Re: ARRESTOHET LILIANA KONDAKCI
Zhdukur nga kamerat zyrtare që në 1988, por ‘live’ në lokale
Shkëlqimi e rënia e një ikone
Këngëtarja që u ngjit 14 vjeç në skenë festivalesh
--------------------------------------------------------------------------------
Ishte zhdukur pothuajse plotësisht nga ekranet artistike që prej 18 vjetësh dhe u shfaq papritur në lajmet e kronikës së zezë. Këngëtarja ikonë e viteve 70-80, nuk ishte më e pranishme në skenat e festivaleve shqiptare që nga viti i largët 1988, në moshën 36 vjeçare. Që atëherë ajo ka pasur vetëm disa dalje sporadike në ekran për të zgjuar nostalgjinë e brezave që i kishte bërë të ëndërronin jo vetëm me zërin e saj, por dhe sharmin tepër sensual të saj. Që atëherë, gruaja e bukur, nënë e dy fëmijëve, djalë dhe vajzë, ishte tërhequr në jetën e saj private dhe për të thuhej vetëm ‘ishte’. Liliana megjithatë shfaqej herë pas here pikërisht aty ku nuk i kishte munguar kurrë gjykimit të ngurtë të një shoqërie konservatore, si shoqëria shqiptare e atyre viteve. Siç ndodhte rëndom me VIP-at e rrallë të artit të kohës, jeta e saj private ishte një temë që ngjallte gjithmonë interes. Një interes që shkonte gjithmonë në përpjestim të drejtë me famën e ‘të shenjuarit’, por që rrallë kishte të bënte me të vërtetën.
Karriera
Ishte vetëm 14 vjeç, kur vajza me flokë të gjatë të zinj, portret tepër sensual, por veshur vetëm me një fustan basmeje, do të ngjitej në skenën e festivalit më të rëndësishëm të kohës, atij të fundvitit në radio televizion. Ishte viti 1966, festivali i pestë dhe vajza nga Lushnja, tërhoqi vëmendjen me një këngë të kënduar ‘live’, të kompozuar nga Ferdinand Deda. “Fshati me drita do të lulëzojë”, pavarësisht se kishte një tekst skematik, tipik për kohën, u shndërrua shumë shpejt në një motiv të fishkëllyer nga rinia, ndërsa këngëtarja e mitur do të shënonte kështu, startin e një pjesmarrjeje të pandërprerë në të gjithë festivalet pasuese. Për 22 vjet me rradhë, Liliana do të ishte një nga këngëtaret më të njohura të muzikës së lehtë, duke lënë emër dhe në mënyrën tepër origjinale të interpretimit të këngëve popullore. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Liliana ishte e punësuar në Estradën e Tiranës si këngëtare dhe për një periudhë më të shkurtër kohë, punoi dhe në radio televizionin shqiptar si redaktore muzike.
Festivalet
Ajo ka qenë periudha kur në skenën e festivaleve të dhjetorit këndohej vetëm ‘live’ dhe konukurentet e saj ishin këngëtarë si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Avni Mula, e të tjerë, që ishin ‘Big-ët’ absolutë të muzikës së lehtë shqiptare. E megjithatë në këtë ambient, Liliana mundi të triumfojë jo pak herë. Në vitin 1971, kënga “Mesnatë” e Shpëtim Kushtës, fitoi çmimin e parë me Vaçe Zelën, por u këndua dhe nga Liliana, ndërsa vite më pas, kënga “Degën e dafinës e këputa”, morri sërish çmimin e parë, nën interpretimin e Gaqo Çakos, kënduar dhe nga Liliana. Ajo mundi gjithashtu të marrë disa çmime të dyta dhe të treta në festivale, me këngët e saj më të njohura si “Cuca malësore”, “Hidhe hapin vogëlush”, “Krenari e brezave” e të tjerë. Së fundmi, Liliana Kondakçi ishte tërhequr nga aktivitetet zyrtare artistike, por pa ju ndarë asnjëherë këngës. Deri dy muaj më parë ajo interpretonte sërish ‘live’ në një lokal pranë shkollës Teknologjike së bashku me këngëtarin shkodran Eduard Jubani, por dhe jashtë shtetit për shqiptarët e diasporës dhe emigrantët. Duke dhënë paprerë dëshmi të talentit dhe zërit të saj, që kishte bërë të ëndërronin brezat e dikurshëm, për të dhënë dëshmi të shkëlqimit të dikurshëm, të përfunduar në harresë. ol.li.