Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Doganat “dorëzohen” para kontrabandës

    Drejtori i Përgjithshëm Dervishi pranon kontrabandën e cigareve. Kapen “peshqit e vegjël”


    Kontrabanda e cigareve po njeh lulëzim që nga rritja e akcizave për paketë. Dje Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, ka pranuar se ka vështirësi në zhdoganimin e cigareve. Dervishi dje në konferencë për shtyp ka prezantuar të dhënat për 7 mujorin e doganave. Ai u shpreh se "se gjatë muajit korrik, u vërejtën vështirësi në zhdoganimin e cigareve" .
    Por drejtori nuk ka pranuar faktin se kontrabanda e cigareve po bën kërdinë saqë shifrat e zhdoganimin janë më poshtë sesa vitin 2006 e jo më plani. Ai ia ka hedhur me stil fajin problemit të etiketimit. "Kjo ka ardhur si rezultat i mosplotësimit të disa kushteve ligjore, nga kompanitë importuese. Jo të gjitha kompanitë importuese i kanë plotësuar kërkesat e kushteve ligjore, që të prodhojnë cigare me etiketim të ri dhe që t'i përgjigjen kushteve të shkrimit në këtë etiketë"-tha Drejtori i Përgjigjëm i Doganave. Sipas tij vështirësi ka pasur me një nga distributorët kryesorë, që importon cigare në tregun shqiptar, për një luhatje të çmimeve, me të cilat ai paraqitet në doganat shqiptare.
    Kësisoj sipas të dhënave të doganave, gjatë muajit korrik 2007 janë zhdoganuar 259 ton të cilat krahasuar me muajin Korrik 2006 janë thuajse në të njëjtat nivele. Por përhapjen e kontrabandës së cigareve e ka pranuar kohë më parë dhe ministri i financave Ridvan Bode. Pas rritjes së akcizës së cigareve nga 25 lekë në 40 lekë për paketë në shtator 2006, është riaktivizuar ndjeshëm kontrabanda e cigareve sidomos me Malin e Zi. Qeveria e justifikoi rritjen e akcizës së cigareve me përafrimin e saj me vendet e rajonit, por efekti që dha në Shqipëri kjo rritje ishte kontrabanda. Bode, kur u miratua paketa e re fiskale bëri autokritikë dhe u shpreh se nuk do të ketë një tjetër rritje të akcizës së cigareve për shkak se kjo po ndikon ndjeshëm në rritjen e kontrabandës. Kështu, në fillim të këtij viti, grafiku i zhdoganimeve të cigareve ka rënë ndjeshëm duke ia lënë vendin kontrabandës.
    Doganat kapin peshqit e vegjël
    Lufta kundër kontrabandës së cigareve është përqendruar në kapjen e tregtarëve të vegjël. Kështu, disa muaj më radhë doganat kanë njoftuar për kapjen e cigareve kontrabandë nga 2-10 steka. Por kjo sigurisht nuk është masa për të luftuar fenomenin kontrabandë e cili po njeh rritje dita-ditës. Nga ana tjetër para 2 muajsh Mali i Zi, ndërmori një aksion të gjerë në kufirin me Shqipërinë duke bllokuar të gjitha dyqanet Duty Free për të shmangur kontrabandës e cigareve ku mori pjesë dhe vetë ministri i Financave. Por edhe pse në vendin tonë simptomat e kontrabandës ishin në të njëjtat nivele askush nga qeveria nuk ka lëvizur as gishtin më të vogël për ta luftuar atë.
    Abuzimi me çmimet
    Kohët e fundit është vënë re dhe një rritje e çmimeve të cigareve në të gjithë vendin. Edhe pse akciza është rritur pothuajse një vit më parë, tregtarët kanë filluar të rrisin çmimet gradualisht duke përfituar marzhe më të larta fitimi. Madje në tregun shqiptar ndodh një amulli pasi, cigaret më të shitura fillojnë të rrallohen nga qarkullimi në treg, duke rritur ndjeshëm kërkesën për to. Më pas distributorët e cigareve e shfrytëzojnë këtë rast duke rritur çmimin e tyre. Një rast tipik është i disa paketave ku një ndër to është dhe marka Merit. Distributori i kësaj pakete ka kufizuar ofertën për një periudhë të shkurtër kohe, më pas kjo është shoqëruar me një rritje të çmimit prej 20-30 lekë për paketë. E njëjta histori ka ndodhur kohë më parë dhe me paktën Dunhill.

    E Shtune, 04 Gusht 2007
     
  2. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Kriza, buka do të rrisë inflacionin

    Banka e Shqipërisë parashikon rritje çmimesh në gjysmën e dytë të vitit. Kriza energjetike rriti kostot


    Banka qendrore ka marrë sinjale se çmimet do të rriten në gjysmën e dytë të vitit. Sinjalet e para janë dhënë nga kriza energjetike e cila sipas Bankës së Shqipërisë ka rritur kostot e biznesit dhe konsumatorëve. Por rritje të forta janë shënuar edhe për produktet ushqimore e veçanërisht për bukën ku shqiptarët shquhen si konsumatorë. Në deklaratën e Politkës Monetare institucioni qendror monetar vëren se “prirja rritëse e normës vjetore të inflacionit bazë përbën një tjetër sinjal informues për politikën monetare, se presionet e përhershme inflacioniste në ekonomi kanë ardhur duke u shtuar”. Ndërkohë që muaji qershor rezultoi me një inflacion bazë vjetor rreth nivelit 1.7 për qind, duke qenë më i lartë se sa ai i një muaji më parë. Këtë vlerë e ndikuan më së shumti efektet e rritjes së çmimit të bukës dhe të disa artikujve të përpunuar ushqimorë.
    Prania e presioneve inflacioniste nga krahu i kërkesës është shprehur në çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të patregtueshme. Gjatë katër viteve të fundit, është regjistruar një inflacion mesatar vjetor për kategorinë përkatëse në masën 4.2 për qind, me prirje rritëse nga njëri tremujor në tjetrin për vitin 2007.
    Banka e Shqipërisë thotë se ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve në ekonomi nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, duke mbetur gjithsesi akomoduese ndaj rritjes ekonomike. Në kushtet kur kërkesa e ekonomisë për mjete monetare ka vazhduar të rritet, deficiti tregtar i vendit ka vijuar të thellohet, dhe normat e interesit janë luhatur ende në nivele të ulëta, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit në fundin e muajit qershor të këtij viti. Kjo rritje u motivua me nevojën për të kontrolluar kërkesën për mjete monetare dhe efektet e rritjes së saj në perspektivën e inflacionit. Rritja e normës bazë së interesit synon nga ana tjetër, të ekuilibrojë ritmet e rritjes së kreditimit, duke administruar më mirë nivelet e likuidetit në treg. Ajo synon gjithashtu të harmonizojë në të ardhmen kërkesën për para të sektorit privat me atë të sektorit publik, në kushtet kur ky i fundit pritet të rritet. Në këtë mënyrë, rritja e normës së interesit do të krijojë një ambient të ekuilibruar makroekonomik dhe do të sigurojë ritme të qëndrueshme rritjeje ekonomike.
    Oferta e mallrave, në mënyrë të veçantë e atyre bujqësorë, si dhe kapacitetet prodhuese të ekonomisë kanë përballuar rritjen e moderuar të kërkesës së brendshme duke mos gjeneruar presione inflacioniste.
    Inflacioni i importuar
    Zhvillimet në kursin e këmbimit luajnë një rol të rëndësishëm në ecurinë e inflacionit. Tregu i brendshëm vazhdon të jetë i orientuar drejt importeve, të cilat në pjesën e parë të vitit kanë rezultuar rreth 4 herë më të larta se eksportet. Inflacioni i importuar është ndikuar pozitivisht nga stabiliteti i çmimeve në vendet partnere dhe negativisht nga dobësimi i vazhduar i lekut kundrejt monedhës evropiane. Efekti i rritjes së çmimeve të huaja në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit në vend, vlerësohet të ketë qenë neutral. Për sa i përket prodhimit në vend, rritja e ofertës së mallrave ushqimorë, kryesisht gjatë tremujorit të dytë të vitit ka mundësuar plotësimin e pjesës më të madhe
    të kërkesës për këta mallra. Por, meqënëse dukuria e mësipërme ka natyrë sezonale, ambienti nënçmues i lekut ndaj monedhës evropiane do të sillte probleme serioze për normën e inflacionit në kushte kur kërkesa e brendshme e ekonomisë do të vazhdojë të mbetet e lartë në periudhën afatmesme.
    Efekti i naftës
    Çmimi i naftës, me gjithë ecurinë pozitive që ka patur gjatë pjesës së parë të vitit, ka filluar të luhatet përsëri në vlera të larta duke shtuar rrezikun, që në kushtet edhe të një krize të mundshme energjitike, të rriten kostot e prodhimit në ekonomi.

    E Shtune, 04 Gusht 2007
     
  3. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    BSH: Bankat veprojnë në ambient monopol

    Një material studimi i Bankës së Shqipërisë arrin në konkluzionin e çuditshëm! Në Shqipëri ka 17 banka ….

    “Rezultatet tregojnë se bankat shqiptare operojnë në një ambient
    me konkurrencë monopolistike; bankat diferencohen nga njëra tjetra sipas tregut dhe/ose produktit”, thuhet në hyrjen e një materiali studimor të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë. “Konkurrenca monopolistike haset në rastin kur ka shumë firma në treg, të cilat diferencohen nga njëra-tjetra duke u fokusuar në segmente të ndryshme të tregut dhe/ose duke ofruar produkte me karakteristika të ndryshme. Në këtë mënyrë, është e mundur që kompanitë të ushtrojnë deri-diku fuqi tregu dhe të sigurojnë fitime më të larta se normalja”. Në fakt është e vështirë të arrish në këtë konkluzion për sistemin bankar shqiptar sepse që të konsiderosh konkurrencë monopolistike duhet që të plotësohen disa kushte si bankat të veprojnë si të pavarura nga njëra tjetra në tregje të ndryshe, produktet që ato ofrojnë të jenë të ngjashme por jo të zëvendësushme(në fakt janë plotësisht të zëvendësueshme), secila prej bankave të maksimizojë fitimin dhe secila prej tyre në tregje të ndryshme të ketë fuqinë që të përcaktojë interesat(për shembull të depozitave a kredive) pa u influencuar nga bankat e tjera. Një konkluzion i vështirë madje i pamundur që 17 bankat e sistemit të kenë rënë dakort për ndarjen e tregjeve të influencës dhe moskonkurrimit mes tyre për të arritur fitime të larta. Madje vetë materiali në vijim jep një tjetër konkluzion, që dominimi i tregut nga një bankë e vetme po vjen gjithnjë e në ulje. “Vitet e fundit, sistemi bankar shqiptar është karakterizuar nga një rritje e ndjeshme e aktivitetit të bankave. Mjedisi bankar është bërë shumë dinamik sidomos pas privatizimit të Bankës së Kursimeve. Kjo është shfaqur në shtimin e produkteve të ofruara nga bankat, në zgjerimin e tyre gjeografik dhe në rritjen e aktivitetit kreditues. Këto zhvillime janë shoqëruar me një ulje të qëndrueshme të përqendrimit të tregut, i cili gjithsesi mbetet në nivele të larta krahasuar me vende të tjera”, shkruhet në këtë material.
    Sistemi bankar shqiptar po bëhet gjithnjë e më konkurrues në tregun e kredisë për shkak të një gare në rritje mes bankave kryesore të sistemit për të marrë sa më shumë treg. Edhe interesi i bankave të huaja është rritur ndjeshëm kohët e fundit për gjithë tregjet e lindjes përfshirë dhe Shqipërinë për shkak të normave të larta të kthimit të investimit, pra fitimeve. Një farë dominance e Raiffeisen mund të ekzistojë në tregun e bonove të thesarit por edhe kjo po zgjidhet me angazhimin e abnkës më të madhe në vend drejt kreditimit dhe sipas shumë gjasave nga pika 0 e tregut që kishte ish-banka e Kursimeve tashmë ajo mund të marrë dhe vendin e parë.
    Siptoma e moralit të rrezikshëm
    Në vijim të materialit studimor të Bankës së Shqipërisë shkruhet se “në përgjithësi mendohet se ekziston një lidhje e kundërt midis konkurrencës dhe stabilitetit në sektorin bankar. Tregu bankar është një sektor i brishtë, që sjell kosto sociale të lartë në raste falimentimi”. Autorja thotë se duke qenë se qeveritë janë të prirura të shpëtojnë bankat nga falimentimi për të parandaluar një efekt domino në sistem, bankat “vuajnë” edhe nga simptoma e moralit të rrezikshëm. Duke marrë parasysh këta faktorë, Vives (2001) argumenton se “një konkurrencë e lartë në sistemin bankar mund të çojë në marrje përsipër të një niveli të tepërt rreziku nga bankat, gjë që rrit mundësinë e falimentimit. Kjo lidhje e dyanshme është edhe më e dukshme në vendet në zhvillim. Ndërkohë që vendet e zhvilluara mund ta mbajnë nën kontroll një sistem bankar me nivel të lartë konkurrence, kjo është më e vështirë për ekonomitë në zhvillim, për të cilat do të ishte më i përshtatshëm një sistem bankar me konkurrencë të moderuar”.

