Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Lajme ekonomike!

    4.1 miliardë bono, interesi mesatar 6.45%

    Ditën e martë, Banka e Shqipërisë do të organizojë ankandin e radhës në sportelet e saj, ku do të nxirren në shitje 4.1 miliardë bono thesari tremujore me një interes mesatar prej 6.45 për qind. Këto bono janë të destinuara për individët dhe aktualisht është momenti ideal për t’i blerë. Në rast se ke para për të depozituar, atëherë është momenti më i mirë për të blerë bono thesari. Interesat janë deri në 2 për qind më të larta se bankat private, për të gjitha maturimet si tre, gjashtë ashtu edhe njëvjeçare. Blerja e bonove, krahas interesave më të larta se bankat ka edhe risk zero, pasi mundësia për të humbur investimin është pothuaj zero. Investimi do të humbiste vetëm në rast se dështon i gjithë sistemi financiar i shtetit gjë që nuk e lejon kush. Në këto momente ka edhe mënyra për të zgjedhur në këtë investim për të depozituar para. Ministria e Financave ka emetuar bono thesari edhe në euro. Në rast se nuk keni besim në monedhën shqiptare, atëherë mund të zgjidhni euron. Në rast se dëshironi të keni investim afatgjatë, atëherë keni edhe bono thesari, të cilat kanë maturim deri në 5 vjet. Ka disa rregulla në investim për individët. Shuma që duhet, për të marrë pjesë në ankand një individ është nga 300 mijë deri në 30 milion lekë. Për bankat apo institucionet financiare nuk është përcaktuar ndonjë kufi. Interesat përcaktohen nga tregu, kërkesa dhe oferta për bono. Bonot e thesarit janë instrumente huamarrës me përdorim të gjerë. Nëpërmjet shitjeve të tyre mundësohet mbulimi i deficitit buxhetor. Shitja e bonove të thesarit mundësohet nëpërmjet organizimit të ankandeve. Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Financave shet në ankand bonot, i cili organizohet nga Banka e Shqipërisë. Blerja e bonove kontribuon edhe në rritjen financiare të qeverise. Paratë e marra nga bonot, Qeveria i investon në shërbime publike etj. Këtë vit, Qeveria emetoi edhe bonot në euro, të cilat do të rrisin nga kapaciteti këtë treg dhe do ta beje më të frekuentueshëm si nga bankat, ashtu edhe individët
     
  2. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Pronat: Qeveria cakton çmimet
    Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi hartën e tokave të zonave të Tiranës dhe të Kavajës. Çmimi maksimal i cili i përket zonës së Bllokut, e cilësuar 5/1 dhe që përfshin Bllokun dhe pallatet “Agimi” shkon në 76150 lekë/m2. Zona që ka çmimin më të ulët është ajo 1/2, tek Uzina e Autotraktorëve me 18286 lekë/m2. Agjencia e Kthimit të Pronave ka miratuar gjithashtu dhe hartën e vlerës së tokës për zonën e Kavajës, qytet dhe në zonën e bregdetit. Kjo zonë është e ndarë në pesë rajone gjithsej, duke përfshirë qytetin e Kavajës, komunat Golem, Helmës, Lekaj, Sinaballaj, Gosë, Kryevidh, Synej dhe Luz. Zona numër katër e qytetit të Kavajës ka shifrën maksimale të çmimit të trojeve që shkon në 17814 lekë për metër katror. Ndërsa në zonat turistike përfshihen Spilleja, e cila varion me çmimet 10733 lekë/m2, mbi 500-800 metër me 8348 lekë/m2 dhe mbi 800 metër katror me 5963 lekë/m2. Zona turistike e Golemit e ka çmimin maksimal me 16655 lekë/m2. Me miratimin e këtyre çmimeve Agjencisë i lind e drejta të realizojë ndarjen e 3 milion USD për ish-pronarët e Tiranës dhe të Kavajës.
     
  3. nejse

    nejse Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    </font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
    Shuma që duhet, për të marrë pjesë në ankand një individ është nga 300 mijë deri në 30 milion lekë.

    [/ QUOTE ]

    Me te vjetra flet per keto shumat?
     
  4. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Te reja sigurisht.
     
  5. nejse

    nejse Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    ok i see.rrofsh , neser qenka.
     
  6. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Qeveria ka rritur borxhin nëpërmjet bonove të thesarit

