Re: Fakulteti Ekonomik duhet reformuar, por si?
Strategjitë e komunikimit
PROF. DR. ARTAN FUGA - Gazeta Metropol
10 Janar Edhe një herë për provimet universitare
Nga shtypi mësojmë se një grup pune ka përpunuar një sërë masash lidhur me zhvillimin e provimeve universitare me qëllim, siç thuhet, që të përballet korrupsioni nga ana e disa pedagogëve.
Qëllim i mirë.
Ideal i lartë.
Ka një shqetësim real nga shoqëria, por me përmasa mediatike, lidhur me disa pedagogë që kërkojnë ose marrin para prej studentëve për t’u dhënë këtyre të fundit një notë kaluese ose të pamerituar.
E kam theksuar edhe herë të tjera dhe kam dëshirë ta ritheksoj përsëri, se kjo dukuri, sikur edhe në përmasa reale shumë më të vogla të jetë, përbën një turp për të gjithë korpusin profesoral të vendit, për institucionet e shkollave të larta, për vetë masën e studentëve dhe, në përgjithësi, për gjithë shoqërinë shqiptare, e cila paraqitet kështu si shoqëri e «bakshishit» oriental.
Duhet thënë troç, sikurse e kam shprehur edhe herë të tjera, se ai ose ajo pedagoge që shpërndan nota dhe vlerësime si shkëmbim i parave ose i privilegjeve të tjera materiale, nuk është tjetër njeri, veçse një hajdut xhepash.
Po, po, një vjedhës, sikurse ata më ordinerët.
Është detyra e studentëve dhe e gjithë opinionit, e shtetit dhe e administratës, për t’i denoncuar këta «hajdutë xhepash», për t’i ndëshkuar dhe i nxjerrë jashtë trupit profesoral, i cili, duhet thënë, nuk mund të identifikohet aspak me disa elementë të degjeneruar moralisht dhe profesionalisht.
Nisur prej këtej mund të thuhet se shqetësimi është i drejtë dhe pikënisja e bazuar. Kurse rruga e saktë për të organizuar provime që e shmangin korrupsionin dhe realizojnë cilësi të lartë në vlerësime, fatkeqësisht nuk po gjendet ende. Një pjesë e masave që propozon grupi i punës janë joefikase, formale, kurse një pjesë tjetër e tyre, madje edhe problematike për ecurinë dhe mbarëvajtjen e jetës universitare.
Por, përse flasim më së pari për një strategji komunikimi?
Për arsye se masat e propozuara kanë dalë në shtyp, por askush nuk citohet që të ketë qenë autori i informacionit të dhënë.
Kush është burimi?
Një nëpunës, një zëdhënës shtypi apo dikush tjetër, për shembull, drejtuesi i grupit të punës?
Përse nuk shfaqet?
Nuk është këtu fjala për të ditur se cilët persona kanë qenë pjesëtarë të këtij grupi pune. Kjo nuk ka pikë rëndësie. Problemi është se në përgjithësi nuk është etike që një informacion zyrtar të dalë nga burime të paidentifikuara.
Po supozojmë se informacioni që jep media është fare i vërtetë, përndryshe natyrshëm do të kishte pasur reagime përgënjeshtruese. Hajde se po pranojmë që informacioni është pa autor, sepse ka dalë në mënyrë të pavullnetshme. Mediat e kanë rrëmbyer atë, dhe po qese është kështu mirë kanë bërë.
Nga ana tjetër, duket shumë e çuditshme sesi komunikimi i hallkave të administratës bëhet nganjëherë duke u mediatizuar në mënyrë të vullnetshme.
Ngatërrohet krejt komunikimi administrativ me komunikimin masiv.
Gjithçka kalon nëpërmjet shtypit.
