Re: "ceshtja" Ngjela
Në vend të tij emërohet Fatos Beja. Ngjela emërohet anëtar i Komisionit të Medieve me 73 vota dhe 53 kundër dhe 2 abstenime
Ngjela shkarkohet nga kreu i Ligjeve
“Unë nuk e pranoj emërimin tim në këtë komision, do të vazhdoj të qëndroj në Komisionin e Ligjeve”
Anila Rama
TIRANË - Parlamenti ka votuar dje për zëvendësimin e Spartak Ngjelës në krye të Komisionit të Çështjeve Ligjore, duke i dhënë fund, në dukje, një prej debateve të ndezura së fundi brenda gjirit të maxhorancës. Me 73 vota pro, 53 kundër 2 abstenime, seanca plenare ka votuar propozimin e grupit parlamentar të PD-së për të emëruar në krye të Komisionit të Ligjeve, Fatos Bejën. Nëpërmjet këtij votimi është miratuar edhe kalimi i avokat Ngjelës si anëtar i thjeshtë në Komisionin parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, si dhe kalimin në Komisionin e Ligjeve të deputetëve Gazmend Oketa dhe Rrahim Kaleci. Ndryshe nga sa pritej, por edhe nga sa ishte deklaruar nga disa deputetë të partive koalicionit se do të mbështesnin Ngjelën, nuk ka pasur rrjedhje të ndjeshme votash nga radhët e maxhorancës. Pra, 73 deputetë të koalicionit të djathtë përfshirë, edhe deputetët e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Leonard Solis, që ishin shprehur kundër shkarkimit të avokat Ngjelës, kanë mbështetur propozimin që ishte shqyrtuar paradite edhe në konferencën e kryetarëve. Të vetmit që ishin kundër këtij propozimi, që “de fakto”, ishte për shkarkimin e Ngjelës si kryetar komisioni, ishin tre deputetët e grupit parlamentar të PDR-së e PDK-së, Nard Ndoka, Jak Ndokaj dhe Nikollë Lesi. Ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi dhe ai i PDR-së, Frrok Gjini, abstenuan gjatë votimit. Vetë Ngjela, së bashku me deputetin tjetër të PDK-së, Ndue Shpani, nuk kanë marrë pjesë në votim. Në sallë, sipas votimit për prezencën, ishin të pranishëm 130 deputetë dhe shumica e 10-shes që mungonte ishin deputetë të opozitës, ndër të cilët ish- kryeministri Fatos Nano, i cili mungon në çdo seancë si dhe Arben Malaj, Ilir Meta, Paskal Milo, Kastriot Islami Luan Memushi, Taulant Dedja, Bukurosh Stafa e Pëllumbi Xhufi. Nga maxhoranca ka munguar vetëm deputeti Arjan Starova.
