Shqipëria është lodhur – prej liderëve
REXHEP QOSJA
Liderizmi dhe komunizmi
Mjafton të bisedosh me tiranas, të lexosh gazeta, të dëgjosh radio e të shikosh televizione për t’u bindur se Shqipëria është lodhur – prej liderizmit të liderëve. E kuptueshme. Liderizmi ishte karakteristikë e totalitarizmit. Komunizmi ishte prodhues i liderizmit. Partitë komuniste ishin parti lideriste. Komunizmi mbahej me karizmën e liderëve, me dhunën e policisë së fshehtë dhe me shërbimet ideologjike të intelektualëve, filozofëve, shkrimtarëve e besnikëve të tjerë. Komunizmi kaloi, por liderizmi mbeti, si dhuratë e tij danaike për demokracitë e ardhshme! Liderizmi mbeti sepse me komunizmin si sistem dhe si ideologji nuk u përmbys edhe mentaliteti komunist. Dhe, atje ku ky mentalitet u ngjiz me mentalitetin patriarkal, liderizmi mori trajta të reja, kur e kur të papara më parë. Liderizmi mbeti, përpos të tjerash, edhe sepse në pushtetin paskomunist, në të shumtën e rasteve, u ngjitën nxënësi, nëpunësi, krijuesi komunist – ish -infrastruktura profesionale dhe intelektuale e komunizmit. Shpresuam se demokracia do të na kursejë nga liderizmi. Shpresuam kot! Shpresat, shpesh të kota, e shënojnë jetën tonë politike që nga krijimi i Shqipërisë. Sot kemi shumë liderë. Sidomos liderë që vuajnë nga liderizmi. Liderë që me çdo kusht dhe deri në vdekje duan të jenë liderë: në krye të partisë! Liderë partiakë-shtetërorë. Liderë shtetërorë edhe kur ende nuk ke shtet – si në Kosovë! Liderë partiakë edhe kur partia nuk ka organe udhëheqëse – si Lidhja Demokratike e Kosovës. Liderë letrarë! Liderë me nga një a dy truproja dhe liderë me nga shtatë truproja! Liderë me shumë truproja dhe me shërbimin personal sekret! Liderë me vetura të zakonshme dhe liderë me shevroletë, mercedesë e xhipa pas tyre! Liderë që kushtojnë lirë dhe liderë që i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë. Liderë që kushtojnë më shtrenjtë në Kosovë se në Shqipëri, në Itali a në Gjermani! Populli paguan! Le të paguajë! Shqipëria është lodhur – prej liderëve. Dhe, si të mos lodhet?! Si t’i çelin sytë e t’i lëshojnë televizionet, shqiptarët do t’i shohin të njëjtat fytyra që kanë parë para se t’i mbyllnin sytë, të njëjtat fytyra që shohin çdo ditë, çdo orë, çdo çast në disa raste qe trembëdhjetë vjet! Tepër shumë për sytë e njeriut të vdekshëm. E njerëzit, përpos se janë krijesa të vdekshme, janë edhe krijesa të lodhshme. I lodh gjithmonë e njëjta. I lodhin gjithmonë të njëjtit – edhe po të jenë Apolona apo Aristotela – çka s’janë. Si t’i lëshojnë televizionet a radiot, si t’i marrin në duar gazetat, shqiptarët do të hasin në të njëjtat pasione të liderëve: mosdurim, hasmëri, fyerje, sharje, shpifje, trillime, akuza, denoncime! Një kohë shqiptarët janë zbavitur me urrejtjet dhe sharjet e tyre të ndërsjella. Jo edhe me privilegjet e tyre. Por, është bërë shumë. Qytetarëve u ka kaluar qejfi për zbavitje. Se kjo zbavitje po kushton shtrenjtë. U ka kaluar qejfi për zbavitje sepse në teatrin politik po luhen shumë drama me përfundime komike, me përfitime astronomike dhe me përfundime tragjike. Teatri politik është bërë i padurueshëm: për mjekun që merr 270 euro në muaj; për profesorin që merr 220 euro në muaj; për mësuesin që merr 150 euro në muaj; për punëtorin dhe intelektualin që s’marrin asnjë euro, për familjen që jeton prej mëshirës së fqinjëve; për familjen që jeton në tunelin e dikurshëm ushtarak; për familjet që marrin botën në sy!
