Nexhmije Hoxha: Takimet me Enverin në mal
Takimet me Enverin, pamundësia për të ndenjur me të, marshimet nëpër Shqipëri dhe afrimi i datës së çlirimit</p>
Kur pas dy vjet qëndrimi në ilegal në Tiranë, dhe pas terrorit te 4 shkurtit, lëvizjet e mia u vështirësuan shumë, shokët e KQ të partisë vendosën që të largohesha nga Tirana. Ishte fillimi i marsit 1944. Pas shumë peripecive të rrezikshme gjatë operacionit të dimrit të pushtuesve gjermanë, Enveri me një pjesë të shokëve të Shtabit të Përgjithshëm më në fund i shpëtuan rrethimit, dolën në zonat e çliruara të Korçës e u vendosën në Panarit. Menjëherë, Enveri u kërkoi shokëve të Tiranës një raport të hollësishëm mbi situatën në kryeqytet, e mbi të gjitha ishin në dijeni për gjendjen politike e ushtarake në Shqipërinë e veriut, mbi Shkumbin e sipër. Pasi e bënë këtë raport, zemër-miri Gogo Nushi tha: “Po sikur ta dërgojmë raportin me “delegatin”, kështu ajo mund ta plotësojë e të përgjigjet gojarisht edhe pyetjeve që mund të dalin, pastaj -tha duke buzëqeshur, bëjmë një rrugë e dy punë…”. Merret me mend se ç’furtunë ndodhi në kokën time dhe sa fort më rrahu zemra. Nuk e prisja. Kishin kaluar 6 muaj që ishim ndarë me Enverin, që kur ai kishte ardhur në Arbanë të Pezës, për të qenë më afër kryeqytetit, në rast të zbarkimit eventual të aleatëve anglo-amerikanë në Ballkan, e ndoshta edhe në Shqipëri. Po ishin edhe 6 muajt më të rëndë që kishte përjetuar si Partia dhe lëvizja nacional-çlirimtare në qytete e zonat më të nxehta të vendit, nga egërsia e nazistëve, që ndjenin se po u afrohej humbja. Kurse për mua personalisht, ishin muaj dyfish të rëndë, sepse lajmet që jepte armiku më shumë tam-tam, duke u mburrur për “likuidimin e forcave partizane”, madje edhe të Shtabit të Përgjithshëm, ishin shqetësuese. Qarkori i Tiranës i kishte humbur lidhjet me Enverin, edhe unë po se po, s’kisha marrë as një copë letër, e s’dija se ku ishte e si ishte!
Kështu, në ditët e para të pranverës 1944, shumë e emocionuar lashë Tiranën e jetën ilegale dy-vjeçare dhe u nisa drejt një jete të re në zonat e lira partizane.
E shoqëruar nga korrieri që bënte rregullisht për këtë linjë lidhjen e KQ me Tiranën, u nisëm me autobusin Tiranë-Elbasan-Korçë. Unë isha transformuar me veshje, dhe kur në një postobllok skuadra gjermane e shoqëruar nga një mercenar shqiptar që bënte përkthyesin, oficeri atë timen e mbajti, e vërtiste në dorë jo se dyshoi që ajo ishte e falsifikuar, por u ndal te emri Vera, që atij iu duk jugosllave e tha: “partizane jugosllave?”. Mu desh të ndërhyj me shumë zell, gjysmë shqip e gjysëm italisht, për ta bindur, se edhe Pranvera dhe Vera ishin emra shqip, dhe kishin të bënin me stinët e vitit. Korrieri rrinte larg, në dukje indiferent, po mund të merret me mend me sa ankth po e ndiqte skenën. Më në fund letërnjoftimi m’u dorëzua, autobuzi u nis. Një natë fjeta te një shoqe e shkollës. Ende pa zbardhur dita, u larguam nga Korça të shoqëruar edhe nga tre partizanë, që na prisnin në dalje të qytetit. Natyrisht, nuk isha veshur ndryshe nga ajo në Tiranë. Kujdesi kryesor ishte të kishe rehat këmbët, me këpucë të përshtatshme për marshime të gjata, në kohë të mirë a të keqe, në terrene të thyera etj. Sa kanë vuajtur partizanët nga këmbët, me opinga e pa opinga, në shi e sidomos në borë. Një mike antifashiste, nga një familje korçare e kamur tregtare, më dha këpucë me qafa që i quanin “alpine”, pantallona që i mblidhja në fund me çorape të leshtë, një këmishë pambuku dhe