PARAJSA
O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm' udhën e mbarë,
T'i bijem pas urtësisë
Dhe dritës e diturisë,
Të mos rrimë n'errësirë,
Se nuk është pun' e mirë.
Neve që qemë njëherë
Në gjithë botët të ndjerë,
Dhe të par' e të lëvduar,
E të rënd' e të dëgjuar,
Trima të fort e të mirë,
Të rrimë sot n'errësirë.
Ishin trima prindit tanë,
Pa emrë përjetë lanë.
Aleksandr'i Math i ndjerë
Dhe shumë shokë të tjerë,
Q'ishinë me të të parë,
Qenë gjithë shqipëtarë.
Muntnë së pari Greqinë,
Pasdaj muntnë dhe Persinë.
Zunë dhe Hind e Afrikë
Burratë trima pa frikë.
Faqen e dheut e fituan,
Më çdo anë mbretëruan
Selefqinjtë(1), Ptolemenjtë(2),
Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë,
S'qen' as grekrë as bullgarë,
Ishin burra shqipëtarë.
Kombinë tën e nderuan
Dhe Evropën e shpëtuan
Nga kurt' i zi i Persisë,
Dh'i dhanë nder Shqipërisë.
Pirrua romanët mundi
E gjithë jetën e tundi.
Kostandin'i Math, q'i thonë,
Dh'ajy ish nga fara jonë.
Gjithë njerëzit e mbarë,
Thua, qenë shqipëtarë.
Shqipëtari ka lëftuar,
Dhe ajy ka mbretëruar.
Aleksandr' i Math Greqinë
E kishte bërë të tinë,
Me luft' e kishin marë
Prindit tanë kordhëtarë,
Pa në Thivë njerës lanë,
Thivasit u ngren' i vranë,
I vranë me të pabesë,
Pas zakonit të Moresë.
Shqipëtarët kordhëtarë
Thivësë i vunë zjarrë!
S'i kursyenë gjë zjarit,
Vetëm shtëpin' e Pindarit,
Se ish vjershëtor i ndjerë
Dhe i parë mi të tjerë.
Shqipëtarët pas Greqisë
Iu lëshuanë Asisë,
Njeri kurrë nuk i mundi,
As u qëndroi dot gjëkundi,
Gjithë përpara i vunë,
Faqen e dheut gjith' e zunë.
Burr' i math i Shqipërisë
Ndënji në fron të Persisë,
E arratisnë Daranë, { Darai III }
Njerëzi e ti e vranë!
Aleksandri dha lirinë,
E shpëtoi nga xgjedh' Asinë,
I dha nder dhe Shqipërisë,
Mëmës së ti, q'i dha sisë,
Përkujdesi njerëzinë
Dhe pruri qytetërinë,
Bëri udhë e qytetë,
Pru gëzim në gjithë jetë
Edhe sot Aleksandria
Na rrëfen punët e tija.
Evropën e ka shpëtuar
Nga njëxgjedh e mallëkuar.
Këto punë shqipëtarët
I bënë, ata të parët,
Ata të parëtë tanë,
Edhe emërë na lanë.
Edhe Pirroja ish burrë,
Që s'ka pasur shokë kurrë.
Ay romasit i mundi,
Italinë tër' e tundi;
Tekdo që kishte lëftuar,
Botën e kish tëmerruar.
Kshhu edhe shumë të tjerë
Shqipëtar' ishin të ndjerë.
Ishte mëm' e trimërisë
Edh' e zonj' e urtësisë
Shqipëria kurdoherë,
Që nxirte burra të vlerë.
Trima burra të vërtetë
Sa kanë qënë në jetë
Të gjithë ajo i polli,
Trimëria soje dolli.
Qe dhe një koh' e një ditë,
Që polli dhe perënditë,
I pat pjellë Shqipëria,
Pa u falej njerëzia,
Dhe besoninë qëmoti
Që në Shqipëri rrij zoti,
Vij rremet i njerëzisë,
E i falej Shqipërisë.