    Gazeta Metropol

    Në ndryshim me pjesën e parë të vitit 2006, Qeveria ka rritur kërkesën për financim nëpërmjet letrave me vlerë si dhe tërheqjen e një pjese të parave në sistemin bankar nëpërmjet marrëveshjeve të anasjella. Kjo gjë është bërë nga Qeveria për ë gjetur më shumë para për të investuar në shpenzime publike. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2006, sistemi bankar vazhdoi të karakterizohet nga teprica e likuiditetit, tepricë kjo në rënie, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit. Edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti Banka e Shqipërisë ka qenë e pranishme në tregun e brendshëm valutor. Gjatë tremujorit të tretë 2006, Banka e Shqipërisë ka blerë nga bankat e nivelit të dytë 9.61 milionë dollarë me një kurs mesatar prej 95.68 lekë dhe 28.70 milionë euro me një kurs mesatar prej 122.30 lekë. Shkak për uljen e tepricës së likuiditetit ishte kryesisht dalja sezonale e cash-it në periudhën e verës. Likuiditeti i nevojshëm për maturimin e marrëveshjeve të anasjella të riblerjes me qeverinë u sigurua nga sistemi bankar nëpërmjet maturimit të bonove të thesarit në tregun primar, çka pengoi rritjen e financimit të brendshëm të qeverisë. Duke parashikuar rritjen e kërkesës së qeverisë për financim të brendshëm dhe për të stimuluar plotësimin e kësaj kërkese nëpërmjet sistemit bankar, Banka e Shqipërisë filloi injektimin e likuiditetit nëpërmjet operacioneve të përhershme, blerjes me të drejta të plota të bonove të thesarit. Likuiditeti i injektuar nëpërmjet këtyre operacioneve ishte 1.5 miliardë lekë. Këto operacione janë në kah të kundërt me operacionet e përhershme, të kryera gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit në kushtet e mungesës së kërkesës së qeverisë për likuiditet. Në mbështetje të ndërhyrjeve me instrumentet e tregut të hapur, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat përdorën edhe depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i të cilës ishte 616 milionë lekë në krahasim me 307 milionë lekë në tremujorin e kaluar. Në kushtet e tepricës së likuiditetit dhe plotësimit të nevojave në tregun ndërbankar, instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim minimal gjatë tremujorit të tretë të vitit 2006.
     
  7. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Tatimi mbi ndërtesat do shtrihet më shumë

    Viti 2007 do të shtojë kontrollet më shumë tek ndërtesat, për të rritur të ardhurat nga taksa e caktuar, tatimi mbi ndërtesat. Aktualisht, financat mbledhin nga kjo taksë, 1.4 miliardë lekë dhe presin që për këtë vit të rrisin të ardhurat nga kjo taksë më 0.4 miliardë lekë. Krijimi i Inspektoratit të Ndërtimit, në vend të Policisë Ndërtimore pritet të rrisë më shumë kontrollet me ndihmën edhe të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Ministria e Financave pranon sot që ka një performancë të dobët, në lidhje me këtë tatim. Arsyeja kryesore është se ka një mungesë të plotë të të dhënave mbi ndërtesat e reja që po ndërtohen, për shkak të informalitetit. Me futjen në lojë të Inspektoratit të Ndërtimit, me kompetenca më të plota dhe të pavarura, pritet që edhe informaliteti në pagimin e taksave në ndërtim të ulet me 17 për qind.

    Tatimi mbi pasurinë(ndërtesat)

    Në rast se ke ndërtuar një shtëpi të re, do të trokasë në derë inspektori tatimor për të caktuar taksën mbi pasurinë e familjes suaj, shtëpinë. Të ndërtosh një shtëpi të re, njihet si pasuri dhe për këtë duhet të tatohesh. Tatimi varion në varësi të sipërfaqes së ndërtimit, por afërsisht, për një shtëpi normale për një familje, paguhet nga 2 mijë deri në 3 mijë lekë në muaj tatim. Kjo taksë është shumë pak e mbledhur nga tatimet, për shkak se mungojnë të dhënat për ndërtimet e reja dhe që duhet të tatohen. Procesi i Legalizimit, do të krijojë edhe të dhënat e plota, të cilat do t’i japin mundësi tatimorëve të mbledhin më shumë për këtë taksë. Këtë vit, Ministria e Financave ka parashikuar që rriten të ardhurat nga kjo taksë me 0.43 miliardë lek ose afërsisht 5 milionë dollarë. Kjo do të thotë që do të rriten kontrollet më shumë dhe do të ulet evazioni me 17 për qind, në lidhje me këtë taksë. Ministria e Financave ka parashikuar edhe një progresion të rritjes së të ardhurave nga kjo taksë. Kështu për vitin 2006 u mblodhën 1.4 miliardë lekë dhe për vitin 2007 parashikohen 1.83 miliardë, për 2008 parashikohen 2.3 miliardë dhe në vitin 2009 kur përfundon edhe plani afatmesëm buxhetor i qeverisë, do të mblidhen 2.8 miliardë lekë, dyfishi i të ardhurave që janë sot.

    Kontrollet

    Krahas tatimorëve do të jetë në lojë edhe institucioni që do të krijohet së shpejti, Inspektorati i Ndërtimit. Ky inspektorat do të krijohet nga shkrirja e Policisë Ndërtimore. Aktualisht Qeveria ka gati strukturën e këtij inspektorati, që do të jetë nën varësinë e Pushtetit Lokal. Duke qenë se kompetencat e tij do të jenë më të mëdha dhe më të pavarura, pritet që kontrollet të jenë më efikase. Krijimi i inspektoratit do të sjelli, sipas qeverisë edhe uljen e korrupsionit dhe evazionit fiskal. Ky parashikim ka si synim parësor rritjen e kontrolleve.