një xhaketë jo shumë të trashë, përderisa kishim përpara muaj të ngrohtë. Kuptohet që një krahëqafë kisha një çantë me ndërresat e domosdoshme, një fletore për shënime pune dhe ndonjë libër. Filloi kështu rrugëtimi im i gjatë, nga fshati në fshat, jo gjithnjë ditën, sepse kish fshatra që shumica ishin me Ballin ose strehonin ballistë. Pikërisht duke udhëtuar në një natë të errët, u aksidentua rëndë korrieri shoqërues, duke rënë në një gropë nga ku mezi e nxorën shokët, U detyruam ta linim në fshat, dhe duke ia marrë në dorëzim letrat e shokëve të Tiranës, vazhduam rrugën deri në destinacion, në Panarit ku ishte vendosur selia e Shtabit të Përgjithshëm dhe Enveri me shokë. Unë ndenja aty 3-4 ditë. Për mbresa nga ai ambient i lirë partizan e takimet me Enverin, siç thashë më lart, pas 6 muaj ndarjeje, unë kam shkruar në kujtimet e mia. Qejfi ma donte që të rrija ca më shumë pranë Enverit. Aty po zhvillohej dhe një kurs me kuadro të larta të reparteve partizane e të terrenit, e që do të më pëlqente ta ndiqja, por Enveri tha: “Jo! Ti duhet të shkosh në zonën e Përmetit. Nuk është e nevojshme të kthehesh në Tiranë. Si anëtare e KQ të Rinisë, do të ndjekësh punën e rinisë në njësitë partizane, do të ndihmosh dhe në organizimin e punës me gratë në terren”.
Unë e nuhata që Enveri, nga funksioni i lartë që kishte, nuk donte të linte përshtypjen që kishte privilegjin të mbante gruan e tij pranë e gjatë, megjithëse jo të gjithë i dinin lidhjet tona, po nuk mund të mos binte në sy që ne, disa herë në këto 4 ditë, shkëputeshim e rrinim bashkë duke biseduar, si dhe që unë flija në dhomën e Enverit, ku ai flinte bashkë me dy shokë të Shtabit.
Si militante e devotshme, isha e zellshme për të kryer detyra të reja drejt vendeve të panjohura për mua. Unë si vajzë qyteti që s’kisha dalë as jashtë vijës së verdhë të Tiranës, i kam kujtuar vetes e ua kam thënë në biseda njerëzve në vitet e mëvonshme, që “pa luftën nacionalçlirimtare, unë nuk do të kisha njohur një pjesë të madhe të vendit tim, nuk do të kisha njohur fshatin e fshatarët, me zakonet e hallet e tyre dhe ajo që është më e madhe, më sublime: pa Luftën Nacionalçlirimtare përkrah aleancës së madhe antifashiste, anglo-sovjeto-amerikane, nuk do të bëhej Shqipëria ajo që u bë, shtet i njohur në botë si anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të arrihej ai emancipim i shoqërisë, ku në jetën e bijave të nënave gjer dje, të shtypura dhe analfabete, disa edhe të mbuluara me çarçaf e perçe të zezë, siç ishte nëna ime, u bë një revolucion i paparë, siç ndodhi në jetën time dhe të qindra-mijëra grave e të rejave. Unë edhe në vitet e para të luftës NÇL kisha dalë jashtë Tiranës, vetëm për të marrë pjesë në mbledhje të rëndësishme të LANÇ-it, si: në Zaloshnjë të Skraparit, në Pezë e Labinot vetëm për pak ditë, e duke u kthyer përsëri në qytet. Kësaj here ishte ndryshe: në 9 muaj i rashë kryq e tërthor, në këmbë Shqipërisë së mesme e të Jugut, duke filluar nga Korça në Panarit, në Përmet, në Zagorie, duke kaluar malin e Dhëmbelit (që me të vërtetë të dhemb beli e të këputen gjunjët, aq i përpjetë është, sa preferon më mirë të ngjitësh më mirë me këmbë sesa me kafshë, se të duhet të mbahesh fort pas samarit që të mos biesh prapa). Në Zagorie kishte selinë shtabi operativ për Vlorë e Gjirokastër. Në fshatra të saj bëmë shumë mbledhje zonale, me gratë me të rinjtë si edhe me të brigadave që kaluan andej. Atje pritëm edhe një delegacion të organizatës së rinisë greke.