Transmetimi i masave të propozuara nga dikasteri nëpër universitete kalon paralelisht edhe nëpërmjet mediave. Nga njëra anë duket se këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, edhe unë e pranoj, e gjitha kjo i shërben transparencës së punës së administratës. Megjithatë, ka edhe një aspekt negativ kjo mënyrë komunikimi. Ky element i fundit lidhet kryesisht me faktin se kështu qarkullimi i informacionit nëpër hallkat e administratës shndërrohet në një material që medoemos merr edhe nota propagandistike dhe mediatike, bëhet çështje opinioni në një fazë kur nuk është veçse një problem tekniko–pedagogjik. Dëshira për t’i pëlqyer opinionit, turmës, shpesh e çorienton veprimtarinë administrative. Nëpunësia dhe gazetaria janë dy zanate të ndryshme.
Nuk kuptohet mirë pastaj se cili është dallimi midis ligjit që përcakton kompetencat e dikasterit dhe cilat janë anët që rregullohen prej vetë shkollave të larta, si njësi autonome.
Masat në fjalë janë thjesht propozime, rekomandime, apo tekste që do të kthehen në detyrime administrative?
Po qese bëhet fjalë për këtë të fundit, ka vend të gjykohet fillimisht se cili është organizmi që detyron e përcakton sesa do të jetë numri i pedagogëve në komisionin e provimit, nëse kanë ose jo të drejtë studentët të qëndrojnë si publik në sallën e provimit, ndërkohë që të tjerët përgjigjen, etj.
Sidoqoftë, përderisa çështja është bërë publike, përderisa kërkohet reagim nga ana e universitarëve, atëherë me respekt të plotë ndaj punës dhe mundit të të tjerëve, le të më lejohet të shpreh disa mendime, që duhet të them se janë me natyrë kritike.
Studentët si publik
Propozohet që studentët e një grupi a kursi të kenë të drejtë të asistojnë në provim si publik, pra gjatë gjithë kohës që kryhet provimi. Kjo shikohet si një masë antikorrupsion, sepse nënkupton që provimi do të bëhet në sytë e publikut, i cili pretendohet se do të vejë re edhe privilegjet që bëhen, edhe aktin e marrjes së ryshfetit nga ana e pedagogut.
Kaq budallenj të jenë këta pedagogë që praktikojnë ryshfetin sa të mos kenë vend tjetër ku t’i marrin paratë e pista veçse në sallat e auditorit?
Nuk kanë vend tjetër për ta bërë këtë?
Po qese këto pyetje marrin një përgjigje të vetvetishme, atëherë lidhur me këtë aspekt prania e studentëve si publik në provim bëhet fare e padobishme për të luftuar korrupsionin. Por, mund të thuhet se prania e studentëve do të formojë një forcë opinioni, i cili do të dëgjojë provimet, pra do të survejojë sesi përgjigjen studentët dhe çfarë notash iu vihen atyre! Kjo nënkupton që studentët si publik të fillojnë të reagojnë në provim, duke debatuar me pedagogët lidhur me notat e vëna, me cilësinë e përgjigjeve të shokëve dhe shoqeve të tyre, me natyrën e pyetjeve të formuluara. Kjo do të thotë që seanca e provimit të rrezikojë të kthehet në një seancë debati popullor midis studentëve dhe pedagogut. Provimi do të kthehet kështu nga një çështje e mirëfilltë teknike në një çështje që varet nga opinioni publik dhe realizohet nën presionin e opinionit publik.
Ku është marrë kjo përvojë?
Le të na thuhet një universitet i huaj perëndimor që e lejon këtë procedurë.
Nuk besoj se ka nevojë që në realizimin e provimeve universitare të zbatohet vija e masave, e cila është joefikase. Por, e gjitha kjo më kujton turbullazi praktikat e revolucionit kulturor kinez dhe të lëvizjeve masive të vitit 1968 në Perëndim, kur në mes të anarkisë së përgjithshme, ideologë të ndryshëm hidhnin parulla të ndjekura masivisht, që kërkonin pjesëmarrjen e studentëve në vlerësime. Gjykimet e pedagogëve të vendoseshin nën kontrollin e turmave dhe të publikut. Dihet sesi përfunduan këto praktika.
