Re: Rodin dhe vepra e tij
Një artiste, një dashnore
Suzana Varvarica Kuka
Nëna, Louise Cerceaux, me origjinë nga Shampanja dhe nga një familje fermerësh e priftërinjsh katolikë, me bindje të plotë dhe nënshkrim vetjak, e mbylli të bijën, Kamilë Klodel, e tronditur psiqikisht, por aspak e sëmurë patologjike, në azilet psiqiatrike, për rreth 30 vite, deri në fund të jetës, më 1943. “Jeta ime është një jetë midis ëndrrës dhe ankthit”, kështu meditonte e shkruante Kamila në letrat, që rrallëherë i dërgonte të vëllait, para se të mos e ndiente më aromën e baltës, mermerit dhe bronzit.
U lind si një bebe normale më 8 dhjetor 1864. Ishte fëmijë plot jetë dhe e shëndetshme, ishte një grua e re, që dëshiroi të sfidonte shoqërinë e kohës, duke studiuar art, veçanërisht skulpturë, në Akademinë Calarossi, në klasën e prof. Alfred Boucher. I ati, Lois Prosper Claudel, ishte i vetmi që aprovoi me dëshirë zgjedhjen e saj. E ëma e kundërshtoi egërsisht këtë zgjedhje. Në 1883 takoi skulptorin e famshëm Roden dhe u dashuruan çmendurisht me njëri-tjetrin. Frekuentuan studion e tij deri në vitin 1898, në ekstazën seksuale dhe në krijimin e veprave të mrekullueshme. Babai e ndihmoi financiarisht deri në vdekje. Ai ndërroi jetë, më 2 mars 1913. Në 10 mars të atij viti, forcërisht, me iniciativën e të ëmës, ajo u mbyll në azilin psiqiatrik. Më 19 tetor 1943, Kamila Klodel humbi përgjithmonë në varrin e saj në Mofavet.
Përse e gjenezës
Njerëzit e famshëm janë pjesë e historisë. Të gjithë ata vijnë nëpërmjet sfidave të humbjes apo të fitores. E rëndësishme është që në thelbin e qenies së tyre ata kanë energji që njerëzit e zakonshëm nuk i kanë. Ata kanë çfarë të na tregojnë. Zonja Luiz, e kishte mallkuar vajzën e saj, e cila i kishte shkelur të gjitha rregullat e borgjezisë së vogël franceze, kishte shkelur të gjitha rregullat e katolicizmit mbi gruan. Ajo nuk e quante bijë të familjes Klodel.
Jessie Libscomb, shoqja e saj më e mirë, njëkohësisht skulptore, e panjohur në kohën e saj, ka hyrë në historinë e biografisë së Kamilës. Ajo ka deklaruar se “Klodel dhe Roden kanë dy fëmijë”. Në 1892, për shkak të njërës prej shtatëzënive, zonja Luiz e largon nga familja, sepse Kamila nuk donte në asnjë mënyrë të abortonte fëmijën. I ishte ndaluar tërësisht komunikimi me familjen dhe të afërmit e tjerë. Ky ishte urdhër i prerë i së ëmës. Nuk e njoftoi askush për vdekjen e babait. Shtypi i kohës e akuzoi familjen për dënimin që i dha së bijës, skulptores gjeniale pariziane. Shtypi akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë nënën dhe më pak të vëllain Paul Claudel, poet dhe figurë e njohur e diplomacisë franceze të kohës, që ndaluan çdo komunikim të Kamilës me njerëzit e artit dhe miqtë e saj më të afërt. Më 11 qershor 1920, fizikanti-mjek Brunet, i dërgoi një letër nënës së saj ku e lajmëronte se Kamila ishte çliruar dhe se vetëm familja nën kujdesin dhe ngrohtësinë e vet, mund ta integronte në jetën familjare dhe në mjedisin artistik. Asnjëherë kjo letër dhe të tjera që vijuan më pas nuk morën përgjigje publike. Kamilën e kishte dënuar celula më e vogël e shoqërisë franceze, familja e vet. Atë e vrau 30 vite më parë se të vdiste mishi, gjaku dhe lëngu i trupit, nëna e saj.
Çifti Limscomb që e kishte takuar fshehurazi Kamilën deri nga fundi i jetës, i kanë deklaruar me vullnet të plotë shtypit francez se nuk është e vërtetë që ajo ishte e çmendur. Morhardt, shok shkolle dhe bashkëmoshatar i artistes, do të pohonte se “Kamila ishte 45 vjeç, kur familja e shpalli të ndryshuar, të çmendur. Ajo u tradhtua prej familjes dhe u burgos në një azil psiqiatrik. Vëllai i saj ishte një leshko. Ata braktisën një motër gjeni…”.
Claude Debussy (1862-1918), muzikanti i njohur dhe adhurues i Kamilës dihet të ketë thënë që “Rodeni ishte egoist deri në ekstrem. Ajo e donte deri në çmenduri”.