    Tatimi mbi pasurinë (ndërtesat)

    1 Perfomancë e dobët në mbledhjen e këtij tatimi
    2 Mungesë e databaseve të domosdoshme në identifikimin e pasurive të çdo personi
    3 Të ardhurat nga taksa mbi pasurinë në vitin 2009 do të jenë 2.8 miliard lekë nga 1.4 miliard lekë për vitin 2006
    4 Dyfishimi i të ardhurave do të vijë nga rritja e kontrolleve dhe legalizimeve
    5 Ulja e evazionit në këtë sektor me 17 %
    6 Krijimi i Inspektoratit të Ndërtimit, në vend të Policisë Ndërtimore
     
  8. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Milionat e energjisë, zhvlerësojnë lekun

    Julian Llupo - Shekulli

    Leku është ndjerë i dobët ndaj euros dhe dollarit, gjatë 10 ditëve të para të këtij viti. Gjatë ditës së djeshme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar është shkëmbyer me 96.8 lekë, ndërsa një euro me 125.4 lekë. Një javë më parë, në datën 4 janar, kur ka filluar edhe aktiviteti i sistemit bankar, dollari amerikan ka pasur një kurs shkëmbimi prej 94.5 lekësh, ndërsa euro një kurs prej 123.8 lekësh. Dollari ka pësuar një rritje prej 2.43% krahasuar me lekun, në harkun kohor të një jave, ndërsa euro është rritur me 1.3 në kursin e këmbimit kundrejt lekut, gjatë 7 ditëve të fundit.
    Leku është zhvlerësuar edhe ndaj valutave të tjera, duke nxjerrë në pah se një situatë e tillë është favorizuar, në radhë të parë, nga kriza energjetike në vend. Hedhja në treg e një sasie të madhe leku, në disa transaksione të ndodhura brenda harkut të një muaji dhe blerja e valutës, duket se ka qenë një tjetër arsye, që monedha vendëse të ndjehet e dobët në fillimin e këtij viti. Sipas llogarive të bëra nga ana e ekspertëve të energjisë, aktualisht, nëse importet janë vërtet 10 milionë kWh në ditë, me një çmim që tashmë ka shkuar në 80 euro kWh, fatura shkon në 800 mijë euro. Nëse kësaj shume do t'i shtojmë edhe koston e transmetimit që ka kërkuar Greqia dhe pala shqiptare është detyruar ta paguajë, fatura mbërrin në 1 milionë euro. Blerja e një sasie të madhe valutë në treg dhe rritja e ofertës së lekut, ka bërë që monedha vendëse të përjetojë një javë të keqe, duke lëshuar çdo ditë terren, një sjellje që nuk ka qenë e pranishme gjatë vitit 2006.

    Ndërhyrjet në treg

    Blerja e vazhdueshme e valutës në treg nga ana e Bankës së Shqipërisë, si edhe emetimi i bonove të thesarit për herë të parë në euro, duket se janë edhe faktorët e tjerë që kanë ndikuar në zhvlerësimin e lekut. Banka e Shqipërisë ka blerë valutë deri në ditët e fundit të vitit 2006, duke u munduar që të zbusë efektet e ardhjes së valutës nga ana e emigrantëve për festa. Megjithëse, nuk bëhet e ditur nga ana e Autoritetit Qendror Monetar, sasia e valutës së blerë gjatë muajve të fundit të vitit 2006, BSH ka bërë publike ndërhyrjet në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Gjatë tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë ka blerë nga bankat e nivelit të dytë 9.61 milionë USD, me një kurs mesatar prej 95.68 lekë dhe 28.70 milionë euro, me një kurs mesatar prej 122.30 lekë. Ndërsa, përsa i përket emetimit të bonove të thesarit, qeveria me anë të një ankandi ka blerë 45 milionë euro në treg, për një afat 5-vjeçar.
     
  9. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Nafta, grosistët mbajnë me kokëfortësi çmimin e lartë

    Gazeta ABC

    Çmimi i naftës në bursë po pëson rënie të njëpasnjëshme. Sipas të dhënave nga Financial Times, çmimi i një ton naftë, që importohet nga grosistët shqiptarë, në tregun ndërkombëtar ka mbërritur në 477$. Por ndërsa, ky çmimi për importuesit bie në tregun ndërkombëtar, ata vazhdojnë t’ia shesin konsumatorëve shqiptarë me çmime të larta. Prej kohësh, ky çmim është fiksuar në 125 lekë për litër, nga ky sigurisht importuesit po përfitojnë padrejtësisht në kurriz të konsumatorëve, pasi këtë çmim ata e kanë vendosur që në kohën e krizës së naftës, në gushtin e kaluar. Aktualisht, çmimi në bursën ndërkombëtare ka rënë me 23.5 $ për ton krahasuar me një javë më parë, duke shënuar një rënie mjaft të lartë të çmimit të importit me shumicë. Ndërkohë që sipas të dhënave nga Financial Times, në janarin e vitit që shkoi çmimi i një ton naftë, ishte 501.5 dollarë.