Imagjinoj një pedagog të mjerë, i cili formulon një pyetje fare modeste për studentin që po merr në provim?
«Më flisni pak për grushtin e shtetit të Napoleonit të tretë?».
Ndërkohë, dëgjoj nga salla një grup studentësh që ngrihen në këmbë dhe thërrasin gati në korr:
«S’është pyetje e mirë. Është fare e lehtë. Pyetje tamam do të ishte: «Na fol pak për Waterlo–në e Napoleonit të parë! Këtë pyetje bëji profesor, sepse përndryshe, kuptohet se ke marrë para prej atij që po pyet».
Kjo që theksoj nuk ma ul në asnjë rast respektin më të plotë dhe përkushtimin më integral ndaj studentëve. Nuk është fjala për të nënvleftësuar masën e studentëve. Puna është gjetiu. Të ruhet dinjiteti dhe personaliteti i pedagogut dhe të mos bëhet ai objekt presioni nga ana e opinionit në çastin kur ai kryen detyrën e tij profesionale me përmasa teknike dhe shkencore shumë të larta.
Por edhe nga ana praktike masa që propozohet për të organizuar provime në prani të publikut është e pamundur të realizohet. Imagjinoni që një student është duke u përgjigjur. Ndërkohë, në korridor janë mbledhur njëzetë, tridhjetë, pesëdhjetë studentë që dëshirojnë ta dëgjojnë sesi përgjigjet.
Çfarë të bëjë më parë pedagogu?
Të kontrollojë te dera për të verifikuar nëse studentët që ndodhen pas porte dhe kërkojnë të hyjnë në provim janë studentë të atij grupi, apo janë «gallataxhinj» të rrugës që nuk kanë me se merren atë ditë?
Të mbajë qetësi?
Të shohë hyrjet dhe daljet nga salla sipas dëshirave të publikut?
Të mbajë qetësinë dhe rendin në një sallë të mbushur plot me tridhjetë apo pesëdhjetë vetë, ndërkohë që dikush përgjigjet?
Të vigjëlojë që të mos jepen kopje?
Po studentët që do të jenë duke u përgatitur në sallë, kush do të mendojë për t’u siguruar qetësinë e nevojshme për të shkruar a menduar?
Kush do të kujdeset që ata të mos ndihmohen padrejtësisht nga publiku që ndodhet në sallë?
Palé sekreti i provimit që kështu mbaron krejtësisht. Mjafton të rrish në sallë dhe i merr vesh të gjitha pyetjet që kanë rënë. Mendon për të tjerat. Ato që kanë mbetur pa u dhënë.
Vështirësia e provimeve me gojë
Është e qartë se propozimi për të përdorur provimet me gojë si formë vlerësimi të dijeve është fare normal. Por, nuk duhet harruar se askush nuk ka penguar deri më tani që kjo formë vlerësimi e dijeve të studentëve të mos përdoret. Nga kjo pikëpamje nuk del në dritë asgjë e re. Është zbuluar diçka që dihet. Është shqyer një portë e hapur në dy kanate.
Por, praktikisht, provimet me gojë janë bërë të rralla në sistemin e shkollave të larta të vendit. Në disa raste, çka po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, këto provime me gojë janë bërë praktikisht të pamundura. Pra, ato nuk janë zhdukur kot së koti. Duhet studiuar tërësia e arsyeve se përse këto provime nuk parapëlqehen edhe aq.
Së pari, sepse në provimet me gojë është shumë vështirë ta bindësh një student se ku e ka mirë dhe ku e ka gabim. Shpeshherë pedagogu është i detyruar të hyjë për rrjedhojë në debate të pafund: «jo e the, jo nuk e the». Pastaj, duhet ditur se presioni i rrethit miqësor, i ndërhyrjeve nga jashtë, i presionit të vetë studentëve në formën e provimit me gojë, është shumë më i madh sesa në provimet me shkrim. Le të mos harrojmë se dalim nga një fazë ku kërcënimet, madje, edhe fizike, sikurse shantazhet psikologjike mbi profesoratin kanë qenë shumë të mëdha dhe shpeshherë të formave më të papranueshme.