    E Hene, 06 Gusht 2007
     
  4. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Banka Botërore: Ja pse po e ndërtojmë TEC-in në Vlorë

    Në një autointervistë BB synon t'i shpjegojë shqiptarëve të mirat e termocentralit

    Shqipëria mund të kishte ndërtuara prej vitesh një termocentral si ai që do të ndërtohet në Vlorë dhe tashmë kriza që po kalojmë do të ishte më e përballueshme. Të paktën 30 % e nevojave që nuk plotësojnë hidrocentralet nuk do të varej nga reshjet dhe rrjedhimisht do të kishim më shumë drita.
    Banka Botërore ka sqaruar të gjitha çështjet që do të përmbajë ndërtimi i TEC-it të Vlorës. Ajo ka sqaruar se ndërtimi i TEC-it nuk ka lidhje me parkun energjetik dhe se impakti mjedisor i TEC-it është në standardet e BE-së. Nga ana tjetër ajo ka hedhur poshtë dhe pretendimin se ky TEC po ndërtohet në një vend historik ku janë vendosur kohë më parë hebrenj
    Një ekspert i BB-së i përgjigjet pyetjeve më të ndjeshme rreth TEC-it.


    Çfarë lloj termocentrali po ndërton qeveria shqiptare në zonën e Vlorës?
    Qeveria shqiptare po ndërton një termocentral të ri me naftë te distiluar prej 97 MW, me vlerë 112 milionë dollarësh në një zonë prej 6 hektarësh rreth 6 km në veri të Vlorës. Zona ku do të ndërtohet është përdorur për shumë vite si një terminal nafte. Projekti mbështetet nga një kredi e butë prej 25 milionë dollarësh nga IDA (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) e Bankës Botërore, 37.5 milionë dollarë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), 37.5 milionë dollarë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe 12.6 milionë dollarë nga KESH (Korporata Elektroenergjetike Shqiptare). Projekti i kredisë së Bankës Botërore quhet: Shqipëria: Projekti për prodhimin e energjisë dhe ristrukturimin e sektorit të energjisë.

    A ka të bëjë termocentrali i Vlorës me parkun e madh industrial që qeveria kish planifikuar fillimisht të ndërtonte në Vlorë, por që tani ka garantuar se do ta ngrejë diku tjetër?

    Jo, këto janë dy projekte që nuk kanë lidhje. Kryeministri shqiptar tha në maj 2007 se projektet shumë të mëdha të parashikuara për t’u ngritur në këtë zonë si park energjetik, (TEC-e me fuqi 1200 megavat) nuk do të ndërtohen në Vlorë, por do vendosen në zona të tjera. TEC-i i propozuar për në Vlorë është prej me pak se 100 megavatësh.

    Përse qeveria shqiptare do të ndërtojë një termocentral dhe sa e rëndë është kriza energjetike në Shqipëri? Si ka ndikuar ajo mbi shqiptarët?

    Për shkak të krizës energjetike, shqiptarëve ju duhet të përjetojnë ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji. Gjatë dimrit të 2006, energjia ndërpritej nga tetë ore në ditë, duke privuar shqiptarët nga ndriçimi, ngrohja dhe gatimi. Situata e vështirë vazhdon edhe ketë verë dhe lajmet raportojnë për një nivel të rritur të irritimit të popullsisë prej ndërprerjeve të gjata. E gjithë kjo ndikon në cilësinë e jetës së shqiptarëve, shëndetin e tyre dhe dekurajon investitorët në Shqipëri. Shtoji kësaj edhe faktin se nuk ka patur investime të reja në sektorin e energjisë që nga 1984 – me efekte të mëdha negative për cilindo vend – pa le në Shqipëri, ku furnizimi ka shënuar rënie ndërsa kërkesa është rritur në mënyrë eksponenciale.

    Përse shqiptarët kanë nevojë për një termocentral të ri në veçanti?

    Sasia vjetore e energjisë që Shqipëria mund të prodhojë sot është 4,000 GWh ndërsa kërkesa është 6,800 GWh. Kjo diferencë duhet të përmbushet në një farë mënyre, qoftë duke importuar, qoftë duke prodhuar në vend.
    Kriza energjetike në Shqipëri është kryesisht rezultat i faktit që vendi siguron 95 përqind të energjisë nga hidrocentralet, e cila pakësohet në vite me thatësirë, kur rezervuaret pakësohen dhe turbinat s’mund të prodhojnë sasinë e duhur të energjisë. Para vitit 1997, Shqipëria prodhonte mjaftueshëm energji për të plotësuar nevojat e brendshme si dhe të eksportonte në vendet fqinje. Por kërkesa për energji elektrike është rritur katër herë krahasuar me fillimin e viteve ’90, ndërsa mirëmbajtja e keqe e pajisjeve dhe shirat e pakët e kanë përgjysmuar sasinë që prodhohet.
    Ndërsa ka shumë përfitime, hidrocentralet janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të motit dhe cikleve të thatësirës. Shqipëria ka vendosur të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë. Termocentralet do të ndihmonin në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike që do të përmirësonte kërkesën në rritje për energji në Shqipëri. Megjithatë, edhe sikur termocentrali i Vlorës të fillonte punë nesër, ai do te plotësonte vetëm 30 përqind të nevojave të paplotësuara të kërkesave për elektricitet në Shqipëri. Gjithashtu, projekti është në përputhje me rekomandimet e “Studimit të Sektorit të Energjisë” të kryer me 2003 dhe është pjesë e Strategjisë së sektorit të Energjisë , i cili bazohet në një studim shumë të plotë të sektorit, të aprovuar nga qeveria dhe mbështetur nga Banka dhe donatorë të tjerë.

    Sërish, nuk do të ishte më mirë të importohej energji në vend që të ndërtohej një vepër e re energjetike?

    Kostoja e importimit të një sasie gjithnjë e më të madhe energjie po e dëmton tashmë buxhetin e qeverisë shqiptare duke e shmangur përdorimin e tij për nevoja të zhvillimit si kujdesi shëndetësor, arsimi, rrugët dhe zhvillimi i turizmit. Gjithashtu, linjat e transmetimit që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje janë shumë vjetra dhe kufizojnë shumë sasinë e energjisë që mund të importohet. Pakësimi i energjisë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet më i madh, importi i energjisë më i shtrenjtë dhe i vështire për t’u siguruar. E ndodhur përballe kufizimeve të tilla, varianti më i mirë për Shqipërinë do të ishte të ndërtonte prodhues alternativë të energjisë që të mund të plotësonte nevojat në rritje të vendit.

    Kur do të ndërtohet termocentrali i Vlorës?

    Ndërtimi do të fillojë në vjeshtë të 2007 dhe termocentrali pritet të bëhet operacional në qershor 2009.

    Masat mbrojtëse dhe Paneli i Inspektimit

    A është përpjekur Banka Botërore të zbusë pasojat mjedisore ose sociale që lidhen me projektin?

    Banka Botërore ka një seri politikash dhe procedurash mjedisore dhe sociale për projektet e veta, të cilat përdoren për çdo projekt. Si një pjesë e rëndësishme e hartimit dhe zbatimit të këtij projekti, Vlerësimi Mjedisor dhe Politikat Mjedisore dhe Sociale të Zhvendosjes së Pavullnetshme janë zbatuar. Kohët e fundit, një organizatë jofitimprurese lokale ka bërë një kërkesë për Panelin e Inspektimit të Bankës Botërore për të vlerësuar nëse ekipi i Bankës i është përmbajtur politikave dhe procedurave. (Paneli i Inspektimit)

    Konsultime

    A ka pasur konsultime me komunitetet lokale kur është shqyrtuar vendi i ndërtimit të termocentralit te ri?

    Po – disa konsultime janë mbajtur në Vlorë si pjesë e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor në 2002 dhe 2003. Pjesëmarrja në to ka qenë e mirë. Në 31 tetor 2002 është mbajtur një takim në Vlorë, për të prezantuar projektin te publiku dhe për të filluar procesin e konsultimeve me publikun. Takimi i dytë është mbajtur në Vlorë në 2 Prill 2003 për të marrë inputet e publikut me qëllim vlerësimin e tyre.

    Në takimin e dytë kanë marrë pjesë mbi 100 persona, përfaqësues nga agjenci të ndryshme qeveritare, universitete, organizata jofitimprurëse si dhe nga publiku i gjerë. Ky takim është pasqyruar edhe nga mediat dhe televizionet shqiptare. Takime të tjera janë mbajtur me Ministrinë e Mjedisit në 15 Gusht 2002 dhe në 31 Mars 2003. Një konsultim tjetër me publikun u zhvillua në 3 Shtator 2003 në Vlorë për të diskutuar draftin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të qeverisë qendrore dhe agjencive qeveritare lokale, përfaqësues të biznesit, agjencive jofitimprurëse dhe nga publiku i gjerë. Detaje nga këto sesione, përfshirë edhe procesverbalet e takimeve gjenden në Agjencinë Kombëtare të Energjisë, e cila kishte edhe rolin kryesor në organizimit e këtyre sesioneve.

    Si u zgjodh vendi i ndërtimit?

    Një firmë e njohur konsultimi ndërkombëtare përgatiti studimin e fizibilitetit dhe të vendit të ndërtimit për termocentralin e propozuar. Ky studim u financua nga Agjencia e Zhvillimit dhe Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2002. Gjashtë vende ndërtimi u vlerësuan mbi bazën e dhjetë kritereve, secili me një peshë të caktuar si më poshtë: i) përmirësimi i kushteve mjedisore – 12 përqind; i) problemet e cilësisë së ajrit - 8 përqind; (iii) kosto e niveluar – 12 përqind; (iv) problemet socio ekonomike – 8 përqind; (v) zvogëlimi i humbjeve në sistemin e transmetimit dhe përmirësimi i voltazhit – 12 përqind; (vi) mundësia e transmetimit dhe afërsia – 10 përqind; (vii) disponueshmëria e naftës – 14 përqind; (viii) nevojat për ujë dhe kanalizime – 10 përqind; (ix) transportimi – 8 përqind; dhe (x) pronësia – 6 përqind. Vendet e vlerësuara ishin dy për secilin rajon dhe janë si më poshtë: Shëngjin, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë. Në fund të vlerësimit Vlora dhe Fieri ishin më të mirat përsa i përket perspektivës së transmetimit, por Vlora ofronte edhe disa avantazhe te tjera si: i) Vlora ishte më pranë bregut dhe karburanti nuk ishte e nevojshme të transportohej përmes tubacioneve në brendësi të vendit apo me makina. Kjo ulte në mënyrë të ndjeshme koston e projektit dhe gjithashtu pakësonte rrezikun e derdhjeve të karburantit; ii) uji i detit mund të përdorej për ftohjen e aparaturave. Veç të tjerash ka një kërkesë në rritje në këtë rajon. Në mes të nëntorit 2002 Ministria e Energjisë lajmëroi Bankën Botërore për vendimin e saj për ta ndërtuar termocentralin në zonën B në Vlorë.