    Llogaritjet
    Sipas llogaritjeve të bëra, importuesit tashmë e marrin një litër naftë, në tregun ndërkombëtar me 0.98 cent dollarë, dhe e shesin në treg me 1.25 $. Ndërkohë që pikat me pakicë llogaritet që të marrin vetëm 0.5 lekë për litër fitimi kryesor i shkon importuesve. Pas ndryshimit të çmimit të importit në bursat ndërkombëtare, norma e fitimit të grosistëve ka mbërritur në 21.7%, nga 4% që deklarojnë ata. Sipas specialistëve, edhe pse në vend operojnë disa kompani në importin e karburanteve, ky treg është i deformuar. Ata shprehen se fakti që çmimi në tregun shqiptar nuk ndikohet sa herë që ulet çmimin ndërkombëtar i naftës, tregon që nuk ka konkurrencë. Në fakt, kur ndodh rritja e çmimit në bursat ndërkombëtare, grosistes vendës nxitojnë ta pasqyrojë këtë rritje menjëherë. OPEC ka vendosur që nga prodhimi ditor i naftës bruto prej 1.2 milion fuçi në nëntor, të ulë prodhimin me 500,000 fuçi në ditë që nga 1 shkurti i këtij viti. Por sipas specialistëve ndërkombëtarë, çmimi i naftës do mbahet i lartë me “kokëfortësi”, pasi grupi i vendeve të OPEC po përpiqet të mbajë një çmim dysheme prej 55 dollarësh për fuçi. Ata parashikojnë që nafta bruto do të tregtohet me një mesatare 60-65 dollarë për fuçi, edhe për këtë vit.
     
  10. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bankat mashtrojnë për interesat

    Nuk rriten interesat e depozitave. Individët kërkojnë bono thesari me 7.9 për qind

    G.Osmani-Gazeta ABC

    Bankat e nivelit të dytë nuk kanë rritur normat e interesit për muajin e parë të vitit ashtu siç kishin njoftuar. Kur po përfundon java e tretë e muajit, asnjë nga bankat e nivelit të dytë nuk ka njoftuar rritje interesash teksa depozituesit prisnin një rritje të interesave për kursimet në lekë dhe euro. Një vendim i tillë pritej pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit të lekut në 5.5 për qind dhe rritjes së interesit të euros nga Banka qendrore Evropiane në 3.5 për qind. Por të dhënat nga sistemi bankar njoftojnë se rritja e interesave ka prekur vetëm kreditë ndërsa interesat e depozitave mbeten të pandryshuara.

    Investoni në bono
    Sipas të dhënave nga bankat e nivelit të dytë, për depozita me afat 12 mujor interesi është 5.3 për qind ndërkohë që për të njëjtën periudhë kohore interesi po të blesh bono thesari është 7.86 për qind, pra 2.56 për qind më shumë. Për depozita 3 mujore interesi është vetëm 3.8 për qind ose 2.5 për qind më i ulët se interesi i bonove të thesarit për të njëjtën periudhë kohore. Edhe për depozitat me afat 6 mujor me më shumë interes është të investosh në bono thesari ku interesi është 7.17 për qind ndërsa për depozitat me këtë afat interesi në banka është 4.5 për qind. Në fakt individët mund ti blejnë bonot e thesarit vetëm në sportelet e bankave të nivelit të dytë pasi Banka e Shqipërisë nuk e ofron më këtë shërbim.
    Por bankat të paguajnë interesa më të ulta për bonot dhe mbajnë diferencër për vete. Kështu nëse banka merr një interes prej 7.86 për qind për bonot me afat maturimi 6 mujore, interesi që të jep nëse ia shet bonot bankës vetëm një javë pasi i ke blerë është vetëm 5.21 për qind.

    Interesi fiksohet te 7.86 %
    Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave zhvilloi dje ankandin e rradhës për shitjen e bonove të thesarit, që ndryshe quhet borxhi që Qeveria mer te bankat, institucionet financiare dhe individët. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave ofroi për shitje bono thesari me maturim 3 mujor, 6 mujor dhe 12 mujor me një total prej 22.3 miliardë lekësh, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Sipas rezultateve të ankandit interesat për bonot me afat maturimi një vit rezultuan 7.86 për qind, të afërta me ankandin e fundit të muajit dhjetor kur interesi ishte 7.85 për qind. Interesat kanë rezultuar të pandryshuar edhe për bonot me afat maturimi 3 mujhor dhe 6 mujor, respektivisht 6.38 dhe 7.19 për qind.
     
