Re: Z. Berisha, na ktheni pronat e grabitura
eshte interesat fakti qe ne gazeten biznesi (
www.biznesi.com.al ) ka ca kohe qe eshte krijuar nje lloj forumi mbi kete teme.(shpeshhere nga opinionet e lexuesve)
po sjell ketu nje artikull te botuar sot qe ndihmon ne vleresimin e qenderimit te institucioneve nderkombetare ne lidhme me "shenjterine" aq te shpalosut te se drejtes se prones
----------------
Speciale
Biznesi - 31/03/2005
Disa çështje mbi të drejtën e pronës
Në vijim pasqyrohen në mënyrë të përmbledhur disa çështje të Gjykatës së Strasburgut mbi të drejtën e pronës, për të krijuar një ide më të qartë se si parimet, kriteret, elementet e mësipërme zbatohen për llojet e ndryshme të konflikteve që i paraqiten gjykatës
Çështja e Immobiliare Saffi. Itali (1999)
Faktet
Firma e ndërtimit I.B. ishte pronare e një apartamenti në Livorno të Italisë, të cilën ia kishte dhënë me qira L.B. Në një letër të datës 20.4.1983 informoi qiramarrësin se kishte ndërmend ta përfundonte kontratën e qirasë më datën 31 dhjetor 1983 dhe i kërkoi atij që ta zbrazte apartamentin në atë datë. Në nëntor I.B. i dërgoi lajmërim qiramarrësit për dhënien fund të kontratës, por ai sërish refuzoi të largohej. Firma e ndërtimit iu drejtua një gjyqtari në Livorno. Gjykata urdhëroi qiramarrësin që të largohej nga ndërtesa deri në 30.9.1984. Pas shumë përjekjesh, urdhri i gjykatës refuzohej të ekzekutohej nga qiramarrësi. Immobiliare Saffi u bë pronare e banesës në vitin 1988. Në periudhën dhjetor 1988 deri në janar 1996, kjo agjenci bëri shumë përpjekje për të rifituar posedimin e saj mbi banesën, por pa sukses, dhe pasi në bazë të ligjit në fuqi, për konflikte të asaj natyre paditësi nuk kishte të drejtë të merrte ndihmën e policisë. Ligji ekzistues u ndryshua në mars të vitit 1989, por ndihma e policisë për ekzekutimin e urdhrave të gjykatës për konfliktet e pronësisë jepej në bazë të disa kushteve të cilat Immobiliare Saffi nuk i përmbushte (pronari duhej të kishte nevojë urgjente për banesën për veten ose familjen e tij). Kështu, në shtator të vitit 1993, Immobiliare Saffi i drejtohet komisionit, ndër të tjera, për shkelje të nenit 1 të protokollit 1 nga Italia. Kompania arriti ta merrte apartamentin në vitin 1996 me vdekjen e qiramarrësit. Para Gjykatës së Strasburgut, paditësi u shpreh se paaftësia e zgjatur nëpërmjet mungesës të ndihmës së policisë për të rimarrë në posedim apartamentin, ishte një dhunim i të drejtës së pronës.
Gjykata hodhi poshtë pretendimin e paditësit se ajo që kishte ndodhur ishte shpronësim de facto, megjithatë në bazë të legjislacionit të brendshëm qiramarrësi vazhdonte ta mbante ndërtesën mund të thuhej se kishte kontroll mbi përdorimin e pasurisë në kuptim të nenit 2, paragrafi 1.
Lidhur me qëllimin e nxjerrjes të dispozitave ligjore në Itali, gjykata njohu se nxjerrja e njëkohshme nga shtëpia e shumë qiramarrësve do të shkaktonte një tension shoqëror të konsiderueshëm dhe do të rrezikonte rendin publik. Pra rrjedhimisht, legjislacioni në fjalë kishte një qëllim legjitim, siç e kërkonte dhe neni 1, paragrafi 2.
