NJË PAPË SHQIPTAR NË VATIKAN!
Papa me origjinë shqiptare Klementi XI dhe familja Albani
NJË PAPË SHQIPTAR NË VATIKAN
Edvin Cami/ALNA
“…Kio Shypni, qi tash sa mot ka nei si e harrueme, mlue e vorfna prej niegullet, nen nji Pap Shqyptar po del n'drit, e mezi q' pret me fitue namin, e lumnin e moeme…” (Visk Zmajeviq, ipeshkvi i Tivarit, 1702)
Shtypi shqiptar, në pasqyrimin e vizitës së fundit të presidentit Moisiu në Vatikan, bëri fjalë edhe për një vizitë të tij në varrin e papës me origjinë shqiptare, Klementit XI. Kjo mund të ketë bërë kureshtar ndonjë ndjekës të kujdesshëm të medias dhe të ketë nxitur dëshirën për të ditur diçka më tepër mbi këtë shqiptar që ka qëndruar në fronin papnor në Vatikan për më shumë se dy dekada.
Në të vërtetë, Klementi XI nuk është as i pari e as i fundit shqiptar i njohur e i vlerësuar botërisht në të shkuarën e kombit tonë. E kaluara tashmë e varrosur romake-bizantine njeh emra shqiptarësh të mëdhenj si perandorët Justiniani, Diokleciani, Anastasi apo Kostandini, i njohur si njeriu që e futi përfundimisht Krishtërimin dikur monoteist në trajtën e tij të sotme sinkretiste dhe trinitariane. Nëse do të shtonim edhe brezat e tërë të shqiptarëve që qeverisën si sadrazamë e udhëheqës ushtarakë Perandorinë Osmane, të gjithë ata shqiptarë që i dhanë tonin jetës kulturore, politike, ekonomike e ushtarake të qyetetërimit të magjishëm osman, duke qenë më të shumtë në numër edhe se vetë turqit, themelues të këtij qytetërimi, lista nuk do të mbaronte kurrë. Megjithatë, të nxitur edhe nga aktualiteti i vizitës së presidentit Moisiu në Vatikan, do të ishte me interes të ndaleshim për të njohur personalitetin e papës Klementi XI, i njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani.
Dr. Engjëll Sedaj, në librin e tij "Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbenit”, na kujton se Gjon Françesk Albani njihet në historiografinë shqiptare, si dhe në fushat e tjera albanologjike, si “i gjakut shqiptar”, përkatësisht se është “me origjinë shqiptare”, se “kishte konvokuar Kuvendin e Arbënit (1703) dhe se kishte merita të tjera per çështjen shqiptare”. Po sipas dr. Sedajt, nuk dihet të jetë marrë dikush me studime të veçanta per jetën dhe veprimtarinë e tij. Ne Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) nuk eshte evidentuar as familja Albani, nga e cila, perveç Klementit XI, edhe disa anetarë të saj te tjerë kanë lënë gjurmë të thella në jetën kulturore e politike në Itali dhe më gjerë, keshtu që e gjithe literatura dhe burimet e tjera për jetën dhe veprimtarinë e tij janë kryesisht në Itali.
“The Catholic Encyclopedia” (Vol. IV, 2002), duke u ndalur në jetën e Klementit XI, thotë se Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani), i biri i Karlos dhe i Elenës (Moska), lindi në Urbino më 23 korrik 1649. Ai u zgjodh në fronin papnor më 23 nëntor 1700, dhe vdiq në Romë më 19 mars 1721. Familja e tij njihej si familje arbëreshe fisnike e qytetit të Urbinos. Në kohën e papës Urbani VIII, gjyshi i papës së ardhshëm kishte qenë për 13 vjet senator i Romës, ndërsa xhaxhai i tij, Annibale Albani, ishte studjues i njohur dhe guvernator i Bibliotekës së Vatikanit. Gjithashtu bëhet e ditur se familja Albani ishte themeluar nga dy vëllezër shqiptarë, Xhorxhio dhe Filipo di Mikele dei Laci, ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut, të cilët u vendosën në Urbino, ku Federiko dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobelo (1445-1564), i biri i Xhiorgios, e ndryshoi në Albani. Edhe familja e nënës së tij ishte ndër fisniket e qytetit dhe biografët bëjnë të ditur se daja i tij, Xhirolamo Moska, ndikoi në orientimin e tij në drejtim të studimeve teologjike dhe hierarkisë kishtare. Në moshën 11 vjeçare, Gjon Françesko u dërgua në Romë për të ndjekur "shkollen publike" ne Kolegjin Romak. Në vitin 1668 ai u diplomua në drejtesi dhe vazhdoi më tej studimet në filozofi dhe teologji. Pas suksesit në studime dhe pas emërimit si kanonik në vitin 1670, Albani hyri, zyrtarisht ne prelaturen romake në vitin 1677, duke pranuar nga papa Inoçenti XI emërimin per konsultator te Kongregacionit Konsistorial, që ishte, sipas dr. Sedajt, një institucion me rëndësi në komunikimin diplomatik me botën dhe në asistence me papen. Po nga Inoçenti XI ai do te pranoje me 3 nëntor 1687 të ashtuquajturën “Segretaria ai Brevi” (Sekretarine e Shkresave), kurse papa Inoçenti XII do ta emëronte shqiptarin kardinal, duke i hapur rrugën e një bashkëpunimi më të ngushtë me Papatin.
