"Rishikimi i Holokaustit"

Daniel H

Primus registratum
Re: "Rishikimi i Holokaustit"

Lexova kete shkrim interesant ne Gazeten Shqip dhe vendosa ta servirja tek kjo teme.

<font color="red">Perse qe prej vitesh serviren statistika qe na njollosin si komb?</font>

Shqiptarët dhe Shoah: lojërat me shifrat

Gazeta Shqip

Ne shume botime te fundit nenvizohen fakte te paqena mbi keqtrajtimin e hebrenjve ne Shqiperi gjate Luftes se Dyte


I.

Pavarësisht se për fatin e hebrenjve në Shqipëri për herë të parë nisi të shkruhej pas vitit 1990, interesimi për këtë çështje jashtë vendit është shprehur me kohë. Sir Martin Gilbert është i pari që, në librin e tij "Atlas of the holocaust" (New York, 1988), shenjoi mbi hartën e Shqipërisë shtetërore shifrën "200 hebrenj të zhdukur". Askush s‘e di se ku e gjeti autori këtë shifër. Në të kundërtën, qoftë Instituti "Yad Vashem" në Izrael, qoftë Muzeu Memorial i Holokaustit në SHBA (Memorial Museum of Holocaust), institucionet më të specializuara për historinë tragjike të Shoah, rastin e Shqipërisë, ku s‘pati viktimizim dhe përzënie të hebrenjve, pa folur për pjesëmarrje në veprimin nazist për "zgjidhjen përfundimtare", e veçojnë si një model të papërsëritshëm. Sipas enciklopedisë "Pinkas Hakehillot Yavan" (Yad Vashem, 1998), në Shqipëri s‘ka pasur holokaust. Në nënkreun për lidhjet historike dhe bashkëkohore të hebrenjve me Shqipërinë (p. 413-425), që trajtohet në përbërje të vëllimit "Greqia", autori Bracha Rivlin përmend: "Alla vigilia della Shoah, secondo gli archivi tedeschi, in Albania c‘erano 200 ebrei. Questo numero era riportato nella lista che fu presentata nel 1942 al consiglio nazista, che discusse la ‘soluzione finale‘" (për përkthimin italisht nga hebraishtja posaçërisht për këtë studimin "Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri" i shpreh mirënjohjen dr. M. Sarfatti-t). Për të mos lejuar asnjë paqartësi, botuesi shenjon më tej: "Nella primavera del 1944 i tedeschi ordinarono ai governanti albanesi di fornire una lista di tutti gli ebrei residenti in Albania. I guvernanti non solo non ubbidirono, ma dichiararano ai capi della comunita /ebraica/ che finche saranno loro al governo, agli ebrei non sarebbe successo alcun male". Forumi Ndërkombëtar i Holokaustit, që u themelua në Stokholm në vitin 2000, po ashtu rikonfirmoi se në Shqipëri jo vetëm nuk ka pasur holokaust, por janë shpëtuar qindra e mijëra hebrenj të vendeve të tjera, që gjetën shpëtim nën mbrojtjen e shqiptarëve. Studiues të mirënjohur të historisë së Shqipërisë dhe njëherësh të historisë së holokaustit, si B. Fischer, N. Malcolm, H. Sarner, J. Goldfarb, P. Stambul dhe të tjerë, në kohë të ndryshme janë shprehur se "në analizën përfundimtare 100 për qind e hebrenjve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta".

Në dy dekadat e fundit, për shkaqe nga më të ndryshmet, duke përfshirë dhe keqdashjen për këtë faqe të përndritur të historisë së popullit shqiptar, kanë nisur të shërbehen për qëllime statistikore gjithfarë shifrash, që synojnë ta njollosin ndoshta të vetmin shembull ku hebrenjtë, vendës e të ardhur, u shpëtuan në tërësi: Shqipërinë, shqiptarët (në mos të gjithë, të paktën një pjesë të tyre).

