Re: SUPER SQUADRAT - HOLLANDA + AJAX
Lojtarët e Advokatit kanë diskutuar për mosmarrëveshjet e fundit ndërmjet Van Nistëlroit dhe Davidsit
Holanda, problemet e brendshme drejt fundit
Dik Advokat, trajneri i Holandës, shpreson që qartësimi i situatës në kampin holandez do t'i sigurojë skuadrës së tij kualifikimin direkt për në kampionatin evropian të vitit 2004, që do të luhet në Portugali. Fushata eliminatore e "portokallinjve" në Euro '96-n u penalizua nga një luftë e brendshme dhe duket se edhe kjo fazë do të ndjekë të njëjtën rrugë nëse mosmarrëveshjet që kanë lindur kohët e fundit ndërmjet lojtarëve nuk do të zgjidhen. Mesfushori i Juventusit Edgar Davids dhe sulmuesi i Mançester Junajtid Rud van Nistëlroi janë përfshirë në një konflikt gjatë një seance stërvitore, ndërkohë që dihet mirë se problemet e brendshme janë gjithmonë shkaktare të dështimeve të një skuadre. Advokati është i vendosur për t'i eliminuar këto shqetësime dhe ka marrë masa për ta lehtësuar situatën në përpjekjet për ta udhëhequr skuadrën e tij drejt Portugalisë. "Unë kam lojtarët më të mirë në Evropë, por ata nuk tregojnë dëshirë për t'i pranuar shokët e tyre ashtu siç janë,- tha Advokati.- Ata janë lojtarë të mëdhenj, që luajnë për klubet më të fuqishme të Evropës. Por edhe lojtarët e mëdhenj duhet të jenë në gjendje të krijojnë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin pa shkaktuar probleme." Advokati nuk pranoi të fliste direkt për Davidsin apo Patrik Klajvertin. "Nuk dua ta bëj një gjë të tillë,- tha ai.- Lojtarët nuk kanë luajtur mirë dhe mendoj se ata duhet të veprojnë si ekip dhe jo si individë. Mënyra sesi trajtohet Klajverti në Holandë është skandaloze. Unë do të vazhdoj të mbështetem tek ai. Klajverti është një golashënues i shkëlqyer dhe unë e respektoj shumë. Davidsi ka një karakter tjetër, por ai bën një punë të shkëlqyer në fushën e lojës." Advokati beson se gjithçka do të zgjidhet pa pasoja, pasi vetë lojtarët kanë organizuar një takim privat me iniciativën e tyre për të ulur tensionin. "Lojtarët kanë vendosur të mblidhen për të diskutuar në lidhje me problemet e brendshme,- tha Advokati.- Ata më siguruan se këto bisedime kanë shkuar shumë mirë. Shpresoj që të mos kemi më probleme të tilla. Tani duhet të mendojmë vetëm për ndeshje vendimtare ndaj Çekisë." Holanda, që mungoi në botërorin e kaluar, ndan kreun e grupit 3 me 16 pikë, po aq sa edhe Çekia, që ka golaverazh më të mirë. Të dyja skuadrat do të përballen të mërkurën në Pragë për të vendosur se kush do të kualifikohet direkt në Euro 2004. Si Holanda ashtu dhe Çekia arritën nga një fitore bindëse me rezultatin 3-1, respektivisht ndaj Austrisë dhe Bjellorusisë. Advokati ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij dhe u shpreh edhe në lidhje me zgjedhjet e tij taktike në ndeshjen ndaj Austrisë. "Vendosa ta aktivizoj Overmarsin, sepse ai ushtron shumë presion ndaj kundërshtarëve me sulmet e tij nga krahu i majtë,- tha Advokati.- Në minutat e para të pjesës së dytë ne luajtëm mirë, por na mungoi aftësia për ta mbyllur ndeshjen më herët. Por kjo nuk është mënyra që do të përdorim ndaj çekëve. Katër sulmues dhe Van der Varti si mesfushor i avancuar, do të ishte shumë e rrezikshme ndaj Çekisë. Skema për ndeshjen e së mërkurës do të jetë e ndryshme dhe, si rrjedhim, edhe emrat e lojtarëve do të ndryshojnë."
F.P.