Viti 1700, është viti i zgjedhjes së tij në krye të Papatit. Dr. Sedaj shkruan se “pas vdekjes se Inoçentit XII, më 27 shtator 1700, konklava e kardinalëve për zgjedhjen e papës së ri praktikisht nuk kishte kandidat më të përshtatshëm e më të përgatitur në çdo pikëpamje se kardinal Albanin.” Në këto kushte, në mbledhjen e 20 nëntorit 1700, kardinal Albani u zgjodh në krye të Kishës me shumicën absolute të votave. Sipas biografëve të tij, kjo fitore u percoll me shumë entuziazëm. “The Catholic Encyclopedia” bën të ditur se zgjedhja e tij u mirëprit edhe nga protestantët dhe qyteti i Nyrenbergut i dhuroi atij një medalje, ndërsa katolikët reformistë iu gëzuan zgjedhjes së tij edhe për shkak të bindjes që kishin në luftën që ai do të zhvillonte kundër nepotizmit, të manifestuar keqas nga paraardhësi i tij. Ai, madje, arriti, me aq sa ia lejonin rrethanat dhe koha, që të ngrihej mbi obskurantizmin e atëhershëm të absolutizmit kishtar, dhe fitoi simpatinë e artistëve duke ndaluar eksportimin e kryeveprave artistike, si dhe të shkencëtarëve, duke lejuar shtrirjen në dyshemenë e “Santa Maria degli Angioli” meridinani romak, të quajtur Klementina.
Dr. Sedaj duke cituar autorin e njohur te biografive te papëve, Ludvik Frajherr fon Pastor (Ludwig Freiherr von Pastor, Geschichte des Papst seit dem Anfang des Mittelalters, Band 15, Freiburg, 1930 dhe në përkthimin italisht: Storia dei Papi nel periodo dell' assolutismo, vol XV, Roma, 1933, p. 10,) ve në dukje aftësitë e cilësitë kryesore te Klementit XI, të cilit ishin: "sjelljet e perpikta dhe të shklqyeshme, dinjiteti i jashtëm, përvoja e gjatë në zbatimin jo vetem të së drejtës kanunore, por edhe të të gjitha disiplinave te tjera kishtare, njohja shumë e thelluar e situatës politike, sikur te kishte drejtimin në shumicën e nunciaturave, pastaj aftesia e formulimeve me shkrim dhe me gojë të qëndrimeve, puna e palodhshme, temperamenti jashtezakonisht i përzemrt dhe kujdesi i shtuar ndaj te varfërve dhe skamnorëve." Nje biograf tjeter (G. Moroni) e përshkruan fizionominë dhe karakterin e tij në këtë mënyrë: "Me trup të larte dhe me pamje te bukur. Ai ishte i pari ndër papat që pas Klementit VII shkonte pa mjekërr. Kishte shikim të gjatë, një pamje disi te zbehte, i kishte flokët dhe sytë e zezë, kishte zë tingëllues, ishte mendjemprehte; per te ishin te huaja zemërimi dhe urrejtja, ishte vrojtues i madh i gjërave të fshehta, zotëronte shume bukur gjuhen greke dhe latine dhe ishte erudit tepër i madh, kurse në jetën e krishterë lirisht mund të thuhet se ishte njeri i drejtë."
Krahas veprimtarisë së tij në kuadrin ndërkombëtar, për ne shqiptarët janë me interes të njihen përpjekjet e tij në planin kombëtar shqiptar. Në planin kombetar, Albani caktoi Visk Zmajeviqin, arkipeshkvin e Tivarit (1701-1713), që te organizonte dhe te udheheqte Kuvendin e Arbënit (1703). Papa shqiptar ka hapur, gjithashtu, Katedrën e Gjuhës Shqipe ne Kuvendin e Shën Bartolomeut në Romë, ku ka dhene mesim Françesko Maria da Leçe, i njohur si autori i gramatikës së parë shqipe dhe njëri prej perkthyesve te materialeve te Kuvendit te Arbënit. Ai pati marrdhënie të ngushta me Gjergj Guxeten, arbëreshin më të njohur siçilian të kohës dhe themeluesin e Kolegjit Arberesh te Palermos.
Studiuesi i çështjeve shqiptare, Xhovani Armilota, shkruan: “Klementi XI, u interesua shumë per rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” (1703) i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.”
Papa Klementi XI - Albani vdiq më 19 mars 1721 dhe u varros, siç kishte qenë dëshira e tij e fundit, nën korin e Shën Pjetrit dhe një pllakë e thjeshtë mermeri shënon varrin e tij.
Është diçka e veçantë dhe për t’u vënë re që pothuajse njëkohësisht me familjen shqiptare të Albani-t, në Lindje, një tjetër dinasti e madhe shqiptare vezirësh të mëdhenj, qeveriste Perandorinë Osmane në shekujt XVII-XVIII: familja e Qyprilinjve. Para papës Klementi XI, tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shiptare: Eleuteri (175-189), Kaio (283-296) dhe Gjoni IV (640-642).