  11. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Liria ekonomike, Shqipëria renditet e 66-ta
    Julian Llupo- Shekulli

    Sipas një klasifikimi për vitin 2007, të publikuar ditën e sotme nga Fondacioni Amerikan "Heritage", Shqipëria renditet vendi i 66-të në botë për nga liria ekonomike, me 61.4 pikë. Në këtë studim janë përfshirë 157 vende nga e gjithë bota. Shqipëria renditet në vendin e 30, mes 41 shteteve evropiane që gjendet në listën e Fondacionit Amerikan. Megjithëse ndodhet një vend më para krahasuar me vitin 2005, sipas raportit, niveli e lirisë ekonomike ka pësuar një rënie me 0.6 për qind gjatë vitit të kaluar, duke e lënë kështu vendin tonë, pas mesatares së rajonit. Kalimi një vend më parë se viti 2005, ka ardhur për shkak të ndryshimeve më të mëdha negative që kanë pasur vendet e tjera, në vlerësimin e këtij treguesi. Sipas të përditshmes ekonomike amerikane "Wall Street Journal", Shqipëria është renditur këtë vit në vend të 66-të për treguesin e lirisë ekonomike, ndërsa zhvillimin më të madh pozitiv vendi, sipas këtij treguesi, e ka pasur gjatë 2005. Nga viti 2004 deri në vitin 2005, Shqipëria është ngjitur 14 pozicione më sipër. Niveli i lirisë ekonomike së Shqipërisë, sipas vlerësimit, është i përafërt me fqinjët e saj në Ballkan, si Kroacia apo Maqedonia, dhe disa herë më i lartë se Greqia, shtet i cili është anëtarësuar edhe në Bashkimin Evropian. Liria fiskale, liria nga ana e qeverisë dhe liria monetare pozicionohen shumë mirë, por pikët në total për Shqipërinë bien nga performanca e dobët në fushën e të drejtave të pronës dhe korrupsionit. Dobësia në të drejtën e pronës, vjen si rezultat i ndërhyrjes politike në sistemin gjyqësor, i cili çon në një dhunimin të ligjeve të vendit. Por niveli i lirisë ekonomike në Shqipëri mbetet në nivele të larta, krahasuar me vendet fqinje, ku ndarja shtetërore dhe paqëndrueshmëria është e theksuar dhe ka ardhur në rritje gjatë 7 viteve të fundit. Nëse Shqipëria vazhdon të mbajë të ulët nivelin e taksave dhe shton luftën ndaj korrupsionit, niveli i lirisë ekonomike do të rritet më tej, sqaron raporti i bërë nga Fondacioni Amerikan "Heritage".

    Liria e biznesit, 56.1%
    Sipas studimit të bërë nga Fondacioni Amerikan "Heritage", hapja e një biznesi të ri në Shqipëri kërkon 39 ditë, krahasuar me 48 ditë që është mesatarja në shumicën e shteteve të marra në këtë renditje. Ndërkohë që marrja e një licence për biznes, është më e vështirë për shkak të procedurave ligjore. Gjithashtu edhe mbyllja e një biznesi është tepër e vështirë, nëse krahasohet me vendet e rajonit.

    Liria Fiskale, 91.5%
    Shqipëria aplikon taksa të ulëta, çka rrisin interesin, si për punëdhënësit ashtu dhe për punonjësit. Sipas studimit, Tatimi mbi të Ardhurat është 20 për qind. Në janar 2006 qeveria ia uli taksën korporatave me 3 për qind, në 20 për qind, duke bërë të mundur renditjen disa vende më lart për këtë tregues.

    Liria nga qeveria, 77.7%
    Shpenzimet qeveritare në total janë në nivele mesatare. Studimi sqaron se gjatë viteve të fundit, qeveria shpenzoi 28.8 për qind të GDP, ndërkohë që mblodhi 8.8 për qind të të ardhurave të saj nga ndërmarrjet shtetërore.

    Maqedonia e 71-a, sipas listës së "Heritage" Foundation, për lirinë ekonomike
    Ekonomia maqedonase, sipas përqindjes së lirive në sferën ekonomike në rang botëror, ndodhet në vendin e 71-të, theksohet në raportin vjetor të "Heritage" Foundation. Sipas dokumentit, Maqedonia ka një indeks të lirisë në sferën e ekonomisë prej 60,8 për qind, me një përmirësim për 0,2 për qind në krahasim me vitin 2006, që do të thotë se shteti është zhvendosur në grupin e shteteve me liri-biznesi të matur. Maqedonia e mori vendin e 32-të nga 41 shtete evropiane, me rezultat të përgjithshëm më të ulët nga mesatarja evropiane, shtohet në raportin vjetor "Indeksi i Lirive Ekonomike". Vlerësimet nga raporti tregojnë nivel të lartë të lirisë fiskale dhe monetare në Maqedoni, me inflacion të vogël të nivelit vjetor. Tatimet personale dhe korporative janë mjaft të ulëta, me vërejtje se të ardhurat e përgjithshme të tatimit kanë rol të madh në GDP-në e vendit. Fondacioni me renome vlerëson se qeveria e Maqedonisë po synon ta ulë ndikimin e vet ndaj tregut të të mirave, edhe pse në sfera të caktuara, ekonomia e tregut është shkelur për shkak të pranisë së kompanive që ende janë nën kontrollin e shtetit.

