Re: Sporti Shkodran ( Vllaznia )
Portieri i të kuqve, Blendi Nallbani, thekson se në ballafaqimin e sotëm do të fitojë ekipi më i mirë
Nallbani: Kualifikimi nuk njeh fushë
Në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" do të luhet njëra nga ndeshjet më të forta të çifteve çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, ajo midis Partizanit dhe Vllaznisë. "Deri tani kemi treguar se jemi më të fortë se shkodranët,"- u shpreh kapiteni i të kuqve, Blendi Nallbani, i cili theksoi më pas: "Gjatë këtij sezoni jemi ndeshur plot tri herë me shkodranët dhe në asnjë takim nuk kemi luajtur dobët. Përkundrazi, ndaj Vllaznisë kemi zhvilluar ndeshjet më të bukura dhe kemi marrë vetëm rezultate pozitive. Pozitiv, mbi të gjitha, ka qenë fakti se është zhvilluar futboll me të vërtetë cilësor, ku nuk ka munguar spektakli në fushë nga të dyja skuadrat. Vllaznia ka lojtarë mjaft cilësorë, të cilët kanë formuar një ekip shumë të fortë. Në takimin e parë të kupës, ne luajtëm më mirë se kundërshtari, por nuk shënuam dot në portën e tij, kështu që nuk shkuam më shumë se barazimi pa gola. Kësisoj, unë parashikoj një ndeshje të hapur midis dy ekipeve, të cilat do të kërkojnë medoemos kualifikimin. Kupën e pretendojmë si ne, ashtu edhe Vllaznia, prandaj nuk është quajtur më kot kjo ndeshje një finale e parakohshme," - vijoi më tej portieri i Partizanit. Më pas, Nallbani shtoi se ekipi i tij do të bëjë të pamundurën që të arrijë synimin që ka në kupë, pasi tifozët presin me padurim kualifikimin e Partizanit. "Kemi kaq kohë që mendojmë për ndeshjen e kthimit me shkodranët, saqë para takimit të fundit të kampionatit, kundër Besëlidhjes, nuk e kishim mendjen fare tek ekipi lezhjan. Tifozët duan kualifikimin tonë, prandaj do të bëjmë të pamundurën që t'ia arrijmë qëllimit. Siç e theksova më lart, deri tani nuk kemi humbur asnjë ndeshje me Vllazninë, kështu që sot nuk kemi pse të bëjmë të kundërtën," - vazhdoi më pas Nallbani. Portieri i mirënjohur i të kuqve nuk e bazon kualifikimin e Partizanit te faktori-fushë, pasi, sipas tij, Partizani dhe Vllaznia janë ekipe që nuk njohin fushë të huaj: "Kur kemi luajtur në Shkodër, kemi qenë si në shtëpinë tonë, pasi atje të lënë të luash futboll. Rezultatet e arritura në "Loro Boriçi" apo në "Qemal Stafa", para disa ditësh në Tiranë, nuk kanë pasur lidhje fare me fushën, por kanë ardhur si pasojë e lojës. Kështu që edhe në ballafaqimin e sotëm, Partizani do të fitojë me Vllaznisë, vetëm nëse është më i fortë, jo ngaqë fusha është anë pozitive për të arritur fitoren," - shtoi ai. Në fund të fjalëve të tij, Nallbani foli edhe për mundësinë e kualifikimit. "Nuk besoj se do të jetë e lehtë si në ndeshjen e kampionatit, para disa ditësh, pasi do të ndikojë edhe ana psikologjike e rezultatit të parë. Shkodranët do të kërkojnë të shënojnë në portën tonë, pasi kjo do t'ua lehtësonte mjaft punën, por, nga ana tjetër, edhe ne jemi të përgatitur për të mos i lejuar të depërtojnë në portën tonë. Deri tani, në tri ndeshje, ata kanë shënuar vetëm një gol, çka do të thotë se ne jemi më të favorizuar për ta kaluar turin," - e përfundoi komentin e tij Blendi Nallbani.
