Re: Basketbolli ne Shqiperi
JA DHE HISTORIA E KLUBEVE NE VITET E ZOTIT HOXHA
Klubet e meshkujve dhe të femrave
Historia e basketbollit shqiptar në kupa ka filluar në mbrëmjen e 18 dhjetorit 1968, kur Oransoda Cantù mendoi të bënte një shëtitje në Tiranë. Favorizuan idenë e një ndeshjeje të lehtë edhe autoritetet e rrepta enveriste që per këtë rast lejuan ardhjen në Shqipëri të dy amerikanëve: Burgess (2,02 m.) dhe Lynn (2,01 m.), te cilët së bashku me argjentinasin De Simone (2,00 m) ishin tre të huajt e skuadrës italiane, që do të ndeshej me Partizanin ne te tetat e finales së Kupës së Kampionëve 1968-69. Takimi u mbyll 73-73 (40-41). Gazetari italian Luigj Cecchini ditën e nesërme shkroi në “Corriere della Sera”: “Asnjë nuk njihte skuadrën shqiptare. Tani dimë që ka përmasat e një protagonisteje [...] Fagu nuk të falte dhe ishte i përpiktë me çdo top që merrte: por e gjithë skuadra shqiptare luajti mirë, një basketboll modern të mbajtur nga një përgatitje e përkryer atletike”. Agim Fagu (1,87 m.) realizoi plot 48 pikë, total që konsiderohet i shkëlqyeshëm edhe sot, megjithë koshin trepikësh. William Jons, president i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit Amator (Fédération Internationale de Basketball Amateur), pak minuta pas përfundimit të ndeshjes vlerësoi Fagun me flamurin e FIBA-s dhe distinktivin e nderit, duke thënë: “Këtë flamur metalik ua japim vetëm atyre qëdallohen. Për mua është nder dhe kënaqësi e madhe t’ju përshëndes për lojën tuaj të shkëlqyer gjatë gjithë takimit”. Një vit më pas Fagu u thirr nga FIBA per dy ndeshje përkujtimore: njëra për 50-vjetorin e FederBasket spanjoll, tjetra në kujtim të të madhit Radivoj Koraç, që humbi jetën në moshën 31-vjeçare në një aksident rrugor.
Më pas Partizani, me dhe pa ndihmën e kapitenit të tij legjendar, arriti rezultate të tjera të rëndësishme: më 1973-74 u kualifikua në të tetat e Kupes së Kampionëve duke kaluar hungarezët e Csepel Budapestit (më pas mundi në Tiranë UBSC Wienerberger 72-71). Akoma në të tetat edhe më 1974-75; më 1975-76 në Kupën e Kupave fitoi në Tiranë ndaj francezëve të ASPO Tours (83-80), të cilët në vazhdim arritën deri në finale. Më 1978-79 në Kupën e Kampionëve mundi ish nënkampionët e Evropës (1968-69), çekosllovakët e Zbrojovka Bmo, me rezultatin 100-79, duke u mundur vetëm për pikë (76-78) nga Bosna Sarajevo që atë vit fitoi Kupën e Kampionëve. Në sezonin 1979-80 u klasifikua i dyti në grupin e tij, duke lenë pas Hungarezët (Honvéd Budapest) dhe sirianët (Ittihad Aleppo) dhe duke humbur për një fije peri me Partizanin e Beogradit (98-101), gjë që klasifikoi Partizanin shqiptar mes 12 skuadrave më të mira të Evropës. Më 1980-81 mundi CSKA Sofie (89-83) dhe Eczacibasi Stamboll (85-81). Më 1981-82 Squibb Cantù u rikthye në Shqipëri pas 13 vitesh dhe ia doli të fitonte me rezultat të ngushtë (102-96); me 1982-83 Honvéd Budapesti u mund në Shqipëri (90-81). Më 1983-84 yjekuqtë mundën kampionët e Çekosllovakisë të Inter Bratislavës si në Shqiperi (89-80), ashtu edhe në transfertë (91-83); kështu Partizani u klasifikua sërish mes 12 më të mirëve të Evropës. Në turnin e dytë të po atij viti skuadra italiane Bancoroma arriti të fitonte në Tiranë (78-69), por trajneri italian deklaroi më pas: “Jam i bindur që nëse Partizani do të kishte nja dy amerikanë, do të mund të luante e me sukses në kampionatin tonë të kategorisë A” (“Paese Sera”, 3 nëntor 1983). Më 1985-86 fitoi transfertën në Selanik kundër Aris-it (81-80), që një vit më parë kishte qenë finalist i Kupës Koraç. Më 1988-89 një tjetër fitore ndaj një skuadre hungareze Partizani-ZTE Zalaegerszeg 101-90 e 79-86, dhe si rrjedhojë një turn i dytë kundër një tjetre skuadre italiane, Scavolini Victoria Libertas Pesaro (72-84 dhe 84-108).
Por Shqipëria nuk është përfaqësuar vetëm me Partizanin nëpër Kupa. Nga sezoni 1968-69 deri më 1992-93, kanë marrë pjesë edhe 17 Nëntori (Kupa e Kupave 1970-71 dhe 1973-74, Kupa e Kampionëve 1971-72), Vllaznia (Kupa e Kupave 1972-73, Kupa e Kampionëve 1990-91), Dinamo (Kupa e Kupave 1992-93). Ka qenë pikërisht Vllaznia, skuadra që i ka dhëne Shqipërisë fitoren e parë në transfertë: në Stamboll në vitin 1972 kundër Galatasaray-it (64-60).
Në të kaluarën, më 1957 në Moskë, një klub shqiptar, Spartaku Tiranë fitoi medaljen e argjendtënë Festivalin VII Botëror të të Rinjve me rezultatet e mëposhtme, grupi A: Spartaku Tiranë-Willburg Borunt (Belgjikë) 66-59, Spartaku Tiranë-Friendship Sydney (Australi) 129-15, Spartaku Tiranë-En ZEP Paris (Francë) 90-37; grupi i gjysmëfmaleve: Spartaku Tiranë-Willburg Borunt 91-50, Spartaku Tiranë-Estudiantes de la Plata (Argjentinë) 94-55, Spartaku Tiranë-Progrès Bruxelles (Belgjikë) 71-56; finale Audimai Kaunas (BRSS)-Spartaku Tiranë 94-67.
Skuadrat shqiptare të femrave kanë marrë pjesë vetëm në Kupën e Kampioneve: Flamurtari (1980-81 dhe 1990-91), Sportklub Tirana (ish 17 Nëntori, 1988-89, 1991-92, 1992-93), Partizani (1989-90). E vetmja fitore ka qenë Sportklub Tirana-MTK Budapest 70-69 në Kupën e Kampioneve 1991-92.