Nga libri me tregime "Akademia e bushtrave", i shkrimtarit francez Gilles Plazy :
(per lexuesat dembele
)
ERIKA
Fillimisht, pashë vithet e saj. Fenomenale. Ishin një palë vithe të madhërishme, të begata, të lakuara aq bukur, që dilnin aq më tepër në pah që i përkisnin një femre të përkulur për të marrë diçka përtokë. Kush nuk i di ato vitrina, në qytetet e vendeve veriore, ku vajzat me patentë për këtë punë sfidojnë vështrimet e kalimtarëve teksa rrinë në të ngrohtë, meqë klima e atjeshme nuk të lejon të rrish lakuriq përjashta ? Vithet e Erikës, që binin, pra, tmerrësisht në sy, m'i asgjësuan gjithë mendimet. U zhyta kështu në atë përzierje gëzimi e frike që përbën mrekullinë e seksit. Pa duruar që të shihja edhe diçka tjetër, shtyva derën aty pranë dhe u gjenda në prani të një mase mbresëlënëse prej mishi e veshjeje të mjegullt që u çel diku sipër me një buzëqeshje si ajo e Kronosit në çastin kur do të shqyente fëmijët e vet. Atëherë, e pata të vështirë hem të ecja përpara, hem të zbythesha. Isha paralizuar. Ajo u bë e ëmbël, uli perden, më përshëndeti siç e kërkonin rrethanat dhe, pa këmbëngulur ta paguaja që përpara siç e do zakoni, më gllabëroi me bollëkun e sisëve të saj. Në fillim, pandeha se po mbytesha. U rreka t'i shpëtoja shtrëngimit të saj, ndonëse ndihesha fajtor që isha futur atje pa u menduar mirë. Ia arrita t'u rrëshqisja atyre krahëve të fuqishëm dhe një minutë më vonë, pasi u përmenda, e pashë veten të ulur në buzë të një shtrati, me pantallonat e mbledhura shuk tek këpucët, ndërsa ajo femër e paformë kishte rënë në gjunjë e mundohej ta gjallëronte seksin tim që, në pikë të hallit, nuk arriti t'i bindej. Nga zemërgjerësia apo ngaqë i vinte rëndë, ajo nuk pranoi ta merrte kartëmonedhën që i zgjata me një ndjenjë turpi, por më shtyu ashpër në drejtim të portës....