Sali Berisha
Shqipëria është lodhur – prej liderëve. Dhe, si të mos lodhet?! Më së pari është lodhur prej Sali Berishës – prej liderizmit të tij tepër të përshtrirë. Shihet tepër shpesh! I dëgjohet zëri prej lideri edhe më shpesh: në Kuvend, në rrugë, në sheshe, në selinë partiake, në takime me gazetarët, në fushatat zgjedhore. I dëgjohet zëri edhe kur i ngjizet. Ai nuk kritikon – ai rrënon! Ai nuk kundërshton – ai kërcënohet! Sepse, gjithmonë e gjithkund do që të jetë e tija, dhe vetëm e tija. Kompromisi? Ky është nocion që nuk e njeh politika e tij. E, megjithatë, veten e quan demokrat! Dhe, qe trembëdhjetë vjet, mbahet në krye të partisë, sot, më të madhe demokratike në Shqipëri: të partisë së tij gati se private! E çuditshme! Për të nuk vlejnë rregulloret e punës të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe, si të vlejnë? Ai sillet në Kuvend në pajtim me venomet e Kanunit! Ai e merr fjalën jo vetëm kur ia jep kryesuesi i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe kur i teket atij! E kam parë kur një herë ka diskutuar me lejen e kryetarit të Kuvendit dhe dy herë të tjera – pa leje! Duart e tij bëjnë beteja të shpeshta me foltoren – në dëmin e vet! Mund të merret me mend çka mendojnë diplomatët e huaj në Tiranë kur shohin si sillet Sali Berisha në Kuvend! Mos të ishin SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që s’i pranojnë qeveritë e paligjshme, Sali Berisha do të kënaqej duke bërë grushtshtete ! Ai vazhdimisht dikë akuzon: ose për korrupsion, ose për krim të organizuar, ose për trafik të qenieve njerëzore, ose për vjedhje të votave, ose për bashkëpunim me mafinë, ose për të gjitha këto bashkarisht, por akuzat e tij gjithnjë mbesin retorikë, sado në botën shqiptare sot të gjitha ato dukuri ekzistojnë. E kuptueshme. Atij nuk i besohet:është harxhuar duke bërtitur dhe duke u përsëritur. Në botën demokratike, zgjedhjet për qeverisjen vendore kalojnë pa pjesëmarrjen e liderëve qendrorë. Edhe në zgjedhjet vendore, si në zgjedhjet qendrore, Sali Berisha (dhe Fatos Nano) është fushatues i palodhshëm. Liderët vendorë, të kandiduar prej Partisë së tij, i rrinë djathtas, a majtas, a pas, e ai flet për ta dhe në emrin e tyre. Pse jo? Njëshi duhet të jetë i gjithëkundshëm! Ai, me të drejtë, flet për varfërinë në Shqipëri. Dhe, për numrin e madh, gjithnjë e më të madh, të të papunëve, por, vetë, në zgjedhje shpenzon miliona. Lideri Sali Berisha me vjet ndez zjarre në jetën politike shqiptare. Në vitin 1997 është djegur vetë, kurse mundësitë e Partisë Demokratike po i djeg në vazhdimësi! Mundësitë e Partisë Demokratike, Sali Berisha më së shumti i ka djegur me pastrimin e radhëve të saj prej të pabindurve. Brenda një kohe të shkurtër ai i ka qitur prej Partisë më të merituarit për themelimin e saj dhe më të aftit. Është “meritë” e tij pse prej Partisë Demokratike janë bërë edhe tri parti të tjera demokratike. Nuk ka fije dyshimi se teknologjia e mbajtjes në pushtetin partiak, që zbaton Sali Berisha, është mësuar në shkollën komuniste.