Debatet
Ndërkaq, vetë Ngjela e konsideroi absurd propozimin e ardhur në seancë për emërimin e tij në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit. Sipas tij, prania e deputetit në një komision të caktuar është çështje e vullnetit të tij personal. Ai kërkoi shpjegime nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, se me ç’bazë e kalonte në Komisionin e Medieve. “Unë nuk e pranoj emërimin tim në këtë komision, do të vazhdoj të qëndrojë në Komisionin e Ligjeve. Po e vendosët në mënyrë arbitrare, kjo është vijim i antikushtetutshmërisë. Do të vazhdoj të luftoj për këto parime, kushtetutshmërinë, parlamentarizmin, tregun dhe demokracinë. E kam thënë që qytetërimet ndahen nga mënyrat e votimit. Unë do t’i përkas qytetërimit perëndimor”, - tha Ngjela. Por kryetarja e Parlamentit, Topalli, ka sqaruar se zëvendësimi i anëtarëve në komisione është bazuar në nenin 21 të rregullores, duke iu referuar edhe përvojës së 15 viteve të kaluara në Parlament, ku ishte proceduar në të njëjtën mënyrë. Madje Topalli i ka kërkuar Ngjelës që të ulë zërin. Në mbështetje të avokatit u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Pandeli Majko, i cili ka kërkuar shpjegime nga kryeministri Sali Berisha se përse po largonte si kryetar të Komisionit të Ligjeve njeriun që e kishte mbështetur në ditët më të vështira, në vitin 1997, atëherë kur të gjithë i kishin kthyer krahët. “Këtu nuk jemi në Këshillin Kombëtar të PD-së. Partinë tonë nuk e lidh asnjë me Ngjelën. Po flasim për disa principe të rëndësishme, po kërkojmë të respektohet Kushtetuta. Duam të dimë se çfarë ka ndodhur. Avokat Ngjela u ka bërë avokatinë në ditët më të vështira, atëherë kur nuk iu mbështeste asnjë. Duhet të flasë ky njeri se ka 15 vjet që e mbush Parlamentin me spektakle të tilla”, - tha Majko. Por Topalli ka shtuar se nuk do të lejonte diskutime të për këtë çështje, pasi do e hidhte në votë në bazë të rregullores. Shpjegime ka kërkuar nga kryeministri Berisha edhe deputeti i PDK-së, Nikollë Lesi, lidhur me faktin që në bisedën e regjistruar mes tij dhe Ngjelës ishte përmendur emri i tij. “Dua të di pse keni thënë shko te Nikollë Lesi”,- tha Lesi, duke iu drejtuar kreut të qeverisë. Por Berisha nuk ka pranuar të japë shpjegime për bisedën në fjalë. “Të më kërkosh të interpretoj çimkëzimin, sepse në 15 vjet nuk ka pasur praktikë çimkëzimi. Më kërko çdo gjë tjetër, përveç çimkës dhe çimkëzimit”, - tha Berisha.
Ngjela: Shumica ka ndryshuar qëndrim për Sollakun
Avokat Ngjela nuk e ka pranuar emërimin e tij si anëtar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, duke e konsideruar këtë në kundërshtim me vullnetin e tij personal si deputet. Ai ka debatuar ashpër me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke i kujtuar asaj se mos ndoshta ishte impresionuar nga shkrimet e tij në gazeta. Ndërkaq, gjatë diskutimeve për kompromisin e arritur për interpretimin e rregullores, Ngjela u kujtoi përfaqësuesve të opozitës se kishte ndryshuar vendimi për sa i përket qëndrimit ndaj kryeprokurorit Theodhori Sollaku. “Unë nuk jam gazetar, moj zonjë, jeni informuar gabim. Me ç’kërkesë më transferoni mua nga një komision në tjetrin. Është çështje profesional edhe të qenit anëtar i një komisioni. Unë nuk e pranoj emërimin në këtë komision, do të vazhdoj të qëndrojë në Komisionin e Ligjeve. Po e vendosët në mënyrë arbitrare, kjo është vijim i antikushtetutshmërisë. Unë do të vazhdoj të luftoj për këto parime, kushtetutshmërinë, parlamentarizmin, tregun dhe demokracinë. E kam thënë që qytetërimet ndahen nga mënyrat e votimit. Unë do t’i përkas qytetërimit perëndimor. Jam këtu me vullnetin tim të plotë”, - tha Ngjela. Ai i kujtoi kryetares Topalli se nëse ende nuk e dinte se çfarë përfaqësonte mandati i deputetit duhet të përpiqej ta mësonte. Ai më pas shtoi se kurrë nuk do të pajtohej me asgjë që binte ndesh me parimet e tij kryesore. “Jam ndarë me gramafonët që në vitin 1997, atëherë kur rapsodët i thanë diktatorit se ishte burri më i madh që kishte nxjerre Iliria dhe të tjetër e mbështetën. Sikur të jetoj deri në 2070-ën, nuk tërhiqem nga parimet e mia”, - tha Ngjela
11/04/2006
KATEGORIA: Politike
www.shekulli.com.al