e ligjit të barabartë për të gjithë. Këto gjëra edhe nëse nuk duken shumë qartë sot, do të shihen akoma më qartë nesër, sepse të gjithë japim llogari përballë anëtarësisë dhe detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Ju ndjek me vëmendje dhe nuk i paragjykoj më emocionet e gjithsecilit anëtar të grupit parlamentar. Realiteti është ky që po përballojmë sëbashku brenda nesh dhe përballë opozitës, prandaj unë erdha këtu sot i vendosur dhe i mandatuar për këtë konsultim me grupin nga kryesia e parties, për të shqyrtuar me ju nevojën e freskimit të qeverisë, në disa sektorë, ku të gjithë ndjejmë problem. Po ritheksoj çfarë thashë në fillim. Ky proces politik konsultimesh me grupin parlamentar nuk është i vetmi, por shumë i rëndësishëm. Arsyeja themelore që bashkoi vullnetet e anëtarëve të kryesisë për të ardhur në këtë konsultim me grupin ishte dhe mbetet nevoja dhe angazhimi konsensual për ta zhveshur proçesin e konferencave dhe të kongresit nga emocionet negative të votimeve apo të debateve për qeverinë që vazhdojnë të shfaqen edhe këtu. Asnjë arsye më pak, asnjë arsye më shumë dhe, kjo është një shprehje e pakontestueshme, është pronë politike dhe institucionale e një vullneti që as këtu nuk na ndan. Të zhveshim mendjen e anëtarëve dhe delegatëve të partisë nga emocionet negative për dhe ndaj qeverisë. I shërben jo vetëm çdo përfaqësuesi veç e veç, por të gjithëve sëbashku. Nuk mund t'i shërbejë kjo gjë titullarëve të partisë apo të qeverisë shokëve që janë ministra apo që drejtojnë partinë. Kjo është në të mirë të të gjithëve prandaj unë do të vazhdoj këtë proçes konsultimi me ju, me kryesinë dhe mbi bazën e mandateve të saj dhe vetëm të saj me konferencat, me aleatët, me përfaqësuesit tanë institucionalë që drejtojnë shtetin, me Presidentin e Republikës në respekt të përfaqësimit politik që gëzojmë të gjithë njëlloj, të Kushtetutës dhe të nevojës për stabilitet të qeverisjes dhe të institucioneve në Shqipëri. Të jeni të sigurt që, me të njëjtin gjykim dhe maturi që flas me ju, flas dhe me përfaqësuesit politikë dhe diplomatikë të vendeve, që ndajnë të njëjtin shqetësim për nevojën e stabilitetit, që kanë programe në process edhe këto ditë të financojnë Shqipërinë, buxhetin dhe zhvillimin. Prandaj duke i ndjekur emocionet e të gjithëve ju garantoj që do mbetem shumë i qetë për të mos u emocionuar në detyrë.
Pergatiti : S.Vuciterna
Zeri Popullit