Si ndodhi që në një numër botimesh, që po shtohen me një shpejtësi të paparë, mbi hartën e Shqipërisë të rëndojë rrumbullak shifra prej 200 hebrenjsh të viktimizuar? Dy janë mundësitë e këtij konfuzioni: mungesa e informacionit dhe keqinterpretimi i shifrave, ose synimi për ta penalizuar popullin shqiptar si pjesëmarrës në Shoah, që do të thotë njëherësh dhe inkriminim i mundshëm në tmerre të ngjashme, si gjenocidi, etnocidi dhe fobi të tjera. Sa i takon mundësisë së dytë, në një shumicë rastesh qëllimi i mbrapshtë i autorëve shpallet qysh në titull. Do të mjaftonte për të kuptuar pse është shfaqur me kaq prepotencë paditja e shqiptarëve për bashkëpunim në dhunën naziste ndaj hebrenjve përmendja vetëm e një pjese të bibliografisë shumë të gjatë të botimeve të njërit prej tyre, C. K. Savich, president i federatës së serbëve të Amerikës: "Tetovo and Greater Albania", nëntor 2001; "Islam under the swastika… 1941-1945", 10 maj 1997; "Genocide in Kosovo: Skanderbeg division", 25 gusht 1997; "The albanian role in the holocaust", 19 janar 2007; "Albanian Skenderbeg SS division - Second World War: genocide in Kosovo", "Serbianna" janar 2007. Savich dhe disa studiues të tjerë jo vetëm që s‘pajtohen me të dhënat që përmbajnë botimet zyrtare për holokaustin, por krijojnë shifra të paqena, i vënë në qarkullim si të mirëbesuara, i përhapin duke iu referuar njëri-tjetrit si burimi më i besueshëm, deri sa vjen një çast kur lexuesit mund të mos i shkojë në mendje se cili është i pari që e provoi këtë fakt. Kështu, vetë Savich, nga entuziazmi se statistikat e tij të rreme po përhapen me shpejtësi, duke u ngulitur dhe në botime serioze, tani së fundmi (janar 2007) nuk mjaftohet më me "200 hebrenj të viktimizuar", por, brenda të njëjtit studim, pasi pohon se "nga shqiptarët u vranë 7 për qind të hebrenjve" ("albanians murdered 7 per cent of the jews"), nxiton të rrumbullakosë një shifër të re, prej "800 emrash, shumica të deportuar dhe vrarë nën orkestrimin e urrejtjes antisemite të ballistëve shqiptarë" ("orchestrated a series of anti-semitic purges that rounded up about 800 people, the majority of whom were deported and murdered"), për të konkluduar pa kurrfarë druajtjeje: "10 to 12 jews from Albania proper were sent to the nazi death camp at Bergen-Belsen" - ndër 12 hebrenj të Shqipërisë, 10 prej tyre iu dorëzuan nazistëve për t‘u dërguar në kampin e vdekjes të Bergen-Belsen-it".

Për fat të mirë, studiues të tillë pakkush i merr seriozisht. Por si shpjegohet që, një tjetër kategori e tyre, që nuk priret të krijojë statistika progresive, me qëllim që populli shqiptar të kryqëzohet jo vetëm për judeofobi, por edhe për prirje të brendshme drejt krimit kolektiv, megjithatë, vazhdon të këmbëngulë se të paktën 200 hebrenj të Shqipërisë u viktimizuan?

Një prej arsyeve themelore është padyshim mungesa e të dhënave, sidomos e burimeve shqiptare. Nuk mund të bëhen përgjegjës barabar ata studiues të huaj që, ose nuk u janë drejtuar, ose nuk i kanë përfillur këto burime. Afro tri dekada më parë, në vitin 1968, studiuesi francez Lucien Steinberg i qe drejtuar me një letër personale drejtuar E. Hoxhës, përmes së cilës lutej që t‘i lejohej njohja me "disa të dhëna për izraelitët që kanë qenë në Shqipëri", pasi, sikurse shenjonte, ato i nevojiteshin "për një libër që po shkruaj", që do të kishte titullin "Rezistenca e izraelitëve gjatë luftës". Letra, e dërguar më 14 shkurt 1968, mori përgjigje më 25 janar 1969, afërsisht pasi kishte kaluar një vit. Steinberg, siç mund të merret me mend, nuk e vizitoi Shqipërinë. Një tjetër studiues bashkëkohor, me të njëjtin mbiemër, që drejton një prej instituteve të mirënjohura në botë për studimet rreth holokaustit, Th. I. Steinberg, mund të thuhet se sot kryeson atë palë dijetarësh që priret të refuzojë çdo argument në dobi të përfundimit se në Shqipëri nuk ka pasur holokaust.

Ndonjë ngatërresë me sa duket e shkaktoi interpretimi i gabuar i shifrës "200 hebrenj", që i përgjigjet numrit të përgjithshëm të hebrenjve rezidentë në Shqipëri sipas regjistrimit të parë dhe të fundmë të popullsisë bashkë me përbërjen fetare (1931) - publikuar më 1944 dhe në librin "Raca shqiptare" të J. Milajt. Më shumë duhet të ketë ndikuar fakti që numri i përgjithshëm i hebreo-shqiptarëve që duhej t‘i nënshtroheshin "zgjidhjes përfundimtare" sipas parashkrimit të autoriteteve naziste të Reich-ut dhe siç u vendos në Konferencën e Wannsee-së (1942), "where the holocaust was planned" (B. Fischer), u shenjua pikërisht 200. Por në këtë konferencë shifra 200 përfaqëson numrin e hebrenjve që duhej të zhdukeshin në Shqipëri, jo rezultatin e "zgjidhjes përfundimtare".


II.

