Re: banka e shqiperise - 2 -bashkefajtore per gjendjen e keqe te shqipetarve
Ky artikull jep ca shpjegime te pranueshme mbi vleresimin e Lekut.
Sistemi Bankar
Julian Llupo - 28/06/2004
BSH, normat e interesit në nivelet më të ulëta historike
Banka e Shqipërisë e nisur nga një stabilitet i kursit të këmbimit, i cili është shoqëruar me një inflacion mujor të moderuar, ka ulur me 0,25 për qind normat e interesit, duke ndjekur një politikë lehtësuese për ekonominë
Tashmë është fakt lëvizja e favorshme e lekut krahasuar me valutat e huaja, kryesisht euro dhe dollar. Këtë e ka konfirmuar në raportin e fundit Banka e Shqipërisë. Kështu, sipas raportit, leku është një monedhë që mund ta depozitosh ose ta përdorësh në mënyra të tjera pa u trembur se një ditë mund të mbesësh i zhgënjyer për shkak të zhvlerësimeve që mund të ndodhin me të. Këtë pozitë të fortë në tregun valutor kjo monedhë ka disa vite që e ka fituar. Tashmë të gjithë duken se janë më të sigurt me monedhën e tyre lek, e cila duket se ka fituar autoritetin që i kishte humbur në vitet 1997-1998, vite në të cilat zhvlerësimi i saj i shkaktuar kryesisht nga inflacioni i lartë, bëri që shqiptarët të preferonin t’i mbanin kursimet e tyre në monedha të tjera.
Leku i fortë ul normat e interesit në nivelet më të ulëta historike
Leku jo vetëm që ka ruajtur pozicionin e tij, por është forcuar ndaj dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit.
Pozitat e favorshme të monedhës vendase ka bërë të mundur që Banka e Shqipërisë të ndjekë një politikë monetare lehtësuese, duke ulur normat e interesit me 0.25 për qind gjatë javës së kaluar. Ulja e normave të interesit nga ana e BSH-së është ndjekur nga ana e bankave të nivelit të dytë, të cilat kanë ulur normën e interesit për depozitat në lekë. Kjo politikë monetare që konsiston në uljen e kostos së parasë në ekonomi është favorizuar edhe nga një inflacion i moderuar, i cili për muajin maj arriti në 2.6 për qind. Kjo ulje e inflacionit për muajin maj sipas Bankës së Shqipërisë ka pasur si ndikim kryesor futjen e shpejtë në treg të prodhimit vendas. Gjithashtu, një ndikim në uljen e nivelit të çmimeve ka pasur edhe monitorimi i çmimeve të mallrave të administruar, siç ka qenë ulja e çmimeve të telefonisë fikse. Futja e hershme në treg e prodhimit vendas (kryesisht janë prodhime të nxjerra në treg nga serrat) ka ulur ndjeshëm kërkesën për valutë, duke krijuar edhe kushtet e nevojshme për të pasur një mbiçmim të valutës vendase. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në uljen e nivelit të normave të interesit nga BSH-ja. Në këtë mënyrë norma e marrëveshjeve të riblerjes (REPO) njëjavore nga 6 për qind zbret në nivelin 5.75 për qind, duke arritur nivelin më të ulët historik.
Dërgesat e emigrantëve, një frymëmarrje për ekonominë shqiptare
Me ardhjen e verës në Shqipëri shtohet edhe oferta e valutës në treg, e cila ka si ndikim të drejtpërdrejtë të saj forcimin e pozitave të monedhës vendase në treg. Ky shtim i ofertës së valutës në tregun shqiptar vjen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prurjet e emigrantëve, të cilët kthehen në atdhe për pushime. Ekonomia shqiptare vazhdon që të varet në një masë të madhe nga kjo e ardhur, e cila vazhdon që të mbetet jetike për vendin. Prurjet e emigrantëve mbulojnë në një masë të madhe deficitet e bilancit tregtar, të cilat vazhdojnë që të thellohen nga viti në vit. Kështu, remitancat e emigrantëve mbeten “serumet“ e ekonomisë sonë, pa të cilat do të ishte me të vërtetë e vështirë që në këtë vend të ruhej një stabilitet ekonomik e social.
Mbiçmimi i lekut, ja efektet që ka ai në konkurrencë
Një lek i mbiçmuar shtrenjton eksportet, duke ulur në këtë mënyrë konkurrencën e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare
Avantazhet që kombet kanë në prodhimin e produkteve të tyre janë edhe përcaktuesit kryesorë të çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Por ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm që ka një ndikim të ndjeshëm në fatin e prodhimit vendas në tregjet ndërkombëtare. Ky tregues që na pamje të parë duket se është i parëndësishëm është kursi i këmbimit. Dihet tashmë nga të gjithë se monedha është një mall çmimi i të cilit varet nga oferta dhe kërkesa për të në treg.
Mbiçmimi i monedhës
Në rastet kur kemi një mbiçmim të monedhës vendase, mallrat të cilat importohen edhe ato që eksportohen ndryshojnë çmim. Kështu një mbiçmim i lekut do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një shtrenjtësim të produkteve tona që eksportohen. Në rastin e vendeve të cilat përballen me një konkurrencë të ashpër në tregun ndërkombëtar për tregje një situatë e tillë do të kërkonte që këto kompani të rishikonin me shpejtësi pozitat e tyre konkurruese në këto tregje.
Cila është situata me eksportet shqiptare ?
Ne kemi një bilanc tregtar negativ në raportin një me gjashtë. Prodhimi vendas nuk arrin që të përballojë kërkesën e rritur të ekonomisë për produkte, duke sjellë thellimin e deficitit tregtar nga viti në vit. Mbiçmimi i lekut mund të jetë një faktor pengues për rritjen e eksporteve shqiptare në të ardhmen. Për sa u përket mallrave që vendi ynë aktualisht eksporton në tregjet ndërkombëtare, ato duket se nuk janë shumë të rrezikuara nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Kjo jo për faktin se çmimi i tyre nuk ndikohet nga ky ndryshim i kursit, por për shkak të kategorisë në të cilën futen këto mallra. Pjesën më të madhe të eksporteve e zënë mallrat e rieksportit, të cilat janë mallra që prodhohen me material të porositësit. Edhe produktet e tjera që eksportohen nga vendi ynë janë produkte për të cilat ekziston një kërkesë e huaj, e cila nuk varet në një masë të madhe nga çmimi. Kjo do të thotë që mbiçmimi i lekut nuk ka një ndikim të konsiderueshëm në mallrat që ne aktualisht eksportojmë, por ai mund që të bëhet një pengesë për produkte të cilat mund të jenë të gatshme në të ardhmen për të konkurruar denjësisht në tregjet ndërkombëtare.