Phyllis Chesler, bashkëkohës yni, një mendimtar ndryshe dhe shkrues i disa fakteve mbi jetën dhe krijimtarinë e Kamilës arrin në përfundimin: “Nuk mendoj kurrsesi që Kamila ishte thjesht një viktimë e Rodenit. Ajo ishte një artiste dhe një dashnore. Ajo e dinte që ishte e tillë, sepse kishte bërë zgjedhjen e saj”.
Përse e dashurisë
Kohërat kanë pasur, kanë dhe do të kenë mentalitetin e ngurtësuar moral të shoqërisë, por nuk duhet harruar se kjo njësi e vetisë njerëzore, nuk ka forcë të njëjtë në kohëra dhe vende të ndryshme me standarde të ndryshme kulturore. Kështu, Parisi vendi i bohemëve, vendi modern, liberal, vendi i aventurave, i artistëve, i poetëve, i shkrimtarëve, i balerinëve, në fundin e shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, arriti ta vrasë 30 vite para se të vdiste një nga artistet e tij më të njohura, Kamilë Klodel, dhe ta ringjallë atë në vitin 2005, duke e shpallur pa mëdyshje si skulptoren më të mirë të të gjithë kohërave. Vetë Rodeni i madh do të shkruante për talentin e saj: “Unë i tregova ku ta gjente floririn, por floriri që ajo gjeti i përkiste asaj”.
Sepse ajo vajza e njomë, e bukur, shumë e talentuar “me një vetull të skalitur mbi sytë blu të mahnitshëm, që rrallë herë ndeshen në kopertinat e një novele”, siç e përshkruan Pol Klodeli, të motrën në 1951, në ekspozitën e parë vetjake të organizuar në Muzeun “Roden”, takoi Rodenin, i cili në një nga letrat e tij në 1984, i shkruante: “E vyera ime, bije në gjunjë përpara trupit tënd të bukur, të cilin e përqafoj dhe përgjërohem për të”. Këto pak fjalë prej zjarrit ndjellin erotizmin e veprës “Idhulli i përjetshëm” që në mënyrë të shkëlqyer mbart pasionin që bashkoi të dy skulptorët. Kur ajo hyri në studion e Rodenit u përball me dy nga veprat më historike dhe më mashkullore të tij si “Qytetarët e Kales” dhe “Portat e Ferrit”. Skulptori i fuqive njerëzore, skulptori i Balzakut nudo, skulptori i modelimit plot energji të figurave të tij dhe skulptorja e ndrojtur, plot pasion për skulpturën dhe e mbarsur me feminitet, patën ndikim të madh tek arti i njëri-tjetrit, që me shikimin e parë. Ajo pranoi që Rodeni të ishte mësuesi i saj. Ajo ishte e përgatitur t’i nënshtrohej drejtimit të tij, të braktiste vullnetin e saj për një hap më tutje, e të shkonin në rrugën e gjatë të artit. Rodeni ishte figura që ajo inspirohej dhe Kamila ishte figura ku ai frymëzohej, ishte muza e tij. Në 1890, gjithçka filloi të shpërbëhej. Kamila kishte demonstruar të gjithë përmasën e artit të vet. Ajo e braktisi Rodenin. Filloi të kërkojë veten dhe individualitetin e saj në art. Vendosi të shkëputej nga ndikimi i skulptorit të madh. Ishte xheloze për Rose Beuret (që do të ishte dhe gruaja e tij vetëm për 9 muaj), kur kuptoi se asnjëherë nuk do të triumfonte mbi të. Ajo filloi ta zhvlerësonte Rodenin, duke realizuar dhjetëra vizatime thumbuese, të bëra me tërbim e me subjekt Beuret dhe Roden si çift.
Victoria Griffin, në librin e saj “Dashnorët” 2000, ku rrëfen ngjarje tronditëse të dashnoreve më të famshme prej mitologjisë e deri në ditët tona, në kapitullin “Kamila Klodel” shkruan: “Megjithatë, në pak vite u duk që Rodeni e rraskapiti mëndërisht dhe fizikisht Kamilën, sepse shkarkoi tek ajo gjithë energjitë e veta, duke i kërkuar që e gjithë koha dhe energjitë e saj të viheshin në shërbim të tij. Në këtë kohë Kamila kthehet të njohë situatën, rrekej dhe përpiqej, për të ndihmuar veten, që të dilte nga ajo çka e rrethonte. Pas 10 vitesh, ajo arriti të shkatërrojë, përfundimisht marrëdhëniet e tyre dhe me egërsi vendosi të largohej edhe nga ndikimi i artit të tij, luftoi për të krijuar artin e saj. Rodeni u kthye tek Roza. Kamila nuk e fali, madje as publikisht… Pasi përfundimisht mbeti e vetme, e varfër, e braktisur, e tërhequr, me shenjat e para të paranojës që filluan ta përfshijnë të gjithën. Skulpturën e ekspozonte në gjendje euforike dhe më pas e shkatërronte në gjendje depresioni”.