Zbrita përsëri në Përmet, për të marrë pjesë në Kongresin Antifashist Nacionalçlirimtar të 24 majit 1944. Nuk do të ndalem në mbresat nga kjo ngjarje e madhe historike, si dhe në njohjet e personazheve të shquara pjesëmarrëse në Kongres, sepse kam shkruar në shkrime të tjera si dhe në dy vëllimet e kujtimeve nga “Jeta ime me Enverin”. U ktheva përsëri në Zagorie, për të bërë të njohura vendimet e kongresit, ku më zuri operacioni nazist i qershorit si reagim ndaj Kongresit të Përmetit, dhe në sytë tonë të fshehura pas hendeqe, u vra i dërguari i shtabit aleat të Mesdheut, nënkoloneli anglez Lik (Leak) tek kishte dalë para çadrës së bardhë (me parashutat e tyre) të mikut të tij majorit Tilman, oficer anglez pranë shtabit të zonës së I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër, të cilin s’e kishte zënë gjumi, në pritje që të ikte sa më parë në bregdetin e Vlorës, për t’u larguar me ndonjë nëndetëse të tyre nga Italia.
Në përfundim të operacionit kur zbrita në Përmet e pashë atë të zhuritur mos më keq me gratë e burrat, aq mikpritës, të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre, që nga uria e ngrënia e barërave në mal fytyrat e tyre kishin ngjyrë jeshile. E lashë Përmetin me një dhimbje therëse në zemër.
Shkova në Helmës të Skraparit, duke u ndalur rrugës në fshatrat e tij, ku njoha njerëz të mrekullueshëm, të kalitur në luftëra atdhetare. Në qendër të fshatit Helmës, nga fundi i qershorit e fillimi i korrikut, ishte vendosur selia e Shtabit të përgjithshëm si dhe misionet e aleatëve anglo-amerikanë dhe këtu arriti për herë të parë edhe misioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik. Në pllajën mbi Helmës do të zhvillohej Kongresi i BRASH-it (Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare). Aty u ngrit një kapanon pune dhe banimi për anëtarët e KQ të rinisë, dhe atje qëndrova e punova gjatë 2 muajve korrik-gusht, bashkë me Nako Spiron dhe shokë e shoqe të tjerë, për të përgatitur Kongresin ku erdhën rreth 600 delegatë nga gjithë Shqipëria, nga terreni, qytete e zona të paçliruara si dhe nga repartet partizane.
Gjatë këtyre dy muajve unë zbrisja vrap tatëpjetës, gur më gur për të takuar Enverin, ndonjë orë, e pastaj ngjitesha prapë te shokët, kuptohet jo më me këmbë aq të lehta…
Kongresi i Helmësit zgjodhi sekretariatin e Bashkimit të Rinisë me anëtarë: Nako Spiron si president e anëtarë: Fadil Paçramin, Alqi Kondin, Ramiz Alinë, Liri Belishovën, Ramadan Xhangollin dhe Nexhmije Xhuglinin. Pas një mbledhje të gjatë te Enveri, të gjithë ne u ndamë në drejtime të ndryshme. Unë me Ramiz Alinë, u ngarkuam të organizonim një mbledhje të gjerë me delegatë nga të rinjtë e Shqipërisë së veriut. Mbledhja u zhvillua në Priskë, një fshat që ndodhet mbi Tiranën, si një ballkon gjigand. Po në kushtet e pushtimit nga nazistët barbarë, ai ballkon natyror i bukur, u bombardua dy herë nga Tirana, herën e parë pikërisht në shtëpinë ku ne ishim mbledhur, dhe herën e dytë daj Ceni humbi 11 anëtarë nga familja e tij.
Kur mbaroi konferenca, Ramiz Alia, me divizionin e dytë partizan u nis për në veri, kurse unë kalova malin e Dajtit, qëndrova një natë në fshatin e Bizës, një pllajë e bukur, e rrethuar me male, që ishte zgjedhur si pikë e përshtatshme për avionët e aleatëve anglezë, ku mund të lëshonin parashutat e tyre me armë, veshmbathje e ushqime të ndryshme për partizanët, po edhe për njerëzit e vetë misionit, duke lëshuar edhe ndonjë nga oficerët e këtij misioni.