Sa hebrenj të shteteve fqinje, të vendeve të Europës Qendrore dhe të viseve të tjera gjetën strehë e mbrojtje te shqiptarët? Një listë e përpiluar disa vjet më parë nga A. Kotani, autor i librit "Hebrenjtë në Shqipëri gjatë shekujve", përmban rreth 870 emra. Mirëpo B. Fischer, në një studim të vitit 2003, pohon se në Shqipëri në fillim të luftës kishte afërsisht 200 hebrenj, ndërsa në fund të saj numëroheshin të paktën 1800 (B. Fischer, në "Fetë dhe civilizimet në mijëvjeçarin e ri: rasti i Shqipërisë", Tiranë 2004, f. 175). Kjo shifër përputhet me atë të statistikave "për të mbijetuarit", që janë vënë në qarkullim nga Instituti Yad Vashem. Por Muzeu Memorial i Holokaustit, në listën nominale të hebrenjve që hynë në Shqipëri para dhe gjatë luftës antifashiste, prej dy vjetësh (2005) bën të njohur se identifikohen emër për emër "afërsisht 2000". Çështja thjeshtohet disi nga ky fakt, që tashmë ekziston një listë dhe kjo listë ofrohet zyrtarisht prej një institucioni të tillë si Muzeu Memorial i Holokaustit. Lista prej 2000 emrash të përveçëm përbën një limitus minus quam diskutimi vlerësohet teorikisht i mbyllur. Janë jo më pak se 2000 emra hebrenjsh që kanë hyrë në Shqipëri para dhe gjatë luftës dhe statistikisht nuk mund të jenë më as 800, as 1800, as në çfarëdo kufiri tjetër të supozuar. Çdo sjellje tjetër është nënçmim për jetët njerëzore, pikënisja e vetë teorisë naziste të demoracës.

Nuk mund të jenë më pak se 2000, por a mund të jenë më shumë? Ka një varg argumentesh që provojnë të kundërtën, se numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri është më i madh. Lista emërore që shërben on line për pajtimtarët e vet Muzeu Memorial i Holokaustit (Washington) paraqet të dhënat e burimeve shqiptare, por vetë kërkimi në burimet shqiptare është jopërfundimtar. Në fakt, ende mbeten të pakëshilluara shumë fonde që u takojnë viteve të para të pasluftës; sidomos periudhës së ndërmjetësimit të organizatave ndërkombëtare (UNRRA) për riatdhesimin e hebrenjve që paqja i zuri në Shqipëri, që ruhen kryesisht në arkivat partiake. Çështja e riatdhesimit të hebrenjve mbeti e hapur deri në fillimin e viteve 1970. Dihet se autoritetet komuniste të Shqipërisë më 13 shkurt 1949 morën një letër prej ish-presidentit izraelit, Sharett, me anë të së cilës kërkohej njohja e pavarësisë së Izraelit, që Tirana e konfirmoi parimisht me përgjigjen e E. Hoxhës pa kaluar nëntë muaj më pas. Shpallja e vullnetit për njohjen zyrtare të shtetit të Izraelit nxiti një letërkëmbim intensiv midis kreut të komunistëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të shoqatave dhe bashkësive hebrenje në botë. Shlomo Liebovitch, ish-funksionar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, në një memorandum të datës 15 dhjetor 1954, raporton për përpjekjet ende të pasuksesshme diplomatike për vendosjen e marrëdhënieve formale diplomatike midis dy vendeve. Në korrik të vitit 1955 vizitoi Tiranën i ngarkuari me punë i ambasadës izraelite në Sofje, Reuven Nal. Shmuel Bendor, ish-ambasador i Izraelit në Pragë, zhvilloi bisedime me përfaqësuesin shqiptar atje në maj 1958. Më 3 shtator 1961 bisedimet u zhvilluan në Bukuresht, ku palën izraelite e kryesoi ish-ambasadori Katriel Salmon. Një raund tjetër bisedimesh u zhvillua po në Bukuresht, më 1964, me praninë e ish-ambasadorit Eliezer Doron. Më 1967 zhvillohet takimi i fundit negociues dypalësh. Në të gjitha këto takime e diskutime riatdhesimi i hebrenjve dhe listat nominale të tyre kanë zënë vend parësor, por këto dokumente ende s‘janë këshilluar.

Një fakt tjetër, tejet i rëndësishëm, lidhet me mënyrën e evidencimit të hebrenjve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë luftës. Dihet mirë se një pjesë e tyre janë pranuar pa lista emërore dhe gjithashtu janë mënjanuar prej kryeqendrave qytetare pa lista emërore. Me anë të një shkrese të datës 29 korrik 1941, komanda superiore e Forcave të Armatosura të Shqipërisë njofton Mëkëmbësin për pranimin e 350 hebrenjve të ardhur në Durrës nga Dalmacia, por lista emërore të tyre nuk ka. Më 23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë, me anë të një letre drejtuar ministrit të tokave të lirueme ("ministero degli territori liberi") Ekrem bej Vlora, falënderojnë qeverinë për vendimin e tërheqjes në brendësi të Shqipërisë dhe largimin e hebrenjve nga Prishtina. Letërkëmbimit zyrtar i është bashkëlidhur një listë e hebrenjve të transferuar, por kjo listë përmban vetëm emrat e 94 kryefamiljarëve, që duhet të largohen nga Kosova për arsye sigurie e të strehohen në "Shqipërinë e vjetër", që të gjithë "con la famiglia", gjë që nënkupton se lista e vërtetë duhej të përmbante 3-4-fishin e atyre emrave, pra, jo më pak se edhe 300 emra të tjerë.