Gjykata vuri re se Italisë për trajtimin e problemeve të strehimit i duhej të zbatonte masa emergjente për të kontrolluar rritjen e qirave dhe rritjen e afateve të kontratave të qirasë që ekzistonin. Masat ligjore mund të konsideroheshin si të arsyeshme për të arritur një qëllim legjitim duke synuar që të vendosej një ekuilibër ndërmjet interesave të komunitetit dhe të drejtave të pronarëve. Megjithatë çështjet jourgjente si ajo e Immobiliare Saffi duhej të ishin zgjidhur deri në fund të vitit 1993; kjo nuk ndodhi. Gjykata ishte e mendimit se në parim një sistem, i cili vendos një pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të urdhrave të gjykatës në favor të pronarit, në vetvete nuk kritikohet, duke pasur parasysh lirinë e vlerësimit që gëzojnë autoritetet e vendit në bazë të nenit 1, paragrafi 2. Megjithatë, ky sistem mban mbi vete rrezikun e vendosjes së barrave të rënda mbi të drejtën e pronarit për të gëzuar pronën e vet. Gjykata vuri re se sistemi italian vuante nga një shkallë jofleksibiliteti, pasi parashikonte që çështjet në të cilat qiraja përfundohet për arsye se pronari ka nevojë urgjente për ta rimarrë banesën për vete ose për familjen e vet, duhej t’i jepej gjithnjë përparësi. Kështu, pas janarit të vitit 1990, urdhrat e gjykatës për çështjet jourgjente në praktikë nuk u ekzekutuan kurrë. Immobiliare Saffi u la kështu në një gjendje pasigurie për posedimin e banesës. Gjithashtu asgjë nuk u tregua që qiramarrësi, i cili posedonte banesën e paditësit, të meritonte ndonjë mbrojtje të veçantë. Si rrjedhojë gjykata gjeti një shkelje të nenit 1 të Protokollit 1 nga Italia.
Çështja Phocas. Francë (1996)
Faktet
Në çështjen Phocas v. Francë paditësi u ankua se kufizimi që i ishte vendosur mbi të drejtën e pronës për shkak të një skeme për përmirësimin e kryqëzimeve të rrugëve ku ndodhej dhe prona e tij, përbënte një shkelje të së drejtës së pronës. Z.Phocas pretendonte se gëzimi i plotë i pronës prej tij ishte bërë objekt i një sërë ndërhyrjesh nga autoritetet si në moslejimin e ndërtimeve të reja mbi pronë, ashtu dhe për shpronësimin. Phocas i paraqiti gjykatës pretendimin se autoritetet franceze kishin bërë një shkelje të nenit 1, Protokolli 1.
Në vendimin e saj, gjykata shqyrtoi nëse ishte vendosur një ekuilibër i drejtë ndërmjet kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Sipas gjykatës, ndërhyrja në fjalë ishte hartuar me qëllim që të mundësonte realizimin e një skeme të zhvillimit urban. U deklarua sërish se shtetet gëzojnë një liri të gjerë vlerësimi për të implementuar politikën e tyre mbi planifikimin urban dhe në këtë rast skema në fjalë iu përgjigjej nevojave të interesit të përgjithshëm. Gjykata gjithashtu u shpreh se, megjithëse nga ana e autoriteteve pati vonesa në përgjigjen e aplikimeve të z. Phocas për shpronësimin me anë të blerjes së pasurisë të tij nga shteti, braktisja e procedimeve u bë nga pronari i cili nuk pranoi ofertën e blerjes dhe më pas e paraqiti çështjen në gjykatën e shpronësimeve jashtë afatit ligjor. Pra, procedurat e parashikuara në të drejtën e brendshme siguronin një mjet të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e të drejtës për një gëzim paqësor të pronës të vet. Në përfundim gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 1 të Protokollit 1 nga ana e Francës.
Çështja Air Canada. Britani e Madhe (1995)
Faktet
Një avion i kompanisë Air Canada i drejtuar për në Tajlandë u sekuestrua nga autoritetet angleze në mënyrë të përkohshme derisa të paguante gjobën e vendosur nga zyra e tatim-taksave, pasi në bord u gjet një sasi e madhe kanabis. Pasi kaloi shkallët e brendshme të gjykimit, kompania iu drejtua Gjykatës së Strasburgut për t’u shprehur se Britania e Madhe kishte cenuar të drejtën e pronësisë të kompanisë dhe për këtë arsye kishte shkelur nenin 1 të Protokollit 1.
Gjykata ishte e mendimit se në këtë rast kishte të bënte me një kufizim të së drejtës së pronës, meqenëse nuk kishte një transferim të saj (pronës).
