Re: Tennis!!!
Kurse ky shkrim eshte botuar tek Panorama e sotme.
Tonig
13-vjeçarja nuk gjen asnjë lloj mbështetje nga shteti
Shqipëria i kthen shpinën tenistes Daniela Islamaj
Daniela Islamaj nuk ka gjetur deri tani asnjë lloj mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Shqipëri si dhe asnjë sponsorizues shqiptar.
Biznesi gjerman ia ka shtruar rrugën e saj me dafina të arta, nëse ajo pranon të luajë për Gjermaninë, duke i dërguar asaj vazhdimisht oferta dhe kontrata të majme, që do t'i sigurojnë Danielës një të ardhme të sigurtë në majën e tenisit botëror. Por, Daniela së bashku me babanë e saj Martin Islamaj, që është dhe njëkohësisht trajneri i saj, nuk i kanë pranuar këto oferta, duke i refuzuar ato vazhdimisht, sepse pranojnë të luajne vetëm me ngjyrat e atdheut të tyre.
Çfarë ka ndodhur?
Krenaria shqiptare dhe patriotizmi i familjes Islamaj ka triumfuar deri tani mbi smirën monetare të ofruar nga të huajt, duke pasur shpresën se do të kenë mbështetje shqiptare. Por, në Shqipëri flejnë duke mos ditur se çfarë ndodhi përtej hundës së tyre. Nga Olimpiku shqiptar nuk ka ardhur asnjë lloj mbështetje për stërvitjen dhe të ardhmen e Danielës në sportin mjaft të kushtueshëm të tenisit, që së bashku me golfin dhe hipizmin, konsiderohen si "Sporte pasanikësh", mbasi ushtrimi dhe aktivizimi në këtë sport (dhe vetëkuptohet edhe fitimet), i bëjnë si me të shtrenjtit në botën sportive. Dhe kjo, aq më tepër për tenisin, mbasi ai mbetet si sporti vetjak më reklamues dhe më i vështirë mbasi në të, ndryshe nga sporte inviduale të tjera si boksi, atletika, peshëngritja etj., ai nuk është i ndarë në shumë kategori, por në të marrin pjesë të gjithë në një kategori të vetme dhe më i miri është realisht më i miri i të gjithë sportistëve në botë që ushtrojnë tenisin. Vendi i parë do të thoshte të jesh në krye të elitës më të mirë të zgjedhur nga qindra miliona teniste në mbarë botën. Dhe vajza shqiptare, Daniela Islamaj, është futur në këtë elitë, duke zënë deri pak më parë vendin e 23-të në Botë për moshën e saj U-14 dhe vendin e parë në Gjermani. Suksesi i saj është një mrekulli e vërtetë, duke marrë parasysh se ajo ka arritur deri këtu me forcat dhe mbështetjen vetëm të familjes së vet dhe në mënyrë të veçantë të babait të saj, që luan dhe rolin e trajnerit për të.
Mungesa e sponsorit
Por, me sa duket, kjo mrekulli do të mbesë për ne vetëm për një kohë të shkurtër, mbasi e ardhmja e saj në këtë sport kërkon një investim financiar, që është i papërballueshëm për familjen e saj. Zgjidhja e vetme është ajo që ka ngjarë në rininë e tyre me të gjithë sportistët e njohur botërorë: Sponsorizimi i tyre nga afaristë, ose nga shteti, për të cilin luajnë. Afaristë, kompani të ndryshme gjermane dhe Federata gjermane i janë gjendur pranë Danielës, me kontrata të ndryshme sponsorizuese, por që në thelb ato kanë një kusht të përbashkët: përfaqësimin nën ngjyrat gjermane. Kjo bëhet për arsye sepse produkti, që do të reklamojë Daniela, do të shitet në Gjermani dhe nëse Daniela luan për ndonjë përfaqësuese tjetër, ajo nuk është dhe aq e njohur dhe interesante sa duhet për publikun dhe konsumatorin gjerman.
Sponsorizimet nga Shqipëria
Nga atdheu i saj Shqipëria, nuk ka ardhur pothuajse asnjë përgjigje serioze pozitive, lidhur me mbështetjen e saj, deri sa ajo të eci me këmbët e veta. Në verën e kaluar, Daniela së bashku me babanë e saj Martinin ishin në Shqipëri në një vizitë pushuese si dhe për të bindur sponsorizuesit e saj të mundshëm, se investimi i tyre në karrierën e saj do të jetë shumë fitimprurëse për ata vetë si dhe për prezantimin e Shqipërisë nga ana e saj e mirë. Martini shkoi edhe në Ministrinë e Kulturës dhe të Sporteve për të kërkuar një bursë për Danielën, por përveç premtimeve boshe nuk mori asgjë me vete. E njëjta gjë ndodhi edhe me disa afaristë shqiptarë, nga të cilët, me gjithë pasurinë e pamasë të tyre, askush nuk afroi seriozisht bashkëpunimin e tij, ndonëse ajo do të ishte si një kokërr rëre në një plazh, duke pasur parasysh shumën qesharake që i nevojitet Danielës në krahasim me mundësitë që do të mund të ofronin ata. Dhe të mos harrojmë se në Shqipëri, ashtu dhe si në shumë vende evropiane ekziston një ligj për sponsorizimet e sportistëve shqiptarë të talentuar, ku në bazë të tij, shuma e ofruar nga sponsorizuesi hiqet nga taksa financiare që ai i paguan shtetit shqiptar. Pra, çdo lloj mbështetje për Danielën nuk do të hiqej nga fitimi i sponsorizuesit, por nga ajo që ai ka paguar më parë ndaj shtetit.