Për të arritur në përllogaritje bindëse rreth numrit të hebrenjve të strehuar në Shqipëri gjatë luftës duhet marrë në konsideratë edhe një numër hebrenjsh që e fshehën identitetin e tyre, qoftë duke u ungjillizuar apo përshtatur fenë islame, qoftë duke mbajtur dokumente shtetësie shqiptare, të vërteta ose false. Që në Shqipëri ka pasur hebrenj me identitet të fshehur, emrat e të cilëve nuk mund të gjenden në ndonjë listë, kjo pohohet qysh në vitin 1998, në botimin zyrtar "Pinkas Hakehillot Yavan" (Yad Vashem, 1998): "Gli impiegati albanesi dell‘autorita locale diedero agli ebrei documenti albanesi… A Tirana era piu facile di nascondersi con un‘identita falsa" (përkthimi italisht i dr. M. Sarfatti-t). Megjithëse disa studiues të këtushëm kanë shprehur një alarm të pakuptueshëm ndaj fakteve që janë botuar për fshehjen e identitetit të disa grupimeve hebrenjsh, në "Rezolutën e mirënjohjes", që Kongresi i SHBA miratoi më 17 nëntor 2005 në nderim të popullit shqiptar, që nuk lejoi prekjen e hebrenjve gjatë luftës antifashiste, thuhet se kongresmenët e kanë ndërmarrë këtë nismë, ndër të tjera: "Whereas after Germany occupied Albania in 1943, some albanian clerks issued identity papers to protect many of the Jewish refugees of Kavaje as the refugees traveled to and hid in Tirana; whereas when the Gestapo ordered Jewish refugees in Tirana to register in 1944, some albanians obtained false identity papers for many of the refugees; whereas many muslim and christian albanians considered it a matter of national pride to help jews during the holocaust" - duke vlerësuar faktin që gjatë pushtimit nazist nëpunësit i mbrojtën hebrenjtë duke u dhënë letra identifikimi; që pas urdhrit të Gestapo-s për regjistrimin e hebrenjve të strehuar në Shqipëri shumë qytetarë shqiptarë i pajisën ata me pasaporta false; që myslimanët dhe të krishterët shqiptarë e konsideruan çështje të brendshme nderi mbrojtjen e hebrenjve nga holokausti.

Për fshehjen e identitetit të hebrenjve ndikuan pozitivisht jo vetëm institucionet qeverisëse, por dhe kleri dhe faltoret. Qysh në vitin 1938 përfaqësuesit e Romës në Tiranë njoftojnë me alarm për funksionimin e një tipografie që prodhon dokumente false për fshehjen e identitetit të hebrenjve (AQSH, F. 163, V. 1938, D. 158, fl. 20). Në të njëjtin vit prefektura e Shkodrës njofton për ungjillizimin e dy hebrenjve jorezidentë (AQSH, F. 152, V. 1938, D. 266, fl. 1). Po atë vit pagëzohet i krishterë hebreu David Hanoa me të vëllanë (AQSH, F. 317; V. 1938; D. 150; fl. 18). Më 2 gusht 1940 Gerda Elisabete "ka përqafuar fenë katolike" (AQSH, F. 153; V. 1940; D. 79; fl. 193-194). Një muaj më vonë krishterohen bashkëshortët hebreo-gjermanë Katerina dhe Friedrik Krausz (AQSH, F. 161; V. 1940; D. 955; fl. 42-45). Më 1941 njoftohet kthimi i hebreut Siegfrid Schwartz në besimin mysliman (AQSH, F. 153, V. 1940, D. 79, fl. 59-69). Më 1943 njoftohet zyrtarisht se u janë lëshuar letërnjoftime false izraelitëve në Gjakovë (AQSH, F. 154, V. 1943, D. 133, fl. 1). Hebreu Elia David Kohen, banues në Vlorë, kërkoi lënien e fesë izraelite dhe konvertimin në islam në vitin 1944 (AQSH, F. 155, V. 1944; D. VIII-576; fl. 1-2). Fshehja e identitetit bëhet një dukuri shqetësuese edhe për vetë autoritetet qeverisëse, me lejen e të cilëve jepeshin dokumentet e mbulimit, gjë që shprehet "në fillimin e hetimeve ndaj izraelitëve që kanë hyrë me dokumente false" (AQSH, F. 153, V. 1944; D. 215; fl. 2-3).

