Rubairat!

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

71

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi.


72

Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë
Për qafe kape Qiparisn' e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë
Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë.


73

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m'emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr.


74

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim' e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!"


75

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.


76

Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu
Sis' i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu.


77

M'i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.


78

Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel,
Se s'di nga cila buz' e bukur del.


79

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën - e kush e di ku fluturon?


80

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lerini!
Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, - dhe profkat prejini!
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

81

Cdo shpresë që në flakë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin.


82

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S'të janë veç si ves' e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.


83

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q'e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.


84

Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan
Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer.


85

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?


86

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.


87

S'banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom' e pellgpusi.


88

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
"Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?"


89

Nga mur'i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m'i ke?


90

C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

91

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump!


92

Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!


93

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove!


94

O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar!


95

Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë
Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë?


96

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu,
Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu.


97

Si en' e bën me mend e thellësi,
Kuror' i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.


98

Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.


99

Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q'u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.


100

Përulu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

101

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë,
Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim!


102

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.


103

Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi
N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë!


104

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.


105

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar.


106

Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t'të hanë.


107

Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.


108

Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!


109

Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?


110

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

111

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!"
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.


112

Për Ligjë kam për ditë të dëfrej,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej;
Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë;
Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej".


113

E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her' e ndava Fen' e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.


114

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.


115

Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q'u mplaka di që s'dija gjë
E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta.


116

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor' e trobolitja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m'i marrë dilja.


117

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim'e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal:
"Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!"


118

Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re.


119

Si zok nga pylli sterr' u arratisa,
Për një fole në ferr' e driz' u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta,
Nga dera q'u vërsula jashtë krisa.


120

Me Ujë hiçi Balta m'u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua:
Fryja në Botë si një flak' e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

121

C'fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m'i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm' e ikim?
Pyes më kot, - s'përgjigjet Perëndia.


122

Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?


123

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?


124

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.


125

Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.


126

Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur!
Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur!
Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja
As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur!


127

Në Vijën që përshkruaj në Jetim
S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim:
Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë,
Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.


128

Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.


129

Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.


130

Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë
Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

131

S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t'errëta për Perëndi,
As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli,
S'përgjigjemi e heshtim un' e ti.


132

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: "Cila është Drita
Për djemt' e tu të humbur në errësirë?"
"Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita.


133

Ahere Poçen po rrëmbej si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
"Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!"


134

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!


135

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q'u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

136

Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
"Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!"


137

Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok' e një Qezari
Dhe dorëza nga dor' e një lipsari!


138

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.


139

Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar".


140

Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete dhe miriade,
Saki-Vigani derdh e s'nëmëron.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

141

Kur un' e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdojë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton' e ikjen i përfill
Si val' e detit rërën e përpjekur.


142

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim,
Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj.


143

Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit!
Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë.


144

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën
Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur?


145

Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?


146

Cudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë,
Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë!


147

I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.


148

Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë?


149

Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.


150

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

151

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n'Errësirën posht' e tatëpjetë:
M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë".


152

Diell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n'Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!


153

Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë.


154

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.


155

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S'janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen.


156

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t'arratisë.


157

Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë;
C'gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?


158

Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori!


159

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.


160

C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë
Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë
S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

161

Natyra ësht' e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.


162

Darkove tërë Tokën? S'është hiç!
Gërmove tërë Botën? S'është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç!


163

Në Hapësirën Dheu: koqe lumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!


164

Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç!
Ky Qiell me Serafime s'është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s'është hiç!


165

Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!

165

Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!


166

Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!


167

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta -
Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti?


168

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un' i verbëri -
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.


169

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë!


170

Posa e devinojm' e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet' e vepëron, Vet' e shikon.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

171

Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë.


172

Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s'e zbulon:
Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon,
Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon.


173

Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!"
Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.


174

Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.


175

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S'tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.


176

Se lart e posht' e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë.


177

Jemi një lodër shah me net' e dit'
Ku Fati njerëzit si gur' i qit:
Andejkëtej i lot, i vret' i ther -
Dhe një nga një t'i hodhi në kutit.


178

Dhe topthi as për po as jo s'pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q'e heth në lëm' e di përse -
Ay e si - Ay e di vërtet.


179

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë
Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet
Me lotë a me lutje a me dijë.


180

Doktorët, fillosofët le të flasin, -
Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin;
S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim
As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

181

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtit, mor të marrë!


182

Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjez'i parë i krijesës shkroi
E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë.


183

Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.


184

Cdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un' e kam gjetur Celësin për Derën
Ku leh ay me buj' e patërdi!


185

C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës;
Allahu, kur e vëri, s'na pyeti.


186

C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat' e kota:
C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç
Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota.


187

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S'pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti.


188

Ka vetëm për të marrët lumturi,
Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të maron
Me motrat Lumturi e Cmenduri.


189

Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mbron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam.


190

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

191

Jetesa rregullisht pas Urtësisë
Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t'arratisë.


192

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym' i lumtur për një çast
N'Avushën prapë më ka qethulluar.