Si kujtim të bukur nga fjetja e një nate në këtë pllajë ku bënte shumë fresk edhe në muajin gusht, kam një fotografi të çadrës së bardhë, e cila qe ngritur nga parashutat në shërbim të oficerëve anglezë, kur vinin aty për të pritur avionët e tyre ose kompaninë partizane, që rrinte vazhdimisht aty në roje të pikës me rëndësi ushtarake, dhe që ndihmonte për të ndezur shenjat e zjarrit për orientimin e avionëve. Unë që andej, vazhdova rrugëtimin nëpër Martanesh, e atashuar në brigadën e VI partizane që vepronte në këtë zonë, dhe shkonte bashkë me brigadën e IV- të që të merrte pjesë në çlirimin e Peshkopisë, që ishte çështje ditësh. Kur arrita në Maqellarë, ndiheshin të shtënat e armëve të lutimeve që zhvilloheshin në Peshkopi dhe Dibër të Madhe. Nuk mbaj mend sa ditë ndejta në Maqellarë, e cila më shumë se një fshat ishte një qytezë e këndshme, ku e ndjeva veten shumë mirë nga mikpritja e njohur shqiptare, por edhe më e veçantë si për vajzën dibrane.
Kur erdhi lajmi i shumëpritur i çlirimit të Dibrës, unë s’prita gjatë për tu nisur shpejt të shkoja për të takuar prindërit e mi, që të kërcënuar me internim për shkakun tim, bashkë me vëllain tim, partizan i sëmurë, kishin shkuar, nga Peza për në Dibër ku banonin gjyshja me dajën, dhe tezja me familjen e saj. S’gjeta asnjë nga këta, se kishin ikur të gjithë në Tiranë, nga disa shqetësime që u kishin shkaktuar partizanët maqedonas e serbë (!) si dhe nga luftimet. Ndërkohë ishte çliruar edhe Peshkopia dhe u nisa për aty. Në Peshkopi kisha qenë në moshën 7 vjeçare, ku po udhëtonim nga Manastiri për tu vendosur në Tiranë, si dhe kur kam qenë 15 vjeçe dhe kisha ardhur me nënën dhe vëllain për një pushim veror te gjyshja dhe daja im. Peshkopia pothuaj s’kishte ndryshuar fare, po ai shesh i pazarit, me dyqanet e ulëta e të errëta, me qepena dërrase dhe po ato rrugë këmbësore për të vajtur në llixhat e mirënjohura me ujëra termale.
Veç një gjë kishte ndryshuar. Kishte një gjallëri të jashtëzakonshme, gjithë qyteti ziente nga një ngazëllim popullor, veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët, djem e vajza u qepeshin partizanëve, u preknin gjerdanët e u merrnin kapat me yll e i vinin në kokat e tyre. Kërciste dhe daullja dibrane e kërcenin pleq e të rinj.
Unë në Peshkopi punova veçanërisht me gratë e të rejat, aq më shumë, që më kishin ngarkuar të kujdesesha për zgjedhjen e delegatëve të këtij rrethi, që do të shkonin në Kongresin e Bashkimit të Grave Antifashiste NCL. Që do të bëhej ky kongres e dija prej kohësh, po se ku e kur do të bëhej nuk e dija. Erdhi njoftimi në Komitetin e partisë që të nisej delegacioni i grave prej 3-4 vetash, s’mbaj mend, por mua s’më erdhi ndonjë njoftim nga qendra, ku për këtë punë ishte ngarkuar Liri Gega e Naxhije Dume. Kur nga data 10-12 tetor më erdhi nga Enveri një letër, shkruar më 7 tetor (1944), që do ta publikoj të plotë për herë të parë gjatë këtij shkrimi, por këtu po shënoj aq sa thuhej lidhur me kongresin e gruas: “Besoj se do të piqemi në Kongresin e gruas. Mos harro të vish. Enver”
Kaq desha unë. Njoftova në Komitetin e partisë dhe mora iniciativën në dorë, bashkë me delegacionin e grave nga Dibra, e shoqëruar dhe nga një skuadër partizanësh dhe një udhërrëfyes i zonës u nisëm për udhë. Ndalesa e parë ishte në Priskë të Tiranës, ku do të bashkoheshim me delegatët e Tiranës, Durrësit e Shkodrës e vazhduam udhëtimin drejt Elbasanit, duke u ndalur në krahinën malore të Gjinarit. Nga këtu i bëja një fonogram Shtabit të Përgjithshëm NÇL: “Jemi të gjithë delegatet e veriut mbi 100 veta në Gjinar. Këtu s’ka ardhur asnjë lajm për drejtimin. Ne në mëngjes po nisemi për Mollas, për dy arsye: pse qëndrimi i gjithë këtyre grave është i zorshëm në Gjinar dhe të shkurtojmë pak rrugë. Në qoftë se ky drejtim nuk është mirë, ne do të ecim ngadalë e korrieri nga Gramshi na arrin”.
