Re: "ceshtja" Ngjela
Faqja 6 - POLITIKE Tetor 26, 2006
Spartak Ngjela: Nga zgjedhjet lokale, ose ikën Berisha, ose ikën Rama
Ngjela: Topalli sot merr 120 vota kundër nga votimi
“Berisha po paraqet nivelin më ordiner të punizmit”
--------------------------------------------------------------------------------
Artemida Çollaku
a.collaku@gazetashqiptare.com
Nuk mund të krijohet komision pa pasur një çështje”. Kështu shprehet deputeti i PD-së, Spartak Ngjela, lidhur me iniciativën e ndërmarrë së fundmi nga maxhoranca për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur për të hetuar veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Gjatë një interviste dhënë dje në programin televiziv “Vila 24”, që transmetohet në Neës 24, ai u shpreh se nëse personat që do ta përbëjnë këtë komision do të fillojnë hetimet, shumë shpejt ata do të jenë para ligjit. Ndërkohë, Ngjela shprehet i bindur se në rast se kërkesa për shkarkim e bërë nga opozita për Kryetaren e Kuvendit do të votohet me kuti, atëherë Topalli do të ketë “120 vota kundër, dhe për këtë ju garantoj unë”. Sipas tij, zgjedhjet lokale në Tiranë janë një test për “dy liderët e pakonsoliduar”.
Zoti Ngjela, a ka krizë parlamentare?
Varet se si e kemi konceptin e krizës, por Parlamenti nuk funksionon. Mund t’i themi edhe krizë, pasi vajti një muaj e më tepër që Parlamenti nuk funksionon normalisht.
Kush po e shkakton këtë krizë?
Janë shumë arsye, e para nuk kuptohet ende se për çfarë duhet Parlamenti. Gjithmonë ka qenë një vend që nuk i ka dhënë shoqërisë atë që duhet. Pastaj, ajo aktualja është se ka ndaluar qeverisja në Shqipëri. Qeverisje nuk quhet vetëm qeveria, por të tëra organet të gjitha institucionet e shtetit. Të gjitha institucionet e shtetit ndihen të bllokuara. Kjo quhet qeverisje, jo ekzekutivi. Qeveria është një pjesë e qeverisjes.
Në një sistem të demokracisë liberale, në kushtet kur Kuvendi ka edhe qeverinë, nuk shoh ndonjë arsye që ajo të bllokojë Kuvendin. Si shpjegohet një gjë e tillë?
Apetitet e mëdha bllokojnë demokracinë. Nuk është bllokuar qeverisja në kuptimin e ekzekucionit, por është bllokuar qeveria në funksion të demokracisë, nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon, sidomos tani që ka edhe përplasje institucionale.
Para një vitit e gjysmë kur në pushtet ishte PS-ja, qeverisja ishte tiranike, absolutiste. D.m.th ata që kishin qeverinë dhe Parlamentin, kishin të gjitha institucionet. Sipas tendencave të vjetra puniste, edhe këta tanët tentuan t’i merrnin të gjitha. Pra, lufta institucionale është kjo që duan të marrin institucionet. Në këtë luftë për të marrë institucione dhe jo për të ekzekutuar gjërat normale që i duhen një qeverie, secili nga organet po reziston dhe nuk po e lënë që të marrë në dorë të gjitha ekzekutivi, qeverisja është bllokuar dhe kjo reflekton. Nisen për të marrë një institucion, nuk e marrin dot dhe krijohet një përplasje parlamentare, sepse humbet ekuilibrin ai që humbet.
Ka një moment absurd që vjen nga tendencat tona tiranike, që nuk lejon që në vendin tonë të vendoset demokracia liberale.
Arsyeja?
Arsyeja e vetme është se qeveria aktuale ka dashur që të kontrollojë të gjithë shtetin. Presidentin nuk e kontrollon dot, Gjykatën e Lartë jo deri tani, edhe Prokurorinë nuk e kontrollon dot, pra problemi qëndron tek këpucët e tua. Nuk dole dot jashtë, vazhdon lufta dhe po harxhohen energji për të marrë institucionet. Parlamenti është bllokuar, sepse si enerciale edhe kjo kryetarja është e mërzitur shumë me këtë që ndodhi që nuk ia lejoi Presidenti ekzekutivit, apo maxhorancës që të kontrollojë Prokurorinë. Pse? Sepse nuk ka kulturë shteti.
Si shihen këto në sytë e atyre që na monitorojnë zoti Ngjela?
Këto gjëra në sy të perëndimit tregojnë si një fluks politik që nuk dinë të qeverisin. Ata e shohin dhe thonë se këtu kërkohet një destabilizim. Unë kam biseduar me ta. Por pse e duan? Këtu qëndron problemi. Në Parlament nuk mbahen fjalimet e tilla. Kryeministri duhet të flasë me ide dhe nuk merret me kundërshtarin, ky është niveli më ordiner i punizmit. Ne po shikojmë në skenë nivelin më ordiner të punizmit, ku në çdo moment del në pah gjuha e PPSH-së.