193

Me vrer për ditë Fati po na des,
S'jep gas që s'na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s'na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.


194

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark,
S'më nxirte në mejdan askurrë mëma.


195

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respiroj në zjarr ma ktheve.


196

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës,
Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite.


197

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her' e mir' e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!


198

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.


199

Sikur të merrte Engjëll'i bekuar
Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!


200

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t'arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

201

Të mirat Botës son' ia studiova.
Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:
Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.


203

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve
Dhe Kryevegla n'arkë t'axhaminjve:
E Bukura e Dheut flë në shtrat
T'eunukëve, në djep të çiliminjve!


204

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,
Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:
Po rri mënjan' i qet' e bëj sehir
Shakatë që na bën i Madhi Zot.


205

Profetët le të lehin hu mi hu
Për Providenc' e Perëndi me tru:
Eni, me Poçen shtrojani këtu,
Dhe losni me Atë që lot me ju.


206

U dashka që ta lë ballsamn' e Verës
Nga frik' e zez' e vrerit të Skëterrës,
Ah, për shërbetn' e Qiellit që do t'pi
Kur të më thahen koskat prapa ferrës!


207

Kurani thotë, Qielli ka Huri
Të bukura dhe Verë me gosti:
Posa pra ësht' ashtu, o Perëndi,
Stërvitem që këtu e që tani!


208

Në qoftë se Parajsa jote s'qas
Veçse ata që lodhen me namas
Dhe s'duan Ver' e Vajza, pa dyshim
Asnjë njeri s'të hyn në atë kafaz.


209

Parajsa paska Vajza syshkëndija,
Me Ver' e mjaltë, lum' e kronj e vija;
Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë
Në dorë njëja sot se nesër mija.


210

Ay që ka në zemër Urtësi
S'lë asnjë çast t'i shkojë pa dobi;
Po adhuron një Dashuri qiellore,
Dhe Kupën kap me Ver' e zbras Dolli.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

211

Të Madhit Muhamet i çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
"O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën haram?


212

Përgjigjet Muhameti me selam:
"S'më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"


213

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,
Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë",
O burrani, pra, Kupat mbushini
T'ia pimë gjakun qenit të pabesë!


214

Posa e bëri Zoti në fillim,
Hardhinë pse m'a thurrni me ndalim?
Thomëni, kur s'e njihni për besim,
Kush e ka vën' atje këtë mallkim?


215

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,
Se vijës s'Vreshtës bëji Dashuri;
Nga nën' e ëmbël rrodhi bij' e keqe,
Po Bija ka më tepër bukuri.


216

Vera, vërtet, më doli e pabesë,
Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,
Po fajn' e ka Sakiu: S'ia diti vlerën;
Kur t'ia mësojë, nukë do t'ma shesë.


217

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,
Në sy të Botës krejt më turpëruan;
Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik
Dhe namin për një metelik ma shuan.


218

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;
Po a jam esëll vallë kur betohem?
Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,
Pendohem për pendimin që zotohem.


219

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.
Faqia iu nxi, ia mori namin era:
Saki, më sill ca Verë! Cip' e çjerrur
Më s'qepet dot as zbardhet dot Skëterra.


220

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot,
Pa kupë barrën, vrerin s'ia duroj dot;
Jam mirë vetëm n'atë çast kur shokët
"Dhe njëzë!" thon' - e unë s'mëkatoj dot.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

221

Kur s'pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,
Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;
Kërkoj pra mezin, Jetën çakërqef:
As that' as qull, po lagur leht' e larë.


222

Me poçen nënë sqetull, me Kuran në bres,
Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;
Ajme! S'kam Din e s'kam Iman e s'jam
As i Krishter' as Mysliman as Putperes.

223

As Kisha as Xhamia nuk më nxe,
Allahu më gatoi s;di me ç'hile;
Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,
Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.


224

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia
U çthurret zemr' e shpirt më çqetësira;
Po sa Sekretin e natyrës studiuan
S'i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira


225

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t'ikë,
Nga Lloma në Liri, pa frikë;
Po thik' e Sheriatit ia pret krahët
Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.


226

Xhami e Kish' e Tempull: robëri!
Këmban' e Minare: një patërdi!
Dervish e Prift e Hoxh' e Kryq e Hënë:
Pengime që të gjitha për Liri.


227

Në Labyrinth të Besëve kërkova,
Me Porosi e Dogma u qarkova;
Po u gënjeva; s'gjeta lule fare
Dhe vetëm driza t'egëra zbulova.


228

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se Perëndinë s'e përfaqësojnë.


229

"Allahu ësht' i math!" çirren, këlthasin,
Nga gjëm' e tyre tunden e kërcasin
Për ditë pesë herë Minaretë:
Ay s'dëgjon. Vajtimet kot buçasin.


230

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,
Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:
Po kuajve u zbulohet e Vërteta?
Askujt! S'qas pran' as mu' as ty kjo Trime.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

231

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë
E të na japë Shpirt e të na varë
Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar
Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?