Tomori nuk ësht' i pakë,
Që nxjer dhe sot zë pa flakë,
Se rrininë perënditë
Ndë atë natë e ditë!
Prindit tanë i besonin
Perëndit' e s'i mërgonin.
Perëndi e trimërisë
Ishte mëm' e Shqipërisë.
Shqipëtari trim me fletë
Rronte gjithënjë në jetë,
Shigjet' e ti vrëngëllinte,
Vdekjenë me vet' e shpinte!
Perëndi e bukurisë
Me shijët të gjithësisë,
Q'ësht' e bardhë si dëborë
Nuk e lij kurrë Tomorë,
Flinte në shtratthit të artë
Shtat' i bardhë posi kartë.
Leshërat i kish të arta
Edhe faqezët të zjarta,
Ballë, gushë, krahëruar,
Llërë, pulpë, këmbë, duar,
Pej drite ishinë bërë,
Sikundër dhe trup' i tërë.
Si dëbor' e kishte gjinë,
Pa sill nër mënt bukurinë!
Kur kthehej e të shikonte,
Zëmrënë ta përvëlonte.
Zën' e kishte si bilbili,
Faqetë si trëndafili,
Diellin e urdhëronte,
Në gjit të saj perëndonte,
Në shtratthit të saj e vinte,
Edh' e mbant' e nuk e linte,
Tërë natën e pushtonte,
Pa në mëngjest e lëshonte.
Hëna këto duke parë,
Dhe duke tretur e tharë,
Ligej fort shum' e drobitej,
Kahënitej e venitej,
Se i haj zëmrën nakari,
Që djek i shkreti si zjarri.
Perëndi e bukurisë,
Q'i ip dritë njerëzisë,
Nga gjir' i saj dritë qitte,
Hënënë e përsëritte,
I ip pjesë bukurie
Edhe shij' e drit' e hije.
Dhe fqinjët e Shqipërisë,
Armikët e perëndisë,
Kshu treteshin nga nakari,
se ish burrë shqipëtari.
Sa mbretërë të dëgjuar,
Në Shqipëri të uruar,
Sa burra të fort' e trima,
Me vështrim si vetëtima,
Kan' ardhur e kanë shkuar,
Dh' emri s'u është haruar!
Me ta bashk' ish trimëria,
Dhe me ta ish urtësia,
Të dyj' ato mbretëronin,
Mëmëdhen' e lulëzonin,
Ish parrajsë Shqipëria,
Se ishte gjall mirësia.
Bukuri e perëndisë,
Perëndi e bukurisë,
Këmbergjëntë, leshflorinjtë,
Duke mbledhurë pëqinjtë,
Në Shqipëri tekdo shkelte,
Bari mbint' e gjethi çelte,
Dhe luletë lulëzonin,
E bilbilëtë këndonin.
Ajo dhe në re qëndronte,
Edhe nd'erë fluturonte,
Tekdo vij, ip bukurinë,
E përndante mirësinë.
Bëheshin mollëtë ftonjtë,
Portokaletë, lemonjtë,
Manatë, rrushtë, qershitë,
Fiqtë, arratë, lajthitë,
Pjeshka, thana, vadhja, shega,
Ulliri me shumë dega,
Gruri, misëri, peceli,
Elbi, tërshëra e meli.
Ish i veshur vëndi gjithë,
Dhe pill shumë pem' e drithë,
Drur'i dardhësë me dardhë
Ish si zonja sisëbardhë.
Nër fushatë luleshumë
Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë
Shkoninë duke kënduar
Me kanisk të math nër duar.
Ata mëmë kanë renë,
E ajo ka atë denë.
Dheu, kafshëtë, bagëtia,
Shpestë, gjithë njerëzia,
Pin' ujët e tyr' e prëhen,
Dhe bimërat pa të s'bëhen.
Tek shkonte lum' i uruar,
Q'ishte si ar i kulluar,
Kafshëtë dhe bagëtia,
Lëçinin si mizëria.