Duhet njohur historia e universiteteve.
Shantazhi dhe kërcënimi fizik janë pra më të mundshëm kur është fjala për forma provimi që e bëjnë pedagogun të ballafaqohet direkt me ambientin. Më së fundi, provimi me gojë nuk lejon një formalizim shkencor të përgjigjeve në krahasim me atë çka imponon dhe detyron provimi me shkrim.
Të gjitha këto kufizime të provimeve me gojë duhen njohur dhe mbajtur parasysh. Biles, edhe korrupsionin e mundshëm të ushtruar nga pedagogë të ndryshëm, provimi me gojë në disa drejtime e bën më të lehtë. Provimi me gojë nuk le asnjë gjurmë, sepse fjalët e studentit, pasi thuhen, «i merr era».
Me këtë nuk duhet të themi se provimet me gojë nuk kanë avantazhet e tyre dhe se ato nuk duhen përdorur. Dëshiroj të them vetëm se provimet me gojë nuk janë mjete për ta ulur dhe zhdukur korrupsionin universitar atje ku ai ekziston realisht.
Por ama, këta avantazhe të provimeve me gojë nuk duhen gjetur atje ku nuk janë. E them këtë se në masat e propozuara theksohet se provimet me gojë ndihmojnë të zhvillohen aftësitë e gojëtarisë. Nuk dua të ndërmarr leksione retorike dhe as të filozofisë së gjuhës apo të logjikës së komunikimit. Por, po të jetë për kulturën e të shprehurit, duhet ditur se i gjithë brezi ynë i ri si edhe i gjithë kombi më shumë problem ka të shprehurit formal me shkrim, sesa shprehjen e folur. Çdo njeri që e njeh sadopak gjendjen e njohurive dhe të aftësive të të shprehurit të studentëve dhe të nxënësve të shkollave të mesme, apo vështirësitë e pafund të studentëve shqiptarë në universitetet perëndimore, e di fare mirë se të metat më serioze qëndrojnë te të shprehurit formal me shkrim.
Provimi me gojë nuk është vendi ku mësohet oratoria. Nuk është vend që të realizojë këtë mision. Artikulimi i ideve me gojë mësohet mirë gjatë diskutimeve dhe debateve në seminare dhe gjatë orëve të leksionit. Ndërsa në provimin me gojë, ajo që ka vlerë nuk është aspak mësimi i oratorisë, por fakti i një komunikimi interaktiv të atypëratyshëm, çka është vlerësuar qysh dymijë vjet më parë nga filozofët grekë, si Sokrati dhe Platoni, të cilët ishin lidhur aq shumë me mësimdhënien e folur, saqë nuk dëshironin fare t’i shkruanin, t’i hidhnin në letër idetë e tyre. Filozofë modernistë si Zhak Derrida e të tjerë kanë mbrojtur idenë se komunikimi oral është e vetmja formë komunikimi adekuat me anë të fjalëve, ndërsa i shkruari nuk është veçse helm, drogë, vaksinë. Por, le ta lemë për më vonë një arsyetim më të gjatë për filozofinë e të shkruarit dhe të folurit. Sidoqoftë i foluri është tribal, kurse e shkruara është gjuha e modernitetit.
Ajo që na intereson këtu është të themi se provimi me gojë nuk është më i mbrojtur nga korrupsioni sesa provimi me shkrim. Por, në planin e masave të propozuara bëhet si një lloj kërcimi dhe zgjidhja gjendet, sikurse marrim vesh nga shtypi, te fakti se provimi me gojë do të realizohet duke e detyruar studentin të përgjigjet përpara një komisioni me dy ose tre pedagogë.
Këtu ne vijmë te fabula e dy policëve dhe e pedagogut.