Sekuestrimi nga zyra e tatim-taksave ishte një mjet që përbënte një ushtrim kontrolli mbi përdorimin e avionit nga kompania ajrore.
Lidhur me çështjen e ekuilibrit ndërmjet interesit publik, i cili në këtë rast ishte lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, nga njëra anë, dhe proporcionalitetit ndërmjet mjetit të përdorur dhe qëllimit që kërkohej të arrihej, gjykata u shpreh se
“sekuestrimi i avionit të kompanisë dhe kthimi i tij pas pagimit të gjobës përbënin padyshim masa të jashtëzakonshme, të cilat u përdorën për të sjellë një përmirësim në procedurat e sigurimit të kompanisë. Masat u morën pasi u gjetën në bordin e avionit 331 kg fara kanabis. Për më tepr ky incident ishte i fundit në një seri problemesh sigurimi të pretenduara, për të cilat Air Canada ishte njoftuar. Me këtë sfond ngjarjesh nuk ka dyshim se masat e marra ishin në përputhje me interesin e përgjithshëm të luftës kundër trafikimit ndërkombëtar”.
Gjykata gjithashtu u shpreh se sasia e madhe e kanabisit e gjetur, vlera e saj e madhe në tregun joformal, vlera e madhe e avionit të sekuestruar dhe kthimi i tij kompanisë kundrej pagesës së një shume 50 000 pound nuk ishte në disproporcion me qëllimin që duhej të arrihej. Prandaj gjykata nuk gjeti shkelje të nenit 1 të Protokollit 1 nga Britania e Madhe.
Çështja Raimondo. Itali (1994)
Faktet
Ndaj Raimondos, një sipërmarrës italian ndërtimesh, u fillua procedimi penal nga një gjykatë e brendshme italiane, pasi kishte dyshime se i përkiste një organizate mafioze. Për rrjedhojë, pasuria iu sekuestrua dhe një pjesë iu konfiskua. Pas përfundimit të shkallëve të gjykimit të brendshëm, çështja u paraqit para Gjykatës së Strasburgut, së cilës iu kërkua që të shprehej në favor të shkeljes nga ana e Italisë të së drejtës së pronës, që përbënte një shkelje të nenit 1 të Protokollit 1.
Gjykata u shpreh se sekuestro në këtë rast ishte një masë paraprake për të siguruar që pasuria, e cila ishte fryt i veprimtarive të paligjshme të kryer në kurriz të komunitetit, të mos riinvestohej për të vazhduar veprimtarinë e paligjshme. Masa justifikohet nga interesi i përgjithshëm dhe duke pasur parasysh fuqinë e madhe ekonomike të një organizate shumë të rrezikshme, si mafia, nuk mund të thuhet se marrja e saj (masës) në atë fazë të procedimit ishte jodisproporcionale me qëllimin që kërkohej të arrihej. Ndërsa për konfiskimin gjykata u shpreh se megjithëse ai përbënte një privim nga posedimi ai ishte në përputhje me interesin e përgjithshëm. Sipas saj, konfiskimi ishte një mjet efektiv dhe një armë e nevojshme për të luftuar krimin e organizuar. Prandaj ishte proporcional me qëllimin. Si përfundim u gjet se masat e marra nga Italia nuk përbënin një shkelje të nenit 1 të Protokollit 1.
Çështja Mellacher dhe të tjerët. Austri
Faktet
Paditësit ishin pronarë banesash të cilat i kishin lëshuar me qira në bazë të kontratave të qirasë para vitit 1981, kohë kur Austria miratoi një ligj (akti i qirasë), i cili reduktonte tarifat e qirave në bazë të kategorizimit të banesave sipas cilësisë të tyre. Paditësit parashtruan pretendimin se ky akt përbënte një shkelje të të drejtës së pronës sipas nenit 1, Protokolli 1.
Gjykata u shpreh se në këtë rast zbatohej paragrafi i dytë i nenit 1, i cili iu njeh shteteve të drejtën të miratojnë ligje të cilat kontrollojnë ushtrimin e të drejtës së pronës në dobi të interesit të përgjithshëm. Veçanërisht në fushën e strehimit i cili është një problem kryesor në shoqëritë moderne. Prandaj dhe legjislativi ka një liri veprimi. Akti i qerasë i vitit 1981 kishte si qëllim që të kufizonte ndryshimet e tejkaluara dhe të pajustifikuara në tarifat e qirave si dhe të luftonte spekulimet nga ana e pronarëve. Gjykata pranoi që akti në fjalë i shërbente interesit të përgjithshëm.