Aranit MURAÇI
Merkoçi-Hallaçi, ose dyshja e vitrinës
Nga ndeshja e kontrollit është parë se Partizani, përveç kapitenit Nallbani në portë, do të luajë me katër mbrojtës. Behari, Daiu, Ndreka dhe Sheta do të jenë lojtarët që do të mbajnë larg zonës sulmuesit e Vllaznisë. Para tyre, në rolin e shkatërruesit, pritet të luajë Beqiri, i cili do të ketë përpara në mesfushë Dhëmbin, Zheraldinjon dhe Hallaçin. Sulmi do të mbështetet nga dyshja e zakonshme tashmë, Karioka- Merkoçi. Këta janë lojtarët e testuar nga Bajko, që pritet të dalin sot në fushë në sfidën më interesante dhe më të fortë të ndeshjeve të kthimit për Kupën e Shqipërisë.
Partizani, regjim në "Chateau Linza"
Dje paradite, ekipi i Partizanit ka bërë vetëm një seancë të shkurtër stërvitore në kompleksin e vet sportiv, ndërsa më pas, me autobusin e klubit, lojtarët dhe drejtuesit e kuq janë nisur në drejtim të periferisë së Tiranës, ku janë sistemuar në hotelin e njohur "Chateau Linza". Sipas drejtuesve të klubit të kuq, në mjediset e hotelit ekipi ka bërë edhe një seancë tjetër stërvitore. Në "Chateau Linza", të kuqtë do të qëndrojnë edhe sot paradite dhe vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes kundër Vllaznisë do t'i drejtohen stadiumit "Qemal Stafa", ku do të zhvillohet edhe sfida e madhe.
Të kuqtë "qepin" gojën
Me gjithë kontestimin dhe kërkesën e Partizanit për një gjyqtar tjetër, drejtuesit e FSHF-së nuk kanë marrë asnjë masë, duke e lënë emrin e Velçanit të palëvizur. Pas kësaj, reagimi i të kuqve ka qenë më i butë. Ata kanë theksuar se po përgatiten për ndeshjen e kupës, ndërsa për gjykimin thanë se kanë marrë garancinë për një gjykim të mirë, prandaj do të dalin sot në fushë edhe me Velçanin.
A.M
Sulmuesi i kuqebluve kërkon të shfaqet si duhet në takimin e kthimit për kupë
Bejzade: Premtoj një gol ndaj Partizanit
Një prej pikave më të forta të Vllaznisë, sulmuesi Skerdi Bejzade, ka besim se në takimin e sotëm ndaj Partizanit do të arrijë të shënojë. Deklaratën në fjalë, futbollisti e ka bërë teksa kuqeblutë vazhdonin përgatitjet e fundit për këtë takim. Në fjalët e tij dukej qartë optimizmi për një kualifikim të skuadrës shkodrane, megjithatë, tashmë mbetet për t'u parë sesi do të luajë ajo në fushën e blertë të "Qemal Stafës". "E parandiej që ndaj Partizanit do të shënoj gol. Për këtë kam shumë besim, për të ndihmuar Vllazninë në rrugën drejt kualifikimit,"- thotë për "Sportin shqiptar" Bejzade. Lojtari në fjalë po stërvitet me mjaft preokupim, si një profesionist i vërtetë, duke hedhur poshtë aludimet për veprime që thyejnë disiplinën në skuadër, siç mund të jetë shkruar këto ditë. Të qenit pjesëtar i ekipit shkodran ia ka bërë disi të vështirë jetën larg familjes, por ai asnjëherë nuk është ankuar për këtë gjë, por ka vazhduar punën. Fazën e dytë, futbollisti i ardhur nga kryeqyteti nuk e ka nisur ashtu siç e përfundoi të parën, ndoshta edhe nga ecuria jo e mirë e Vllaznisë gjatë këtyre javëve. Në 5 javë kampionat ka arritur të shënojë vetëm një gol, atë ndaj Dinamos, dhe tani ndodhet në vendin e dytë të renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit. Ndaj Bylisit, të shtunën, Skerdi nuk ka shënuar, si për të thënë se golin do ta ruajë për sot. Megjithatë, takimi me Partizanin pritet të jetë shumë i vështirë. Tekniku Ramadan Shehu, debutimin e tij në stolin shkodran e ka pasur në takimin e kampionatit mes këtyre 2 ekipeve, takim që u fitua 3-1 nga të kuqtë e Bajkos. Nga ky ballafaqim, natyrshëm Shehu duhet të ketë nxjerrë mësimet e veta, të cilat duhet t'i vërë sot në zbatim. Ndonëse në fjalët e para është shprehur se formacionin nuk do tëketë shumë ndryshime sot, ajo çka mësohet është se priten lëvizje në formacion. Shehu është në dilemë, për stoperët që do të vendosë para Beqirit, për ndonjë pozicion në repartin e mesfushës, pse jo edhe në sulm. Te ky i fundit, Bejzade ka marrë përsipër të realizojë në portën e Nallbanit, por pritet sesi do të realizohet kjo prognozë e tij. Vllaznia nuk është ende në ditët e saj më të mira, kjo tashmë kuptohet nga të gjithë. Më e rëndësishme për të është që nga kjo gjendje të dalë gradualisht. Pas suksesit në Fier, kualifikimi i sotëm do ishte "ilaçi" më i mirë për kuqeblutë, ngaqë edhe shorti në vazhdim është shumë i përshtatshëm.