Një pedagog dhe dy policë
Përpara disa kohësh u duk sikur do të propozohej një masë tjetër që kishte në thelb idenë aspak të gjetur, sipas të cilës leksionet do t’i jepte një pedagog, kurse provimin do ta zhvillonte dikush tjetër. Kjo ide nuk po na shfaqet sërish, fort lumturisht, por ja, në vend të saj, duket një e dytë, disi më e zbutur, por përsëri aspak frytdhënëse. Në fakt, e përdorur qysh në kohën e monizmit, kur pedagogët ruheshin nga përfaqësuesit e komisioneve partiake të etikës bigbrotheriane se mos kryenin marrëdhënie seksuale me dhunë në sallat e boshatisura të provimeve me studentet e tyre.
Por, atëherë kishte një farë kuptimi që provimi të jepej përpara një komisioni. Të gjitha leksionet ishin pak a shumë njësoj dhe biles të aprovuara në formën e tyre standarde në departamente e katedra. Atë që kishte leksioni i Hysenit, kishte edhe leksioni i Stavrit, edhe leksioni i Teftës, edhe i Spiros, biles edhe i doktor Adhamudhit. Kurse tani, falë Zotit, në sajë të lirisë akademike që gëzojmë me pashë, mund të zhvillohet e njëjta lëndë, ndërkohë që përmbajtja e saj në kurse leksionesh të pedagogëve të ndryshëm mund të jetë fare e ndryshme.
FARE.
Si mund të shkoj pa një barrë turp të asistoj dhe të marr pjesë në vendosjen e notës një studenti kur nuk e njoh fare leksionin e kolegut tim me të cilin ai ka mësuar?
A është e kollajtë të marrësh pjesë në një komision provimi jo për shkak të aftësive të tua profesionale, por thjesht si vëzhgues, si survejues, si kontrollues?
E pamundur.
Si do të bashkohen në të njëjtin komision provimi tre pedagogë, nga të cilët, njëri nuk ka lidhje fare me atë lëndë dhe tjetri nuk ka zhvilluar asnjë leksion me kursin që merret në provim?
Cili nga pedagogët e ardhur si vrojtues në provim do të kishte guximin etik dhe intelektual që të kundërshtonte notën e pedagogut të lëndës?
Ja po e them unë: Askush që e konsideron veten të pajisur me etikën e pedagogut.
Po sikur pedagogët të kenë qëndrime dhe mendime të kundërta për një çështje, çfarë note do t’i vendosnin studentit të mjerë që rrezikonte të ndodhej midis një përleshje shefash, dijetarësh dhe pedagogësh, m’u përballë tij, ndërkohë që ai duke u dredhur do të priste nëse do të kalonte apo jo furtuna mbi kokën e tij.
Kjo çështje lidhet edhe me problemin e vështirësive që ka aktualisht për të organizuar provime me gojë. Këtë radhë, jo për shkak të mjedisit social në të cilin ne e zhvillojmë profesionin tonë, por për arsye të mirëfillta funksionale të shkollave të larta.
Zakonisht kurset e leksioneve magjistrale sot kanë një mbingarkesë në frekuentimin e tyre prej studentëve. Një pedagogu që jep kurse të tilla i duhet të punojë me auditorë që shkojnë edhe deri në njëqind a më shumë vet. Masivizimi është një fakt i njohur mirë prej të gjithëve dhe biles i kërkuar me forcë. Po marrim një kurs prej 120 studentësh. Kur i merr në provim, pedagogut i duhet të kalojë një student çdo së paku tridhjetë minuta, megjithë pjesët e «vdekura» të kohës. Pra, i duhen gjithsej 60 orë për ta kryer krejt provimin pa futur këtu orët që do t’i kushtoheshin anëve administrative të provimit. Sikur të punojë tetë orë të plota në ditë, këtij pedagogu i duhen së paku tetë ditë për të mbaruar një provim. Zakonisht çdo pedagog ka së paku dy kurse leksionesh për semestër, pra si rrjedhojë i duhet të kalojë rreth 16 ditë në provime për çdo semestër. Në qoftë se do të marrë pjesë si survejues edhe në provimet e kolegëve, atëherë ngarkesa e tij në provime për semestër shkon deri në një muaj ditë pune.