    Hong Kongu, kryeson botën për nga liria ekonomike
    Hong Kongu është renditur si vendi me lirinë më të madhe ekonomike në botë, për të 13-in vit rresht, sipas "Indeksit të Lirisë" të publikuar nga fondacioni amerikan "Heritage". Ndërkohë që në vendin e dytë gjendet qyteti kinez me taksat më të ulëta në botë, Singapori. Indeksi vjetori i lirisë ekonomike i publikuar nga fondacioni me qendër në Uashington, në bashkëpunim me gazetën "Wall Street Journal" ka marrë për bazë 10 faktorët më të gjerë të lirisë, në 157 shtete të botës. Në vendin e tretë të listës me 157 shtete, renditet Australia, e pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zelanda e Re. Kina renditet në vendin e 119 për nga liria ekonomike, me 61.6 pikë.
     
  12. regele

    regele Forumium maestatis

    Re: Lajme ekonomike!

    E lexova dhe une ekte artikullin sot ne mengjes, por nuk mora vesh ke vend linim prapa dhe kush na e kalonte ne Europe! Po pati njeri ndonej link me ate renditjen perfundimtare, mund ta vendose ketu!
     
  13. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

  14. regele

    regele Forumium maestatis

    Re: Lajme ekonomike!

    Hapet, hapet! I kalokemi Rumanise! Qenkemi per ne BE ne, pse s'thua! /pf/images/graemlins/smile.gif
     
  15. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Miratohet puna për 2007, do krijohen monedha të reja


    Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e parë të tij për këtë vit ka miratuar planin e punës për 2007. Në këtë plan janë specifikuar objektivat parësore si inflacioni dhe krijimi i një transparence më të gjerë me publikun. Njëkohësish, pjesë e vendimeve ishte edhe krijimi i monedhës me vlerë 2 000 lekë, heqja nga qarkullimi i monedhave të prodhuara para vitit 2006, si dhe heqja nga tregu të monedhës 100 lekëshe. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë këtë vit do të zhvillojë mbledhje të veçanta të kushtuara tërësisht vlerësimit të politikës monetare të ndjekur si dhe vendimmarrjes për ardhmërinë e saj. Ky zhvillim i ri është në përputhje me konkluzionet e dala gjatë 2 viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës, Banka e Shqipërisë është përfshirë në një proces intensiv të vlerësimit të gjithanshëm të kuadrit të politikës monetare me synim rritjen e mëtejshme të efektivitetit të saj. Ky ndryshim së bashku me disa ndryshime të tjera, të cilat janë bërë prezentë në dokumentet e publikuara tashmë, do të përsosë më tej transparencën e Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, kjo do të ndihmojë në orientimin më të mirë të tregut dhe publikut në përgjithësi jo vetëm për sa i takon të shkuarës, por edhe për pritshmëritë që ata kanë për të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Ky ndryshim përmbush edhe një prej elementeve të rëndësishëm të regjimit të inflacionit të shënjestruar, një kuadër politik, i cili prej dy vitesh po studiohet në detaje prej Bankës së Shqipërisë, si një nga regjimet e synuara të politikës monetare. Në këtë mbledhje nga Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u miratuan dhe: udhëzimi “Mbi procedurat e shtypjes, të rishtypjes dhe të emetimit të monedhave metalike dhe kartëmonedhave për qëllime numizmatike nga Banka e Shqipërisë”, një ndryshim në rregulloren “Mbi procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor”, si dhe u shqyrtuan disa materiale të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.
     
  16. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Gati ngritja e njësisë për koncesionet

    Ministria e Ekonomisë, në mbështetje të zbatimit të ligjit të ri të koncesioneve, ka nisur punën për ngritjen e Njësisë së re të koncesioneve. Tashmë janë shpallur kriteret për punësimin e specialistëve pranë njësisë më të re, që do të menaxhojë të gjithë procesin e koncesioneve në sektorët publikë. Kryesisht specialistët do të jenë juristë, ekonomistë, inxhinierë të profileve të ndryshme, që do të punësohen pranë kësaj njësie publike pas një gare të hapur konkurruese për kapacitetet profilizuese që duhet të kenë. Rritja e fluksit të Investimeve të Huaja Direkte, vlerësohen mjaft të rëndësishme në politikat e zhvillimit ekonomik të qeverisë për vitet 2006-2009. Brenda viteve 2007-2008, objektiv i rëndësishëm vlerësohet fluksi i investimeve private përmes koncesioneve në sektorët strategjikë të elektroenergjetikës, në sektorin e naftës dhe gazit, në transport si dhe në zhvillimin e SME-ve. Identifikimi i tregjeve dhe mundësive të investimeve të huaja direkte në sektorët më potencialë si ata të elektroenergjetikës, minierat, gazi, nafta, agrobiznesit dhe te turizmit. Ligji i ri krijon hapësira për konkurrim on line, duke shkurtuar ndjeshëm kostot e procesit. Në të njëjtën kohë, në këtë ligj janë të rregulluar me nene të veçanta jo vetëm marrëdhëniet mes shtetit e subjektit privat, por edhe marrëdhëniet mes kontraktorit e nënkontraktorëve. Po ashtu, me ligjin e ri merr fund praktika e ofertave më të lira. Në plan të parë do të jetë projekti më konkurrues dhe cilësia e punimeve brenda limiteve të caktuara financiare.
     
  17. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    TEC-i i Vlorës, në shkurt fillojnë punimet
    ADI DARSI - Metropol

    Është caktuar që TEC-i, me fuqi 100 MW të ndërtohet në afërsi të Pyllit të Sodës.