    Mjedisi

    A ka ka kryer Banka Botërore një Vlerësim Mjedisor për projektin?

    Po – Vlerësimi Mjedisor është rishikuar nga konsulentë të pavarur të financuar nga Agjencia Kanadeze e Zhvillimit Ndërkombëtar. Vlerësimi Mjedisor është rishikuar gjithashtu edhe nga ekspertë nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Rishikuesit ranë dakord se ndikimi mjedisor do të jetë i kufizuar.

    Një shtesë në Vlerësimin Mjedisor u përgatit për të menaxhuar detajet e zbatimit të shoqëruara me Planin e Menaxhimit Mjedisor. Qeveria dhe KESH-i kanë rënë zyrtarisht dakord që të zbatojnë të gjitha masat e përcaktuara në Planin e Menaxhimit Mjedisor. Vendi i ndërtimit dhe Vlerësimi Mjedisor janë miratuar gjithashtu nga nivele te ndryshme të qeverisjes (Bashkia e Vlorës, Ministria e Mjedisit, Këshilli për Rregullimin e Territorit, etj.) Vlerësimi Mjedisor u bë publik në Shqipëri dhe në Infoshop-in e Bankës Botërore në Tetor 2003.

    Vlerësimi Mjedisor i Bankës Botërore e ka marrë në konsideratë potencialin për 300 MW për termocentralin dhe ndikimin në mjedis të tij?

    Vlerësimi Mjedisor dhe konsultimet publike për termocentralin janë fokusuar në ndikimin dhe prodhimin e 100 MW. Projekti i mbështetur nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve është i kufizuar deri në 97 MW. Megjithatë, Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor ka përmendur dhe studiuar dhe potencialin dhe kërkesat për një shtrirje deri në 300 MW.
    Nëse qeveria do të vendoste të vazhdonte me njësi të tjera shtesë prodhuese (në Vlore apo në ndonjë vend tjetër), atëhere do të duhej një studim i ri i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor.

    A do të përkeqësonte termocentrali i propozuar ndotjen mjedisore në Shqipëri?

    Termocentrali do të përdorë naftë të distiluar me nivel të ulët squfuri. Lëshimi i gazeve është brenda standarteve të lejuara nga Direktivat e BE-së dhe Udhëzuesi i Bankës Botërore për Parandalimin dhe Zbutjen e Ndotjes. Për me tepër, termocentrali do të ndërtohet me aftësinë për të kaluar nga përdorimi me naftë në përdorimin me gaz, sapo gazi të jetë i pranishëm në Shqipëri, gjë e cila do ta kufizonte edhe më shumë ndotjen mjedisore.

    A do ta dëmtonte termocentrali plazhin apo frekuentimin e tij?

    Pas një periudhe të shkurtër të ndërtimit, plazhi do të kthehej në gjendjen e tij aktuale. Termocentrali do te jetë 300 metra nga bregu, tubi i shkarkimit të ujit del jashtë bregut me 600 metra dhe terminali i naftës është 3.5 km nga plazhi.

    A do ta dëmtonte termocentrali Lagunën e Nartës?

    Ndërsa vendi nuk është shumë larg nga laguna e Nartës, ai është jashtë zonës së propozuar për mbrojtje përreth lagunës dhe është i izoluar si distancë dhe nga një zgjatim i vijës bregdetare. Në kuadër të Projekti të GEF/PNUD për Ruajtjen e Lagunës dhe Ekosistemeve të Bregdetit në Rajonin Mesdhetar, vendi i projektit është diskutuar edhe me PNUD-in, i cili informoi Bankën Botërore se nuk do të kishte asnjë kundërshtim nëse vendi do të ishte jashtë zonës së mbrojtur rreth Lagunës së Nartës.

    Trashëgimia Kulturore


    A e ka marrë në konsideratë Banka Botërore trashëgiminë kulturore në Vlerësimin Mjedisor?

    Gjatë zbatimit të procedurave të saj për këtë projekt, konsulentë ndërkombëtarë kanë hartuar një studim të detajuar të vendit për termocentralin. Gjatë sesioneve të studimit dhe përgatitjes së vlerësimit mjedisor të projektit, çështja e domethënies kulturore të zonës së Triportit pranë vendit të projektit nuk u ngrit. Megjithatë, me ngritjen e shqëtësimit për këtë çështje, Banka Botërore dërgoi për një vizitë në vend një specialist ndërkombëtar me pervojë të trashegimisë kulturore dhe i kërkoi ndihmë qeverisë shqiptare për vlerësimin e trashëgimisë kulturore të zonës. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka rishikuar çështjen dhe “nuk ka identifikuar vlera historike apo studime për zonen si një zonë specifike historike”.


    Thuhet se zona e Triport/Aulonës është e rëndësishme historikisht sepse një numër Hebrenjsh Sefardikë kanë zbritur atje pasi i kanë shpëtuar persekutimit dhe inkuizicionit spanjoll. A do ta ndikojë termocentrali i propozuar vlerën historike të këtij vendi?

    Ka pasur prej një kohe të gjatë një prani të komunietit hebre në zonën e Vlorës, e cila dikur shihej si një nga tre komunitetet me të mëdha hebreje në Mediterran. Qyteti i Triport/Aulonës ka lulëzuar nga shekulli i tretë p.e.s. deri ne shekullin e 3 e.s. Por Instituti i Monumenteve të Kulturës beson thellësisht se meqenëse qyteti i Triport/Aulonës ka ekzistuar deri në shekullin e 3 e.s. jeta e qytetit është shpërngulur për në Vlorë. Për këtë arsye, kur Hebrenjtë Sefardikë kanë mbërritur në zonë, ata ka shumë të ngjarë të jenë vendosur në qytetin e Vlorës, rreth 5.8 kilometra larg vendit të propozuar për ndërtimin e termocentralit. Ish - Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, ka thënë se Triport/Aulona nuk ishte shtrirë deri në vendin e propozuar për ndërtim sepse në atë kohë qytetet nuk ishin kaq të mëdha dhe nuk ndërtoheshin në terrene fushore të pambrojtura. Gjithashtu, në gërmimet e mëparshme për ndërtimin e një limani në vendin e propozuar, nuk janë gjetur qeramika apo ndonjë gjurmë të qyteterimeve të hershme. Për këtë arsye, Profesor Baçe thotë se qyteti i Vlorës ka “sigurisht një vlerë të madhe shpirtërore për komunitetin hebre, veçanërisht për atë Shqiptaro-Hebre… jo vendi ku do të ndërtohet termocentrali.”

    E Hene, 06 Gusht 2007
     
  5. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Rritet importi, shtohen kufizimet

    Importi më i shtrenjtë. Shënohet rekordi i çmimit nga EFT në 84.2 euro/MWh

    Importi i energjisë prej 7 milionë kilovat orë në ditë për muajin gusht ka filluar. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën të ditur se sasia e kontraktuar me prokurim të drejtpërdrejtë nga pesë kompanitë ka filluar të lëvrohet. Por nga ana tjetër kjo masë është shoqëruar me direkt me një ulje të prodhimit dhe shtim të kufizimeve. Kështu, siç ishte dhe premtuar nga vetë ministri Ruli, muaji gusht do të jetë më i vështirë për shkak të një konsumi më të lartë. Edhe pse KESH, arriti të sigurojë një sasi më të madhe importi sesa ai i muajit korrik, ndërprerjet e energjisë janë shtuar për shkak të një konsumi gjithë e një rritje këtë muaj. Kështu të parët që e kanë ndjerë mungesën e energjisë kanë qenë dhe qytetet më të mëdha të vendit që kanë një konsum edhe më të lartë. Mungesa e energjisë sa vjen e thellohet në kryeqytetin e vendit. Pasi nga 5 orë që ka qenë kufizimi për qendrën dhe 10 orë për periferinë, tashmë mungesa e energjisë në qendër të Tiranës është rritur me një orë, ndërsa në disa zona, një orë e gjysmë. Ndërsa lagje të tjera jashtë Unazës, si: Allias, rruga “5 Maji”, Sauk, zonat pranë kryqëzimit “21 Dhjetori”, Laprakë, zona pranë Institutit të Fizkulturës dhe pranë Spitalit Ushtarak, janë totalisht në errësirë, pasi ndërprerja e energjisë ka raste që shkon nga 12 në 17 orë. Banorët në këto lagje shprehen se energjia elektrike mungon gjatë gjithë natës, pasi ndërpritet nga ora 00:00 e mesnatës deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe sërish ikin nga ora 10:00 deri në orën 15:00. Por errësira e këtyre zonave nuk mund t’i mënjanohet kufizimit të mbrëmjes, që është orar për të gjithë vendin, pra sërish në këto zona edhe pse kanë pasur drita vetëm për shtatë orë në ditë, u ikin në darkë nga ora 19:00 deri në orën 21:00. Mungesa e energjisë u krijon jo pak probleme qytetarëve, pasi jo vetëm që rrinë gjatë gjithë natës në errësirë dhe nuk kanë drita në pjesën më të madhe të ditës, por u sjell dhe probleme te ushqimet. Ndërsa për qendrën, kufizimet e energjisë janë shtuar vetëm me nga një orë dhe në disa lagje, me nga një orë e gjysmë. Ndërkohë, nga KESH-i nuk ka asnjë informacion zyrtar për rritjen e kufizimeve të energjisë në kryeqytet. Nga ana tjetër qytetet e tjera të mëdha të vendi po përjetojnë kufizime dhe më të gjata. Orët e errësirës janë më të mëdha në qytete si Korçë, Elbasan, Shkodër etj.
    Importi rekord, 84.2 euro/MWh
    Energjia e cila po importohet nga 5 kompanitë për këtë muaj është më e shtrenjta e blerë ndonjëherë nga KESH. Importi i energjisë së kontraktuar për muajin gusht do të jetë 7 milionë kilovatorë në ditë. Ndërkohë që çmimi mesatar i kësaj sasie të importuar do të jetë 78 euro për megavatorë. Kjo do të thotë që çdo ditë të muajit gusht KESH do të shpenzojë 545 mijë euro për të importuar energji elektrike. Vetëm për muajin gusht energjia e importuar do të kapë vlerën e 16 milionë euro.
    Çmimet më i shtrenjtë i ofruar vjen nga kompania e cila ka sasinë më të madhe të këtij importi, EFT. Sipas të dhënave të KESH, kjo kompani do të sjellë 63.2 MWh energji me një vlerë totale prej 5.3 milionë euro. Ndërkohë që çmimi për megavat që ofron kompania është rekord i ri për tregun shqiptar prej 84.2 euro. Kompanitë me të cilat KESH ka rënë dakord për të importuar këtë sasi energjie për muajin gusht janë zvicerania EFT, Espada, Cez Çeki, Rundap dhe Gen-i slloveni.