232

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkojë
Flori për Baltën e të na gjykojë
Për borxhe që s'ia detyrojm' aspak
E që s'ia lajmë dot! - O Djell, o Shkronjë!


233

Nga tmerr'i Perëndis' e me pahir
Padrejtësinë nuk e quaj Hir;
Sepse kur s'thom të Drejtën me çekan
S'qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.


234

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,
E dbove kur na je mëshirë plot?
Për mëkatarët është Hiri Hir;
S'ke Hir kur na e jep me djers' e lot.


235

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,
Shpirti m'u err, o Perëndi, ndriçomë;
Jo si çpërblim për vepra që s'bëj dot,
Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.


236

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë
Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:
Ata që flasin n'emrin tënt gënjejnë;
Nga thonjt' e tyre, Perëndi, zbërthemë!


237

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim
Që mirësia jote s'ka mbarim;
Me një pendim, kush nuk e bën të keqen
Dhe kush e bën s'të ka asnjë ndryshim.


238

Embël gjykon në Qiell Mëshir' e gjërë,
Po s'më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;
E mira e pabërë s'ësht' e bërë
E keq' e bërë nuk ësht' e pabërë.


239

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë
Dhe kurrë një mëkat pa bërë s'lashë:
Më thua se më ndih në të këqia;
"Më keq se un' a ka?" o Zot, të thashë.


240

Të mirat një nga një m'i nëmëro,
Të ligat togje-togje m'i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego.
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

241

Khajami vark' e fajdeve e shtoi
Dhe egjërën nga shpirti s'e qëroi:
Po s'dëshpërohet sa për Hir Qiellor,
Se Njënë kurrë Dy s'e nëmëroi.


242

Kundër së keqes shpirti më lëfton,
Me turp e vrer mëkatet m'i kujton:
Kam shpresë se m'i fal Mëshira jote,
Po prapë turpi mbetet e s'pushon.


243

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur
Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:
Fal dorën që Gërshetet përkëdhel
Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.


244

A mundin farisjanët zemërngrirë
Për ty të bisedojn' e për Mëshirë?
Na ndjek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!
Gjetkë m'i shit ato! Të njoh më mirë!


245

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,
S'dua të shoh njeri e rroj i shkretë:
Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,
Ay e di ç'kam vojtur nga kjo Jetë.


246

Me bindjen Mbretërin' un' a ta rrit?
Me fajet Madhështin' a ta çukit?
Mos më punit, po falm' - o Zot - se the
Q'i fal mëkatet shpejt - von' i punit.


247

Me gryk' e zemër' - o Zot - kur më krijove
Dhe Ver' e Vajza ballazi më shtrove,
E dije pa dyshim që do t'u sulem:
S'kam faj! Kam bër' ashtu si e caktove!


248

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,
Me Lule, Hën' e Diell ma përqas.
Pastaj më porosit të mos e ngas!
Tamam: përmbys Dollin' e mos e zbras!


249

Me baltë më gatove: ç'faj të kam?
Me lesh e li m'arnove: ç'faj të kam?
Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m'i shkrove: ç'faj të kam?


250

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve
Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:
S'fëjejmë dot pa dijën tënd'e lejen;
Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Rubairat!

251

Kur t'erren Tok' e Qiell nga Kijameti
Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,
E kap për rrobe Zotin e i thom:
"S'të kemi faj! S'na dbon dot nga Xheneti!"


252

Vullnet përveç Vullnetit t'tij s'të ka,
Për vepërim Ay liri s'më la,
Si deshi Vetë, çdo gjë ësht' e bëhet:
Kundër s'i vete dot, - a bën shaka.


253

Më la të verbër e më vuri trap
Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:
Më shtyn të bie brenda dhe pastaj
Si mëkatar e si rebel më kap!


254

Rebel t'u sulkam, pse s'më shtyp për dhe?
Në sterr' u ngulkam, Dritë pse s'më dhe?
Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,
Mëshirën, Mirësinë ku m'i ke?


255

O Ti, që me pusi dhe gracka thure
Greminën e përlotur ku na prure,
Që me predestinatën na mbërtheve,
Dënime për mëkate qysh na vure?


256

O Ti, që njerëzit me Balt' i tore
Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,
Për çdo mëkat që faqen po na nxin
Epna e merrna ndjesë njerëzore!


257

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë
Të mjaftë sa të mbytem n'errësirë:
Po sikur t'ishe Vet - o Zot - njeri,
A do ta deshe këtë tru të mpirë?


258

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,
Me forc' e me shkëlqim më pate ngjeshur:
Tani më çjerr e më përmbys përdhe!
Përse? C'të bëra që më le të çveshur?


259

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,
E nesër do t'më shtypësh nënë Dhe:
Veprën e bukur, Zot, përse e prish?
Në qoft' e keqe, fajin Vet' e ke.


260

Për Vetëdije miriade vjet
Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:
Kur dije q'e merr prapë, ç'ma dhurove?
Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?
 
Top