    Më në fund është përcaktuar edhe afati i nisjes së punimeve për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. KESH dhe firma ndërtuese i kanë përfunduar të gjitha marrëveshjet ndërmjet tyre dhe tani, sapo të lëvrohen paratë nga kreditorët e projektit do të nisë puna në terren. Ndërtimi i veprës do të zgjasë për 2 vjet, por ajo mund të futet në prodhim menjëherë pas përfundimit të fazës së parë, në shkurt 2008. Umberto Franzi, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë italiane, që do të zbatojë projektin e TEC-it të Vlorës, Mayer Engenering tha se ka përfunduar prej kohësh firmosja e dokumenteve të kontratës me KESH-in dhe se tashmë, kjo kompani është në pritje të dritës jeshile nga bankat financuese, për të filluar në datën e nisjes së punimeve të impiantit. Koha e implementimit të impiantit është 2 vjet dhe shoqëria ndërtuese po vlerëson një zgjidhje teknike, që mund të lejojë që të ketë fuqinë e vënë në dispozicion të impiantit, në një kohë më të shkurtër se sa ajo që është e nevojshme për përfundimin e impiantit. “Ekziston mundësia, që në TEC-in e Vlorës të prodhohet energji përpara përfundimit të projektit. Duke pasur parasysh që TEC-i ka një kohëzgjatje ndërtimi prej 24 muajsh, mbetet hipotezë që ka një probabilitet jo të vogël dhe teknikisht të realizueshme, që gjysmën e kohës, pra afro 12 muaj nga fillimi i projektit, mund të ketë gjenerim.
     
  18. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    KESH pretendon 1 milion euro nga kontratat e parespektuara

    Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hartuar të gjithë
    dokumentacionin e mundshëm për hedhjen në gjyq të
    kompanive që nuk respektuan kontratat e importit. Për
    këtë KESH-i pretendon një dëmshpërblim prej 1 milion
    eurosh, vlerë që është minimale në krahasim më dëmin
    që këto kompani i shkaktuan furnizimit të Shqipërisë me
    energji elektrike. Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë
    për shtyp drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike,
    Andi Beli. "Po ju rikonfirmoj, dy kanë qenë
    kompanitë që nuk performuan kontratat e tyre. Nuk është
    absolutisht normale që të mos procedohen dhe për këtë
    unë kam dy ditë që kam nënshkruar dokumentet e
    nevojshme juridike që të mbahet garancia e performancës
    së tyre dhe ky është vetëm hapi i parë i një procedimi legal
    kundrejt këtyre kompanive", është shprehur Beli, lidhur me
    çështjen. Sipas tij, janë rreth 1 milion euro dëmshpërblim
    për KESH-in për mos performimin e kontratës nga ana e
    kompanive në fjalë. "Përveç kësaj ka edhe penalitete të
    tjera, të cilat do të aplikohen në vazhdimësi të procedurave
    juridike që do të hapen pikërisht për këtë qëllim. Jemi të
    vendosur të vazhdojmë këtë çështje me anë të procedurave
    ligjore si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar", ka
    theksuar Beli. Nga emrat kryesore të kompanive importuese
    mbeten kompania ATEL, EGL Zvicër, EFT që jep mbi
    50% të fuqisë që marrim sot, korporata sllovene, kompania
    austriake "Verbund" dhe ajo e Milanos AEM Group.
     
  19. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    "Intesa" blen BIA-n, nuk ka rrezik konkurrence

    J.Llupo
    Shekulli/22-01-2007


    Banka "San Paolo IMI", e cila ka blerë në fillim të këtij viti 80% të Bankës Italo-Shqiptare, është duke u bashkuar me bankën tjetër italiane, "Intesa S.p.a". Për këtë bashkim. Autoriteti i Konkurrencës ka bërë vlerësimin që mund të ketë ky përqendrim, në konkurrencën bankare shqiptare. Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të njoftimit të përqendrimit, vëren se "Intesa Group" ushtron veprimtari nëpërmjet filialeve të saj në Itali dhe në Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe nuk ka veprimtari ekonomike në Shqipëri. Ndërsa "San Paolo IMI" S.p.a., ushtron veprimtari në Shqipëri nëpërmjet Bankës Italo0Shqiptare Sh.A., ku zotëron 80% të aksioneve të kësaj banke. Transaksioni i njoftuar konsiston në bashkimin me anë të përthithjes të paketës së aksioneve të "San Paolo IMI" S.p.a., tek Banka Intesa S.p.a., dhe për rrjedhojë dhe të pjesës prej 80% të aksioneve që "San Paolo IMI" S.p.a., zotëron tek BIA. Ky transaksion, nuk sjell asnjë ndryshim në strukturën e përgjithshme të tregut bankar shqiptar. "Transaksioni konsiston në bashkimin, sipas procedurës së përthithjes së "San Paolo IMI" nga "Intesa". Si pasojë, "San Paolo" pushon së ekzistuari si person juridik dhe të gjitha asetet, detyrimet dhe të gjitha marrëveshjet e marrëdhëniet ku ajo është palë, do transferohen sipas ligjit, tek "Intesa". Si rrjedhim, ky bashkim përthithës, që në tregun bankar shqiptar është një zëvendësim pronësie të "San Palo IMI" S.p.a., nga "Intesa" në BIA, përgjithësisht nuk shkakton ndryshime strukturale në tregun bankar dhe në veçanti as strukturën brenda Bankës Italo-Shqiptare, çka do të thotë që nuk krijon apo forcon një pozicion dominues. Transaksioni i njoftuar konsiston në zëvendësimin e pronësisë të pjesës së kapitalit prej 80% të aksioneve të "San Paolo IMI" në BIA nga "Intesa" dhe nuk ka efekte negative në lidhje me konkurrencën në tregun e produktit përkatës, apo në tregun gjeografik",- thuhet në deklaratën e Autoritetit të Konkurrencës.
     