    E Merkure, 08 Gusht 2007
     
  6. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Thatësira rrit çmimet e shportës në Ballkan

    Prodhimi vendas në dëmtohet nga thatësira dhe rrit çmimet në të gjithë rajonin

    Thatësira që ka përfshirë Ballkanin qysh në muajin qershor, pritet të shkaktojë një valë shtrenjtimi çmimesh të produkteve kryesore ushqimore në të gjitha vendet e rajonit, ndërkohë që shumë artikuj jetësore kanë pësuar rritje tashmë.
    Kështu në Shqipëri rritje ka pësuar artikulli më i kërkuar në tryezat shqiptare, buka, për shkak të rritjes së çmimit të miellit, që ka ardhur si pasojë e uljes së sasisë së korrjeve nga ndikimi i thatësirës, por edhe nga kriza energjetike ku thatësira po luan rolin e saj. Po ashtu kanë pësuar rritje çmimesh edhe disa produkte bulmeti ndërsa pritet rritje çmimi e perimeve dhe frutave shkak të uljes së prodhimit nga thatësira që shkaktoi i nxehti afrikan që përshkoi Ballkanin.
    Në Serbi tashmë janë shtrenjtuar mishi i pulës me tetë përqind dhe sot pritet të rritet çmimi të mishit të derrit për 15 për qind, ndërsa pritet edhe shtrenjtim i bukës, miellit, vajit, qumështit dhe produkteve të tjera jetësore. Autoritetet serbe paralajmëruan se do të ndërhyjnë me rezervat shtetërore të mallrave në rast se do të ketë rritje të madhe të çmimeve të pakicës. Si pasojë e thatësirës, korrja e sivjetme i misrit në Serbi është zvogëluar me 40 përqind, i sojës 30 përqind, ndërsa e lulediellit dhe rrepës së sheqerit është zvogëluar me 20 përqind. Për shkak të uljes së sasisë së korrjeve, në tregjet e gjelbërta në Serbi janë shtrenjtuar edhe frutat.
    Thatësira dhe temperaturat tropikale zvogëluan korrjet e pemëve dhe perimeve edhe në Bosnjë e Hercegovinë, deri në rreth 50 përqind. Çmimi i këtyre produkteve tashmë është rritur me 15 përqind, ndërsa sipas parashikimeve ky trend do të vazhdojë. Frutat dhe perimet u shtrenjtuan edhe ne Kroaci, ndërsa prodhuesit presin rritje edhe më të larta çmimi. Qytetarët në Kroaci deri në fund të gushtit i pret shtrenjtim prej 10 deri 25 për qind të miellit, bukës dhe produkteve tjera të miellit.

    E Merkure, 08 Gusht 2007
     
  7. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Biznesi me kasa regjistruese në shtator

    Projekti për pajisjen me kasa regjistruese të biznesi të vogël pritet të fillojë muajin tjetër

    Qeveria dhe drejtoria e përgjithshme e tatimeve po marrin të gjitha masat për të pajisur me kasa regjistruese të gjithë biznesin e vogël. Drejtori i Procedurave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Niko Lera bën të ditur se projekti për pajisjen e me kasa të gjithë biznesit të vogël është gati për zbatim. Tatimet bëjnë të ditur se kanë gati të gjithë infrastrukturën që do të sanksionojnë lëshimin e kuptonave tatimore për çdo produkt që shitet në vend. Një masë e tillë është përmendu dhe nga ministri i Financave Ridvan Bode, disa kohë më parë. Por pajisja me kasa regjistruese për biznesin e vogël është bërë si një lojë kungulleshash ku qeveritë ia lënë njëra tjetrës këtë "sfidë" duke mos e realizuar asnjëherë. Kështu, pajisja me kasa regjistruese ekziston që prej disa vitesh, por deri tani nuk ka mundur të zbatohet. Kësaj radhe premtimi vjen jo vetëm nga financat por dhe nga tatimet ku brenda këtij viti do të arrihet të realizohet projekti.
    Qeveria pritet që të fillojë në muajin shtator edhe njëherë aksionin për vendosjen e kasave regjistruese për biznesin e vogël. Para pak kohësh numri dy i financave Florion Mima ka bërë të ditur se në shtator të këtij viti do të fillojë vendosja e kasave regjistruese për biznesin e vogël, në të gjithë vendin. Sipas tij, aktualisht është ngritur një grup pune me specialistë nga sektorët e linjës, që po vëzhgon tregun në disa rrethe të vendit, me qëllim që procesi i vendosjes së kasave regjistruese të përfundojë brenda afateve që do të përcaktojë ministria. Ky proces, tha Mima, synon të ulë informalitetin në ekonomi. Deri tani ky projekt ka qenë stafetë jo vetëm e qeverive por dhe e ministrave të financave. Pas ardhjes në pushtet të PD-së në vitin 2005, Bode deklaroi se paraardhësi i tij Malaj nuk arriti të realizonte këtë projekt dhe kështu qeveria e re do ta sillte në dritë. Por edhe pse kanë kaluar plot 2 vjet qeverisje ende nuk është bërë asnjë hap për realizimin e tij.
    Odisa e kasave që në vitin 94
    Që në vitin 1994 qeveria programoi për herë të parë vendosjen e kasave tatimore sipas praktikës fiskale të vendeve perëndimore. Por brenda gjashtë muajve, ato kasa dolën jashtë përdorimit. Në vitet në vazhdim, disa herë tatimorët urdhëruan përdorimin e kasave dhe shumë herë gjobitën dyqanet për mospërdorim të tyre. Por asnjëherë të dhënat mbi xhiron, të regjistruara në kasa, nuk u përdorën për llogaritjen e tatimeve. Aktualisht, në të gjitha njësitë e tregtimit në vend, nuk shërbehet me fatura tatimore. Janë të pakta dyqanet dhe supermarketet e biznesi të vogël që punojnë me kasa. Sipas tatimorëve edhe për atë kategori subjektesh, e cila në pamje të parë e përdor arkën, nuk ka garanci se detyrimet tatimore i paguan në bazë të xhiros reale që regjistron dhe deklaron, pasi nuk ka institucion të specializuar e të autorizuar për të kontrolluar kujtesën fiskale të arkës regjistruese.
    Ligji i ri që 2006
    Ligji për futjen e biznesit të vogël në skemën e detyrueshëm për kasat regjistruese është miratuar që në tetorin e vitit 2006, por ende nuk është zbatuar. Sipas nenit 3 të këtij ligji “Arka regjistruese” janë kasat regjistruese elektronike, të detyrueshme për lëshimin e kuponave tatimorë nga biznesi, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave dhe me udhëzimin e Ministrit të Financave".

    E Merkure, 08 Gusht 2007
     
  8. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bell Air rrëmben tregun e fluturimeve

    Kompania shqiptare që zëvendësoi Albatros, zuri 22% të fluturimeve për gjysmën e të këtij viti

    Kompania e fluturimeve Bell Air është renditur e dyta në tregun e fluturimeve. Sipas të dhënave të 6 mujorit të kompanisë Tirana Airport Partners, kjo kompani ka shënuar rritjen më të madhe me 8% krahasuar me vitin 2006. Kështu, pas Alitalia, tashmë kompania e dytë për nga fluturimet e kryera renditet Bell Air duke lënë pas, Albanian Airlines e cila ka zbritur në vendin e tretë. Sipas të dhënave të menaxhuesëve të aeroportit "Nënë Tereza", TIA pesë kompanitë ajrore me numrin me të madh të pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë ishin Alitalia (24%), Belleair (22%), Albanian Airlines (16%), Austrian Airline (10%) dhe Turkish Airëays (6%). Gjithsej, 15 kompani ajrore kanë fluturuar brenda dhe jashtë TIA, me 31 destinacione të ndryshme fluturimi. Destinacionet më të frekuentuara nga janari deri në qershor 2007, ishin Milano, Roma, Vjena dhe Stambolli. "Ndërkohë, këtë verë, Albanian Airlines dhe Belle Air po rrisin dukshëm numrin e destinacioneve për Itali dhe vende të tjera te Europës, duke lehtësuar kështu udhëtimet e shqiptarëve, por edhe të huajve, që vijnë dhe ikin nga Shqipëria"-thuhet në raportin e TIA-s për 6 mujorin e parë të këtij viti. Krahasuar me vitin 2006, kompania Alitalia, ka pësuar një rritje prej 2%, ndërkohë që Albania Air Lines ka pësuar një rënie të numrit të pasagjerëve prej 2%. Kjo kompani vazhdon të humbasë treg nga viti në vit, ku para disa vitesh kishte gati 30% të tregut të fluturimeve.
    Një rënie të lehtë të numrit të pasagjerëve ka pësuar dhe kompania Malev, prej 1%.
    Treguesit e aeroportit
    Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka vendosur rekorde te reja shifrash për gjashtëmujorin e parë të 2007-ës. Sipas të dhënave nga vetë kjo kompani, nga janari deri në qershor 2007, TIA numëron 452,990 pasagjerë, një rritje prej 22% krahasuar me të dhënat e gjysmës së parë të 2006. ndërkohë që numri i pasagjerëve është rritur 22 përqind krahasuar me te njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe volumi i Kargos është rritur 37 përqind. Kështu, sipas të dhënave, lëvizjet ajrore u rritën 8 përqind nga 15 shoqëri ajrore që ofrojnë 31 destinacione fluturimesh. Vetëm për muajin qershor, si muaji me aktivitet më të lartë në këtë pjesë të parë të vitit, TIA numëroi 88,046 pasagjerë dhe regjistroi 782 Lëvizje të Trafikut Ajror kundrejt 73,051 dhe 674, respektivisht, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje sipas TIA, i dedikohet veçanërisht hapjes së terminalit të ri të pasagjerëve më 21 Mars 2007. “Rritja e trafikut është përgjigje e tregut ndaj standardeve të përmirësuara të komoditetit dhe sigurisë së pasagjerëve. Në të njëjtën kohë po mirëpresim më shumë pasagjerë të huaj në terminalin e ri të TIA-s, dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të tërhequr kompani të reja ajrore” thotë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s Dr. Constantin von Alvensleben.
    Linjat e reja
    Janë dy kompani të reja të cilat janë futur në tregun shqiptar gjatë kësaj periudhe. Të një rëndësie të veçantë ishte rikthimi në aeroport i Lufthansës, kompanisë ajrore prestigjoze gjermane, e cila rifilloi fluturimet e saj në Tiranë pas një ndërprerjeje prej 9 vjetësh. Gjithashtu, dhe vendosja e një linje direkte fluturimi me New York nga kompania amerikane American Trans Air. TIA aktualisht ka punësuar rreth 230 njerëz, ndërkohë që numri total i personelit që punon për kompanitë në Aeroport është rreth 700.

    E Merkure, 08 Gusht 2007
     
  9. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Turizmi politik shpëton qeverinë

    Zgjedhjet e shkurtit dhe ardhja e presidentit Bush kanë rritur numrin e vizitorëve duke shpëtuar efektin krizë energjetike


