Re: Shprehje te bukura dashurie
Ja një shprehje e dashurisë sime për N., një përkthim i një elegjie të poetit të madh gjerman Hölderlin, <span style="font-style: italic">Menon duke qarë Diotimën</span>, ku Diotima është emri që Hölderlin i pati vënë së dashurës së vet Suzette, e martuar me katër fëmijë, gjatë qëndrimit të vet në Francë.
1.
Çdo ditë unë iki nga këtu, duke kërkuar gjithmonë një tjetër udhë,
Dhe kam provuar qysh atëherë të gjitha rrugët ;
Atje lart vështroj freskinë e majave, dhe hijet,
Dhe burimet ; mendja endet lart e poshtë
Duke kërkuar paqen : siç bisha e plagosur në pyjet
Ku strehohej dikur hija e mesditës ;
Por strofkulla e gjelbër nuk e qetëson më zemrën e tij,
Ai rënkon, pa gjumë, ku heshta e përndjek ;
Asnjë shpëtim nga nata e freskët, nga drita e ngrohtë,
E në ujërat e lumit ai lan më kot plagët e tij.
Dhe ashtu siç më kot toka i ofron të mirat e saj,
Që asnjë frymë nuk qetëson vlimin e gjakut,
A do të ndodh kështu me mua, të dashurit e mi, dhe askush
Që nga balli im nuk largon këtë ëndërr të zezë ?
2.
Natyrisht, ai nuk shërben për asgjë, zota të vdekjes! kur më në fund
Ju e mbani atë, njeriun e zbutur, ndërmjet kthetrave tuaja,
Kur ju e keni, mizorë, çuar në natën e tmerrshme,
Për të kërkuar, rënkuar apo ju sharë ;
As dhe për të duruar qetësisht ikjen e frikshme
Dhe me buzëqeshje këngën tuaj të zezë !
Nëse duhet, hiq dorë për t'u shëruar, dhe fli më mirë pa zhurmë!
Ndonëse mbetet një shpresë në mua, kokëfortë,
Ti nuk mundesh akoma, o shpirti im, jo, akoma
Të kthehesh mbrapsht, ti ëndërron në gjumin më të ftohtë !
Asnjë festë... e megjithatë do të doja të zbukuroja ballin tim :
A nuk jam pra vetëm ? Duhet që nga mjaft larg
Të më ketë ardhur një shenjë, dhe duhet të buzëqesh, i befasuar,
Për t'u ndjerë kështu i plotësuar në dhimbje.
3.
Dritë e dashurisë ! a ndriçon ti dhe të vdekurit ?
Shenja të një kohe më të mirë, a shndrisni ju në natën time ?
Jini, kopshte të hijshme, dhe ju, male të purpurta,
Të mirëseardhur, dhe ju, udhë memece të drurëve,
Dëshmitarë të një lumturie të tillë, dhe ju yje sovrane
Vështrimet e të cilëve më kanë kaq herë bekuar!
Dhe ju, të dashuruar gjithashtu, o fëmijë të bukur të ditës së majit,
Trëndafila të qetë, dhe ju, zambakë, që aq herë ju kam lavdëruar !
Dihet, pranverat shkojnë, një vit dëbon tjetrin,
Duke u ndërruar, duke luftuar, kështu kalon koha në stuhi
Përsipër të vdekshmëve, por jo për sytë e lumtur,
Dhe të dashuruarve një jetë tjetër u është dhënë.
Sepse ditët, vitet e yjeve, të gjitha ishin, Diotima !
Përreth nesh përjetësisht të mbledhura.
4.
Por ne, të qetë së bashku, si dhe mjellmat e dashuruara
Që prehen mbi liqen apo, duke u përkundur,
Shikojnë ne ujërat pasqyrimin e argjendtë të reve,
Dhe eteri blu ecën përposhtë barkut të tyre,
Kështu ecnim ne mbi tokë. Armiku i të dashuruarve,
Era qaramane e veriut frynte, dhe gjethet
Binin nga degët përmes rrëkeve të shiut,
Ne mbeteshim të qetë, duke e ditur zotin krejt të afërt
Përmes fjalëve të sigurta ; shpirtrat në një këngë të vetme të lidhur,
Të vetëm, të dhënë në paqen fëminore të lumtur.
Tani shtëpia më është një shkretinë, dhe ato më kanë marrë
Sytë e mi, dhe me të jam unë ai që kam humbur.
Ja përse unë endem kështu, dhe padyshim do të duhet të jetoj
I tillë siç një hije, dhe asgje për mua nuk ka më kuptim.
5.
Ah ! do të doja të festoja, por çfarë ? dhe të këndoja me të tjerë,
Sepse, kështu i vetmuar, hyjnorja n'a duhet.