Se sa ka qenë numri i hebrenjve që mundën ta fshehin identitetin e tyre, qoftë me dokumente shtetërore, qoftë me letërnjoftimi false, për më tepër përmes ndërrimit formal të fesë, është vështirë të përafrohet një shifër, sepse studimet mungojnë. Në mungesë të tyre, një përfytyrim mund të përfitohet prej lexuesve vetëm prej dokumenteve që pati mirësinë të më dhurojë z. Nikolin Kurti dhe që kanë të bëjnë me krishterimin e hebrenjve prej dom Shtjefën Kurtit. Sipas këtyre dokumenteve, që gjithashtu nuk janë të plota, vetëm ipeshkvia e Tiranës ka pranuar ungjillizimin e hebrenjve: Venko Verah (nga Shkupi, korrik 1943), Abram Friz, Armando Alfandari e Rakele Alfandari (gusht 1943), Olga Nikolic, e bija Blogota dhe Danica Kovacevic (Kotorr, shtator 1943). Ndërsa në një letër të datës 11 qershor 1943 dom Shtjefën Kurti njofton zyrën ordiniate të arkipeshkvisë së Durrësit se "tesh do kohë i nënshkruemi i ka lanë në kujdes të fort të nderuemit at Pjetër Meshkallës 5 çifutën, të cillët at Meshkalla i ka pregatitë ma së mirit në doktrinën katholike" (AQSH, F. 131, V. 1943, D. 9, fl. 27). Në kohën e sotme, kur po shtohen vështrimet kritike në lidhje me stërzgjatjet procedurale të kishës në trajtimin e kërkesave të hebrenjve për ungjillizim, ky qëndrim dashamirës i klerikëve shqiptarë merr një rëndësi të veçantë. Pozita e lavdërueshme e kishës në Shqipëri përforcohet nga fakte paraprirëse, si letra e at Gjergj Fishtës drejtuar Mëkëmbësit F. Jakomoni më 23 shtator 1939, me anë të së cilës kërkohet ndërhyrja e tij për të shpëtuar albanologun hebreo-austriak, Norbert Jokl, për shkak të Ansluss-it të Austrisë me Gjermaninë.


III.


Konfuzioni më i madh është krijuar e vazhdon të krijohet me një shifër tjetër, atë të numrit të hebrenjve të viktimizuar në Kosovë. Janë bërë të gjitha përpjekjet për të provuar se shqiptarët kanë shprehur dy qëndrime ndaj "Shoah": njërin kundër (në Shqipërinë shtetërore) dhe tjetrin pro (në Kosovë sidomos). Ka më shumë se dy dekada që shkruhet se në Kosovë ka pasur SS, se divizioni "Skanderbeg" i krijuar atje me urdhër të Himmler-it ka vrarë, masakruar, viktimizuar dhe dërguar në kampet e përqendrimit qindra hebrenj. Të entuziazmuar nga zbulimi se në Kosovë paska pasur një divizion vullnetarësh SS, disa prej këtyre studiuesve nxitojnë, në fakt, të zbusin shifrën prej dhjetëra mijë hebrenjsh që iu nënshtruan holokaustit në ish-Jugosllavi, duke penalizuar për një pjesë të tyre shqiptarët e Kosovës, ku kolaboracionistët doemos "kanë bërë krime".

Në "Atlas of the holocaust" të Sir Martin Gilbert-it Kosova nuk ekziston e veçuar dhe nuk raportohen të dhëna për holokaustin. Por në një hartë të Shqipërisë shtetërore përshkruhet skematikisht itinerari i 400 hebrenjve, që ndjekin drejtimin prej Shkodrës deri në Prishtinë (!), nga ku, me sa duket, ka marrë pikënisje zyrtarizimi i një pikëpamjeje të shtrembër, sipas së cilës numri i hebrenjve të dorëzuar autoriteteve naziste prej divizionit SS "Skanderbeg" është pikërisht kaq. Gilbert nuk shenjon datë se kur ka ndodhur kjo lëvizje e hebrenjve nga "Shqipëria e vjetër" në Kosovë. Ndoshta autori i atlasit, duke e ditur se në vitin 1941 një kontingjent prej 350 hebrenjsh të Dalmacisë erdhën nga viset verilindore të Adriatikut në Shqipëri, supozon se ata në Shkodër ndërruan drejtim dhe u kthyen për në Prishtinë. Ose ndoshta thjesht s‘ka njoftime për dokumentet që dëshmojnë se ky kontingjent hebrenjsh u prit në Durrës dhe u sistemua në Kavajë. Atëherë, ku kanë përfunduar?! Me siguri diku ku janë zhdukur, domethënë në Kosovë.

Stephen Schwartz, duke shkruar për përfundimet e judeofobisë në Bosnjë gjatë luftës, kalimthi gjen rastin të pohojë se "it is true that the Albanian Waffen SS Skanderbeg division turned some 210 Jews in Kosovo over to the nazis". Së paku ai kujtohet të saktësojë se "not one Jew was handed over in Albania itself"("The jews, the serbs, and the truth").

Jean-Moïse Braitberg, një prej studiuesve të "Steinberg Institute" pohon një shifër tjetër. Sipas tij, në prill të vitit 1942 ministri shqiptar i Punëve të Brendshme instruktoi që hebrenjtë e ardhur për shkak të luftës të mblidhen në një kamp përqendrimi. Ky kamp, thotë Braitberg, u krijua në Prishtinë. Prej andej "on évalue à 400 le nombre de Juifs arrêtés par les fascistes albanais et placés sous leur garde au camp de Pristina; la plupart d‘entre eux furent envoyés à Bergen-Belsen et il y eu environ 100 survivants". Në fakt, autori duhej ta dinte se në vitin 1942 nuk kishte divizion "Skanderbeg" (formalisht ai u krijua në mars 1944), ose të paktën që ende nuk ishte themeluar as kampi i përqendrimit i Bergen-Belsen-it!