  20. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    BSH arrin qëllimin, shtrenjtohen kreditë dhe depozitat

    Julian Llupo


    Normat e interesit në tregjet financiare njohën rritje të tjera gjatë muajve të fundvitit, ndërsa Autoriteti Qendror Monetar, pret që kjo rritje të vazhdojë edhe gjatë vitit 2007. Gjatë kësaj periudhe, janë vërejtur tendenca të rritjes së normave të interesit në tregun e depozitave, të kredive në lekë, si dhe në tregun e letrave me vlerë të qeverisë. Rritje të interesave ka pasur edhe për valutat, pasi frika nga inflacioni tashmë është kthyer në një problem ndërkombëtar. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se normat e interesit në tregun e depozitave në lekë, janë rritur thuajse në të gjitha afatet, gjatë muajve të fundit të vitit. Megjithatë, rritja e interesave ka qenë më e theksuar tek kreditë gjatë fundit të vitit, duke sjellë rritje të kostos së ndërmjetësimit. Ndërkohë, rritja e normës bazë të interesit në fund të muajit nëntor, pritet të japë ndikimin e vet në muajt e ardhshëm. Në tregun primar është vënë re një rritje e interesave të bonove të thesarit, kryesisht atyre me afat 6 dhe 12-mujor. Në fund të muajit nëntor, yield-et e bonove të thesarit arritën në 6.24 për qind, 6.87 për qind, 7.54 për qind përkatësisht për bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore. Në këto nivele interesat e bonove të thesarit, kanë qenë edhe për ankandet e para të zhvilluara gjatë vitit 2007. Gjithashtu, hedhja në treg e obligacioneve 5-vjeçare në muajin nëntor të vitit 2006, është realizuar me një normë të yield-it prej 9.68 për qind. Rritja e yield-it të bonove të thesarit, ka ardhur në kushtet e rritjes së kërkesës së qeverisë për financim.
    Interesat për kreditë dhe depozitat në valutë

    Shtrëngimi i politikës monetare nga Banka Qendrore Evropiane, vlerësohet të ketë ndikuar në rritjen e interesave të depozitave në euro, në afatet 1, 3, 6 dhe 24-mujore në muajin tetor. Gjithashtu, politika neutrale e Rezervës Federale dhe pritshmëritë për uljen e normës bazë të interesit në muajt e ardhshëm, kanë nisur të reflektohen në tregun e depozitave në dollarë, ku janë vërejtur ulje të interesave në dollarë. Në muajin tetor të vitit të kaluar, ka pasur ulje të interesave të depozitave pa afat dhe të depozitave me afat 3, 6, 24 dhe 36-mujore, 2-vjeçare, 3-vjeçare, 5-vjeçare. Ndërsa në tregun e kredive ka pasur rritje të kredive me afat në dollarë për afate deri në 3 vjet dhe ulje të interesave të kredive afatgjata për afate mbi 3 vjet. Një situatë e tillë për monedhën amerikane, përputhet me pritshmëritë për uljen e normës bazë të interesit nga Rezerva Federale. Ndërkohë, janë rritur interesat e kredive në euro për afate të shkurtra deri në një vit dhe janë ulur interesat e kredive afatgjata. Në muajin tetor, interesat e kredive në euro arritën në nivel mesatar në 7.39 për qind, kundrejt 8.06 për qind një muaj më parë. Ndërkohë, interesat e kredive në dollarë kanë qëndruar në nivele më të larta se ato në euro. Niveli mesatar i kredive në dollarë në tetor, arriti në 10.29 për qind, nga 9.55 për qind të një muaji më parë. Në muajin tetor, ndryshimi i diferencës së interesave të depozitave lekë-valutë, për afatet 3, 6 dhe 12-mujore, ka qenë rritës për këto afate. Rritja ka qenë më e madhe në diferencën e interesave lek-euro, krahasuar me diferencën lek-usd, përkatësisht mbi 1.08 për qind dhe nën 0.74 për qind. Kjo, pasi interesat depozitave në euro, qëndrojnë në nivele më të ulëta se depozitat në dollarë, të orientuara nga normat bazë të interesit të vendeve përkatëse.
     

Shpërndajeni këtë faqe