I tillë është, i tillë është krimi im, e di, ja përse
Jam i mallkuar, i thyer mezi i ngritur,
Dhe rri me ditë të tëra i heshtur si një fëmijë, palëvizur,
Mezi qaj akoma me lotë të ftohtë
Dhe mezi lulet e fushave më prekin, klithmat e zogjve
Që janë gjithashtu, me gëzim, lajmëtarët e qiellit ;
Por në zemrën time të akullt, dielli që jep jetë
Fiket i kotë, siç rrezet e natës,
Mjerisht ! dhe i zbrazët, dhe asgjë siç mure burgu, qielli,
Është mbi shpatullat e mia një peshë që i kërrus.
6.
Ti që të kam njohur tjetër, o Rini, a ka lutje
Të të risjell, dhe shteg që tek ty afron ?
Do të jetë vallë me mua siç me të pafetë, dikur,
Që, ngaqë qenë ulur në tavolinat e fatlumtura,
Sytë xixëllues, të ftuar të dehur, shpejt të ngopur,
Kanë heshtur tani dhe nën këngën e ajrit,
Nën tokën e lulëzuar tani flenë, deri ditën
Ku këta të ikur, një mrekulli t'i shtrëngojë
Për t'u rikthyer të shkelin akoma dhe një herë tokën e gjelbëruar ?
Një frymë hyjnore freskon figurën e qartë
Kur festa ndizet dhe vala e dashurisë drithëron,
Që, i ushqyer nga qielli, lumi i gjallë gjëmon,
Që bubullon nga larg dhe që nata sjell thesaret e saj,
Dhe që në thellësi të përrenjve i mbuluar, ari ndriçon.
7.
Por ti që më tregoje në kryqëzim, atëherë tashmë,
Ngushëlluese, kur unë errësohesha, bukuri më e lartë,
Ti që më ke mësuar, frymëzuese, të shoh gjëra të mëdha
Dhe, siç ato i qetë, të këndoj më hareshëm zotat,
Më kthehesh ti, bijë e tyre, më pranon ti siç dikur,
Më mëson ti, siç dikur, mësimin më të pastër ?
Shih ! përpara teje nuk di tjetër veçse të ankohem, edhe pse
Duke menduar ndaj atyre ditëve më fisnike, shpirti ka turp.
Aq gjatë në fakt mbi udhët e lodhura të tokës,
Tepër i mësuar me ty, unë të kam kërkuar,
Rojtare e lumtur ! por më kot, dhe vite kanë ikur,
Qysh prej atyre mbrëmjeve ku gëzimi mbarte pritjen tonë.
8.
Ty vetëm, drita jote, engjëll ! të ruan në dritë,
Dhe durimi yt, o heroinë, të mban gjallë !
Ti nuk je as vetëm : mjaft shoqe të mbeten
Ku ti prehesh midis trëndafilave të vitit ;
Dhe vetë Ati, në hukamën e butë të Muzave,
Të ruan për përkundëset e frymave të ngrohta.
Është ajo akoma e paprekur ! E shoh, të heshtur,
Athinasen të vijë tek unë siç dikur !
E ashtu siç rrezja jote, e dalur nga balli i menduar,
Mendje e duhur, sigurisht bekon të vdekshmit,
Ti dëshmon, dhe them me vete për që të shkojë t'ua rithem
Të tjerëve, ngaqë ato nuk më besojnë jo më tepër,
Që gëzimi është, më shumë se merak dhe zemërim, i pavdekshëm,
Dhe që një ditë e artë kurorëzon akoma çdo ditë ?
9.
Kështu do të falenderoj unë, o banorë të Qiellit ! Më në fund
Kënduesi lutet me një shpirt më të lehtë.
Dhe siç dielli i lartësive, me të, dikur,
Një Zot nga thellësia e tempullit flet, dhe më jep jetë.
Do të jetoj pra ! tashmë e gjelbëra duket ! Siç një lirë,
Thërrasin malet e argjendta të Apollonit !
Eja ! qe veçse një ëndërr ! dhe tashmë flatrat e plagosura
Shërohen, dhe të gjitha shpresat rilindin.
Shumë gjëra të mëdha n'a presin akoma, dhe kush
Deshi kështu mund të ngjitet vetëm drejt zotave.
N'a shoqëroni pra, o orë të shenjta, o orë
Të reja të rënda, prisni, parandjenja hyjnore,
Pranë nesh, lutje të ndjera, dhe ju të zjarrtë, dhe ju
Gjeni të mirë që pranë të dashuruarve ju pëlqeni:
Qëndroni me ne deri ditën ku, mbi një tokë të përbashkët,
Aty ku Fatlumturit janë gati për të rizbritur,
Ku janë shqiponjat, yjet, lajmësit e Atit,
Ku janë Muzat, nga ku heronj dhe të dashuruar vijnë,
Ne do të gjendemi, ose mbi ishullin e trëndafiltë
Ku të tonët më në fund në kopshtet të lulëzojnë ;
Ku këngët thonë të vërtetën, ku bukuria e pranverave zgjat,
Ku për shpirtin tonë një tjetër vit akoma hapet.
My dear, I LOVE YOU