Sigurisht, C. K. Savich dhe tribuna e tij "Serbianna" nuk mund të qëndronin pa propozuar dhe ai shifrën e tyre: "The definitive work on Hitler‘s "final solution" in Yugoslavia estimates that 550 Jews lived in Kosovo when Hitler took over Yugoslavia. 210 of them, or 38 percent, were murdered in Kosovo, mainly by Albanians. In fact, the Skanderbeg division‘s first operation was to act as an Einsatzgruppe against the Jews".

Pikëpamjes se në Kosovë divizioni SS "Skanderbeg" është implikuar në ushtrim të holokaustit e kanë mbështetur edhe studiues objektivë, si B. Fischer. Nuk dihet, megjithatë, se në ç‘burim referohet shifra e përmendur prej tyre, që nga të arrestuarit prej nazistëve "400 hebrenj të Kosovës përfunduan në Bergen-Belsen, nga mundën të mbijetojnë vetëm 100". Më i kujdesshëm rezulton qëndrimi i dr. Michele Sarfatti-t, sipas të cilit, "relativamente alla deportazione degli ebrei di Prishtinë nel 1944, dobbiamo dire che le notizie e i documenti oggi noti indicano che gli arresti furono effettuati dalla divisione SS Skanderbeg, agli ordini diretti delle autorità tedesche, senza il coinvolgimento delle autorità di Tirana" ("Grazie Albania!", në "Bota shqiptare", 27 janar - 9 shkurt 2005).. Ndërsa N. Malcolm, në "Kosovo: a short history", përmend deportimin e 281 hebrenjve nga Kosova më 1944, pa gjetur kurrfarë dëshmie të përgjegjësisë së divizionit SS "Skanderbeg".

Ajo që mund të pohohet në mënyrë të vërtetueshme është se për herë të parë shifra prej "519 personash" të arrestuar nga divizioni "Skanderbeg" e ka përmendur për herë të parë studiuesi serb Milorad Vavic ("Kosovski jevreji za vreme okupacije 1941-1944", 1983) dhe e ka rimarrë të referuar "edhe në burime arkivore serbo-hebraike" P. D. Ivanov, në librin "Jevreji Kosova i Metohije" (Beograd 1988, st. 70).

Si qëndron e vërteta? Dy vjet më parë, një prej funksionarëve të departamentit të kërkimeve në Muzeun Memorial të Holokaustit, dr. Mr. Altskan, më pati dhuruar kopjen e një dokumenti, të depozituar në arkivin e Pentagonit (US Army) në vitin 1947, së bashku me një riprodhim identik të dokumentit bazë gjermanisht, në përbërje të një korrespondence që zgjat ndërmjet viteve 1943-1944. Për shumë arsye, transkriptimi i dokumentit jepet besnikërisht në vijim:

"NOKN-General

NOKN- Slave Labor

Summary (indicate page nos.):

Page 27, WIII, Abwehrlage (situation of defense), point 4, Verhaftuingen (arrests):

The SS Division arrested 510 Jews, komunisten, helper of partisans (Bandenhelfer) and persons suspicious in political respect (politisch Verdachtinge). They were taken in custody (Sichorungsverwahrung) in division‘s prisoner camp and 249 of them transported to Germany labor.

(Analyst‘s note: "SS Div" quoted in the situation report is SS Div. "Skanderbeg". Only pages 1, 27 and 33 of the situation of report are of importance"

Maj.Gen. Kuebler, Joseph - personal record attached.

17 Jan. 43: Konrad: National Socialist in action and word;

8 august 1944: Rendulic, Kuebler is a good National Socialist".

Në përmbajtjen e këtij dokumenti gjendet filli i konfuzionit të qëllimshëm me shifrat e "hebrenjve të viktimizuar në Kosovë". Dokumenti bën fjalë për arrestimin e 510 personave, por ata nuk janë të gjithë hebrenj. Njoftohet që në krye se të arrestuarit përfaqësojnë disa kategori, si komunistë, mbështetës të partizanëve (të bandave), persona politikisht të dyshimtë. Pse ky zell, atëherë, për ta gjeneralizuar menjëherë shifrën dhe për t‘i implikuar shqiptarët në ushtrim të holokaustit? Duke vërejtur me kujdes se cilët janë përhapësit e parë të këtij fakti, duke mos bërë asnjë saktësim se në këtë numër përfshihen edhe shumë kategori të tjera kundërshtarësh të nazizmit, mund të merret me mend qëllimi: të paraqiten shqiptarët e Kosovës si të prirur për krime kolektive, veçmas si pjesëmarrës aktivë në Shoah.