Lidhur me proporcionalitetin e ndërhyrjes gjykata u shpreh se megjithëse këto masa i vendosin disa pronarë banesash në kushte të pafavorshme me të tjerët, nuk mund të thuhet se akti në fjalë është joproporcional dhe i papërshtatshëm. Kur u kalua akti, legjislativi ishte i shqetësuar që t’i reduktonte tarifat e qirave në një masë që të ishin më të pranueshme nga shoqëria si dhe të inkurajonte përmirësimin e standardeve të banesave. Në dritën e të gjitha këtyre argumenteve gjykata u shpreh se Austria nuk kishte shkelur dispozitat e nenit 1 të Protokollit 1.
Çështja James dhe të tjerët. Britani e Madhe (1986)
Faktet
Paditësit pretendonin se transferimi i detyrueshëm i pronës së tyre në bazë të aktit të qirasë të vitit 1967 përbënte një shkelje të nenit 1 të Protokollit 1 të konventës. Sipas tyre, ky akt ndërhynte në marrëveshjet ndërmjet qiramarrësve dhe qiradhënësve të cilat ishin përfunduar para hyrjes në fuqi të këtij akti, dhe i detyronte pronarët që të shisnin pronat e tyre kundër vullnetit të disa personave privatë që ishin qiramarrës afatgjatë dhe i detyronte pronarët t’i shisnin me një çmim më të ulët se vlera e vërtetë e pasurisë në treg.
Gjykata u shpreh se liria e vlerësimit që kanë ligjvënësit për të përcaktuar politikat ekonomike dhe shoqërore është e gjerë dhe gjykata e respekton gjykimin e ligjvënësit lidhur me përcaktimin e interesit publik. Marrja e një prone për shkak të një politike legjitime sociale, ekonomike etj., mund të jetë në “interes publik” dhe nëse komuniteti i gjerë nuk e përdor ose e gëzon pasurinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Gjykata vendosi se legjislacioni mbi qiratë nuk ishte ipso facto në kundërshtim me nenin1 të Protokollit 1, prandaj më tej u vlerësua nëse ai ishte në përputhje me kërkesat e tjera të fjalisë së dytë të nenit 1, paragrafi 1.
Duke u ndalur në çështjen e lirisë të vlerësimit të autoriteteve të vendit, gjykata rikonfirmoi se ato kanë njohuri të drejtpërdrejta të shoqërisë së tyre dhe nevojave të saj më shumë sesa gjyqtarët ndërkombëtarë, prandaj janë në një pozicion më të favorshëm për të vlerësuar çfarë është “interes publik”.
Strehimi i popullsisë konsiderohet si një nga nevojat kryesore të shoqërive moderne, rregullimi i të cilës nuk mund të lihet krejtësisht në dorë të forcave të tregut. Prandaj dhe ligjvënësit ndërhyjnë për të krijuar një drejtësi më të madhe sociale dhe nëse legjislacioni i nxjerrë ndërhyn me marrëdhëniet ekzistuese kontraktuale ndërmjet palëve private. Qëllimi që kërkon të arrihet nga legjislacioni mbi reformat e qirasë u konsiderua si legjitim.
Gjykata gjithashtu vlerësoi se marrja e një prone për një interes publik duhet të bëhet me kompensim, e kundërta mund të justifikohet vetëm në situata të jashtëzakonshme. Sipas saj, mbrojtja e të drejtës së pronës do të ishte krejtësisht e pamundur dhe joefektive ose e rreme në mungesë të një parimi ekuivalent. Eshtë e qartë se termat e kompensimit tregojnë nëse legjislacioni i brendshëm ka vendosur një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave të ndryshëm dhe veçanërisht nëse ai nuk vendos një barrë disproporcionale mbi pronarin. Gjykata u shpreh se ligji parashikonte një procedurë kompensimi, e cila ishte e tillë që nuk përbënte një shkelje të nenit 1 të Protokollit 1 nga ana e Britanisë të Madhe.
www.biznesi.com.al