Edhe grat' e Shqipërisë
Gjithë me foshnjë në sisë,
Sicila ish mbretëreshë
Dh'e bukur si pëllumbeshë
S'shihnje një gjë të shëmtuar
Dhe pa gas e të helmuar.
Edhe vashëzë mes'hollë
I kuqte faqja si mollë,
Dorën q'e kish pej ergjëndi,
S'e hiqte nga avlëmëndi,
Gjithë ç'i duhej në jetë,
I bënte të tëra vetë.
Në viset të Shqipërisë
S'kish gjë përveç mirësisë,
Moskamja dhe varfëria
E të tjera të këqija?
Kurrë në Shqipëri s'ishin,
Mase dhe emërë s'kishin.
S'kish as kurva as kurvarë,
as të liq kish as kusarë,
Gjithëkush vetë punonte,
E njeri nukë përtonte;
Sicili fort mirë shkonte,
Haj, pij dhe tepëronte;
Këto me djers' i fitonin,
Më shumë nukë kërkonin,
Se kish duk nga perëndia
Dhe uratë Shqipëria.
Ish shumë trim shqipëtari
Dhe i bukur si fill ari,
Si burratë edhe gratë
Ishinë trime me shpate,
Ish ligë vëllazëria,
Edhe besë miqësia.
Shqipëria gjithë nderë
Kisht' e ishte shum' e ndjerë.
Shqipëtari ish i mirë,
Dhe kish emër të pavdirë.
Shqipëria shum' e vlerë
Ish e madh' e gjat' e gjerë,
Se ahere s'ishin shqehtë,
As maxharëtë, as vllehtë,
Ishin gjithë shqipëtarë
Në atë kohët të parë,
Qeltëtë kishinë fqinjë,
Q'ishinë brinjë për brinjë.
Ishte një tjatrë jetë,
Shi t'artë shtininë retë,
Ish një ver' e gjithënjëshme
E një kohë shum' e bëshme,
Dhe në dimërë vërritë,
Që mbaninë bagëtitë,
Ishinë plot manushaqe,
Dheu kish bukuri mi faqe.
Shqipëtar' ish i vërtetë,
Trim i bukur e i qetë,
Fjalënë që ip, s'e kthente
E s'doj kurrë të gënjente.
Të miratë gjithë ç'janë
I kishin prinditë tanë.
Bima pillte kallinj tetë,
Nëntë, dhetë, dymbëdhetë.
Të tërë dhenë ta rrihnje,
Plak të kërrusurë s'shihnje,
Veç kalliri unjte kokë,
Nukë dilte përmi shokë.
Vasha fill e vetëm shkonte,
Njeri kurrë s'e shikonte,
Në flori ngarkuar shkonje,
Gjësendi nukë pësonje.
Kish ahere Shqipëria
Gjithë ç'kërkon njerëzia,
Zot'i math e kish uruar,
Pa ishte fatbardhësuar,
Kishtej njerës të vërtetë,
Trima burra pa të metë,
Kish kamjen' e dashurinë,
Mirësin' e urtësinë,
Ish e tërë një fëmijë,
At' e mëm' e bir e bijë,
Kish bulmet e pem' e drithë,
Edhe të miratë gjithë.
Mijëra vjet kështu shkuan,
Shqipëtarëtë s'u ndryshuan,
Patnë gjith' ato që duhen,
Kishinë nder' e lirinë,
Pa dhe gjithë mirësinë,
Se njeriu e njerëzia
Ushqehenë nga liria.
Njeriu lindi i liruar,
Pasdaj e kanë penguar.
Gjithë botënë romanët
E vunë poshtë, veç tanët
U pren' udhën' e s'i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s'u bë njerëzia,
Nuk' u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
Dha shpirtin e gjakn' e derdhi,
Në zgjedhë si kau s'erdhi,
Mburoi nderr' e Shqipërisë
Dhe sendrën' e njerëzisë!
Mbajti lirin' e ra vetë,
Trimërinë s'e la shkretë.