    Kriza e turizmit në këtë gjysmë viti duket se i ka gjetur shpëtimtarët e saj. Zgjedhjet lokale të zhvilluara në shkurt dhe ardhja e presidentit amerikan George W. Bush kanë rritur fluksin e turistëve që në fakt janë vëzhgues monitorues dhe stafet e tyre. Pas një kriza energjetike, ajo e ujit të pijshëm që po përjeton vendi ynë goditjen më të madhe për këtë sezon do ta pësojë dhe sektori i turizmit. Por duket se edhe kësaj radhe janë efektet diplomatike që shpëtuar turizmin gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që ky fenomen nuk ata që po e shpëtojnë këtë sektor. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme numri i turistëve deri në fund të korrikut rezulton me një rritje me 63.5%. kështu, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në vendin tonë kanë hyrë 66 034 turistë të huaj, ose 25 636 turistë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, pasi deri në 26 korrik të 2006 kishin hyrë në Shqipëri 40 398 turistë. Por për më tepër numri i vizitorëve një ditorë ka shënuar rritjen më të madhe gjatë periudhës 1 janar 26 korrik të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas shifrave të marra nga pikat kufitare, gjatë kësaj periudhe kanë ardhur 105 mijë turistë më shumë se në vitin 2006. Kjo shifër është 39% më e lartë sesa 6 mujori i parë i viti të kaluar. Muajt që kanë shënuar rritjen më të madhe të turistëve të organizuar kanë qenë muaji shkurt. Kjo shpjegohet dhe me faktin se në këtë periudhë janë zhvilluar zgjedhjet lokale dhe gjatë kësaj periudhe në vend kanë ardhur si vëzhgues ndërkombëtarë për zgjedhjet ashtu dhe emigrantë për të votuar. Sipas të dhënave nga 220 turistë që ka patuar muaji shkurt 2006, këtë vit numri i turistë ishte 2 247 duke shënuar një rritje rekord prej 921%. Gjithashtu një rritje të ndjeshme të turistëve ka shënuar dhe muaji qershor kur në Shqipëri mbërriti presidenti amerikan George W. Bush. Sipas të dhënave nga ministria e Brendshme, numri i turistëve gjatë këtij muaji krahasuar me vitin 2006 është 10 fishuar. Nga 2 431 turistë që kanë hyrë në vitin 2006 në qershor, këtë vit numri i tyre ishte mbi 209 mijë. Ndërkohë dhe për turistët ditorë muaji i ardhjes së presidentit amerikan ka qenë ai me fluksin më të madh të tyre, duke shënuar një rritje prej 69% krahasuar me vitin 2006.
    Efekti i njëhershëm
    Megjthëse këtë vit vendi ynë po përjeton një krizë energjetike të rëndë evenimentet politike janë ato që kanë shpëtuar turizmin. Kjo për faktin se gjatë këtij viti pati 2 fenomene; i pari ka të bëjë me zgjedhjet lokale të cilat u zhvilluan në muajin shkurt. Gjatë këtyre zgjedhjeve kanë ardhur shumë monitorues nga Bashkimi Europian etj si dhe një numër mendrash të huaja për reportazhe. Kështu, sipas parimit klasik ku çdo person që futet në territorin e një vendi dhe shpenzon para quhet turist, ka bërë që numri i turistëve gjatë këtij muaji të shtohet ndjeshëm. Së dyti ardhja e presidenti amerikan George W. Bush, bëri që një numër tjetër po i madh i stafit të presidentit si dhe mediat e huaja të vijnë në vendin tonë. Për këtë arsye krahasuar me vitin 2006, numri i turistëve në muajin "presidencial" qershor u rrit me 724%. Por këto fenomene janë të përkohshme dhe edhe pse kontribuojnë në ekonominë e një vendi me të ardhura nuk ndodhin çdo vit. Kështu, vitin 2008, nëse nuk kemi as zgjedhje as evenimente të tilla numri i turistëve do të jetë më i ulët për pasojë se turizmi duhet të ketë një trend të qëndrueshëm dhe nga llojet e tjera të turizimit si ai kulturor, bregdetar etj.

    E Premte, 10 Gusht 2007
     
  10. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Shifra e turistëve përplasin Pangon dhe Nishanin



    Pango: Turistët deri tani 586 720


    Sipas të dhënave nga ministri e Turizmit, numri i turistëve që kanë ardhur në vendin tonë gjatë periudhës janar-korrik 2007 është 586 720. Kështu, sipas ministrisë ka një rritje prej 21.2%, krahasuar me numrin e vizitorëve të hyrë për të njëjtën periudhë të vitit 2006 dhe 53%, krahasuar me periudhën janar – korrik 2005. Numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për periudhën 1 – 31 korrik 2007 është 201428 persona, nga të cilët vizitorë me netë qëndrimi (turistë) janë 188761 persona dhe vizitorë ditorë (ekskursionistë) 12667 persona. Sipas ministrisë së Turizmit ka një rritje të numrit të vizitorëve prej 28 304 persona (16.3%) në periudhën 1 – 31 korrik 2007, krahasuar me periudhën respektive të vitit 2006.


    Nishani: Turistët deri tani 439 631

    Nga ana tjetër Ministria e Brendshme raporton të tjera shifra për numrin e turistëve të ardhur gjatë periudhës janar-korrik 2007. "Në saj të masave të marra dhe në pikat e trajtimit të kalimit kufitarë për hyrje në vendin tonë është rritur ndjeshëm fluksi i vizitorëve, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu, nga 1 janari deri në datën 26 korrik të vitit 2007 në vendin tonë kanë hyrë 66 034 turistë të huaj, ose 25 636 turistë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, pasi deri në 26 korrik të 2006 kishin hyrë në Shqipëri 40 398 turistë. Këta turistë kanë vizituar vendin tonë në grupe, duke ardhur ndërmjet shoqërive turistike"-thuhet në raportin e kësaj ministrie. Kështu sipas këtij raporti është rritur edhe fluksi i
    turistëve që vijnë në mënyrë individuale të paorganizuar që vijnë në Shqipëri, ku gjatë kësaj periudhe e kanë vizituar vendin tonë 373 657 persona, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë hyrë në Shqipëri 268 454 persona.

    E Premte, 10 Gusht 2007
     
  11. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Kriza energjetike, Harasani futet në lojë për zgjidhje



    Ish drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare Andis Harasani i ka ofruar qeverisë alternativën e tij për zgjidhjen e krizës së rëndë energjetike që po kalon vendi. "Jam këtu për t'i bërë thirrje qeverisë të hapë tryezën e menaxhimit të krizës energjetike me pjesëmarrjen e ekspertëve të të gjitha forcave politike e të shoqërisë civile"-tha Harasani dje në konferencë për shtyp. Sipas tij kjo tryezë është i vetmi mekanizëm që do të kompensonte sadopak paaftësinë e plotë të këtij kabineti qeveritar për të administruar një krizë që prej dy vjetësh e paralajmërojmë si shprehje të një sëmundjeje që vjen vetëm duke u rënduar dhe që mund ta çojë Shqipërinë në kolaps. Ai u shpreh se dhe programi qeverisës i kësaj mazhorance ka dështuar plotësisht, "tanimë kemi hyrë në tunelin e emergjencës së përditshme në të gjitha fushat e jetës së vendit, mbi të cilat rëndon përditë superkriza energjetike". Akuzat e Harasanit në drejtim të qeverisjes kanë të bëjnë dhe me korrupsion e saj në këtë sektor. "Minimalisht për të garantuar transparencë në muajt e rëndë që kemi përpara, kryeministri duhet ta pranojë thirrjen e Partisë Socialiste për tryezën gjithëpërfshirëse të menaxhimit të krizës energjetike"-tha ai. Nga ana tjetër, në emër të Partisë Socialiste, deputeti Harasani tha se "ne jemi gati t'i vëmë qeverisë në dispozicion të gjithë ekspertizën tonë për ta zbutur sadopak këtë situatë errësire të paparë në asnjë vend të botës së elektrifikuar". Sipas tij PS ka një plan serioz si pjesë e programit të saj e cila do ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga krizat ciklike. Harasani premtoi dje se "Përmes një politike të re energjetike që do të sigurojë energji njëzet e katër orë në të gjithë territorin e vendit". Ndërkohë që sipas tij shkarkimi i Ministrit Ruli do të ishte minimumi moral që kryeministri duhet të marrë përsipër në rast se nuk do të pranojë që përveçse nuk është në gjendje të zgjidhë krizën.

    E Premte, 10 Gusht 2007
     
  12. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Avaria, gjysma e Tiranës pa drita

    Kufizimet shkatërrojnë transformatorin në nënstacion e qendrës. KESH: Duhet të ndërtohet një i ri


    Një avari e rëndë ka lënë gjysmën e kryeqytetit pa energji elektrike. Për shkak të mbingarkesës së vazhdueshme, si pasojë kërkesës së lartë për energjie dhe kufizimeve të larta dje gjysma e Tiranës ka mbetur pa drita.
    Dje Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se një avari e rëndë në Nënstacionin e Qendrës ka shkaktuar stakimin e transformatorit qendror duke lënë pa drita disa zona rreth qendrës së kryeqytetit. Sipas KESH, verifikimet e para tregojnë për një veprim të mbrojtjes gazore për shkak të mbingarkesës se vazhduar, që ka sjelle stakimin e transformatorit. Aktualisht brigadat e remontit po punojnë për çmontimin dhe zëvendësimin e tij. Kështu lagjet e prekura nga kjo avari do të jenë Zona e Qendrës, Zogu i zi, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Rr Myslym Shyri, Rr Myslym Peza, sheshi Avni Rustemi. "Avaritë e shpeshta të verifikuara kohët e fundit në këtë nënstacion protativ (i ndërtuar për të përballuar përkohësisht kërkesat për furnizim) kryesisht shkaktohen nga mbingarkesa në një kohë që kapaciteti i instaluar e tejkalon kërkesën në rritje për furnizim"-thuhet në njoftimin e Korporatës Elektroenergjetike. Para disa muajsh, drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi me kërkesë të Divizionit të SHpërndarjes ka miratuar pezullimin e dhënies se pikave të reja të lidhjes në linjat që ushqehen nga ky nënstacion nisur nga gjendja e shfrytëzimit të tij, që ndodhet në kufijtë maksimal, duke mos pasur asnjë rezervë.
    Por, ky pezullim i pikave të lidhjes në N/stacionin Qendër është parashikuar të zgjasë deri në momentin e ndërtimit të një nënstacioni të ri 110/20 kV, me dy transformatorë nga 40 mVA, që do të mundësojnë dyfishimin e kapacitetit të instaluar. Kështu, me miratimin e sheshit të ndërtimit nga ana e Bashkisë Tiranë (me të cilën aktualisht KESH është në bisedime) pritet bërja efektive e kontratës për fuqizimin e këtij nënstacioni i cili do të financohet me fonde të Cooperacionit Italian. Ndërtimi i këtij nënstacioni është i nevojshëm duke marrë parasysh që ngarkesa elektrike në qytetin e Tiranës, sidomos në qendër të tij rritet 25-30% në vit, duke rritur nevojën për burime energjetike, që ti përgjigjen kësaj kërkese. Rritja e kapacitetit është e domosdoshme jo vetëm për nevojën aktuale por edhe për zhvillimet e mëtejshme.
    Kufizimet shkatërrojnë rrjetin
    Sipas specialistëve sektorit energjetik, kufizimet e shpeshta të energjisë dëmtojnë rënde rrjetin e shpërndarjes dhe kanë një kosto mjaft të lartë. Ata shprehen se nga stakimet dhe takimet e transfomarorëve që furnizojnë me energji sidomos qytetet e mëdha ku ngarkesa e rrjetit është më e madhe sjell dëmtim të aparaturave. Kështu, sipas tyre për rrjedhojë defeket janë të mëdha duke shkaktuar djegjen e transfomatorëve apo kabllove. Përvec këtij fakti, këto dëme shkaktojnë një kosto tepër të lartë për KESH e cila duhet ti bëjë remont shpresh trasformatorëve ose ti zëvendësojë ato me të tjerë. Kostoja e tyre në rastin e një transformatori qendror është mjaft e lartë dhe kërkon kohë për tu vënë në punë-shprehen ata.
    Shtohen kufizimet
    Mungesa e energjisë sa vjen e thellohet në kryeqytetin e vendit. Nga 5 orë që ka qenë kufizimi për qendrën dhe 10 orë për periferinë, tashmë mungesa e energjisë në qendër të Tiranës është rritur me një orë, ndërsa në disa zona, një orë e gjysmë. Ndërsa lagje të tjera jashtë Unazës, si: Allias, rruga “5 Maji”, Sauk, zonat pranë kryqëzimit “21 Dhjetori”, Laprakë, zona pranë Institutit të Fizkulturës dhe pranë Spitalit Ushtarak, janë totalisht në errësirë, pasi ndërprerja e energjisë ka raste që shkon nga 12 në 17 orë. Banorët e lagjes shprehen se KESH nuk i respekton oraret të cilat i ka bërë publike, e për pasojë energjia mungon 2 herë më shumë sesa ajo e programuar.