Por e vërteta nuk mbaron me kaq. "Fabula" e viktimizimit të 800 (Savich), 520 (Savich, Vavic, Ivanov), 300-400 (Steinberg, Bratiberg) hebrenjve që lufta i zuri në Kosovë merr fund me zbulimin e listave të transportit ("Transportliste"), të hartuara në Prishtinë pikërisht në gusht të vitit 1944. Në këtë dokument divizioni SS "Skanderbeg" ngarkohet të kryejë detyrën "transport der kommunisten und partizanen". Lista gjendet në treguesit: AQSH, F. 153, V. 1944, D. 172, fl. 10-38. Pjesa e parë e listës mbyllet me numrin 239. Pjesa e dytë e listës mbyllet me numrin 249. Ekzistojnë dhe dy aneks-lista, të dhënat e të cilave janë përllogaritur një për një. Sipas këtyre listave, që sinkronizohen në të njëjtin veprim që përmend dhe dokumenti i MMH, divizioni SS "Skanderbeg" ka shoqëruar (jo dorëzuar apo viktimizuar) në kampin e përqendrimit të Saimishtes afër Beogradit (jo në Bergen-Belsen, këta hebrenj (numri rendor i përgjigjet atij që gjendet përbri emrit në listat origjinale):

17. Jelica Milenkovic Judin (Name falsch) Lista I

8 Albert Kalderon Jude Lista II

73. Kajdas Ilmii Jude Lista II

84. Shalom Zacharias Jude Lista II

85. David Zacharias Jude Lista II

86. Eugen Hochberg Jude Lista II

140 Sabetai Koen Jude Lista II

149. Mila Koen Judin Lista II

150. Flora Zacharias Judin Lista II

151. Silvia Zacharias Judin Lista II

154. Elsa Hochberg Judin Lista II

164. Adela Georgenberger Judin Lista II

200. Emerich Gal Jude Lista II

201. Sami Hilmi Jude Lista II

202. Benko Mandil Jude Lista II

207. Farie Hilmi Ihr Man ist Jude Lista II

210. Susane Mandil Judin Lista II

211. Jovan Mandil Sohn Lista II

212. Sara Avrami Judin Lista II

213. Buna Avrami Tochter Lista II

214. Alegri Avrami Tochter Lista II

215. Diamanti Avram Tochter Lista II

216. Lora Levi Judin Lista II

217. Rasida Latjif Judin Lista II

218. Luna Bahar Judin Lista II

219. Mois Avrami Jude Lista II

220. Majr Avrami Jude Lista II

221. David Levi Jude Lista II

222. Marko Levi Jude Lista II

232. Renee Gal Judin Lista II

233. Susane Gal Judin Lista II

141. David Bitron Jude Aneks I

Janë, pra, vetëm 32 hebrenj të deportuar nën shoqërimin e divizionit SS "Skanderbeg", megjithëse lista përmban 519 emra, në dy listat, bashkë me dy anekset. Pjesa tjetër janë shqiptarë të arrestuar si komunistë, partizanë, kundërshtarë të nazizmit; gjithashtu antifashistë malazezë dhe pak serbë. Nuk ka në këtë listë as romë, as bashkësi të tjera të paracaktuara me doktrinën naziste për t‘iu nënshtruar zhdukjes përfundimtare. Listat mund të këshillohen lirisht nga kushdo. Madje këto lista do të duhej të botoheshin integralisht. Kjo do t‘i jepte fund statistikimit të gënjeshtërt për dorëzimin e qindra hebrenjve në duart e nazistëve nga shqiptarët e Kosovës, për pjesëmarrjen e divizionit "Skanderbeg" në Shoah. Sepse, nëse numri i hebrenjve të listuar një për një ka qenë vetëm 32 - dhe për ta shqiptarët sot në Ditën e Kujtesës duhet të reflektojnë - nuk ka se si të jenë deportuar 400, 519 apo 800 dhe të kenë mbijetuar vetëm 100 prej tyre! Homazhi për viktimat e Shoah përjashton çdo përdorim të fakteve historike për qëllime të deformimit të së vërtetës. Kuptimi ndërkombëtar i Ditës së Kujtesës nis me njohjen e realiteteve.


Prof. dr. Shaban Sinani




Shkodër, 23 shtator 1939

Shkëlqesisë së Tij Francesko Jakomoni

Luogotenente


Shkëlqesi,

Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë asht profesor Norbert Jokli, me kombësi çifute, që, para Anshlus-it, ishte bibliotekar i Universitetit te Vjenës e profesor gjuhësie në të njajtin universitet.

Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, brenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.

Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.

Shkelqesi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombëtare shqipe, nëqoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.

Kombi shqiptar, i tani, do t‘ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqesia e Juej të mund të gjejë mundësinë ta bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty një vend, edhe pse jo aq fitimprurës, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.

Jam i sigurtë se do ta merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë.

Përfitoj nga rasti, për t‘Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe me mirënjohje të thellë.


I Shkëlqesisë Suej

i devoçëm e mirënjohës

P. Gjergj Fishta OFM


(Përkthim i Kolec Çefës)



Shteti Shqiptar Tiranë më 15.2.1944

Prefektura e Tiranës

Nr. 167/2. i regj.


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

Komisariati i Policisë - Tiranë

Nr. 053/i regj.


Lënda: Mbi 6 çifutë t‘arrestuem nga Gjermania në bashkëpunim me organet e kësaj zyre.


Përgjigje e shkresës Nr. 167/1 res. dt.10.V.1944.