Gjergj Kola
Kaçi: Ndihem mirë atje ku më vë trajneri
Të shtunën që kaloi, shtatshkurtri mjaft teknik ka hapur e mbyllur serinë e 5 golave, që Vllaznia shënoi në portën e mallakastriotëve. Kaçi duket mjaft i kënaqur që po e gjen me lehtësi rrugën e rrjetës, aq më tepër që duket se po mban edhe premtimin e dhënë në fundin e fazës së parë, kur pati thënë: "Personalisht, nuk jam i kënaqur me golat e shënuar gjatë fazës së parë (vetëm dy të tillë) dhe premtoj se fazën tjetër do të shënoj më tepër, ndonëse nuk jam sulmues i mirëfilltë." Në të vërtetë, 6 golat e Kaçit (2 më pak se golashënuesit më i mirë i kampionatit), aq më tepër që nuk ka luajtur në të gjitha ndeshjet, tregojnë më së miri aftësitë e tij nuhatëse ndaj portave kundërshtare, pavarësisht nga pozicioni ku luan në fushë. Lidhur me këtë të fundit, vetë lojtari nuk ka dëshirë t'i komentojë zgjedhjet e trajnerit, por mjaftohet duke thënë se bën atë që i kërkohet. "Pozicioni im në fushë është i ndryshëm, herë si mesfushor i majtë, herë edhe i djathtë, por shpesh edhe në sulm. Jam përpjekur të bëj gjithmonë më të mirën, duke dhënë maksimumin në fushën e lojës, pavarësisht se ku luaj. Nuk më pëlqen t'i kundërshtoj vendimet e trajnerit, pasi ashtu i mendon ai gjërat, dhe ne, si futbollistë, duhet të zbatojmë vetëm detyrat që na ngarkohen,"- ka thënë më tej lojtari me numër 11 i formacionit shkodran. Kampionatin e kaluar, Albert Kaçi shënoi 8 gola, duke u renditur i dyti, pas kapitenit Sinani, për ekipin shkodran. Kur kanë mbetur edhe 8 javë kampionat, duket se ai do ta thyejë "rekordin" e tij personal, për sa u përket golave të shënuar, çka do të vërtetonte edhe rritjen e tij si futbollist, në krahasim me një vit më parë. E ndërsa folëm për golat, Kaçi duket se mendjen e ka te ndeshja e sotme me Partizanin. Një kualifikim i mundshëm ndaj të kuqve do ta lehtësonte shumë atë dhe shokët e tij të ekipit në rrugën e mëtejshme të sezonit. "Nuk ma merr mendja se është e rëndësishme nëse shënoj apo jo ndaj Partizanit. Rëndësi ka që të shënojë dikush, sulmues, mbrojtës apo mesfushor qoftë ai, pse jo edhe portieri Grima, vetëm e vetëm që të kualifikohemi, për të mos e çuar dëm këtë sezon, në të cilin kemi bërë shumë gabime,"- thotë mesfushori i Vllaznisë, Albert Kaçi.
Gjergj Kola
www.sportishqiptar.com.al