Oferta e fundit
Kohët e fundit, Danielës i është paraqitur dhe mundësia që ofron një miliarder nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili nën ndjenjën e patriotizmit për vendin e tij, i ka bërë një ofertë "përrallore" disa tenisteve të reja të talentuara, të huaja, që të përfaqësojnë në tenis vendin e tij arab, me qëllim që tenisi të bëhet akoma më i njohur midis rinisë arabe. Dhe kjo, jo më kot, mbasi dihet se sporti i tenisit dhe yjet e saj janë dhe yjet e reklamimit dhe të medias, si dhe asaj që quhet "Shoubiznes". Kështu, në realitet çdo qindarkë e hedhur për finacimin e këtyre sportistëve të talentuar do të kthehet njëmijëfish nga reklamimi që ata do t'i bëjnë vendit të tyre në mbarë botën dhe gjithashtu produketeve të ndryshme të biznesit të tyre.
Neglizhenca
Por, me sa duket, Shqipëria në këtë fushë tepër të rendësishme të zhvillimit, jo vetëm nuk bën pjesë në Evropë, por ndodhet diku mbas vendeve të treta, të cilat edhe ato po bëjnë të gjitha përpjekjet që, duke shfrytëzuar dhe sportin të rrisin nivelin e tyre ekonomik dhe kulturor. Mosmbështetja e Danielës nga Shqipëria (përfshirë shtetin dhe financierët shqiptarë), do ta detyrojnë këtë vajzë të talentuar dhe familjen e saj që të pranojnë një nga ofertat e huaja, që i afrohen asaj vazhdimisht. Ata do të pranojnë jo dhe aq për fitimet kolosale monetare, por më tepër për të siguruar të ardhmen e suksesshme të Danielës në një sport, ku vetëm njëri është në krye dhe të gjithë të tjerët renditen poshtë tij.
Flet i ati i tenistes shqiptare mbi ofertat e ardhura
E ardhmja e Danielës? E pasigurtë
"E ardhmja e Danilës është e pasigurtë, sepse ajo është nën presionin e vazhdueshëm të ofertave që vijnë në adresë të saj". Kështu është prononcuar i ati i tenistes më të talentuar shqiptare, Daniela Islamaj, që rrezikon konkurrim në turne të ndryshme nën flamuj të vendeve të tjera. "Kjo temë është shumë aktuale, prandaj nuk dëshiroj që ta komentoj gjatë, deklaron Martini, i ati i Danielës. Vetëm kaq: emri i Danielës është në krye të një liste junioresh, të zgjedhur për të kontribuar për zhvillimin e sportit të tenisit në njërin nga shtetet e vogla, por shumë të pasura arabe, të Gjirit Persik. Asaj i ofrohen kushte përrallore. E tërë kjo situatë është tepër shqetësuese për familjen Islamaj dhe duhet gjetur një zgjidhje imediate. "Një temë tepër delikate, por dhe një shans, që nuk të vjen për herë të dytë, vijon rrëfimin i ati i tenistes. Është një trill i një personi të vetëm, që dëshrion të bëjë diçka më shumë për rininë e vendit të tij. Na ka shkaktuar disa netë pa gjumë, pa mundur ta zgjidhim dilemën. Vetëm për një gjë më vjen keq: pse ky të mos jetë një shqiptar". Një shqetësim ai i Martin Islamajt, që i shtohet dhe ai i shkollimit të Danielës, që tashëmë është kthyer thuajse me korrespondencë. "Janë një sërë faktorësh, të cilët funksionojnë vetëm nëse janë të lidhur me njëri-tjetrin, nënvizon Martini, që Daniela të stërvitet gjatë gjithë ditës, ajo duhet të kalojë në një shkollë me korrespondencë. Ne edhe tani i filmojmë pothuaj të gjitha seancat stërvitore si dhe ndeshjet e Danielës dhe i analizojmë më vonë, gjë që përbën pjesën teorike të përgatitjes taktike". Një gazetar në Gjermani e ka ngacmuar të atin e Danielës me një pyetje rreth Shqipërisë, se "pse ngulni këmbë që Daniela të luajë për Shqipërinë? Tenisi është një sport internacional dhe për të do të ishte më e lehtë po të përfaqësonte Gjermaninë". Martini nuk bie pre e pyetjes dhe përgjigjet me të njëjtën monedhë: "Ndarja fizike nuk do të thotë patjetër edhe ndërprerje e lidhjeve shpirtërore me atë që ke lënë pas. Duke ndjekur ndryshimet që ndodhin në Shqipëri, unë e ndiej si detyrë morale që secili prej nesh duhet të kontribuojë në mënyren e vet që ky vend të përparojë".