Prefekturës së shtetit

Për njoftim: Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë


Në gjegje të sipërmes, kemi nderin t‘ju lajmërojmë, se çifutët t‘arrestuem me datë 16 prill të këtij viti, nga ana e policisë gjermane, të shoqëruem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun.

Në hetimet t‘imta të zhvillueme nga kjo komisieri, na rezulton si vijon:

1. Çifuti Sallomon Salltiel, i të vdekurve Isak e Matilda, lindun me 1915 në Shkup, banues në Shkup, nënshtetas ish-Jugosllavisë, ka ardhun në Shqipëri më datë 10 fruer 1943 tinzanisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pasaportë të rregullt ose ndonji tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun, ka qëndrue dy muaj, por nga autoritetet e vendit është diktue dhe asht kapë e internue në Kavajë, ku ka qëndrue deri në kapitullimin e Italisë. Nënprefekti i Kavajës z. Mehmet Gani (Qani) me datë 17.12.1943, me nr. extra i ka lëshue nji letër identiteti me emën false: Sali Isa Saltiel! Kjo letër identiteti e përmban dhe fotografinë e Sallomonit, si dhe vulën zyrtare të nënprefekturës në fjalë. Përveç kësaj, bashkia e Tiranës, zyra e shëndetësisë, më datë 12.VI.1943, me nr. 2021 i ka lëshue nji letër identiteti, po n‘emën fallso: Sali Isa Saltiel, këtu në Tiranë. Sallomoni është marrë me tregtina të vogla, përveç kësaj është marrë edhe me shitjen e të hollave në monedha italiane (lireta). Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konsatatohet ndonji gja, megjithqë Sollomoni asht‘ i dyshimtë.

2. Samiko Salltiel, i të vdekunve Isak dhe Matilda, lindun në 1920 në Shkup, banues në Shkup, i racës ebreike, nënshtetas ish-Jugosllavisë, ka ardhun në Shqipni abuzivisht më datë 5 mars 1943, po n‘atë mënyrë si i pari. Asht vlla i të parit - Sollomonit. Edhe ky posedon nji letër identiteti n‘emën: Sami Isa Saltiel, si i lindun dhe banues në Ferizaj të Kosovës. Letër identiteti i asht lëshue nga nënprefekti i Kavajës më datë 17.12.1943, me nr. ekstra edhe përmban fotografinë e tij, si dhe vulën zyrtare të nënprefekturës. Samikjo këtu në Tiranë nuk është marrë me ndonji punë, por ka qenë ndihmës i Sallomonit. Në vijën politike, në ngarkim të tij nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonji gja, por ësht‘ i rrezikshëm.

3. Jakov Gatenjo, i të vdekurve Mois dhe Jafa, lindun më 1921 në Shkup, banues në Shkup, i racës hebraike, nënshtetas i ish-Jugosllavisë, ka hyrë në Shqipëri abuzivisht si dy të parët, më datë 5.3.1943. Edhe këtij nënprefekti i Kavajës i nalt-përmendun i ka lëshue nji letër identiteti më datë 17.12.1943, me nr. ekstra n‘emën: Jak Gatenji, si i lindun dhe banues në Ferizaj të Kosovës. Edhe kjo letër identiteti e përmban fotografinë e tij me vulën zyrtare. Këtu në Tiranë është marrë me ndonji punë, por ka qenë ndihmësi i Sollomonit Salltiel në tregtin e tij të dyshimtë. Edhe në ngarkim të tij nuk ka qenë e mundun të konsatohet ndonji gja në vijën politike.

Drejtori Policisë Qendrës
 

b.k.

Primus registratum
Re: "Rishikimi i Holokaustit"

Wikipedia ka shume informacion te vlefshem, dhe shume infomacion te shkruar nga shkencetare (fakte te vertetuara).

Por, per vete faktin se nuk eshte burim akademik, jo cdo gje qe gjendet aty duhet besuar. Qe nje artikull te jete akademik ai duhet te kaloj nje proces publikimi qe perfshin dhe vertetimin e informacionit dhe pranimin nga eksperte te tjere.
 

b.k.

Primus registratum
Re: "Rishikimi i Holokaustit"

Dikush me siper foli per lirine e fjales si mbrojtje per mohimin e Holokaustit. Po ta shikojme ceshtjen nga kendeveshtrimi i shqiptareve, i njejti argument do te perdoret per p.sh. serbet nuk kryen masakra ne Kosovo.


Eshte e vertete se disa individe mund te mos kete informacion mbi padrejtesi te kryera gjate historise, por institucioneve apo shteteve nuk iu falet te bejne te tilla gafa historike (nese vertete ato nuk kane informacion duhet te mos japin opinion).

Eshte shume e nevojshme qe ata qe kryejne krime te marrin pergjegjesi per ate qe kane bere (dhe meqenese personat e perfshire ne Holokaust nuk jane me) eshte pergjegjesi e historise te raportoje ata qe jane pergjegjes.

Nese nuk njihet pergjegjesia ndaj krimeve atehere per cfare na duhen ligjet (mos flasim fare per moral apo humanis)?
 
Top