Kush e përballon dot këtë ngarkesë?
Sa kohë do të zgjasin kështu provimet?
«Dredhitë» e sekretimit
As provimi me shkrim në kushtet universitare nuk garanton ndonjë sukses të çfarëdoshëm në luftën e korrupsionit, për të cilin përflitet shkolla e lartë në përgjithësi. Plani i masave propozon sekretimin e provimeve, por kjo nuk jep asnjë garanci se do të mund të sjellë diçka pozitive.
Një pedagog i pandershëm mund të veprojë eventualisht kështu:
Në darkën para provimit ai u tregon studentëve të tij të gjitha pyetjet e testit që do të zhvillojë të nesërmen. Ai nuk është fare budalla, megjithëse sipas Platonit, i keqi është edhe budalla, biles edhe i shëmtuar, sepse i del e keqja në fytyrë. Testin e tregon në mënyrë të tërthortë. Bën konsultim me studentët një ditë më parë dhe trajton po ato çështje që të nesërmen do të parashtrohen në test. Në mënyrën më të «ndershme» provimi është shitur. Supozojmë se pedagogu ynë i imagjinuar, pervers, i ka marrë edhe lekët që i akordojnë studentët me moral të dyshimtë dhe të shkatërruar. Të nesërmen ai ka veshur një maskë tjetër. Kërkon nga sekretaria që të sekretohen provimet dhe kontrolli i dijes të bëhet anonim. Biles, kërkon që testet të korrigjohen me kompjuter.
Objektivitet perfekt.
Objektivitet makine, e cila nuk ka as vëlla, as motër, as gjyshe, as kushëri të shtatë.
Por, makina është fare budallaqe, sado e zgjuar që të jetë.
Ajo nuk kupton se e kanë gënjyer duke e bërë që ta hajë sapunin për djathë. Testi korrigjohet saktësisht, por ai është shitur në mënyra të tjera shumë «të ndershme».
Edhe në këtë rrafsh, plani i masave nuk na sjell asgjë të re dhe pozitive. Sekretimi i provimeve me shkrim në kushtet e provimeve të lëndëve universitare e ka potencialitetin e ruajtjes nga ndërhyrjet e jashtme shumë të kufizuar.
Si përfundim, më vjen keq të them se në këtë plan masash nuk ka një frymë të vlefshme reforme të sistemit të vlerësimit të dijeve të studentëve. Problemi është parë nga pikëpamja e masave survejuese, kontrolluese, por ato nuk garantojnë suksesin e dëshiruar. Një pjesë e ideve të hedhura njihen, një pjesë dihet se nuk kanë dhënë rezultat, kurse një pjesë tjetër rrezikojnë ta fusin procesin në një krizë të spikatur. Në fakt, kërkohet një përqasje krejt tjetër, e cila ta shikojë provimin jo si një survejim të thjeshtë, por si pjesë e mësimdhënies. Por, kjo kërkon që të transformohet i gjithë sistemi i vlerësimit të dijeve universitare, duke iu afruar standardeve evropiane dhe perëndimore, çka e kërkon edhe zbatimi i frymës së marrëveshjes së Bolonjës.
+ + +
Por, për horizontet e kësaj reforme të vërtetë të sistemit të vlerësimit (që është shumë më i gjerë se ai i organizimit të provimeve) na duhet të flasim një herë tjetër. Qëllimi imediat këtu është të shmangim futjen në një pistë të gabuar, të lehtë, të rrëshqitshme, improvizuese, që luftën kundër korrupsionit universitar, për aq sa ai ekziston, ta konsiderojë si ndërmarrje e një sërë masash thjesht kontrolluese, survejuese, vrojtuese, pra të implementimit të metodave të papërshtatshme, duke transpozuar mekanikisht logjika që vetëm relativisht dhe në mënyrë shumë të kufizuar mund të kishin vlerë ndofta vetëm