Nexhmije Xhuglini</p>
Shoqes Nexhmije Xhuglini
Mollas</p>
Kongresi do të bëhet në datën 1 nëntor 1944 në qytetin e Beratit (1)
Shtabi i Përgjithshëm i UNCL-së
(kongresi u mblodh në 4 nëntor – shënimi im)
Të gëzuara, duke u bashkuar me ne edhe delegatet e qarkut të Elbasanit, u nisëm për në Kuçovë, ku do të merrnin fund shqetësimet e lodhja e delegatëve nga ky marshim i gjatë. Nuk ishte e lehtë as për mua, as për partizanët shoqërues, të udhëhiqje një varg prej 100 vetash, aq më shumë gra dhe në mes tyre edhe mjaft të moshuara. Të gjitha ishin veprimtare të dalluara, e që kishin dhënë prova guximi e qëndrese.
Shumë prej tyre kishin përballuar kontrolle e rrethime, bastisje të shtëpive që bënin fashistët e nazistët, që kishin për kallauz bashibozukët e spiunët vendas dhe nuk u kishte bërë tërr syri. Por ky udhëtim i gjatë nëpër male e rrugë pa rrugë, me të përpjeta e tatëpjeta, udhëtime zakonisht natën, për to ishte tejet i vështirë, i lodhshëm e me shumë të papritura. Duke kaluar në vende të panjohura, e ku nuk kishin qenë ndonjëherë, ato edhe magjepseshin me bukuritë e natyrës, por edhe lodhjen nuk e fshihnin.
Një ditë, pas një marshimi të gjatë, ku u err, u ndodhëm në një lartësi përkundrejt urës së Haxhi Beqarit, të cilën duhej ta kalonim në këmbë. Por kjo nuk ishte aq e lehtë: ura ishte në rrugën nacionale dhe ruhej nga një patrullë gjermane, që lëvizte lart e poshtë saj. Në një çast, kur na u duk se patrulla u largua si shumë nga ura, porositëm shoqet dhe zbritëm në qetësi e në heshtjen më të madhe. Por befas, ndjemë zhurmë makinash. U detyruam të ngjiteshin përsëri në vendin ku nuk dukeshim nga rruga. Kishte qenë një autokolonë. Ajo kaloi, por ne qëndruam edhe një herë pa lëvizur. E nisi të rigonte një shi i imët që na bëri qull të gjithave. Në atë kohë ra edhe një mjegull, që e bëri edhe më të vështirë pamjen. Tani na dukej sikur ishim mes reve. Por e keqja na doli për mirë. Shiu dhe mjegulla, na ndihmuan që t’a kalonim urën, një nga një, në një farë distance nga njëra tjetra. Megjithëse ne kaluam, skuadra partizane që na priste në bregun tjetër të lumit, u detyrua të hapte zjarr e të shkëmbente disa breshëri automatiku, pasi ndërkohë patrulla gjermane ndjeu se në urë kishte lëvizje dhe po afrohej me nxitim. Ndërkohë, urën e kishte kaluar edhe shoqja e fundit. Pati ndonjë delegate të moshuar, që u ftoh, nga ai shi që hëngrëm mbi shpinë, si dhe ndonjë shoqe, që nuk ecte dot më tutje ngaqë i qenë enjtur këmbët. Kështuqë, kali që kisha unë hyri në punë. Në të, hipnin me radhë nga një copë rrugë gratë e moshuara, të cilat pasi çlodheshin ca, ia linin radhën shoqes tjetër. Kurse ne më të rejat, nuk donim tia dinim as nga rruga, as nga shiu, por tërë qejf u jepnim kurajo edhe të tjerave edhe gjatë marshimit, edhe në pushime, kur buçisnin këngët partizane, ato popullore të të gjitha krahinave. Kur arritëm në Kuçovë, unë ngarkova disa shoqe që të merreshin me delegatet, dhe unë vetë u nisa “vrap” për në Berat, ku do të takoja Enverin.(Shekulli)</p>
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26842. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26842