    E Premte, 10 Gusht 2007
     
  13. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    BE: Sukses në uljen e tarifave roaming

    Pas ligjit të ri, të gjithë operatorët celularë në BE kanë ulur tarifat e roaming

    Kur bëhet fjalë për uljen e tarifave roaming ndër shoqëritë evropiane të telefonisë mobile ka vetëm pak dele të zeza. Këtë konstatoi Komisioni Evropian pas vlerësimit të pyetësorëve përkatës që u drejtoheshin 95 shoqërive telefonike në Evropë. Pothuajse të gjithë ofruesit i përmbahen legjislacionit të ri evropian, i cili parashikoi tarifa prej maksimalisht 49 centësh për thirrje dhe 24 centësh plus tatimin mbi vlerën e shtuar për mbërritje thirrjesh me celular. Ofruesit kanë kohë deri më 30 gusht që të ndryshojnë tarifat e tyre. Bashkimi Evropian do të verifikojë në tetor nëse të gjitha shoqëritë ofrojnë tarifat e duhura, tha Martin Selmayr, zëdhënës i Komisionit Evropian: "Në fund ekziston edhe mundësia e shpatës së mprehtë të sanksioneve, të cilat mund të vendosen kundër sipërmarrjeve që nuk i respektojnë përcaktimet ligjore; por për momentin duket se shumica dërrmuese e sipërmarrjeve i respekton ligjet, gjë që edhe duhet të pritet."
    Në këtë mënyrë ulen tarifat për të ashtuquajturin roaming, transferimin e bisedave nga rrjete të tjera telefonash mobilë deri në 70 për qind në raste të veçanta. Rreth gjysma e klientëve përfitojnë tashmë prej rregullores së re. Ofruesit në Britani të Madhe dhe në Itali i kanë ulur tashmë çmimet nën 49 cent. Katër shoqëritë telefonike gjermane e shfrytëzojnë maksimalisht kufirin e sipërm të çmimit. Shoqëritë telefonike në Lituani dhe në Letoni kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Komisionin Evropian duke mos përcjellë të dhëna mbi tarifat e tyre. Edhe firma gjermane O2 nuk ka përcjellë të dhëna, por ajo ka deklaruar se klientët e saj do të përfitojnë brenda afatit prej tarifës së re. Martin Selmayr i Komisionit Evropian konstaton lëvizje në treg: "Kemi disa ofrues rrjetesh mobile, të cilët po shfrytëzojnë si armë konkurrence në treg tarifa mjaft më të ulta sesa kufiri i sipërm i çmimit. Ky është lajmi i mirë: Për të parën herë tregu i roamingut po përfshihet nga konkurrenca. Ky është edhe synimi. Ne nuk kemi deklaruar që të gjithë duhet të kenë këtë kufi të sipërm çmimi, por vetëm se cila është tarifa maksimale e lejuar. Elementi i gëzueshëm është që ofruesit e rinj po ofrojnë si sulmues në treg çmime më të ulta dhe ne presim që çmimet të vazhdojnë të bien." Vitin e ardhshëm dhe një vit më pas çmimet e roamingut do të ulen edhe më shumë. Si kufi përfundimtar Bashkimi Evropian ka caktuar 43 cent për biseda dalëse dhe 19 cent për biseda mbërritëse për verën 2009. Një organizatë konsumatorësh në Bruksel kritikoi faktin që edhe ky çmim i reduktuar është tepër i lartë. Kostot reale që u lindin ofruesve të bisedave me celular janë tek 10-14 centët për minutë, thonë ata. Me që bie fjala, tarifat për mesazhe në trajtë teksti apo fotografie, të quajtura në Evropë SMS dhe MMS, nuk kanë ndryshuar. Këtu Komisioni Evropian shpreson për ulje vullnetare çmimesh nga ana e sipërmarrjeve telefonike. Në të ardhmen çdo klient që telefon jashtë vendit do të marrë një SMS në celular, i cili informon për tarifat roaming. Komisioni dhe Parlamenti Evropian e kishin kthyer në projekt prestigji uljen e tarifave roaming në Evropë. Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso donte t'u demonstronte në këtë mënyrë qytetarëve të lodhur prej idesë së integrimit evropian, se Bashkimi Evropian mund të sjellë dobi krejt praktike në jetën e përditshme. Hollësitë mbi tarifat e reja dhe sipërmarrjet që i përmbushin detyrimet e vëna, konsumatorët mund t'i shohin në faqen e internetit të Komisionit Evropian.

    Marrë nga Dwelle

    E Shtune, 11 Gusht 2007
     
  14. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bankers, nafta shqiptare shitet me 37$

    Prodhimi shkon në 4 746 fuçi naftë në ditë. Realizohen 13 milionë USD vetëm në tre muaj.

    Kompania e cila ka marrë me koncesion për 20 vjet basenin Patos Marinzë ka eksportuar naftën shqiptare me 36.15$ për fuçi. Sipas të dhënave të kësaj kompanie për 6 mujorin e parë të këtij viti, është eksportuar 60% e prodhimit me një çmim më të lartë sesa e njëjta periudhë e një vit më parë. Kështu, eksportet e Bankers janë rritur me 39% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Çmimi mesatar i shitjes së naftës nga Bankers te kompania ARMO për këtë periudhë ka qenë 28.10$ për fuçi nga 26.26$ që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rrija e eksportit të naftës shqiptare dhe çmimet më të larta kanë ndihmuar këtë kompani të përfitojë më shumë gjatë kësaj periudhe duke rritur të ardhurat në mënyrë të qëndrueshme. Çmimi mesatar për fuçi gjatë tremujorit të dytë të këtij viti është 32.89$ për fuçi, nga 27.19$ që ishte në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërkohë që krahasuar me tremujorin respektiv të vitit 2006, çmimi mesatar për fuçi është 28% më i lartë.
    Prodhimi dhe të ardhurat
    Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, prodhimi i naftës në basenin e Patos-Marizës është rritur ndjeshëm për faktin se, Bankers Petroleum ka vënë në punë dhe disa puse të tjera naftë përveç atyre ekzistues. Kështu, nga 134 puse nafte që ishin aktiv, gjatë kësaj periudhe janë përdorur 163 të tillë. Gjatë kësaj periudhe kompania ka bërë gati për ti riaktivizuar dhe 37 puse të tjera nafte. Prodhimi mesatar i naftës gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka mbërritur në 4 746 fuçi në ditë, nga 4 380 që ishte në tremujorin e parë 2007. Ndërkohë që në tremujorin respektiv të viti 2006 janë prodhuar 3 196 fuçi naftë në ditë. Mbërritja e pajisjeve të reja për nxjerrjen e naftës ka bërë që kompania të tejkalojë objektivat e vendosura për këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe kompania Bankers ka eksportuar 60% të prodhimit të saj në dy rafineri në Itali me një çmim mesatar prej 36.15$ për fuçi. Bankers ka si qëllim të mbajë eksportet në nivelet e 50% edhe për pjesën tjetër të vitit. Të ardhurat nga nafta dhe gazi të nxjerrë nga kjo kompani në Patos-Marinzë, për tremujorin e dytë të këtij viti ishin rreth 13 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 30% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Ndërkohë që krahasuar me tremujorin e dytë 2006, të ardhurat e kompanisë janë rritur me 74%.
    Çmimi i brendshëm
    Nafta në tregun e më të cilën kjo kompani ia shet ARMO-s gjatë kësaj periudhe është rritur. Çmimi i shitjes së naftës nga ARMO, gjatë tremujorit të dytë 2007, ka qenë 26.26$ për fuçi në mars nga 23.58$ që ishte në janar. Të ardhurat neto të kompanisë kanë pësuar një rritje sinjifikative gjatë kësaj periudhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Kështu, nga 11.42$ për fuçi që ishte fitimi në tremujorin e parë të këtij viti, kjo shifër ka shkuar në 16.14$.
    Bankers kërkon ARMO
    Para pak kohësh qeveria shqiptare ka nxjerrë në shitje kompaninë ARMO, të cilën Bankers Petroleum është e interesuar ta blejë. Aktualisht ARMO zotëron 20% të tregut të karburanteve në vend dhe kjo do të ishte komode për kompanitë Bankers ta merrte në pronësi kompaninë shtetërore. Privatizimi i ARMO pritet që të kalojë vlerën e 100 milionë euro. “Bankers Petroleum” ka marrë me koncesion rreth 30 për qind te puseve të naftës dhe parashikohet që të jetë edhe një ndër pretendentët për blerjen e “ARMO”-s. Sipas të dhënave, kjo kompani përpunon çdo vit rreth 270-300 mijë ton naftë, ndërsa kapaciteti real i përpunimit është 870 mijë tonë në vit.

    E Shtune, 11 Gusht 2007
     
  15. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bizneset e miliardave vijnë në Shqipëri

    Cilat janë kompanitë e mëdha të renditjes evropiane që kanë aktivitet në Shqipëri? Vitet 2006 dhe 2007 sjellin gjigandë si Intesa San Paolo, Societe Generale dhe British Airways. Ngjiten në renditje Raiffeisen dhe bankat greke

    Dy vitet e fundit mund të konsiderohen me fat për Shqipërinë për emrin e kompanive të mëdha evropiane që vendosën për herë të parë biznesin e tyre. Banka, kompani ajrore dhe koncensionarë makinash erdhën për herë të parë me investime direkte për të shtuar ndjeshëm numrin nga lista e 500 kompanive me vlerën më të mëdha të tregut në rang evropian. Nga vlerësimi i fundit i Financial Times për 500 kompanitë më të mëdha në Evropë, më shumë se 18 prej tyre tashmë kanë filiale, degë apo veprimtari ekonomike në Shqipëri.
    Intesa San Paolo
    Ndër 18 kompanitë më të mëdha evropiane që kanë aktivitet në Shqipëri, 6 prej tyre janë banka. Hyrja më e re dhe më e bujshme për sistemin bankar shqiptar ishte Intesa San Paolo Imi, e cila pas bashkimit në Itali mes Intesa dhe San Paolo tashmë zotëron njëherazi dy banka në Shqipëri duke u bërë një konkurrent i fortë për Raiffeisen që dominon tregun në disa produkte dhe shërbime. Me blerjen e 80 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë dhe po aq te Banka-Italo Shqiptare, banka e njohur italiane ka kaluar tashmë të gjitha procedurat e kërkuara dhe pritet të vendosë logon e saj në të gjithë degët e të dyja bankave në Shqipëri dhe në Greqi(ku ka dy filiale Banka Amerikane).
    Gjithësesi në Shqipëri San Paolo ka më pak pjesë tregu se Raiffeisen, në mënyrë të veçantë te bonot e thesarit të qeverisë ndërsa konkurrenca më e ashpër pritet të jetë në tregun e kredive. Të dy bankat po konkurrojnë fort për të marrë klientët e mëdhenj ndërsa Raiffeisen duket se ka më shumë orientim në “retail banking” ndërsa italianët drejt korporatave. Në renditjen evropiane të 500 kompanive me vlerë më të madhe, Intesa San Paolo është shumë pozicione përpara Raiffeisen, pasi respektivisht mbajnë vendet e 21 dhe 159. Vlera e tregut e Intesa San Paolo vlerësohet në 96 miliardë e 621 milionë usd ndërsa një aksion i saj në bursë kushton 7.6 dollarë amerikanë. Për vitin 2006 Intesa San paolo ka regjistruar një fitim neto prej 7 miliardë dollarë. Ndërkohë aksionet e Raiffeisen vlerësohen me rreth 140.3 dollarë ndërkohë që vlera e tregut(aksionexvlera e një aksioni) është 20 miliardë e 27 milionë dollarë. Edhe grupi austriak i bankave ka regjistruar një fitim të lartë për vitin 2006 që kap vlerën e 1 miliardë e 576 milionë dollarë.
    Bankat franceze
    Një grup biznesmenësh shqiptarë as e kishin menduar se vetëm 4 vjet pasi kishin krijuar një bankë me kapital krejtësisht shqiptar, do tía shisnin aksionet gjigandit francez Societe Generale. Në pranverën e vitit 2007 Banka Popullore i shiti shumicën e aksioneve francezëve të Societe Generale të cilët shtuan edhe Shqipërinë në hartën e bankave në rajonin e Evropës Juglindore. Tashmë pas kalimit të procedurave pranë Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës, 75 % të kapitalit dhe te të drejtës së votës, të barasvlershme me 11 056 aksione i kaluan Societe General ndërsa pjesa prej 24.99 % e aksioneve të mbetura të kapitalit aksionar do të zotërohen nga 9 aksionerët shqiptarë të Bankës Popullore. Në fakt ky rajon po bëhet shumë atraktiv për të gjitha bankat perendimore të cilat po nxitojnë të kapin tregjet lindore ku si pasojë e “riskut”të lartë politik dhe të investimet, edhe normat e fitimit mbeten tepër të larta. Societe Generale ka një vlerë tregu rreth 80 miliardë dollarë, me një çmim aksionesh prej 172.2 dollarë dhe për vitin 2006 ka siguruar 7 miliardë e 16 milionë dollarë fitime neto.
    Ndërkohë në renditjen e 500 kompanive më të mëdha evropiane për nga vlera në Bursë, bën pjesë edhe një bankë franceze, Credit Agricole e cila është prezente në Shqipëri që nga viti 2006 pas blerjes së 51 % të aksioneve të Emporiki Bank. Kjo e fundit prej vitesh ka degë në Shqipëri, të cilat tashmë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për bankat(qershor 2007) regjistrohet si bankë filial i Credit Agricole. Francezët renditen në vendin e 59 ndër 500 më të mëdhatë e Evropës. Me një fitim neto prej 6.56 miliardë dollarë, çmim aksioni 38.9 dollarë dhe vlerë tregu e kapitalizuar prej rreth 64 miliardë dollarë.
    Bankat greke
    Edhe bankat greke të pranishme në Shqipëri janë në toplistën e kompanive evropiane. Kështu renditjen më të mirë nga bankat greke e zë Banka Kombëtare e Greqisë e cila është renditur në vendin e 134 pasi ka një vlerë tregu prej 25 miliardë e 117 milionë dollarë, me çmim aksioni 52.9 dollarë dhe me fitim neto 969.9 milionë dollarë. NBG është prezente prej vitesh në Shqipëri dhe është banka kryesore që përdorin emigrantët për transfertat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Edhe Alpha Bank është renditur mirë në toplistën evropiane duke zënë vendin e 239, me një vlerë tregu 12 miliardë e 872 milionë dollarë, ku aksionet në Bursë vlerësohen me 31.6 dollarë ndërsa vitin e kaluar ka siguruar 736.1 milionë dollarë fitime. Alpha Bank është një nga bankat më agresive në tregun shqiptar të kredisë duke zënë një pozicion të qëndrueshëm ndër vite pavarësisht konkurrencës së rritur me bankat e tjera.
    Edhe Banka e Pireut, e renditur në vendin e 320 në rang evropian vlerësohet me 9 miliardë e 351 milionë dollarë vlerë tregu, me çmim për aksion 1 188 dollarë dhe me fitime neto 363.9 milionë dollarë. Në Shqipëri kjo bankë ka si degë Bankën e Tiranës.