Historia e artit që nga 1905, dëshmon thyerjen dhe shkatërrimin nga dora e saj e rreth 90 veprave, bocete, statuja, kompozime, vizatime dhe piktura, nën vrullin e tërbimit dhe nën akuzën për vjedhje të ideve nga Rodeni dhe se ai po përpiqej ta vriste. E kush mund ta besonte në atë kohë dëshpërimin e saj të egërsuar? Ajo zotëronte aftësi për të modeluar subjektet dhe vrullin për të shfryrë dilemat e fatit të vet. E shpallën të sëmurë psiqike. A nuk e kishte “vrarë” edhe ai Kamilën?
Vepra “Valsi” 1892 tregoi shkëputjen prej tij në formën artistike. Në fillim të shekullit krijoi vepra me subjekte nga ndarja tronditëse. Kur u lidh me artin e kohës “Artin e Ri”, me stilin e modës japoneze, iu referua një materiali shumë të rrallë e specifik si inoksi dhe në kompozimet e saj kërkoi lojën elegante dhe harmoninë e harqeve. Kritikë pohojnë se vetëm atëherë ajo u shkëput plotësisht nga mësuesi i saj. Pas viteve 1980, krijimtaria e Kamila Klodel filloi të kalojë në duart e historianëve dhe biografëve që vazhdojnë t’i japin vendin e merituar. Reine-Marie Paris shkruan: “Në çdo rast, ndoshta, Kamila Klodel-Rozalia lindi më shpejt se duhet në një botë të papërgatitur për një grua me vullnet të hekurt, e pavarur dhe me një talent të madh. Ajo është skulptorja më e madhe e të gjithë kohërave”.
Mirbeau, një biograf i kohës sonë e vlerëson artisten si një skulptore e kompletuar, jo vetëm e barabartë me Rodenin, por të mos harrojmë se i siguroi atij frymëzimin. “E ndiejmë fuqinë e Kamilës kur ne shohim qëndrimin e vallëzuesit tek “Valsi” dhe gjendjen që na shkakton ndjenja e syve të tij. Kjo është e dukshme te çdo biograf që ka studiuar lëvizjen e çastit të një qëndrimi. Mos harrojmë se me Kamilën, Rodeni i bëri veprat e asaj kohe të pastra, të thjeshta, me një elegancë romantike. Dikush ka supozuar se “ajo ishte frymëzim i tij, por ajo çka shpall skulptura është se, ajo ndikoi tek ai. Tek Rodeni zotëron skulptura me formë të lartë mashkullore, Kamila zotëronte të kundërtën. Ajo iu kushtua temës së marrëdhënieve në çift dhe asaj të fëmijës, që do të thoshte, trashëgim pa tjetërsim të marrëdhënieve burrë-grua, të cilën Rodeni “refuzoi ta njihte”. Ai ishte skulptor i heronjve francezë në kopshtet publike, më i miri kur bëri Balzakun, ndërsa Kamila me veprën dhe idetë e saj mund të qëndrojë aq gjatë sa Xhakometi të hiqet nga historia. Ajo ishte një revoltë kundra natyrës, ishte një grua gjeni”.
Phyllis Chesler jep konsideratën më të lartë për artisten duke e cilësuar një grua që bëri emër në kohën e saj, që shpërfilli borgjezinë e kohës duke ndjekur jetën e vet, duke mos u bërë asnjëherë promotor i veprave të veta, madje iu bëri keq gjërave të saj, borgjezia e kohës dështoi me të, sepse nuk e njohu veprën e Kamilës. Ishte rebele e vërtetë në zemër, jo sepse donte, por sepse ajo ishte artiste e vërtetë, në kuptimin më të plotë… “Disa thonë që Plath, Woolf dhe Claudel janë gjeni të “çmendur”, që do mund të përfundonin në të njëjtën rrugë egërsie, edhe sikur të kishin ushqyer dhe formuar si gra një familje të dashur e me kulturë”.
Sot ajo cilësohet një nga skulptoret e rralla femra të shekullit XX, që duhet njohur për fuqinë e skulpturës së saj. Veprat e Kamilë Klodelit kanë një subjekt, kanë një pikëvështrim personal. Ndërsa sot kujtohet për origjinalitetin, koha e saj e kujton si një artiste që jetoi e apasionuar vetëm nga nevoja për të krijuar. Në fund të fundit, kjo do të thotë se Klodeli duhet nderuar përfundimisht. Kësaj artisteje i janë kushtuar 5 libra dhe 4 filma. Veprat e saj ruhen në muzeun “Roden”, së bashku me veprat e skulptorit. Ato janë të ekspozuara dhe në disa muze e galeri të tjera. Jehona e gjenialitetit të saj ka kaluar në kontinentin e madh të artit, për të marrë edhe atje vlerësimet që i takojnë.
Marre nga :
Shekulli.com
Valsi...
Braktisja....