Patjeter problematike kjo me poshte;
Grimcat e pluhurit si problem evropian
KE ka ndërmarrë disa masa që synojnë të frenojnë ndotjen e ambjentit në shtetet e BE. Edhe kur masat zbatohen, që të ndihet efekti i tyre duhet të kalojnë shpesh dekada.
Smogu nuk është vetëm një problem i metropoleve aziatike, por edhe i BE. Rreth 90 përqind e qytetarëve në BE janë të ekspozuar ndaj një ndotjeje të ajrit, e cila klasifikohet si rrezik për shëndetin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në Paris, së fundi, për shkak të ndotjes së mjedisit u vendos ndalimqarkullimi i automjeteve për disa ditë. Sipas një studimi të BE, në vitin 2010 në Evropë e humbën jetën 400.000 vetë si pasojë e ndotjes së ambjentit.
Për t'iu kundërvënë kësaj gjendjeje, Komisioni Evropian prezantoi dhjetorin e fundit disa masa, të cilat synojnë të reduktojnë kufijtë e emisioneve të gazrave dhe direktiva për pajisjet e djegies. Matthias Groote, kryetar i Komisionit të Mjedisit në Parlamentin e BE thotë se masat e prezantuara reduktojnë nga njëra anë kufijtë nacionalë maksimalë të emisioneve. Nga ana tjetër janë vendosur kufizime për blloqet e termocentraleve për rrugët, për ndërtesat e mëdha. Dhe për veturat, nisi puna për zbatimin e normës Euro-5, Euro-6.
Smog në Paris
I pyetur nga Radioja Kombëtare Gjermane, Deutschlandfunk, Groote thotë se megjithatë duhet pritur gjatë, që këto masa të bëjnë efekt. Kur vendoset një masë, ajo duhet të kthehet në ligj, kur masa është direktivë, zgjat edhe më tepër derisa ta zbatojnë shtetet anëtare. Kështu që suksesi nuk ndihet në një periudhë legjislative, por shumicën e herëve për dekada.
Groote thotë se masat që mund të marrë një vend, ndryshojnë nga masat e një vendi tjetër. Këto masa në Itali mund të jenë të ndryshme nga masat që merren në Francë, për këtë Evropa nuk përcakton vlera ekzakte. Në BE ekziston e ashtuquajtura vlerë 35-ditëshe, që ndotja me grimcat e pluhurit brenda kësaj periudhe nuk duhet të kalojë një vlerë të caktuar dhe ky është orientimi, shpjegon Groote. Si masë ekstreme vendosen edhe ndalime të qarkullimit të automjeteve, siç ndodhi në Paris. Në Gjermani janë përcaktuar të ashtuquajturat zona të mjedisit, brenda të cilave lejohet të qarkullojnë vetëm automjete të pajisura për të respektuar në mënyrë specifike mjedisin. Këto zona mjedisore kanë sjellë rezultate pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Gjithsesi, Groote kujton se masat e marra për shembull për veturat, bëjnë efekt. Por jo pa kaluar një dekadë.