    E Shtune, 11 Gusht 2007
     
  16. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    KESH: Rritje e çmimit për të mbuluar kostot

    Që KESH të funksionojë si operator tregu duhet që të barazojë kostot me tarifat si dhe të dalë kompani me fitim dhe cash floë pozitiv. Si në shumë vende ish-komuniste të Europës Qendrore elektriciteti është siguruar me çmime të ulëta dhe qytetarët kanë zhvilluar modele sjelljeje rreth besimit se Qeveria duhet të jetë siguruesi i energjisë elektrike me një kosto nominale për përdoruesit. Në kursin e dekadës së fundit pritshmëritë për furnizim pa ndërprerje të elektricitetit mbaruan papritur (befasisht) në shumë vende te rajonit ndërsa njerëzit nisën të mësohen me “blackout” të përsëritura. Energjia gjatë ditës u bë e limituar dhe njerëzit i rregulluan zakonet e tyre por jo mentalitetin dhe pritshmëritë për një çmim të ulët të elektricitetit.
    Çmimi “ideal”
    Në fakt, në situatën më ideale çmimi duhet të përfshijë koston operative ne parametrat e duhur dhe investimet. Në koston operative futet importi, mirëmbajtja, personeli, interesat e kredive të marra nga importi dhe shpenzime të tjera ndërsa në investime futet plani i investimeve ne sektorin energjetik që sjell një përmirësim dhe fuqi të transmetimit dhe shpërndarjes si dhe koha e përfundimit të tyre që sjell siguri furnizimi.
    Në rast se çmimi i shitjes nuk i mbulon parametrat e mësipërm sjell amortizimin e shpejtë të rrjetit, mungesën e investimeve të reja që do të thotë një rrjet më pak i sigurtë (pra më pak mundësi për furnizim të vazhdueshëm dhe të sigurt). Kjo bëhet edhe më e vështirë në një kohë që importi rritet si në sasi dhe në çmim duke sjellë një rëndesë dhe prishje të ekuilibrit të mirëfunksionimit të KESH si operator tregu.
    Për të pasur një ecuri optimale dhe për ta çuar sistemin në parametra optimal në mënyrë që mundësosh furnizimin pa ndërprerje dhe me cilësi të konsumatorëve kërkohen investime te mëdha që janë të papërballueshme jo vetëm nga buxheti i KESH por edhe ai i qeverisë si dhe nga fondet e siguruara tashmë nga donatorët. Kjo bën të pashmangshëm mbulimin e një pjese të tyre nga konsumatorët nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë.
    Rritja e çmimit 8 % në vit
    Duke iu referuar strategjisë për zhvillimin e sektorit energjetik (2003) parashikohet që rritja e çmimit duhet të jetë me rreth 8% cdo vit deri sa të ketë një barazim të kostos me tarifat. Qëllimi përfundimtar i kësaj reforme është furnizimi i pandërprerë i konsumatorit me koston më të ulët të mundshme. Nese reforma tarifore do të ishte respektuar në përputhje me strategjinë sot do të kishim një çmim me te larte se ky per te cilin KESH po aplikon. Aktualisht sektori energjetik shqiptarë operon me kosto të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet operative dhe investimet për fuqizimin e sistemit energjetik. Prandaj dhe i nxitur nga detyrimet e marrëveshjeve me donatorët koorporata i ka kërkuar E.R.E-s aprovimin e tarfiave të reja.

    E Marte, 14 Gusht 2007
     
  17. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Çmimi i importit 9.6 lekë/kah, kaq do e paguajnë edhe familjarët

    Konsumatorët shqiptarë furnizohen aktualisht nga energjia hidro e prodhuar në vend me një kosto të lirë, në një kohë që importi është 9 lek/kWh. Duke pasur parasysh që kërkesa për energji në vitet që vijnë do jetë minimalisht 7 000 gËh dhe prodhimi mesatar vendas do të jetë mesatarisht 4 200 gWh, është e qartë që të paktën dy vitet që vijnë prodhimi hidro vendas do mbulojë 60 % të kërkesës. Edhe burimet e reja hidro apo me lëndë djegëse që pritet të ndërtohen do kenë një kosto shumë më të lartë se prodhimi hidro aktual. Kjo do të thotë që portofoli i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët shqiptar ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme në favor të burimeve të shtrenjta të energjisë. Në këto kushte bëhet tepër e rëndësishëm shpërndarja e këtij portofoli për grupet e ndryshme të konsumatorëve pasi kjo ka implikim kryesor në tarifën e tyre. Qëndrimi i mbajtur deri tani nga ERE në përcaktimin e tarifave të energjisë elektrike, i referohet shpërndarjes se barabartë të energjisë së vendit dhe importit për të gjithë grupet e konsumatorëve. Kjo bën që çdo tarifë të bazohet në të njëjtën kosto energjie pavarësisht nga tipi konsumatorit .
    Grupet e interesit deri tani e kanë fokusuar debatin në targetin e gabuar tarifën mesatare të energjisë elektrike që paguajnë konsumatorët. Fokusimi në tarifën reale të energjisë që paguajnë konsumatorët dhe presioni i ERE-s dhe konsumatorëve ndaj KESH-it nuk është i domosdoshëm të bëhet për realizimin e treguesve, investimeve dhe furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve në vend të mbajtjes ulur të tarifës.

    E Marte, 14 Gusht 2007
     
  18. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Strategjia e re e KESH, "të marrim para ku të mundemi"

    Rriten çmimet për të gjithë kosumatorët. Më shumë para do të nxirren nga buxheti dhe shteti. Konsumatorët e tensionit të lartë do tëpaguajnë më shtrenjt se familjarët.

    Shqiptarët mund ta paguajnë me 10 cent dollarë çdo kilovat orë energji të harxhuar për vitin e ardhshëm. Një propozim i monopolit shtetëror të energjisë elektrike nëse miratohet nga enti rregullator pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike në Shqipëri për vitin 2008. Aktualisht familjarët e paguajnë me 7 lekë(pa TVSH) energjinë elektrike ndërsa vitin e ardhshëm do ta paguajnë me 8 lekë(pa TVSH) çdo kilovat orë të harxhuar ose rreth 9.6 lekë si çmim final. Qeveria kishte premtuar një ulje të ngarkesës së taksës mbi vlerën e shtuar(TVSH) për energjinë nga 20 për qind që është aktualisht në 6 për qind por ky është një nga premtimet e shumta të pambajtura në kohën mes fushatës elektorale dhe qeverisjes së qendrës së djathtë në vendin që po përjeton shumë më thellë se fqinjët krizën e thatësirës që është shndërruar në një krizë të plotë ekonomike dhe sociale. Më së shumti mendohet se kriza ka prekur biznesin e vogël dhe të mesëm kur nga rritja e kostove janë rritur ndjeshëm edhe çmimet në treg. Tregtarët ambulantë kanë njoftuar falimentime për shkak të kostove të rritura të prodhimit apo shërbimit ndërsa pjesa tjetër që po mbijeton falë gjeneratorëve që shurdhojnë çdo ditë gjithë vendin thonë se do të rrisin çmimet pasi është rritur ndjeshëm kostoja nga përdorimi i naftës si mall zëvendësues.
    Situata me financat e tyre pritet të përkeqësohet vitin e ardhshëm kur KESH do tua rrisë çmimin e energjisë nga 7.5 në 10.4 lekë për kilovat orë pa përfshirë TVSH-në. Bizneset e mëdha duken më të favorizuara ashtu si dhe ato në zonat bregdetare pasi KESH ka vendosur të mos i ndërpresë në mënyrë drastike furnizimin me energji. Por pikërisht këto biznese do të përballojnë dhe rritjen më të madhe të pritshme të çmimit. 8.7 lekë për kilovatorë(pa TVSH) do të paguajnë industritë e mëdha për 2008 nga 4.5 lekë që paguajnë këtë vit. Grupet e biznesit nuk reaguar ende ndaj propozimeve të KESH për furnizimin me energji. Ndërkohë që KESH deklaroi dje se reforma ka për synim furnizimin e plotë me energji elektrike. “Aplikimi në kohë i reformës tarifore do të sillte furnizim 24 orë si dhe kosto më të ulët. Këtu hyn edhe kostoja e energjisë së pashërbyer. Kostoja e energjisë së pashërbyer është kostoja e burimeve alternative që përdoren nga konsumatorët privatisht siç është gjeneratori, rënia ekonomike, turizmi, eficenca e biznesit dhe çka është më e rëndësishmja është mungesa e komoditetit të konsumatorit që sjell impakte sociale”, thotë KESH.
    ERE: do pyesim grupet e interesit
    Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka njoftuar dje mbi propozimin më të fundit të KESH për rritjen e çmimit të energjisë elektrike sipas nivelit të tensionit dhe grupit të konsumatorëve. Kryetari i ERE-së Bujar Nepravishta tha dje për media se “Korporata në bazë të të drejtës ligjore që ka aplikuar në ERE për ndryshimin e çmimeve të energjisë për 2008. Ne kemi marrë këtë aplikim dhe do të nisim procedurat dhe pas kësaj vëmë në dispozicion të publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara dokumentacionin e paraqitur”. KESH si kompani është e interesuar që për shkak të rritjes së energjisë ne tregun ndërkombëtar duke qenë se edhe ka rritur importet e energjisë-është e interesuar që të ketë një rritje të çmimit. Por, theksoi Nepravishta, ne si ent regullator do të marrim në konsideratë shumë elementë. Në fakt ERE pritet të ftojë në një tryezë të gjithë aktorët e tregut të prekur nga rritja e çmimeve që përfaqësojnë biznesin ose konsumatorët. Rritjen e çmimit të energjisë e ka kërkuar me forcë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili ka qenë kritik për subvencionet e drejtëpëdrejta nga ana e buxhetit të shtetit për korporatën. Së fundi KESH morri 50 milionë dollarë nga buxheti për të siguruar importin e energjisë ndërkohë që prodhimi i saj ka prekur minimumet historike.
    Pse familjarët paguajnë më shumë
    Energjia për furnizimin e konsumatorëve vjen nga dy burime që janë burimet hidrike si dhe importi. Familjarët kanë koston më të lartë si konsumatorë sepse furnizohen nga TU (ç’ka do të thotë se rruga e shpërndarjes në këtë tension kërkon më shumë investim). Ndërkohë që çmimi i energjisë është më i ulët se te konsumatori privat. Kjo prish balancën sepse favorizimi i tyre nëpërmjet një çmimi social për 65% të shitjes deformon bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve të KESH-it.
    Tregu i energjisë
    Energjia është një mall që blihet në tregun rajonal mesatarisht 9 lek dhe çmimi aktual i shitjes është 7.1 lek/kWh. Nuk ekziston asnjë llogjikë ekonomike ne te cila të bazohet një mënyrë e tillë e tregtimit qoftë kjo edhe në rastin e një kompanie shtetërore pasi do të sillte vazhdimisht humbje duke humbur kështu konceptin ‘kompani tregtare’. Që të ketë një funksionim real duhet që kostoja e energjisë të jetë një kosto reale në përputhje me çmimet e tregut rajonal. Vendosja e një çmimi real do të ndante përfundimisht KESH-in nga buxheti i shtetit duke ndarë kështu edhe përgjegjësinë për menaxhimin e sektorit midis KESH-it dhe qeverisë. Kjo arrihet nëpërmjet një reforme tarifore. Një situatë e tillë e shitjes së energjisë nën kosto ekziston edhe në vendet e tjera të rajonit. Kështu Serbia, Kosova, Mali i ZI, Maqedonia janë disa nga vendet ku energjia është subvencionuar nga shteti. Aktualisht edhe në këto vende të cilat synojnë ti përafrohen tregut në një kohë që tregu rajonal ka një tendencë rritjeje për shkak të të gjitha arsyeve që dihen po aplikojnë reformë tarifore në mënyrë që të mos krijohet disbalancim midis ofertës dhe kërkesës. Kështu Serbia në vitin 2007 ka hedhur një hap të rëndësishëm duke i rritur tarifat me 20%.