Qeveria ka marrë një iniciativë për hetimin e kryeprokurorit me anën e një komisioni. A nuk do të ishte më mirë që të ndërhyhej në Kushtetutë për ta zgjidhur një herë e mirë këtë çështje?
Unë kam qenë pjesë e komisionit që hartoi Kushtetutën dhe ne e kemi lënë me kast të drejtën e shkarkimit të prokurorit Presidentit të Republikës, dhe askush nuk ka të drejtë të fusë hundët këtu. Këmbëngulja është nonsens. Kush po i bën hetimet? Le t’i nxjerrë emrat e atyre që po hetojnë që nesër ata të shkojnë në burg. Por unë mendoj se sot nuk ka kamikaz që të shkojnë në burg për interesat e tua duke shkelur ligjin. Kjo është nonsens dhe nuk e di se si thuhet, pasi po na krijojnë idenë se ne nuk e njohim ligjin. Presidenti ka kompetencë kushtetuese dhe nuk ke asnjë të drejtë që t’i bësh presion. Nuk mund të krijohet komision pa pasur një çështje. Është e turpshme që Shqipëria shkel të drejtat e njeriut me të dyja këmbët dhe prokurori akuzohet, sepse nuk ke vazhduar të shkelësh të drejtat e njeriut, pse nuk i ke arrestuar pa pasur prova. Të drejtat e njeriut këtu janë një gjë e papranueshme. E dyta, tregu nuk pranohet dhe nuk lejohet kapitalizmi të futet në fshat. Dhe ne jetojmë me prurjet e emigrantëve
Një mocion i dytë për zonjën Topalli, a është i rregullt nga pikëpamja e rregullit formal?
Kryetari i Kuvendit në Shqipëri nuk ka mbrojtje kushtetuese. Është post administrativ, kështu e ka trajtuar Kushtetuta. Pavarësisht që këta marrin poza orifike, problemi qëndron se në këtë gjendje siç është, për një fyerje një numër i caktuar deputetësh ka të drejtë të ushtrojë kërkesën. Të matet mirë, të mos fyejë. Ky është ligji që ne kemi. Pra, çështja ngrihet sa herë që ajo të fyejë një deputet dhe është plotësisht e drejtë. E fitoj apo jo në sallë, është çështje tjetër, por ajo duhet të reflektojë nëse fiton dhe të largohet nëse humbet. Të gjitha të tjerat janë arbitrarizma. Pse? Sepse ajo nuk fiton dot. Ajo për mendimin tim sot merr 120 vota kundër, nëse atje do të bëhet votim i fshehtë dhe duhet të bëhet e tillë, sepse ajo nuk ka të drejtë të marrë vesh. Dhe në këtë drejtim, ngërçi për votën e fshehtë se ajo humbet, si herën e parë që ajo do të humbiste me 80-90 vota, ashtu si edhe kësaj radhe me 120 vota, ju garantoj unë.
Mendoni e këto kriza që vijnë herë pas here, do të ndikojnë në zgjedhjet lokale?
Patjetër që do të ndikojnë dhe maxhoranca humbet aksione vazhdimisht në opinionin publik.
Si e shikoni ju betejën për Tiranë?
Do të jetë beteja kryesore, siç edhe ka qenë. Por kësaj radhë është më serioze beteja, sepse janë në përplasje dy lider të pakonsoliduar. Vihet në provë Berisha në funksion të qeverisë, së tij si test për të kaluar gjendjen, sepse ka ardhur me një maxhorancë të kufizuar, nuk ka marrë votën popullore, dhe është lideri i PS-së, i cili tregon se mund të vazhdojë të drejtojë partinë. Pra, kjo është përplasje mes Ramës dhe Berishës. Njëri nga këta do të largohet nga skena e politikës, dhe do të krijohet rikonfigurimi i njërit krah të politikës. O bie qeveria, ose ndërrohet lideri i PS-së. Nano e dha shembullin. Këtu ka ende frymë puniste, sepse me të tilla koncepte janë rritur. Ka një mori gjerash që janë objektive, por problemi qëndron që ne kemi një precedent që ka ikur(Nano). Rregullisht duhet të ndodhë kështu, përjashtime ka, por ne nuk duhet të merremi me përjashtimet.
Si ish-kandidat për Tiranën. Mund të mendojmë që zgjedhjet të fitohen nga maxhoranca?
Për të marrë zgjedhjet lokale, është më e vështirë se sa ato parlamentare. Sepse së paku duhet të përsëritësh shifrat e marra 1.5 vjet më parë në Tiranë.
A është e mundur?
Brenda 12 zonave të bashkisë ne kemi marrë 10 deputetë. Pra, ne e kemi dominuar me vota bashkinë e Tiranës politikisht, tani do të shohim nëse do të mund ta dominojmë administrativisht, dhe do të shohim nëse na kanë rënë apo jo aksionet në Tiranë, sepse nëse na kanë rënë aksionet në Tiranë, atëherë na kanë rënë në të gjithë Shqipërinë.
www.gazetashqiptare.com