    E Marte, 14 Gusht 2007
     
  19. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Elbasan Tiranë, fushore, panoramike dhe pa tunele

    Miratohet koncesioni i parë rrugor. Projekti i Ngjeqarit kalon klasën

    Qeveria ka miratuar koncesionin e parë për ndërtimin e rrugëve. Projekti i inxhinierit Xhevair Ngjeqari, i njohur si autostrada fushore, panoramike dhe pa tunele që do të lidhë Tiranën me Elbasanin ka marrë dje bekimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mbledhje është miratuar projektideja e përgjithshme e studimit për autostradën Tiranë-Elbasan (Vaqar –Papër). Kryeministri e cilësoi këtë projekt si mjaft pozitiv, ndërsa theksoi se do të merren të gjitha masat për harmonizimin e hapave që duhen ndërmarrë për konkretizimin e kësaj rruge. Ai theksoi se ligji i partneritetit do të amendohet, me qëllim që t`u jepet mundësi kompanive private të ndërhyjnë në konkretizimin e projekteve, të cilat shteti nuk ka mundësi t`i përballojë. Në këtë kontekst Kryeministri tha se në rast se kompania brenda një kohe të caktuar nuk siguron dot financimin do të ruhet autorësia e idesë apo projektit, por shtoi se as qeveria dhe as kompania nuk mund të kushtëzojnë me një kohë të pacaktuar projektin. Ai theksoi se ky do të jetë një nga amendimet kryesore që do t`i bëhen ligjit të partneritetit.
    Projekti
    Ngjeqari në prezantimin e projektit ka deklaruar se gjatësia e autostradës do të jetë 36 kilometra dhe ndërtimi i saj do të kushtojë 40 milionë euro. Sipas tij, janë katër kompani të cilat do të ndjekin punimet. Kompania koncesionare "Be-Alba-Konstruksion" ka nënshkruar akt-marrëveshjen me Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, për ndërtimin me koncesion të autostradës, Tiranë-Elbasan. Në këtë projekt është parashikuar të ndërtohet rruga me katër korsi dhe me një gjatësi prej 36 kilometrash. Sipas presidentit të kompanisë koncesionare, Xhevahir Ngjeqari, kërkesat deri tani kanë qenë të shumta dhe nga kompani të huaja, por prioritet do të kenë investitorët vendas. Sipas projektit të kësaj autostrade, parashikohen të vendosen edhe 10-12 pika të furnizimit me karburant në çdo 7.2 kilometra në çdo anë të aksit. Këto qendra karburantesh do të jenë komplekse, të shoqëruara me shërbime të tjera sociale apo ambulante. "Përveç këtyre, nuk do të ketë vepra arti të tjera si mbikalime apo tunele, siç mund të projektohen për autostrada të tjera", thuhet në projekt. Gjatësia e këtij aksi parashikohet të përshkohet brenda 30 minutave, duke u kursyer rreth 1 orë kohë mjeteve për çdo kalim. Autostrada Tiranë-Elbasan ka piketuar se kush do jenë zonat që do të preken prej saj. Ajo kalon në zonën e Vaqarrit, në Arbanë, vijon në zonën e Baldushkut e deri në zonën e Papërsollakut. Sipas Ngjeqarit, këto janë zonat për të cilat po punohet për piketim.
    Taksat
    Taksat që duhen paguar nga udhëtarët për të kaluar në autostradën Tiranë-Elbasan janë: 1,5 dollarë për veturat, 5 dollarë për mjetet 10-tonëshe, 8 dollarë për mjetet 20-tonëshe dhe 10 dollarë për mjetet 30-tonëshe.


    Përmasat
    1. Gjatësia e rrugës Vaqarr-Papër: 35,2-35,8 kilometra
    2. Gjatësia e degëzimeve: 5 kilometra
    3. Gjatësia e kuptimit ekonomik: 36-41 kilometra
    4. Gjatësia e rrugës: 20 metra (katër korsi)
    5. Pjerrësia maksimale e trasesë: 34 kilometra 02-2-4 për qind
    6. Pjerrësia maksimale e trasesë: 7 kilometra 4-4,8 për qind
    7. Rrezja e kthesave minimale: mbi 160 metër
    8. Shpejtësia e lëvizjes: 120 kilometër në orë
    9. Aftësia e qarkullimit minimal: 385 mjete në orë
    10. Aftësia e qarkullimit normal: 11280 mjete në ditë

    Kategoria ndërtimore
    1. Vlera e ndërtimit: 40 milionë Euro
    2. Vlera e ndërtimit për një kilometër: rreth 1 milion dollar për kilometër
    3. Vepra arti të veçanta e tunele nuk ka
    4. Koha e ndërtimit: 18 muaj
    5. Ndërtohet një urë mbi lumin Erzen
    6. Vepra arti tombino në hapësirë 6 metër
    7. Materiali gjendet në vend
    8. Intensiteti i pritshëm në 3-vjeçarin 6000 mjete në 24 orë
    9. Në vitin 2015-10000 mjete
    10. Probleme gjeologjike nuk ka
    11. Shpronësimet janë minimale
    12. Segmenti është PJESË E KORRIDORIT TETË
    13. Zëvendëson rrugën e vështirë të Qafës së Kërrabës. Kukës 1 orë rrugë për çdo kalim mjeti
    14. Shkurton 60 kilometër rrugë për automjetet mbi 5 ton
    15. Trasja kalon në një zonë rurale të zhvilluar. Është rrugë panoramike
    16. Ndikon në rritjen e nivelit ekonomiko-shoqëror të zonës rurale
    17. Trasja kalon në një zonë të gjelbëruar dhe zhvillon turizmin e gjelbër
    18. Kostoja e ndërtimit është në kufij minimal për njësi
    19. Pengesa ndërtimore nuk ka
    20. Ndërtimet realizohen pa penguar aktivitetin e përditshëm të zonës
    21. Ndikon në punësimin e dy qarqeve
    22. Probleme anësore të mjedisit nuk ka
    23. Në analizat e përfitimit ekonomik janë marrë në llogaritje vetëm 2000 vetura dhe furgona, ndërsa mjetet e rënda janë në llogaritje 500. Në llogaritjen e vetëshlyerjes së ndërtimit nuk është marrë intensiteti perspektiv i qarkullimit.

    E Merkure, 15 Gusht 2007
     
  20. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Parku industrial “përfundon” në vetëm një TEC

    Qeveria miraton vetëm projektin e Termocentralit të Vlorës. “Harrohen” 14 projekte

    “Kokoshi përfundon në një thelë”, është shprehja më e përshtatshme për projektet gjigante të energjisë në gjirin e Vlorës. Projektet ambicioze që do të zgjidhnin krizën energjetike dhe varësinë vetëm nga burimet hidrike parashikonin do të ndërtoheshin burime të reja termocentrale me fuqi të instaluar 400 deri në 600 megavat që do të thotë që çdo vit të niste puna për rritjen e kapaciteteve prodhuese 100-150 megavatorë energji elektrike. Por qeveria e ka harruar projektin gjigant duke përfunduar në vetëm një projekt, atë të termocentralit të Vlorës. Në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH-së u miratua leja e sheshit për ndërtimin e TEC-it të ri në Vlorë. Berisha u shpreh se, "po punojmë me intensitet për të ndërtuar të tjera TEC-e, në zona të tjera të vendit por jo në Vlorë ku në fakt ishte parashikuar ndërtimi i 4 termocentraleve.
    Ndërtimi i TEC-eve në rrethe të tjera, sipas kryeministrit Berisha, "do të ndërmerret duke u mbështetur në investimet private me konçesion, si rezultat i partneritetit publik- privat, por edhe si investime publike". Me ndërtimin e TEC-it të Vlorës, do të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me energji për Vlorën, por dhe të gjithë zonës bregdetare. Prodhimi me kapacitet të plotë i TEC-it të ri të Vlorës, me fuqi 100 MEGA, parashikohet të fillojë në datën 5 Maj 2009. TEC-i i ri i Vlorës do të ndërtohet 5 km larg qytetit dhe do të përqendrohet në zonën e degraduar të pyllit të Sodës.
    Projekti
    TEC-i i vlorës do të ketë një kapacitet 300 megavat dhe prodhim vjetor 2,4 miliard kilovatorë. Koha e plotë e ndërtimit të TEC-it me cikël të kombinuar, do të jetë 18 muaj (ndërsa shkalla e parë me turbinat me gaz, përfundonte për 3 muaj), duke garantuar kosto më të ulët të prodhimit të energjisë, përkundrejt TEC-eve klasike. Investimet për ndërtimin e këtij TEC-i, parashikoheshin për rreth 150 milionë USD. Në propozimin e Northëest Regional Poëer LLC, turbinat me gaz mendohej të merreshin me çmime kompetitive, nga "stoqet" e papërdorura të turbinave të prodhuara për të përballuar problemet e krizës energjetike të vitit 2001 në Kaliforni, e cila u zgjidh shumë shpejt, me mjete të tjera. Shlyerja e një investimi të tillë propozohej me Kontrate të tipit Build Oën Transfer (BOT). Me vënien në punë të një objekti të tillë, si pasojë e shfrytëzimit optimal të kaskadës së HEC-eve të lumit Drin, në varësi të reshjeve, çdo vit duhet të pritej një rritje të prodhimit nga kaskada, prej 300-400 milionë kilovatorësh.

    E Merkure, 15 Gusht 2007
     

Shpërndajeni këtë faqe